9. Tevbe · Ajeti 16 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:11–9:22

Allahu ua ka lënë dyert e hapura atyre që duan të besojnë, e nëse nuk duan të besojnë dhe tradhtojnë marrëveshjet, ofendojnë fenë islame, ata meritojnë të luftohen, ngase ata ishin të parët që i luftonin myslimanët, ata u përpoqën ta likuidojnë Pejgamberin, kur nuk ia dolën kësaj pune, e detyruan ta lëshojë vendlindjen. Të gjitha këto ishin krime të tyre të cilat tërhoqën luftën kundër vetes. Myslimanët u urdhëruan ta luftojnë parinë idhujtare, ngase ata ishin ata që pengonin të tjerët të pranonin besimin e drejtë, Disa nga paria e tyre si Ebu Sufjani, Ikrime, Suhejl ibni Amri, e pranuan islamizmin ditën kur u çlirua Meka dhe Allahu ua pranoi pendimin.

Lufta që u propozohej myslimanëve, kishte për qëllim që të dihej dhe të dalë në shesh besimtari i sinqertë dhe ai i luhatshmi, dhe ashtu të pastrohen mirë radhët e myslimanëve, andaj edhe përmenden ata që luftuan me pasuri, me jetë, kurse sekretet e myslimanëve nuk ua shpallën asnjë të huaji, siç bënin disa nga munafikët. Allahu i ka ditur dhe i di të sinqertit dhe jo të sinqertit, e ajo dije e Allahut duhej të manifestohej konkretisht. E tërë kjo kishte për qëllim filtrimin e njerezve.

Mushrikët mendonin se edhe ata kanë një privilegj meqë u jepnin ujë haxhinjve, kujdeseshin për Qaben etj. Kjo pjesë e Kur'anit u dha të kuptojnë se veprat e tyre janë të kota, derisa të mos besojnë, andaj edhe ua mohonte të drejtën përderisa nuk besuan.

Allahu i përgëzon ata që migruan me një shkallë të lartë të shpërblimit për shkak se ata besuan, migruan dhe luftuan, e si shpagim të vuajtjeve të tyre, kanë mëshirën, kënaqësinë e Zotit dhe përjetime të pakëputura.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:16

- A mos menduat se do të brakti seni dhe se Allahu nuk do t’i n xjerrë në pah ata ndër ju që luftojnë e që nuk kanë zgjedhur për mik të dashur asnjë tjetër, përveç Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve? - O ju besimtarë! A mos mendoni, vallë, se do të liheni pa u vënë në provë, për të dalë në pah besimtarët këmbëngulës e të sinqertë, nga gënjeshtarët shtiracakë? Allahu ka për t’i nxjerrë në pah besimtarët e sinqertë, të cilët nuk kanë zgjedhur për mik të dashur asnjë tjetër, përveç Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve. Qoftë me veten dhe shpirtin e tyre, qoftë me veprat e dukshme, ata tregojnë qartas se janë të distancuar nga çdokush tjetër dhe nuk marrin për mik të ngushtë asnjë tjetër veç Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve. Ata përpiqen të përmirësojnë e forcojnë marrëdhëniet me Allahun, të Dërguarin e Tij dhe me besimtarët. Allahu i Lartësuar ka thënë: “ Vërtet mendojnë njerëzit se do të lihen vetëm të thonë “Ne besojmë” pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, dhe Allahu do t'i nxjerrë në pah ata që thonë të vërtetën dhe ata që gënjejnë. “ [Ankebut 2, 3]. Dhe thotë: “A mos mendoni ju se do të hyni në Xhenet pa i provuar Allahu ata që luftuan (në rrugën e tij) dhe pa i nxjerrë në pah durimtarët?!” [Al Imran 142]. Gjithashtu: “Allahu nuk do t’i lërë kurrë besimtarët, ashtu siç jeni ju, pa dalluar të keqin nga i miri. Allahu nuk do t'ju lejonte juve t'i zbuloni të fshehtat (që i di vetëm Ai) . Por Allahu zgjedh atë që do nga të dërguarit e Tij (për t'ia zbuluar të fshehtat) . Prandaj, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij. Nëse besoni dhe ruheni, do të keni një shpërblim të madh.” [Al Imran 179]. Vënia në provë e besimtarëve këtu u bë përmes ligjërimit të xhihadit . Kështu, robërit sprovohen për të dalë në pah të bindurit nga shtiracakët, që i bëjnë bisht urdhëresave të Allahut. - Allahu e di hollësisht atë që bëni ju. - Allahu i Lartësuar është i gjithëditur për atë që ishte në të shkuarën dhe për atë që do të jetë në të ardhmen. Ai e di mirë çdo çështje, para se ajo të ndodhë, në kohën kur ajo ndodh dhe për hollësitë, në të cilat ajo përmbushet e ndodh. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut dhe nuk ka Zot e sundues tjetër veç Tij. Askush nuk mund të kthejë pas e të ndalojë kaderin, ligjin dhe vendimin e Allahut.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:16

Allahu i Lartësuar, pasi i urdhëroi besimtarët për xhihad në rrugën e Tij, i përkujton ata për një çështje të rëndësishme:

- “A mos menduat se do të braktiseni dhe se Allahu nuk do t’i njxjerrë në pah ata ndër ju që luftojnë e që nuk kanë zgjedhur për mik të dashur asnjë tjetër, përveç Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve?” - Kuptimi: A mos pandehni se do të liheni pa u sprovuar dhe pa marrë urdhra, që zbulojnë të sinqertin dhe mashtruesin?! Të mos kini asnjë dyshim se Allahu i Madhëruar do ta nxjerrë në shesh se çfarë fshihet në zemrat e njerëzve përmes veprave të tyre, në mënyrë që çdokush të shpërblehet e ndëshkohet, sipas drejtësisë dhe bamirësisë së Tij. Do të dallohen qartë ata që luftojnë me qëllimin që të lartësohet fjala e Allahut dhe ata që mbështeten veçse tek Allahu i Lartësuar. Miqtë dhe aleatët e tyre të vetëm janë Allahu, Profeti i Tij dhe besimtarët. 35 Kështu, Allahu i Madhëruar e ligjëroi xhihadin, me qëllim që të realizohet ky qëllim themelor i Sheriatit: dallimi i të sinqertëve nga gënjeshtarët dhe shtiracakët. Një nga qëllimet më të mëdha të Sheriatit është sprovimi i njerëzve, për t'u dalluar qartë të sinqertët, të cilët bashkëpunojnë veçse për hir të fesë së Allahut, nga mashtruesit dhe shtiracakët, të cilët bashkëpunojnë me jobesimtarët dhe prishin lidhjen me Allahun, Profetin e Tij dhe besimtarët. - “Allahu e di hollësisht atë që bëni ju.” - Allahu i di shumë mirë si ato gjëra që ju i bëni haptazi, ashtu edhe ato që i fshihni. Ai ju sprovon, për të nxjerrë në shesh ato fjalë dhe vepra që tregojnë realisht gjendjen tuaj. Ai do t’ju shpërblejë për punët tuaja të mira dhe të këqija, me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij.

← Tevbe 9:16