9. Tevbe · Ajeti 36 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:34–9:45
Paria e keqe fetare nga radhët e jehudive dhe e të krishterëve, sillej keq ndaj masës besimtare, duke ndryshuar dispozitat e librit dhe duke trilluar dispozita të reja, me qëllim të pasurimit të vet.
Kjo vërejtje vlen për të gjithë parinë fetare, edhe të fesë islame.
Ata që depozitojnë pasurinë e tyre dhe nuk zbatojnë obligimin fetar, ndaj saj, ajo pasuri e tyre do të vihet në zjarrin e xhehenemit, e pastaj ashtu e ndezur do t'u ngjitet për trupin e tyre.
Zoti ka caktuar përgjithmonë dymbëdhjetë muaj të vitit, e në katër prej tyre ka ndaluar luftën. Arabët, ndonjëherë nuk përfillnin atë urdhër dhe ndonjë muaj që ishte i shenjtë, ata e shpallnin të pashenjtë, e kështu e vazhdonin luftën, kurse më vonë e shpallnin ndonjë tjetër, pra e shtonin kufrin e vet.
Muajt e shenjtë janë: Dhil kade, Dhil hixhe, Muharrem dhe Rexheb.
Kur Pejgamberi kthehet prej Taifit dhe luftës së Hunejnit, urdhëron për luftë në Tebuk. Ishte skamje, sepse frutat e bereqetit nuk ishin pjekur ende, vapë e madhe, udhëtimi bukur i gjatë, andaj disa njerëz nuk qenë të disponuar për të shkuar në atë luftë. Zoti i qorton përtacët dhe lakmuesit e përjetimeve të kësaj jete dhe i urdhëron të shkojnë në luftë pa marrë parasysh vështirësitë.
Disa hipokritë i ankohen Pejgamberit se s'kanë mundësi të shkojnë, e duke menduar se ata e thanë të vërtetën, Pejgamberi i lejon. Për këtë Zotih xh. sh. e falë Pejgamberin, por i thotë se do të duhej t'i linte të dalin në shesh ata që ishin të drejtë në thëniet e tyre dhe ata të cilët nga hipokrizia përpiqeshin të arsyetoheshin. Hipokritët nuk do të shkonin në luftë edhe sikur të mos i lejonte Pejgamberi, por atëherë do të vërtetohej hipokrizia e tyre në mënyrë të hapët.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:36
- Tek Allahu numri i muajve (të vitit) është dymbëdhjetë, ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre, katër janë të shenjtë. - Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Bekrate, se Profeti i Allahut, gjatë hytbes së haxhit, ndër t ë tjera tha: 1360. “Koha (me vitet e muajt) u rrotullua dhe sot ajo është ashtu si ditën kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën. Viti ka dymbëdhjetë muaj, katër nga të cilët janë të shenjtë. Tre muaj të shenjtë janë të njëpasnjëshëm: Dhul Kide, Dhul Hixhe dhe Muharrem; ndërsa muaji Rexhep, - siç e quajnë fisi Mudar, - është i vetëm, mes muajit Xhumada dhe Shaban.” Pastaj tha: “Çfarë dite është sot?” Ne thamë “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë!” Atëherë, ai heshti aq sa menduam se do ta emërtonte me tjetër emër. Ai tha: “A nuk është kjo dita e Kurbanit?” - “Po.”
Pastaj tha: “Çfarë muaji është ky?” - “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë!” Atëherë, ai heshti, aq sa menduam se do ta emërtonte me tjetër emër. Ai tha: “A nuk është ky muaji Dhul Hixhe?” - “Po.” Pastaj tha: “Çfarë vendi është ky?” Ne thamë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë!” Atëherë, ai heshti, aq sa menduam se do ta emërtonte me tjetër emër. Pastaj tha: “A nuk është ky vendi i shenjtë?” - “Po.” Pastaj tha: “Gjaku juaj, pasuria tuaja, - dhe mendoj se tha: “dhe nderi juaj”, - të gjitha këto janë të shenjta (të paprekshme), ashtu si shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj (të shenjtë), në këtë vend (të shenjtë). Ju do të takoni Zotin tuaj, i Cili do t’ju pyesë për veprat tuaja. Mos u ktheni pas meje në humbje e të vrisni njëri -tjetrin! A e kumtova qartë mesazhin? Ai që dëgjoi, le t'ia kumtojë atij që nuk është i pranishëm. Ndoshta ai që do t’i shkojë lajmi e kupton më mirë atë se disa nga ata që e dëgjuan vetë.” [Buhariu dhe Muslimi]. Në këtë hadith, Profeti thotë: “Koha (me vitet e muajt) u rrotullua dhe sot ajo është ashtu si ditën kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën.” Ky është një pohim nga Profeti i Allahut, se koha tashmë është ashtu si ditën kur Allahu krijoi qiejt e Tokën, pa ndryshime të muajve të vitit në renditje ose kohëzgjatje. Ndërsa për shenjtër inë e Mekës, Profeti ka thënë: 1361 “Këtë vend, Allahu e bëri të shenjtë që ditën kur Allahu krijoi qiejt dhe Tokën. Ajo (Meka) është e ndaluar me shenjtërimin që i bëri Zoti deri në Ditën e Kijametit.” Po kështu pohoi edhe për muajt e shenjtë, që do të thotë se nuk ka ndryshime të muajve të vitit në renditje dhe kohëzgjatje, siç vepronin arabët. Kështu, në të shumtën e rasteve, arabët e kryenin haxhin jo në Dhul Hixhe, për shkak të ndryshimeve, që ata i trillonin vetë. Ndërsa vitin kur Profeti kreu haxhin, ai e kreu atë pikërisht në muajin Dhul Hixhe, ashtu siç Zoti urdhëroi. Çështje Shejh Alemudin el Sehaui ka përmbledhur një punim, me titull: “ El meshhur fi esmâil ejâmi ue shuhur (Mendimi më i saktë në lidhje me emërtimin e ditëve dhe muajve). Ai ka përmendur emrat e muajve hënorë dhe ka folur hollësisht rreth prejardhjes dhe etimiologjisë së tyre, informacione këto që nuk është e nevojshme t’i përmendim këtu. Gjithashtu, ai flet me hollësi edhe për emrat e ditëve. Ajo që vlen të theksohet është se arabët e lashtë, të quajtur el âribe, i kishin të ndryshëm nga sot emrat e ditëve. Atëherë ditët e javës quheshin: Euuel, Ehuen, Xhibâr, Dibâr, Munis, El Urûbe dhe Shejâr. Këto janë përmendur në një poezi arabe të hershme. Allahu i Lartësuar thotë: “Prej tyre, katër janë të shenjtë.” Edhe arabët i konsideronin të shenjtë katër muaj. Shumica e tyre konsideronin si të shenjtë veçse katër muaj, përveç atyre që quheshin el besel, të cilët konsideronin si të shenjtë 8 muaj. Profeti ka thënë: Viti ka dymbëdhjetë muaj, katër nga të cilët janë të shenjtë. Tre muaj të shenjtë janë të njëpasnjëshëm: Dhul Kide, Dhul Hixhe dhe Muharrem; ndërsa muaji Rexhep, - siç e quajnë fisi Mudar, - është i vetëm, mes muajit Xhumada dhe Shaban.” Kështu, Profeti dëshmoi për saktësinë e fjalës së fisit Mudar, të cilët mëtonin se Rexhepi ishte muaji mes Xhumadas dhe Shabanit. Ky është mendimi që përkon me të vërtetën dhe jo mendimi i fisit Rabia, se Rexhepi i shenjtë është muaji mes Shabanit dhe Sheualit, pra, ai që quhet sot Ramazan. Kështu, Profeti sqaroi se muaj i shenjtë është Rexhepi i Mudarit e jo ai i Rabiave. Tre muaj të shenjtë janë të njëpasnjëshëm, kurse një është i veçuar. Ata u shenjtëruan, me qëllim që të mund të kryheshin adhurimet e haxhit dhe të umres. Në muajin Dhul Kide (para haxhit) ndalohen luftërat, Dhul Hixhe është muaji i kryerjes së haxhit, ndërsa në muajin Muharrem pas tij, njerëzit mund të kthehen të sigurt në vendet e tyre më të largëta. Muaji Rexhep, i cili është veçmas të tjerëve, u shenjtërua me qëllim që çdokush që dëshiron të kryejë umre, nga viset më të largëta të Gadishullit Arab, të mund ta kryejë atë i sigurt dhe të kthehet në paqe në vendin e vet.
- Kjo është feja e drejtë. - Ky është ligji i drejtë i Zotit , i cili duhet respektuar duke plotësuar të gjitha urdhëresat e udhëzimet, mes të cilave edhe përcaktimi i saktë i muajve të shenjtë, ashtu si ditën kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën dhe i cili është shënuar në Librin e Parë. - Pra, mos e ngarkoni veten tuaj gjatë tyre. - Gjatë këtyre muajve është më e fortë ndalesa nga padrejtësitë sesa përgjatë muajve të tjerë, ashtu sikurse edhe gjynahet që kryhen në një vend të shenjtë janë më të dënueshme sesa në vende të tjera. Allahu i Lartësuar thotë: “ E sa për ata që kanë mohuar (Allahun) dhe që pengojnë (njerëzit) prej rrugës së Allahut dhe prej Xhamisë së Shenjtë (Qabes),të cilën Ne e bëmë (vend adhurimi) për të gjithë njerëzit pa dallim, - qofshin vendës ose të ardhur dhe ata, qëllimi i të cilëve është të bëjnë ndonjë keqe e padrejtësi në të - , ata Ne kemi për t’i bërë të shijojnë një dënim të dhembshëm.” [Haxh 25]. Gjatë muajve të shenjtë, kryerja e harameve është më shumë e dënueshme se jashtë tyre, prandaj mos e bëni haramin hallall dhe as hallallin haram, ashtu siç vepronin idhujtarët, të cilët i zhvendosnin muajt e shenjtë si të donin. Ky veprim u quajt nga Allahu si “shtim i mosbesimit”. - Luftojini të gjithë idhujtarët bashkërisht, siç ju luftojnë ata ju bashkërisht! - Bëhuni bashkë si një trup në luftën kundër idhujtarëve, ashtu sikurse bëhen edhe ata bashkë në luftën kundër jush. - E dijeni se Allahu është me të devotshmit! - Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme në lidhje me ndalesën e fillimit të luftës kundër idhujtarëve gjatë muajve të shenjtë. A është kjo një dispozitë e anuluar apo vazhdon të jetë në fuqi? Mendimi i parë, që është edhe mendimi më i njohur dhe i përhapur, është se kjo është një dispozitë e anuluar. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos e ngarkoni veten tuaj gjatë tyre...”. Por më pas thotë: “Luftojini të gjithë idhujtarët bashkarisht, siç ju luftojnë ata ju bashkarisht!” Pra, urdhëroi për luftë kundër tyre dhe, ky urdhër, duke parë kontekstin e ajetit, të jep përshtypjen se është i përgjithshëm (i zbatueshëm në çdo kohë). Nëse do të ishte i kufizuar dhe i ndaluar në muajt e shenjtë, do të përmendej në ajet një përjashtim ose kushtëzim me përfundimin e muajve të shenjtë. Gjithashtu, dihet Profeti i rrethoi idhujtarët e Taifit në muajin Dhul Kide , i cili është një muaj i shenjtë. Në dy Sahih-ët është transmetuar se Profeti u nis drejt Havazinasve në muajin Sheual, dhe pastaj u drejtua për në Taif, ku i rrethoi për dyzet ditë. Pastaj u largua dhe nuk arriti ta çlirojë atë. Kështu, rrethimi i tij vazhdoi edhe gjatë muajit Dhul Kide. Sipas mendimit të dytë, kjo dispozitë nuk është anuluar. Fillimi i luftës gjatë muajve të shenjtë është i ndaluar, dhe kjo është një dispozitë që nuk është anuluar. Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar: “O ju që keni besuar! Mos e cenoni shenjtërinë e simboleve të Allahut, as shenjtërinë e muajve të shenjtë...” [Maide 2]. Në përgjigje kundër argumenteve të grupit të parë mund të thuhet se Allahu i Lartësuar ua lejoi besimtarëve luftën gjatë muajve të shenjtë, kur janë idhujtarët ata që e fillojnë luftën gjatë këtyre muajve, sikurse thotë i Lartësuari: “... Dhe mos i luftoni ata pranë Xhamisë së Shenjtë (Qabes), për sa kohë që edhe ata nuk ju luftojnë ju në të. Por nëse ju sulmojnë, atëherë shfarosini. Ky është ndëshkimi ndaj jobesimtarëve.” [Bekare 191]. Po kështu në lidhje me rrethimin e Taifit nga Profeti, derisa hyri muaji Dhul Kide. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një luftë të filluar nga idhujtarët, sepse ky rrethim ishte vazhdim i luftës së filluar me Havazinët dhe aleatët e tyre nga Thekifi. Kështu, ishin ata që e filluan luftën me Profetin ﷺ ,i cili u nis kundër tyre vetëm pas këtij kërcënimi.105
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:36
- “Tek Allahu numri i muajve (të vitit) është dymbëdhjetë. Kështu është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën.” - Zoti ka caktuar që numri i muajve të jetë dymbëdhjetë. Kështu është shkruar në Librin e Zotit. Që ditën kur Allahu i Madhërishëm krijoi qiejt, tokën, natën dhe ditën dhe përcaktoi ndarjen e kohës, vendosi që numri i muajve të jetë dymbëdhjetë. - “Prej tyre, katër janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë.” - Katër muajt e shenjtë janë: Rexheb, i cili është muaj më vete, dhe tre të tjerë që janë të njëpasnjëshëm: Dhul Ki'de, Dhul Hixhe dhe Muharram. Janë të shenjtë për shkak të rëndësisë së tyre dhe të ndalimit të luftës gjatë tyre. - “Pra, mos e ngarkoni veten tuaj gjatë tyre.” - Allahu i Madhëruar na urdhëron që të jemi të ruajtur dhe të mos ngarkojmë veten me gjynahe në to. Fjala "në to" mund të kuptohet në dy mënyra: 1. Dymbëdhjetë muajt. Në këtë rast, kuptimi do të ishte: "Mos e ngarkoni veten tuaj gjatë 12 muajve. Është Allahu që i përcaktoi këta muaj dhe që na urdhëron që këtë kohë ta mbushim me bindje dhe adhurim ndaj Tij. Ai urdhëron që ta lavdërojmë, falënderojmë dhe t’i shprehim mirënjohjen për këtë përcaktim të bukur të Tij dhe mirësitë e shumta të tjera që na ka falur. Allahu i Madhëruar i ndihmon robërit e Tij që të arrijnë mirësitë e Tij gjatë këtyre muajve dhe stinëve të përcaktuara aq me urtësi, mëshirë dhe dashuri për ta. 2. Katër muajt e shenjtë. Në këtë rast, kuptimi do të ishte: "Mos e ngarkoni veten tuaj gjatë katër muajve të shenjtë.” Padrejtësia është e ndaluar në çdo kohë dhe vend, por në këto katër muaj ndalesa është më e fortë dhe më e rëndësishme. Ndër çështjet që ndalohen në këto muaj është edhe zhvillimi i luftimeve, sipas mendimit që thotë se ndalimi i luftës në këta muaj nuk është anuluar. Këta mbështeten në tekstet e përgjithshme, të cilat ndalojnë luftën përgjatë këtyre muajve. Por sipas një mendimi tjetër, ndalimi i luftës gjatë muajve të shenjtë është një dispozitë e anuluar, duke marrë për bazë aspektin përgjithësues dhe gjithëpërfshirës të disa teksteve të Sheriatit, si për shembull, ajeti: - “Luftojini të gjithë idhujtarët bashkërisht, siç ju luftojnë ata ju bashkërisht!” - Luftojini të gjithë llojet e idhujtarëve dhe mohuesve, që nuk e besojnë Zotitn e botërave plotësisht dhe korrektësisht. Të mos veçoni dhe përjashtoni nga ky gjykim asnjë prej tyre. Trajtojini të gjithë idhujtarët dhe mohuesit e Zotit të botërave, pa përjashtim, si armiqtë tuaj, ashtu sikurse edhe ata ju trajtojnë ju si të tillë. Ata i trajtojnë besimtarët si armiqtë e tyre dhe nuk kursehen aspak për t’i dëmtuar dhe për t’i luftuar ata, prandaj edhe ju konsiderojini ata si të tillë. Tekste të tilla kanë natyrë gjithëpërfshirëse dhe nënkuptojnë anulimin e dispozitës së ndalimit të luftës gjatë muajve të shenjtë. Në ajetin e mësipërm, fjala “të gjithë” (kaffeten) mund të merret me dy kuptime: 1. Luftojini idhujtarët të gjithë pa përjashtim, pra, të gjithë llojet e idhujtarëve. 2. Luftojini idhujtarët të gjithë ju, o besimtarë, së bashku. Domethënë, fjala ‘kaffeten’ ka mundësi të ketë kuptimin "të gjithë ju, o besimtarë". Në këtë mënyrë, ky është një urdhër për të gjithë besimtarët, që të luftojnë kundër idhujtarëve dhe kundër mohuesve të Zotit të botërave. Nëse këtë fjali e marrim me kuptimin e fundit, sigurisht që ky gjykim me natyrë gjithëpërfshirëse, pra, ky urdhër i përgjithshëm që obligon të gjithë besimtarët të ngrihen në luftë kundër mohuesve, është
specifikuar me ajete të tjera kuranore, sikurse është ajeti ku Allahu i Lartësuar thotë: "Nuk është e nevojshme të dalin në luftë të gjithë besimtarët. E përse nga çdo grup i tyre të mos shkojë një pjesë për t’u aftësuar në diturinë fetare dhe për ta mësuar popullin e vet kur të kthehen tek ata, në mënyrë që ata të kuptojnë." Me fjalë të tjera, jo të gjithë besimtarët e kanë detyrim që të ngrihen së bashku në luftë. Ajeti përjashton një grup besimtarësh për shkaqe të caktuara. Ai na mëson që ata të mos dalin në luftë, por të angazhohen me diçka tjetër, që është shumë e rëndësishme për besimtarët. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “E dijeni se Allahu është me të devotshmit!” - Të jeni të sigurt se Allahu i Lartësuar është me të devotshmit. Ai është në krah të të devotshmëve, duke u dhuruar ndihmë dhe fitore. Prandaj, ajo që është detyrë për ju, o besimtarë, është të përpiqeni maksimalisht që të pajiseni me devotshmëri ndaj Allahut të Lartësuar, fshehtazi dhe haptazi. Ju duhet të angazhoheni dhe të luftoni për të qenë gjithmonë në bindje ndaj Allahut të Lartësuar, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për luftën kundër mohuesve. Në një adhurim kaq madhështor, siç është xhihadi në rrugën e Zotit, besimtari më së shumti ka nevojë për devotshmëri. Vetëm në këtë mënyrë ai do të jetë triumfues mbi mohuesit dhe armiqtë e tij, të cilët luftojnë fenë e Allahut të Lartësuar.