9. Tevbe · Ajeti 127 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:116–9:127

Allahu i fali Pejgamberit atë që patë lejuar disa hipokritë të mos shkonin në Tebuk. Ua fali edhe besimtarëve që u vonuan ose nuk vajtën e pastaj u penduan. Ua fali edhe atyre të treve, puna e të cilëve zgjati aq shumë sa që dëshiruan të hynin në dhë për së gjalli, pse pasi që urdhëroi Pejgamberi bojkotimin e tyre, nuk ua përcillte kush as përshëndetjet, nuk fliste askush me ta, edhe gratë e fëmijët e tyre u izoluan nga ata. Ata ishin: Kabi, Helali dhe Mirare.

Rrugëtimi për në Tebuk ka qenë shumë vështirë, mirëpo, përderisa ato vështirësi i përballoi vetë Pejgamberi, do të duhej që myslimanët të mos ngelnin prapa tij, madje do të duhej ta dinin se çdo vështirësi, çdo hap i kaluar në atë rrugë të Zotit do të ngriste autoritetin e myslimanëve, do të brengoste shpirtrat e kundërshtarëve, dhe në fund, do të shpërblehej nga i madhi Zot me shpërblimin më të mirë, Ashtu siç është e nevojshme lufta kundër armikut ashtu është i nevojshëm edhe angazhimi për të mësuar dhe fituar njohuri të plota në çështjen e fesë. Prandaj, kujdesi ndaj atyre që janë përcaktuar për përgatitje profesionale, duhet të jetë gjithnjë prezent ndër myslimanët.

Munafikët ia kishin frikë gjithnjë shpalljeve të ajeteve a kaptinave të Kur'anit, ngase ato zbulonin tradhtinë e tyre të fshehtë, andaj me qëllime tendencioze u bënin pyetje myslimanëve për shtimin e besimit të tyre me vazhdimin e zbritjeve. Ndonjëherë, përvidheshin dhe iknin që të mos dëgjonin rrëfimet e Kur'anit për marrëzitë e tyre.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:126–9:127

- Vallë, a nuk e shohin ata se çdo vit vihen në provë një ose dy herë? E, megjithatë, ata as nuk pendohen, as nuk reflektojnë. - Ata nuk pendohen për gjynahet e tyre të shkuara dhe nuk marrin mësim për të ardhmen dhe në lidhje me veprat që ata do të kryejnë më pas. Muxhahidi shpjegon: “Aa sprovohen me kohë të vështira dhe me uri.” Ndërsa Katadja ka thënë: “Sprovohen me luftë dy herë në vit.” - Sa herë që zbret ndonjë sure, ata shikojnë njëri-tjetrin në sy e thonë: “A ju pa ndokush?” - Ata i kthejnë shpinën të vërtetës dhe largohen prej saj. Kjo është gjendja e tyre në këtë botë: nuk përqëndrohen në të vërtetën, nuk e pranojnë dhe nuk e kuptojnë atë. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar, kur thotë: “Po çfarë kanë ata që i largohen këshillës? Ata janë si gomarë të egër të trembur, që vrapojnë prej luanit. Secili prej tyre dëshiron t’ i jepet një libër i posaçëm. ” [Mudethir 49 - 52]. Dhe thotëtë: “Ç’është me ata që nuk besojnë, (ata) që pandërprerë zgjasin shikimet drejt teje E që sorollaten në grupe, djathtas e majtas teje?” [Mearixh 36, 37]. Pra, ç’është me këta njerëz që largohen me të shpejtë majtas e djathtas teje, duke iu shmangur të vërtetës dhe duke preferuar të kotën? - Pastaj largohen. Allahu ua ka larguar zemrat (nga drita), sepse ata qenë njerëz që nuk kuptonin. - Kjo i ngjan ajetit tjetër: “Por kur ata devijuan, edhe Allahu ua devijoi zemrat. Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull që kalon kufijtë.” [Saf 5]. Në fund, Allahu i Madhëruar thotë për ata: “ ata qenë njerëz që nuk kuptonin.”

Pra, ata nuk i kuptonin mesazhet e Allahut të Lartësuar. Ata ishin të shpërqendruar dhe nuk i kushtonin asnjë vëmendje mesazheve të Zotit. Madje, ata i urrenin e largoheshin prej tyre.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:127

- “Sa herë që zbret ndonjë sure, ata shikojnë njëri-tjetrin në sy e thonë: “A ju pa ndokush?” Pastaj largohen.” - Munafikët trembeshin se mos zbriste ndonjë sure që do t'u nxirrte të palarat në shesh, prandaj, kur shpalleshin ajetet që nxisin për të besuar dhe për të zbatuar porositë e Zotit, ata vështronin njëri -tjetrin, të vendosur për të dredhuar dhe duke u munduar t'u fshiheshin shikimit të besimtarëve. Ata i thoshin njëri tjetrit: “A ju pa ndokush?” E pastaj largoheshin tinëz, me mosbesimin ndaj Shpalljes. Edhe i Madhëruari i ndëshkoi sipas veprës së tyre të poshtër. - “Allahu ua ka larguar zemrat (nga drita), sepse ata qenë njerëz që nuk kuptonin.” - Ashtu sikurse ata iu shmangën zbatimit të porosive të Zotit, edhe Ai ua shmangu zemrat nga e vërteta dhe nuk ua mundësoi që ta shihnin e pranonin atë. Ky ishte ndëshkimi për ta dhe për të ngjashmit e tyre, sepse ishin njerëz që nuk kuptonin. Nëse vërtet do të arsyetonin drejt dhe do të kuptonin suret e Kur'anit, ata do të besonin dhe do të nënshtroheshin për të jetuar sipas tyre. Ajetet tregojnë se sa shumë e urrejnë munafikët xhihadin, ligjet e Zotit dhe veprat e imanit të vërtetë. Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë për ta: “...kur shpallet ndonjë sure e qartë, që flet për luftë, ata me zemër të sëmurë, të shikojnë sikur të ishin në agoninë e vdekjes.” [Muhamed 20].

← Tevbe 9:127