9. Tevbe · Ajeti 25 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:23–9:33

Kur u lejua Pejgamberi të bëjë hixhret, i thirri edhe shokët që të shpërngulen dhe ta praktikojnë lirisht besimin islam. U shpërngulën edhe shokët, por pati prej tyre që për hir të ndonjë të afërmi të mos shpërngulen, e mandej edhe të sprovohen në besimin e vet, pse ndodhte që ndonjë sekret i myslimanëve të zbulohet prej të tillëve. Kur'ani nuk ndalon lidhjen e farefisnisë, nëse ajo nuk shkon në dëm të fesë, e nëse po, atëherë përparësi ka feja e jo farefisi.

Pasi shkëputja e marrëveshjeve me mushrikët shpallet haptazi, pati të atillë që u frikësuan për çështjet e jetesës etj. Zoti xh. sh. ua përkujton ndihmën që u ofroi në shumë raste dhe në luftën e Hunejnit, kur myslimanët ishin të shumtë në numër dhe u krenuan për këtë, mirëpo, u doli e kundërta, sepse u thyen derisa në një çast Pejgamberi mbeti vetëm në sheshin e luftës e Zoti ua dërgoi engjëjt.

Idhujtarët, shpirtërisht ishin të ndyrë, andaj, u ndalohet vizita e Qabes pas atij viti, vitit të nëntë. Pati edhe asish që iu frikësuan skamjes, ngase idhujtarët nuk do të vinin më për tregti, prej të cilës mekasit gjallonin. Zoti u premtoi mirësi e furnizim nga begatitë e veta.

Ithtarët e librit, jehudi dhe të krishterë, ishin të obliguar të japin xhizjen. Xhizja ishte një pagesë që bëhej nga ata që nuk ishin myslimanë, e për ta gëzuar lirinë dhe sigurinë në fe e në jetë në shtetin islam. Të këqiat e tyre ishin se njëra palë thonin për Uzejrin djalë i Zotit, e tjetra për Isain. Ashtu patën thënë më parë disa për melaiket se ishin bija të Zotit. Sendet që i kishte ndaluar Kur'ani, ata i përdornin si të lejuara. Përpiqeshin që drita e Kur'anit, e fesë islame të pengohej e të shuhej, por më kot, sepse Zoti kishte vendosr që ajo të triumfojë mbi të gjitha të tjerat, anipse këtë nuk e dëshironin ithtarët e libirt e as idhujtarët.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:25–9:27

- Sigurisht që Allahu ju ka ndihmuar në shumë beteja. Edhe në ditën e Hunejnit, kur ju u mahnitët nga numri juaj i madh, por që nuk ju vlejti aspak. Toka ju duk e ngushtë, me tërë atë gjerësi dhe më pas ju u tërhoqët. - Allahu i Madhëruar u kujton besimtarëve mirësinë e Tij të madhe dhe ndihmën që Ai u ka dhënë atyre në shumë beteja të zhvilluara nga Profeti. E gjithë kjo ka ndodhur veçse me kujdesin, ndihmën dhe caktimin e Allahut dhe jo prej numrit të madh apo forcës luftarake. Ndihma e fitorja vjen vetëm nga Allahu, pavarësisht numrit të madh apo të vogël. Kështu ndodhi në luftën e Hunejnit, kur muslimanët u kënaqën me numrin e madh të luftëtarëve, por që nuk u vlejti aspak në përballjen me armikun. Përveç një pakice, ata ikën nga fushëbeteja, duke lënë Profetin e Allahut. Por Allahu zbriti qetësinë, prehjen dhe ndihmën e Tij për Profetin dhe besimtarët që qëndruan me të, siç do ta tregojmë të shtjelluar më pas, në dashtë Allahu, për t'iu treguar se ndihma e fitorja vjen veçse nga Allahu dhe forca që Ai u dhuron. Sa e sa grupe të vogla kanë mundur e thyer grupe të mëdha, me lejen e Allahut! Allahu është me të durueshmit. Lufta e Hunejnit u zhvillua pas çlirimit të Mekës, në muajin Sheual të

vitit të tetë të Hixhretit. Pas çlirimit të Mekës, Profeti dëgjoi se fisi i Ha uazinit, filluan të mobilizonin gjithçka për një luftë kundër tij. Udhëheqësit të tyre Malik Ibn Auf el Nadriu iu bashkua i gjithë Thekifi. Me ta u bashkuan edhe fisi i Xhushumit, fisi i Sad Ibn Bekrit dhe disa njerëz prej fisit Benu Hilal, por ata ishin të pakët në numër. Po kështu iu bashkuan edhe fiset Amr Ibn Amir dhe Aun Ibn Amir. Ata morën me vete në këtë luftë gratë e fëmijët e tyre, si edhe gjithë pasuritë e bagëtitë që kishin. Profeti u nis në drejtim të tyre, në krye të një ushtrie prej mbi 10 mijë vetësh. Kjo ushtri ishte e përbërë nga ushtarët që morën pjesë në çlirimin e Mekës, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, por edhe pjesëtarë të fiseve arabe. Me të dolën edhe ata që pranuan Islamin në çlirimin e Mekës, pra, ata që u quajtën tulekâu dhe ishin gati dy mijë vetë. Ai nisi marshimin drejt armikut dhe u përball me të në një luginë të quajtur Hunejn. Përballja me ta filloi herët në agim, pa zbardhur dita. Muslimanët filluan të zbrisnin në luginë, ndërkohë Heuazinët ishin gati për sulm. Me të dalë ballë tyre, muslimanët u goditën nga një sulm i rrufeshëm dhe u mbuluan nga shigjetat. Heuazinët u lëshuan me shpatat e zhveshura si një trup i vetëm, ashtu siç ishin porositur nga Mbreti i tyre. Për këtë arsye, shumë muslimanë u larguan nga fushëbeteja, sikurse i përshkruan Allahu i Lartësuar në ajet. Ndërkohë, Profeti i Allahut, që qëndronte hipur mbi një mushkë të bardhë, u drejtua drejt armikut. Abasi, xhaxhai i Profetit, kishte kapur frerin e djathtë, ndërsa Ebu Sufjan Ibn Harith Ibn Abdul Mutalibi kishte kapur frerin e majtë. Ata mundoheshin ta mbanin me forcë mushkën, që të mos shkonte në drejtimin e armikut, kurse Profeti thoshte me zë të lartë emrin e tij: 1342. “Unë jam Profet e jo mashtrim. Unë jam i biri i Abdul Mutalibit.” Gjithashtu, ai thërriste muslim anët, që të ktheheshin tek ai: 1343. “Ejani tek unë, o robërit e Allahut! Unë jam Profeti i Allahut.” Me Profetin ﷺ qëndruan rreth 100 sahabë, mes të cilëve Ebu Bekri, Umeri, Abasi, Aliu, Fadël Ibn Abasi, Ebu Sufjan Ibn Harithi, Ejmeni, i biri i Ummu Ejmenit, Usame Ibn Zejdi etj. - Allahu qoftë i kënaqur prej tyre! Pastaj Profeti urdhëroi Abasin, i cili kishte një zë të fortë e të dëgjueshëm, që të thërriste me zë të lartë të gjithë ata muhaxhirë dhe ensarë, të cilët i dhanë besën poshtë pemës gjatë vitit të Hudejbijes dhe iu betuan se kurrë nuk do ta braktisin fushëbetejën: 1344. “O ju që dhatë besën poshtë pemës!”. Ose: 1345. “O ju që dini suren Bekare!” Atëherë, ata me të dëgjuar zërin, u përgjigjën: “Si urdhëron! Si urdhëron!” Kështu, ata filluan të mblidheshin rreth Profetit të Allahut. Madje, shumë nga ata, duke qenë se kafshët nuk iu bindeshin e të ktheheshin shpejt, zbrisnin prej tyre dhe ktheheshin me vrap drejt zërit, që i thërriste. Pasi një grup i vogël prej tyre u kthyen tek Profeti, atëherë ai i urdhëroi për sinqeritet të plotë në përballjen dhe sulmin kundër armikut. Pastaj mori një grusht dhé e pasi iu lut Allahut për fitore, e hodhi dheun në drejtim të ushtrisë armike, duke thënë: 1346. “O Allah, ma përmbush e plotëso atë që më ke premtuar!” Nuk mbeti askush prej tyre pa iu futur dheu në sy dhe në gojë, duke u shpërqendruar tërësisht nga luftimi. Kështu filloi mposhtja e tyre dhe muslimanët filluan t’i ndiqnin pas, t’i vrisnin e t’i zinin robër. Aq shpejt u zhvillua ky sulm, saqë pa u mbledhur e tërë ushtria tek Profeti, të gjithë robërit ishin ndërkohë para tij. Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Bera Ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se nj ë burrë e pyeti atë dhe i tha: 1347. “O Ebu Umara! Vërtet ikët nga fushëbeteja Ditën e Hunejnit?” - “Por Profeti i Allahut nuk u largua. Heuazinët ishin harkëtarë të sprovuar, por kur i sulmuam me shpata, ata u tërhoqën dhe njerëzit filluan të merreshin me plaçkën e luftës. Më pas, ata sulmuan me shigjeta dhe njerëzit u larguan. Në ato momente kur njerëzit largoheshin, e shihja Profetin hipur mbi mushkën e tij dhe thoshte: “Unë jam Profet e jo mashtrim!

Unë jam i biri i Abdul Mutalibit!” Ndërsa Ebu Sufjan Ibn Harith Ibn Abdul Mutalibi kishte kapur frerin dhe mundohej ta mbante me forcë mushkën.” Kjo tregon për trimërinë e guximin e madh të Profetit të Allahut. Pikërisht në kulmin e luftës, kur beteja ishte ndezur fort dhe në kohën kur ushtarët ishin larguar prej tij, ai drejtohet nga armiku dhe e thotë me zë të lartë emrin e tij, si për ata armiq që e njihnin, edhe për ata që nuk e njihnin. Paqja dhe bekimet e Allahut, si edhe të gjitha lavdërimet qofshin për Profetin ﷺ ,pa ndërprerë, deri në Ditën e Gjykimit! I pakët në numër, i hipur në një mushkë të ngadaltë, mbi të cilën as që mund të largohesh e të shpëtoje nga armiku, ai ishte i mbushur me besim të plotë në Allahun, i mbështetur tërësisht në fuqinë e pushtetin e Tij absolut, me besim të sigurt se Allahu do ta ndihmonte e do t’i dhuronte fitoren, ai ecte drejt armikut. Ai ishte i bindur se Allahu do ta ndihmonte fenë e Tij dhe do ta bëjë të epërme, mbi të gjitha fetë në botë. - Por Allahu zbriti qetësinë Tij mbi të Dërguarin dhe mbi besimtarët. - Ai zbriti qetësinë, qëndrueshmërinë e prehjen në zemrat e tyre. - Ai zbriti një ushtri (melekësh), që ju nuk e patë, dhe i dënoi jobesimtarët. Ky qe “shpërblimi” i mohuesve. - Ai zbriti melekë në ndihmë të Profetit. Imam Ebu Xhafer Ibn Xheriri sjell hadithin nga Abdurahman meula Ibn Berthen, i cili thotë: “Më ka treguar një burrë, i cili ishte në ushtrinë e idhujtarëve ditën e Hunejnit, dhe më ka thënë: 1348 “Kur u përballëm me shokët e Profetit të Allahut, në Betejën e Hunejnit, ata nuk qëndruan më gjatë se një mjelje deleje. Pasi filluan të shpërndaheshin e largoheshin nga fushëbeteja, ne iu vumë pas, derisa arritëm tek ai që kishte hipur mbi një mushkë të bardhë. Ai ishte Profeti i Allahut. Para nesh dolën disa burra të bardhë dhe të hijshëm, në pamje dhe fytyrë, të cilët po na thoshin: “Fytyra të shëmtuara! Kthehuni ...! Kështu ne u mposhtëm, u tërhoqëm, derisa ata hipnin mbi qafat tona, dhe ndodhi ajo që ndodhi.” Nga Shejbe Ibn Uthman përcillet se ka thënë: 1349. “Unë isha me Profetin e Allahut në Betejën e Hunejnit. Betohem në Zotin se nuk dola për të mbështetur Islamin apo nga njohja e tij, por nuk doja kurrsesi që Heuazinët të triumfonin mbi Kurejshët. Duke qenë pranë tij, i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Unë shoh kuaj belka (të zinj me këmbët e ballin të bardhë) !” Ai më tha: “O Shejbe, ato mund t’i shohë veçse mohuesi!” Pastaj goditi me dorën e tij mbi gjoksin tim dhe tha: “ O Allah, udhëzoje Shejben! ” Pastaj goditi me dorën e tij për herë të dytë mbi gjoksin tim dhe tha: “ O Allah, udhëzoje Shejben!” Pastaj goditi me dorën e tij për herë të tretë mbi gjoksin tim dhe tha: “ O Allah, udhëzoje Shejben! ” Betohem në Allahun se, pasi e ngriti dorën nga gjoksi im për herën e tretë, nuk kishte krijesë më të dashur në zemrën time se ai ...” dhe vazhdon h adithi i plotë, ku përmenden përballjet e dy ushtrive, humbjet fillimisht të muslimanëve, thirrjen e Abasit, lutjet e Profetit për ndihmë nga Allahu dhe për mposhtjen e idhujtarëve. Seid Ibn Saib Ibn Jesari tregon nga i ati, i cili ka thënë: “Jezid Ibn Amir el Seuani ishte nga ata që morën pjesë në Hunejn dhe ishte në rradhët e idhujtarëve, por pranoi Islamin më pas. Ne e pyetëm atë rreth frikës që Allahu hodhi në zemrat e idhujtarëve ditën e Hunejnit dhe ai mori një grusht rëre e guralecash dhe e hodhi në një tas dhe tha: “Na u duk sikur një i tillë gjendej brenda nesh.” Ky hadith mbështetet edhe nga një hadithi i Fihrij Jezid Ibn Usejdit. Allahu është më i ditur. Në Sahihu-un e Muslimit është hadithi nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 1350. “Jam ndihmuar e më është dhënë fitorja, përmes tmerrit që pushton zemrat e armiqve të mi dhe më është dhënë oratoria e plotë.” I Lartësuari thotë: “Ai zbriti një ushtri (melekësh), që ju nuk e patë, dhe i dënoi jobesimtarët. Ky qe “shpërblimi” i mohuesve.” - Pas kësaj, Allahu ia pranon pendimin atij që do. Allahu është Falës i madh e

Mëshirëplotë. - Allahu i Lartësuar ia pranoi pendimin pjesës së mbetur të Heuazinasve dhe ata pranuan Islamin. Ata e arritën Profetin kur ai ishte afër Mekës, në El Xhirane, afër 20 ditë pas betejës. Profeti u dha dy mundësi për të zgjedhur: Ose të merrnin mbrapsht gratë e fëmijët e tyre, ose pasurinë që iu mor si plaçkë lufte nga muslimanët. 101 Ata sigurisht që zgjodhën gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët ishin afërsisht 6000 vetë, gra e fëmijë. Kështu, Profeti ua ktheu gratë e fëmijët e tyre, ndërsa plaçkën e luftës e ndau mes luftëtarëve. Gjithashtu, ai u dha prej neflit edhe tulakâ-ve (të falurve) , që tu afronte zemrat në Islam. Çdokujt prej tyre i dha nga 100 deve. Mes atyre që u dha 100 deve ishte edhe Malik Ibn Auf el Nadri, të cilin e la si udhëheqës të popullit të tij, ashtu siç ishte më parë, i cili e lëvdonte shumë Profetin në poezinë e tij të njohur.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:25–9:27

Allahu i Lartësuar u kujton besimtarëve mirësitë e Tij të shumta dhe ndihmën e madhe në shumë luftëra të tyre kundër mohuesve. Në mënyrë të veçantë, Ai u kujton ndihmën e Tij në betejën e Hunejnit, kur u shtrënguan aq shumë, saqë u larguan nga fushëbeteja. Toka, aq e gjerë sa është, atyre ju duk e ngushtë dhe mbytëse. Kur çliroi Mekën, Profeti dëgjoi se fisi Heuazin kishte nisur mobilizimin për të kryer një luftë kundër tij. Kështu, Profeti u nis drejt këtij fisi, në krye të një ushtrie me sahabë të vjetër, që kishin marë pjesë në çlirimin e Mekës, por edhe shumë mekas që sapo kishin pranuar Islamin. Ishte një ushtri shumë e madhe prej 12000 vetësh, ndërkohë që ushtria e idhujtarëve ishte vetëm me 4000 vetë. Ky raport numerik u pëlqeu disa muslimanëve, të cilët në vetëkënaqësi e sipër thanë: “Sot nuk ka asnjë shans të mposhtemi!” Kur u përballën dy ushtritë, forcat e fisit Heuazin u lëshuan me një mësymje të menjëhershme mbi forcat muslimane, të cilat u çoroditën dhe nuk po shikonin më nga po iknin. Rreth e rrotull Profetit (a.s) mbetën veçse njëqind burra të patundur, të cilët luftuan kundër idhujtarëve, që vërshonin nga çdo drejtim. Ndërkohë, Profeti i Allahut, pa u trembur, e drejtoi mushkën mbi të cilën qëndronte drejt idhujtarëve dhe u nis me vrull drejt tyre duke thënë: “Unë jam Profet e jo mashtrues. Unë jam biri i Abdul Mutalibit.". Duke parë se çfarë ndodhi me muslimanët, Profeti urdhëroi Abas Ibn Abdil Mutalibin që të thërriste me zë të lartë ensarët dhe muslimanët e tjerë, që po largoheshin nga fushëbeteja. Abasi shquhej për zërin e tij kumbues dhe të lartë. Ai thirri: “O burrat i Semurasë! O ju që dini suren Bekare!" Kur dëgjuan zërin e tij, ata reaguan menjëherë si një trup i vetëm dhe të gjithë u kthyen sërish në betejën me idhujtarët. Kështu, Allahu i Madhëruar i mposhti idhujtarët me një humbje poshtëruese. Të gjitha pasuritë, gratë dhe fëmijët e tyre tashmë ishin në dorë të Profetit të Allahut, si plaçkë e begatshme lufte. Për këtë thotë i Madhëruari:

- “Sigurisht që Allahu ju ka ndihmuar në shumë beteja. Edhe në ditën e Hunejnit, kur ju u mahnitët nga numri juaj i madh, por që nuk ju vlejti aspak.” - Hunejn quhej vendi ku u zhvillua kjo betejë. Ai ndodhej diku mes Mekës dhe Taifit. Numri i madh nuk u vlejti aspak muslimanëve, sepse fitorja ka lidhje me diçka tjetër, që ata e cënuan. Prandaj edhe përfundimi qe: - “Toka ju duk e ngushtë, me tërë atë gjerësi dhe më pas ju u tërhoqët.” - Trishtimi ju pllakosi kur patë dështimin në fushëbetejë. Ju e patë veten tuaj duke ia mbathur nga fushëbeteja të mposhtur e të frikësuar. Por Allahu i Madhëruar, i Cili dëshiron që t’ju ndihmojë e udhëzojë, thotë: - “Por Allahu zbriti qetësinë Tij mbi të Dërguarin dhe mbi besimtarët.” - ‘Essekinetu’ (qetësia) është një ndjenjë e dashur, që Allahu e zbret në zemrat e njerëzve në kohë sprove e tronditjesh të mëdha. Kjo i bën njerëzit të gjejnë qetësinë e nevojshme dhe të rimarrin forcat me gjallëri. Kjo është nga mirësitë më të mëdha që Zoti u dhuron robve të Tij. Përveç këtij ushtari kaq të veçantë, që quhet “Es - sekine”, Allahu i Madhëruar dërgoi edhe: - “Ai zbriti një ushtri (melekësh), që ju nuk e patë,...” - I Madhëruari zbriti një ushtri melekësh, si ndihmë për besimtarët. Kështu, Ai u dha forcë e shpresë për fitore. - “...dhe i dënoi jobesimtarët.” - I dënoi duke i mposhtur e shfarosur në fushëbetejë, por edhe duke bërë që pasuritë, gratë dhe fëmijët e tyre të ishin në dorë të muslimanëve. 40 - “Ky qe “shpërblimi” i mohuesve.” - Allahu i Madhëruar i ndëshkoi ata që në këtë jetë, por ndëshkimi i ahiretit është shumë më i rëndë dhe i përjetshëm. Megjithatë, për ata që pendohen, i Madhërishmi është Falës i Madh dhe Pranues i pendimit: - “Pas kësaj, Allahu ia pranon pendimin atij që do.” - Allahu i Madhëruar pranoi pendimin e shumë prej atyre që shkuan tek Profeti dhe pranuan Islamin. Për këtë arsye Profeti urdhëroi që këtyre t’u ktheheshin pasuritë, gratë dhe fëmijët e tyre. - “Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Falja e Tij është e gjerë dhe mëshira e Tij është gjithëpërfshirëse. Allahu ua fal të penduarve edhe gjynahet më të mëdha. Pa dyshim, është mëshira e Allahut që u mundëson atyre të pendohen dhe të binden. Me mëshirën e Tij, Ai i fal dhe mbulon krimet dhe gabimet e tyre dhe ua pranon pendimin. Askush nuk duhet të humbasë shpresën nga falja dhe mëshira e Zotit, edhe sikur të ketë bërë gjynahet më të mëdha.41

← Tevbe 9:25