← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

9. Tevbe · Ajeti 64 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:58–9:68

Munafikët i bënë vërejtje Pejgamberit në ndarjen e plaçkës së fituar në luftën e Hunejnit. Ata nuk përfillnin urdhërin e Zotit sipas të cilit e ndante Pejgamberi, por saherë që nuk u jepej shumë, ankoheshin në drejtësinë e ndarjes. Pejgamberi dëgjoi për intrigat e tyre dhe u brengos shumë e pastaj tha: "Zoti e mëshiroftë Musain, atë e kanë ofenduar edhe më shumë!"

Për t'i ndalë atakimet e tyre, Zoti përcaktoi definitivisht kategoritë të cilave u takojnë pjesët nga llojet e lëmoshave. Këtu nuk është fjala për lëmoshat vullnetare, por për ato obliguese, siç është zeqati etj. Këtu janë përmendur tetë kategori për të cilat obligohet bashkësia njerëzore të ndihmojë, nëse ekzistojnë të gjitha këto kategori në një shoqëri, e nëse jo, atëherë ajo e cila ekziston.

Me fjalën "punonjësit" kuptohen ata që e mblidhnin zeqatin, pra kuptohet se tubimit të zeqatit i është dhënë rëndësi e madhe. "Muelefeti kulubë" ishin ata që kishin pranuar fenë islame, por druhej se nuk ishin mjaft stabilë. Umeri i Hatabit nuk u dha më të tillëve, ngase nuk ndjeu nevojë për ta. "Rruga e Allahut" - është çdo përpjekje për të mirën e bashkësisë islame në përgjithësi.

Hipokritët, të cilëve ende nuk u kishte fjetur besimi si duhet në zemrat e tyre, e fyenin Pejgamberin, e kur dëgjohej për fyerjet e tyre, ata betoheshin sikur nuk kanë pasur ndonjë qëllim të caktuar, mirëpo, kur vërejtën se çdo gjë i shkon në vesh pejgamberit, u frikësuan se Zoti do të shpallte ndonjë pjesë nga Kur'ani e do t'i demaskonte. Disa prej tyre u penduan sinqerisht dhe shpëtuan, disa i dënoi Zoti edhe në këtë jetë dhe i njoftoi me dënimin që i pret ata në Ahiret.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:64

- Hipokritët tremben se mos zbret ndonjë sure që u nxjerr në shesh atë që kanë në zemër. - Muxhahidi shpjegon: “Ata flisnin gjëra të poshtra mes veti, dhe pastaj thoshin: “Ndoshta Allahu nuk ka për të na i nxjerrë sekretin tonë.” Ky ajet ngjan me fjalën e Allajut të lartësuar: “A nuk i sheh ata të cilët, edhe pse u është ndaluar të bisedojnë fshehtas (për gjynahe), i kthehen përsëri së ndaluarës dhe pëshpërisin për gjynahe, nxitje armiqësish dhe mosbindje ndaj të Dërguarit? Kur vijnë tek ti, ata të përshëndesin jo ashtu si të përshëndet Allahu dhe thonë me vete: “Përse nuk na dënon Allahu për këto fjalë që po themi?” Mjafton për ta Xhehenemi, ku do të hidhen. Eh, sa vend i tmerrshëm është ai! ” [Muxhadile 8]. Por, në këtë ajet, Allahu i madhëruar iu përgjigj me këto fjalë: - Thuaju: “Talluni, por të jeni të sigurt se Allahu do ta zbulojë gjithçka për të cilën keni frikë!” - Të jeni të sigurt se Allahu ka për t’i shpallur Profetit të Tij çdo ligësi që fshihni e do t’ia zbulojë çështjet tuaja. Ai ka për t’ju demaskuar e nxjerrë të gjithë të palarat tuaja. Sikurse ka thënë i lartësuari: “Vallë, a mendojnë ata që i kanë zemrat e sëmura (me hipokrizi) , se Allahu nuk do t’ua nxjerrë në shesh urrejtjen (ndaj besimit të vërtetë) ?! Po të donim, Ne do të mundësonim t'i shihje ata (hipokritë), dhe pastaj, me siguri, do t’i njihje nga shenjat e tyre. Ti do t’i njohësh ata përmes fjalëve të tyre. Allahu i di mirë veprat tuaja. ” [Muhamd 29, 30]. Kjo sure, - sikurse pohon Katadja - , është quajtur ndryshe edhe El Fadiha - Demaskuesja.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:64–9:66

Surja Teube është quajtur ndryshe edhe El Fadiha - Zbuluesja, Diskretituesja, sepse ajo i nxori hapur sekretet e munafikëve. Gjatë gjithë sures vërejmë se i Madhëruari thotë: "... ka prej tyre të cilët ...", dhe pastaj përmend hollësisht cilësitë e tyre. Por Allahu i Madhëruar nuk i përmendi ata me emra, dhe këtë e bëri për dy arsye të dobishme, nëse i kuptojmë: Së pari, Allahu është Es-sit-tir - Mbulues, fshehës i të metave të robve dhe e do fshehjen e të metave të robve të Tij. Së dyti, për të kuptuar se kritika u drejtohet të gjithë atyre munafikëve që kanë të tilla cilësi, deri në Ditën e Gjykimit. Për këto arsye, është më e drejtë dhe gjithëpërfshirëse përmendja e cilësive të tyre dhe jo e emrave konkretë të tyre. Kështu, munafikëve u hyri tmerri. Allahu i Madhëruar thotë në një ajet tjetër: "Sigurisht, nëse hipokritët, ata që kanë sëmundje në zemrat e tyre dhe ata që përhapin gënjeshtra në Medine, nuk ndalen, Ne do të bëjmë që ti të dominosh mbi ta e pastaj ata nuk do të rrinë më në të, vetëm se për një kohë të shkurtër. Ata do të jenë të mallkuar. Kudo që të ndeshen, do të kapen dhe do të vriten (pa mëshirë).” [Ahzab 60, 61]. Ndërsa në këtë ajet thotë: - “Hipokritët tremben se mos zbret ndonjë sure që u nxjerr në shesh atë që kanë në zemër.” - Ata kanë frikë se do të zbulohen e poshtërohen, kanë frikë se do t’u dalin në shesh të palarat e tyre dhe të gjithë do t’i marrin vesh. Kështu, ata do të bëhen shembull për ata që marrin mësim. - “Thuaju: “Talluni, por të jeni të sigurt se Allahu do ta zbulojë gjithçka për të cilën keni frikë!”” - Munafikët talleshin me besimtarët dhe me fenë e tyre në mënyrë të vazhdueshme. Kështu, gjatë luftës së Tebukut, disa prej tyre thanë me përbuzje për sahabët e Profetit: "Nuk kemi parë më mashtrues dhe më frikacakë në betejë sesa këta ‘dijetarët’ tanë". Por kur ata mësuan se Profetit iu përcollën këto fjalë fyese e shpifëse, shkuan menjëherë tek ai për t’u shfajësuar, duke thënë: “Ne thjesht ishim duke luajtur e dëfryer”. I Lartësuari thotë: - “E, nëse i pyet, ata të thonë: “Ne thjesht ishim duke luajtur e dëfryer”. Thuaju: “Vallë, me Allahun, Librin d he të Dërguarin e Tij talleni?! ” - Pra, - thoshin ata - e bëmë thjesht për t’u argëtuar dhe kaluar kohën. Ne nuk donim të fyenim dhe të shanim askënd. Por i Madhëruari, duke treguar se gënjenin, thotë: "Thuaju atyre: “Vallë, me Allahun, Librin dhe të Dërguarin e Tij talleni?!” Tallja me Allahun, shpalljet dhe Profetin e Tij është femohim, që të nxjerr nga Islami. Në themel të besimit është madhërimi i Allahut dhe respektimi i fesë dhe Profetit të Tij, prandaj tallja me ta bie ndesh me bazën e besimit. Kështu, kur ata shkuan te Profeti që të justifikoheshin, Profeti përsëriste vetëm ato fjalë. - “Mos nxirrni justifikime! Ju keni mohuar pas besimit tuaj. Nëse i falim disa nga ju, të tjerët do t'i dënojmë, sepse janë keqbërës.” - Ajeti tregon se çdokush që fsheh në gjoks ndjenja dhe sidomos plane e tallje kundër fesë, ta dijë se Allahu i Madhëruar ka për ta turpëruar dhe ka për ta ndëshkuar me më të madhin ndëshkim. Çdokush që tallet me ndonjë gjë prej Librit të Zotit ose traditës së Profetit të Tij, ai është mohues i Allahut të Madh ëruar. Por ajetet tregojnë, gjithashtu, se pendimi është i pranueshëm, për çfarëdolloj gjynahu dhe sado i madh qoftë ai.

← Tevbe 9:64