9. Tevbe · Ajeti 43 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:34–9:45

Paria e keqe fetare nga radhët e jehudive dhe e të krishterëve, sillej keq ndaj masës besimtare, duke ndryshuar dispozitat e librit dhe duke trilluar dispozita të reja, me qëllim të pasurimit të vet.

Kjo vërejtje vlen për të gjithë parinë fetare, edhe të fesë islame.

Ata që depozitojnë pasurinë e tyre dhe nuk zbatojnë obligimin fetar, ndaj saj, ajo pasuri e tyre do të vihet në zjarrin e xhehenemit, e pastaj ashtu e ndezur do t'u ngjitet për trupin e tyre.

Zoti ka caktuar përgjithmonë dymbëdhjetë muaj të vitit, e në katër prej tyre ka ndaluar luftën. Arabët, ndonjëherë nuk përfillnin atë urdhër dhe ndonjë muaj që ishte i shenjtë, ata e shpallnin të pashenjtë, e kështu e vazhdonin luftën, kurse më vonë e shpallnin ndonjë tjetër, pra e shtonin kufrin e vet.

Muajt e shenjtë janë: Dhil kade, Dhil hixhe, Muharrem dhe Rexheb.

Kur Pejgamberi kthehet prej Taifit dhe luftës së Hunejnit, urdhëron për luftë në Tebuk. Ishte skamje, sepse frutat e bereqetit nuk ishin pjekur ende, vapë e madhe, udhëtimi bukur i gjatë, andaj disa njerëz nuk qenë të disponuar për të shkuar në atë luftë. Zoti i qorton përtacët dhe lakmuesit e përjetimeve të kësaj jete dhe i urdhëron të shkojnë në luftë pa marrë parasysh vështirësitë.

Disa hipokritë i ankohen Pejgamberit se s'kanë mundësi të shkojnë, e duke menduar se ata e thanë të vërtetën, Pejgamberi i lejon. Për këtë Zotih xh. sh. e falë Pejgamberin, por i thotë se do të duhej t'i linte të dalin në shesh ata që ishin të drejtë në thëniet e tyre dhe ata të cilët nga hipokrizia përpiqeshin të arsyetoheshin. Hipokritët nuk do të shkonin në luftë edhe sikur të mos i lejonte Pejgamberi, por atëherë do të vërtetohej hipokrizia e tyre në mënyrë të hapët.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:43–9:45

Ibn Ebu Hatimi përcjell thënien e Aunit për këtë ajet: “A keni dëgjuar qortim më të bukur dhe të dashur sesa ky? Allahu e njoftoi Profetin ﷺ se e kishte falur, përpara se ta qortonte.” - Allahu të faltë! Përse i lejove ata të iknin para se të mësohej se cilët ishin të sinqertë dhe cilët ishin gënjeshtarë? - Katadja ka thënë: “Allahu e qortoi, siç e dëgjoni, pastaj zbriti ajetin në suren Nur, ku i mundësoi që t'u jepte lejë atyre, nëse dëshironte dhe e shihte të arsyeshme. Allahu i Madhëruar thotë: “Besimtarë (të vërtetë) janë vetëm ata që besojnë në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij dhe, kur janë me të (të dërguarin) për ndonjë çështje të përbashkët (të rëndësishme) , nuk largohen pa i kërkuar leje atij. S’ka dyshim se ata që kërkojnë leje nga ti, besojnë në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij. E kur të kërkojnë leje për ndonjë punë të tyre, lejo kë të duash, e kërkoji falje Allahut për ta! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” [Nur 62]. Muxhahidi ka thënë: “Ky ajet ka zbritur rreth disa njerëzve, të cilët thanë: “Kërkojini leje Profetit të Allahut për të qëndruar dhe, nëse ju jep leje, qëndroni, por edhe nëse nuk ju jep leje, përsëri qëndroni!” Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “Përse i lejove ata të iknin para se të mësohej se cilët ishin të sinqertë (në justifikimet që paraqitën) dhe cilët ishin gënjeshtarë?” Pra, sikur Allahu i Lartësuar i thotë: Përse nuk i le për pak kohë pa u dhënë leje, aq sa të dilnin në pah dhe t’i shihje qartë ata që ishin të sinqertë kur shfaqin bindjen e mbështetjen tënde, nga ata që mashtrojnë. Ata ishin të vendosur që në fillim që të mos merrnin pjesë në luftë, pavarësisht në u jepje leje apo jo. Prandaj i Lartësuari në vijim tha: - Ata që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, nuk kërkojnë leje për të mos luftuar me pasurinë dhe me vetet e tyre. - Këta nuk kërkojnë kurrë leje për të mos marrë pjesë në xhihad, sepse ata e konsiderojnë këtë si një nga adhurimet më madhështore, që të afrojnë tek Allahu. - Allahu i di mirë të devotshmit. - Këta të zgjedhur, kur Allahu i nxiti për xhihad, u bindën menjëherë dhe e përmbushën atë në formën më të plotë. - Leje kërkojnë vetëm ata që nuk besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, ata, në zemrat e të cilëve ka pasiguri dhe enden në dyshimet e tyre.” - Përveç atyre që kanë vërtet arsye të konsiderueshme e të pranueshme, ata që kërkojnë leje për të mos marrë pjesë në luftë janë vetëm ata që nuk shpresojnë ndonjë shpërblim prej Allahut në jetën tjetër dhe nuk besojnë se do të

shpërblehen për veprat e tyre. Allahu për ta thotë, gjithashtu: “... ata, në zemrat e të cilëve ka pasiguri ...”. Ata janë të pasigurt rreth saktësisë dhe vërtetësisë së Shpalljes, që ti u solle. Për këtë arsye, ata “...enden në dyshimet e tyre.” Domethënë, ata janë njerëz të pasigurt dhe të luhatur në çdo çështje. Ata janë njerëz të çoroditur, që nuk njohin stabilitet, herë me këta e herë me ata. Për ata që Allahu dëshiron t’i lërë në humbje, ti nuk ke për të gjetur mënyrë udhëzimi.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:43–9:45

Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur Muhamedit ﷺ me këto këshilla të vyera: - “Allahu të faltë!” - Të faltë Zoti dhe t’i mbuloftë gabimet e tua! Pastaj i Lartësuari e këshillon për mënyrën se si duhet të sillet me munafikët. Për ata është më mirë që t’u dalë në shesh e vërteta që gjendet në gjoksin e tyre dhe jo të mbahet fshehur. Ai thotë: - “Përse i lejove ata të iknin para se të mësohej se cilët ishin të sinqertë dhe cilët ishin gënjeshtarë?” - Nëse nuk do t’u jepje leje që të mos merrnin pjesë në luftë, do të bëhej e mundur që të dalloje munafikët, duke u nxjerrë në shesh atë që fshehin në zemër. Vetëm nëpërmjet sprovës dallohet i sinqerti nga mashtruesi. Në këtë mënyrë, ti do t'u jepje leje për të mos marrë pjesë në luftë vetëm atyre që janë vërtet të justifikuar. Allahu i Lartësuar na tregon se besimtarët e vërtetë nuk i bëjnë bisht luftës: - “Ata që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, nuk kërkojnë leje për të mos luftuar me pasurinë dhe me vetet e tyre.” - Besimtarët nuk do të kërkonin kurrë leje që të mos vinin në luftë, qoftë me pasurinë, qoftë me veten e tyre, sepse ata kanë në zemër dëshirën për të mirën dhe për shpërblim nga Allahu. Pikërisht kjo dëshirë e fortë dhe besimi i tyre i sinqertë i bën të kërkojnë me ngulm që të marrin pjesë në

xhihad, pa qenë e nevojshme që dikush t’i nxisë për këtë. - “Allahu i di mirë të devotshmit.” - Allahu i Lartësuar është i Gjithëditur për të devotshmit, prandaj ka për t’i shpërblyer ata për çdo gjë të mirë që bëjnë. Allahu i Lartësuar e di shumë mirë se ndër shenjat e të devotshmëve është që ata kurrë nuk kërkojnë leje që t’i bëjnë bisht xhihadit. Përkundrazi, ata që duan t’i shmangen luftës për të lartësuar fjalën e Allahut janë të tjerë njerëz, me cilësi të tjera: - “Leje kërkojnë vetëm ata që nuk besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, ata, në zemrat e të cilëve ka pasiguri dhe enden në dyshimet e tyre.” - Së pari, janë ata të cilët nuk kanë besim të plotë. Së dyti, ata nuk kanë siguri të plotë rreth premtimit të Allahut të Lartësuar dhe gjithçkaje që lidhet me të. Duke mos pasur iman të plotë dhe as siguri në premtimin e Zotit, atëherë vullneti dhe ambicia për të bërë vepra të mira janë të mangëta. Ata kërkojnë leje për t’u larguar nga lufta, sepse nuk e përballojnë dot atë. Allahu i Lartësuar thotë që: "ata enden në dyshimet e tyre." - Ata vazhdojnë të jenë në dyshime, të lëkundur dhe të çoroditur, me iman të dobët dhe siguri të vogël.

← Tevbe 9:43