9. Tevbe · Ajeti 22 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:11–9:22

Allahu ua ka lënë dyert e hapura atyre që duan të besojnë, e nëse nuk duan të besojnë dhe tradhtojnë marrëveshjet, ofendojnë fenë islame, ata meritojnë të luftohen, ngase ata ishin të parët që i luftonin myslimanët, ata u përpoqën ta likuidojnë Pejgamberin, kur nuk ia dolën kësaj pune, e detyruan ta lëshojë vendlindjen. Të gjitha këto ishin krime të tyre të cilat tërhoqën luftën kundër vetes. Myslimanët u urdhëruan ta luftojnë parinë idhujtare, ngase ata ishin ata që pengonin të tjerët të pranonin besimin e drejtë, Disa nga paria e tyre si Ebu Sufjani, Ikrime, Suhejl ibni Amri, e pranuan islamizmin ditën kur u çlirua Meka dhe Allahu ua pranoi pendimin.

Lufta që u propozohej myslimanëve, kishte për qëllim që të dihej dhe të dalë në shesh besimtari i sinqertë dhe ai i luhatshmi, dhe ashtu të pastrohen mirë radhët e myslimanëve, andaj edhe përmenden ata që luftuan me pasuri, me jetë, kurse sekretet e myslimanëve nuk ua shpallën asnjë të huaji, siç bënin disa nga munafikët. Allahu i ka ditur dhe i di të sinqertit dhe jo të sinqertit, e ajo dije e Allahut duhej të manifestohej konkretisht. E tërë kjo kishte për qëllim filtrimin e njerezve.

Mushrikët mendonin se edhe ata kanë një privilegj meqë u jepnin ujë haxhinjve, kujdeseshin për Qaben etj. Kjo pjesë e Kur'anit u dha të kuptojnë se veprat e tyre janë të kota, derisa të mos besojnë, andaj edhe ua mohonte të drejtën përderisa nuk besuan.

Allahu i përgëzon ata që migruan me një shkallë të lartë të shpërblimit për shkak se ata besuan, migruan dhe luftuan, e si shpagim të vuajtjeve të tyre, kanë mëshirën, kënaqësinë e Zotit dhe përjetime të pakëputura.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:19–9:22

- Vërtet e konsideroni dhënien ujë haxhinjve dhe kujdestarinë për Xhaminë e Shenjtë, të njëjtë me besimin tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe luftën në rrugën e Allahut? - Si tefsir të këtij ajeti, Ibn Abasi ka thënë: “Idhujtarët thanë: “Kujdesi për Xhaminë e Shenjtë dhe shërbimi me ujë i haxhinjve, janë më të vlefshme sesa besimi dhe xhihadi, duke i kthyer kështu shpinën besimit të Kur 'anit dhe rrugës së Profetit të Allahut. Por Allahu i Madhëruar u tregoi se besimi i vërtetë e i pastër dhe xhihadi në mbështetje të Profetit ﷺ janë më të vyera se kujdesi që idhujtarët tregonin për Xhaminë e Shenjtë dhe përkujdesi i tyre për t’u shërbyer me ujë haxhinjve, sepse këto vepra nuk u sillnin asnjë dobi, për shkak të shirkut të tyre. - Jo, këto nuk janë të njëjta për Allahun. Allahu nuk i udhëzon në rrugën e drejtë keqbërësit. - Këta të cilët e quanin veten si kujdestarë të Xhamisë, Allahu i Lartësuar i quajti keqbërës, për shkak të idhujtarisë së tyre. Atyre nuk u vlente aspak përkujdesja për Qaben dhe asnjë punë tjetër. Uelid Ibn Muslimi sjell rrëfimin nga Numan Ibn Beshir el Ensari, i cili tregon: 1338. “Isha ulur pranë mimberit të Profetit të Allahut së bashku me disa shokë të tij. Dikush prej tyre tha: “Nuk mendoj se ka në Islam punë më të mirë se dhënia ujë haxhinjve.” Një tjetër

tha: “Unë them se është kujdesi për Xhaminë e Shenjtë.” Një tjetër tha: “Xhihadi në rrugën e Allahut është më i mirë sesa ato që thoni ju.” Umer Ibn Hatabi i qortoi dhe tha: “Mos e ngrini zërin pranë minberit të Profetit të Allahut! - Kjo ndodhi ditën e xhuma. - Kur të fal xhumanë, - tha ai - do të shkoj tek Profeti i Allahut, që ta pyes për këtë çështje, që ju keni kundërshtime.” Dhe ashtu veproi. Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Vërtet e konsideroni dhënien ujë haxhinjve dhe kujdestarinë për Xhaminë e Shenjtë... deri tek: “Allahu nuk i udhëzon në rrugën e drejtë keqbërësit.” Këtë hadith e ka sjellë Muslimi në Sahih-un e tij, Ebu Daudi - dhe ky është versioni i sjellë prej tij, - Ibn Merdeuejhi dhe Ibn Ebu Hatimi në Tefsir-et e tyre, si dhe Ibn Hibani në Sahih-un e tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:19–9:22

- Vërtet e konsideroni dhënien ujë haxhinjve dhe kujdestarinë për Xhaminë e Shenjtë, të njëjtë me besimin në Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe luftën në rrugën e Allahut?” - Disa muslimanë polemizonin me njëri tjetrin - ose ndoshta me një grup idhujtarësh - rreth çështjes se a është vepër më e mirë dhënia ujë haxhinjve ose ndërtimi i Xhamisë së Shenjtë dhe gjallërimi i saj me namaz e adhurime, apo është më i mirë besimi në Allahun e Ditën e Gjykimit dhe lufta në rrugën e Tij? Atëherë, Allahu i Madhëruar njofton se mes dy çështjeve ka ndryshim shumë të madh. - “Jo, këto nuk janë të njëjta për Allahun.” - Kështu, lufta në rrugën e Zotit dhe besimi i vërtetë është më i mirë dhe më i rëndësishëm se dhënia ujë haxhinjve dhe se ndërtimi dhe frekuentimi i Xhamisë së Shenjtë. Dallimi mes tyre është shumë i madh, sepse imani është themeli i fesë dhe vetëm me një iman të saktë veprat bëhen të pranueshme dhe njeriu pajiset me cilësi të lëvdueshme. Ndërsa lufta në rrugën e Zotit është pika kulminante e fesë së Zotit. Nëpërmjet saj, feja ruhet dhe përhapet ndër

njerëz. Përmes xhihadit triumfon e vërteta dhe zhduket e kota. Ndërsa dhënia ujë haxhinjve apo ndërtimi dhe frekuentimi i Shtëpisë së Shenjtë, edhe pse janë ndër veprat më të mira, ato gjithsesi janë të pranueshme veç nëse kanë si bazë besimin e drejtë tek Allahu i Madhëruar. Mirësitë që arrihen përmes tyre nuk mund t'u afrohen mirësive të imanit dhe xhihadit në rrugën e Zotit. - “Allahu nuk i udhëzon në rrugën e drejtë keqbërësit.” - Padrejtësia është bërë cilësi e pandashme e keqbërësve, prandaj ata nuk e meritojnë t'u jepet ndonjë e mirë. Ata nuk e pranojnë të mirën dhe vlejnë vetëm si mbartës të ligësisë dhe shfrenimit. Në vijim, Allahu i Madhëruar e shpreh qartë se cilët janë në gradat më të larta: - “Ata të cilët kanë besuar, emigruar dhe luftuar me pasurinë dhe jetën e tyre në rrugën e Allahut, kanë pozitë më të lartë tek Allahu. Dhe ata janë fitimtarët.” - Janë ata që emigruan për hir të Allahut, ashtu si i mësoi Allahu dhe Profeti i Tij. Janë ata që zhvilluan xhihadin në rrugën e Zotit me të gjitha mënyrat dhe rrugët që Zoti i mësoi. Ata luftuan me pasurinë e tyre, duke përgatitur luftëtarët në rrugën e Zotit, por luftuan edhe me jetën e tyre. Këta arritën çdo të mirë që synonin dhe shpëtuan nga çdo e keqe që i druheshin. Askush nuk e arrin këtë sukses, veçse ata që kanë të tilla cilësi.36 Ja se çfarë i pret ata te Zotit i tyre: - “Zoti i tyre u jep lajmin e mirë për mëshirë nga Vetë Ai, për kënaqësinë e Tij (ndaj tyre) dhe për kopshte, ku do të kenë mirësi të pandërprera.” - Duke treguar mirësinë, bujarinë, përkujdesin dhe dashurinë e madhe që ka për ta, Allahu i Madhëruar i përgëzon këta fatlumë se do t’u dhurojë shumë mëshirë e mirësi nga ana e Tij. Nëpërmjet kësaj mëshire, Ai do t’u largojë çdo të keqe e ligësi prej tyre dhe do t’u dhurojë mirësi e begati të pamatë në dynja dhe në ahiret. Por mirësia mbi të gjitha mirësitë është kënaqësia e Allahut mbi ta. Kjo është kënaqësia më e madhe që do të përjetojnë banorët e Xhenetit. Zoti i tyre do të jetë i kënaqur dhe asnjëherë i zemëruar me ta. Mirësitë e tyre nuk do të mbarojnë kurrë: - “Ata do të jenë të përjetshëm në to.” - Mirësitë do të jenë të përjetshme dhe të larmishme, domethënë nga çdo lloj që kënaq shpirtin dhe sytë e tyre. Atje ka mirësi që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe zemra kurrë nuk i ka ëndërruar. Përshkrimin real të tyre e di veç Allahu, që i krijoi dhe i përgatiti me dashuri për të dashurit e Tij. Mendohu pak se çfarë gradash të larta ka përgatitur i Madhëruari për muxhahidët në rrugën e Tij. Profeti na ka lajmëruar se Allahu ka përgatitur për muxhahidët në rrugën e Tij njëqind grada të larta, ndërmjet secilave është një hapësirë sa largësia mes qiejve dhe tokës. Aq e gjerë është njëra prej tyre, saqë edhe nëse të gjitha krijesat të grumbulloheshin në të, do t’i përfshinte të gjithë. Ata do të jenë të përjetshëm në këto kopshte, pa ndërprerje.37 - “Me të vërtetë, tek Allahu ka shpërblim të madh.” - Kurrë mos u çudit nga këto mirësi të shumta që Zoti premton, sepse mirësia e Tij është e pafundme. Mos u çudit me bukuritë e premtuara prej Tij, sepse nëse Allahu dëshiron diçka, thjesht i thotë ‘Bëhu’, dhe ajo bëhet.

← Tevbe 9:22