9. Tevbe · Ajeti 68 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:58–9:68
Munafikët i bënë vërejtje Pejgamberit në ndarjen e plaçkës së fituar në luftën e Hunejnit. Ata nuk përfillnin urdhërin e Zotit sipas të cilit e ndante Pejgamberi, por saherë që nuk u jepej shumë, ankoheshin në drejtësinë e ndarjes. Pejgamberi dëgjoi për intrigat e tyre dhe u brengos shumë e pastaj tha: "Zoti e mëshiroftë Musain, atë e kanë ofenduar edhe më shumë!"
Për t'i ndalë atakimet e tyre, Zoti përcaktoi definitivisht kategoritë të cilave u takojnë pjesët nga llojet e lëmoshave. Këtu nuk është fjala për lëmoshat vullnetare, por për ato obliguese, siç është zeqati etj. Këtu janë përmendur tetë kategori për të cilat obligohet bashkësia njerëzore të ndihmojë, nëse ekzistojnë të gjitha këto kategori në një shoqëri, e nëse jo, atëherë ajo e cila ekziston.
Me fjalën "punonjësit" kuptohen ata që e mblidhnin zeqatin, pra kuptohet se tubimit të zeqatit i është dhënë rëndësi e madhe. "Muelefeti kulubë" ishin ata që kishin pranuar fenë islame, por druhej se nuk ishin mjaft stabilë. Umeri i Hatabit nuk u dha më të tillëve, ngase nuk ndjeu nevojë për ta. "Rruga e Allahut" - është çdo përpjekje për të mirën e bashkësisë islame në përgjithësi.
Hipokritët, të cilëve ende nuk u kishte fjetur besimi si duhet në zemrat e tyre, e fyenin Pejgamberin, e kur dëgjohej për fyerjet e tyre, ata betoheshin sikur nuk kanë pasur ndonjë qëllim të caktuar, mirëpo, kur vërejtën se çdo gjë i shkon në vesh pejgamberit, u frikësuan se Zoti do të shpallte ndonjë pjesë nga Kur'ani e do t'i demaskonte. Disa prej tyre u penduan sinqerisht dhe shpëtuan, disa i dënoi Zoti edhe në këtë jetë dhe i njoftoi me dënimin që i pret ata në Ahiret.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:67–9:68
- Hipokritët dhe hipokritet janë si njëri tjetri: urdhërojnë për ligësi, ndalojnë nga e mira dhe janë dorështrënguar. - Allahu i Lartësuar na tregon për gjendjen e munafikëve, e cila është krejtësisht ndryshe nga gjendja e besimtarëve. Besimtarët kujdesen për njëri -tjetrin, urdhërojnë për të mira e ndalojnë nga të këqijat. Ndërsa këta keqbërës bëjnë të kundërtën: “... urdhërojnë për ligësi, ndalojnë nga e mira dhe janë dorështrënguar.” Pra, ndryshe nga besimtarët, ata nuk shpenzojnë aspak në rrugën e mirësisë dhe në ndihmë të rrugës së Allahut. - Ata e kanë harruar Allahun, prandaj Ai i ka harruar ata. - Duke qenë se ata e harruan përmendjen e Allahut, Allahu i la të harruar e të braktisur. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Atyre (që nuk besojnë) do t’u thuhet: “Sot po ju lëmë të harruar, ashtu sikurse ju e harruat takimin e kësaj dite. Vendi juaj është Zjarri dhe nuk ka se kush t’ju shpëtojë.” [Xhathije 34]. - Nuk ka dyshim se hipokritët janë të pabindur. - Ata e kanë braktisur rrugën e të vërtetës dhe janë zhytur në rrugët e devijimit dhe të humbjes. - Allahu ka përgatitur zjarrin e Xhehenemit për hipokritët, hipokritet dhe jobesimtarët. - Ata e merituan këtë ndëshkim, për shkak të cilësive e veprave të tyre të shëmtuara, që u përmendën. - Atje do të jenë përgjithmonë dhe ai mjafton për ta. - Ata, së bashku me mohuesit, do të jenë në Xhehenem pafundësisht, dhe mjafton ky si ndëshkim për ta. - Ata i ka mallkuar Allahu dhe kanë dënim të pandërprerë. - Allahu i ka dëbuar nga mëshira e Tij dhe ndëshkimi i tyre ka për të qenë i vazhdueshëm , i pandërprerë.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:67–9:68
- “Hipokritët dhe hipokritet janë si njëri tjetri: urdhërojnë për ligësi, ndalojnë nga e mira dhe janë dorështrënguar.” - Munafikët janë pjesë e njëri tjetrit, sepse ata i bashkon hipokrizia dhe miqësia me njëri tjetrin. Ajeti tregon që besimtarët nuk duhet të lidhin miqësi dhe aleancë me munafikët. Pastaj i Madhëruari bën një përshkrim të përgjithshëm të munafikëve. Së pari, ata urdhërojnë për ligësi, që nënkupton: mohimin e Zotit dhe asaj që Ai ka urdhëruar të besohet e pasohet; shkeljen e kufijve të Zotit dhe mosbindjen ndaj Tij; shkeljen e urdhrave të Zotit. Së dyti, ata ndalojnë nga të mirat, që nënkupton besimin e drejtë dhe të sinqertë, moralin e lartë dhe veprat e mira dhe të sinqerta. Së treti, ata janë dorështrënguar, domethënë nuk shpenzojnë për bamirësi. Ajo që i përmbledh të gjitha këto cilësi të ulta, - që është edhe shkaktarja e tyre, - është cilësia e radhës: - “Ata e kanë harruar Allahun, prandaj Ai i ka harruar ata.” - Ata e kujtojnë Allahun shumë pak, prandaj edhe Ai i ka lënë të harruar ata, duke i përjashtuar nga mëshira e Vet. Prej kësaj, ata nuk kanë sukses të bëjnë vepra të mira dhe kurrë nuk kanë për të hyrë në Xhenet. Madje, ata do të braktisen e harrohen në shtresën më të ulët të zjarrit përjetësisht. - “Nuk ka dyshim se hipokritët janë të pabindur.” - Duket sikur i Madhëruari e kufizon prishjen e mosbindjen (fisk) vetëm te munafikët, por kjo nuk do të thotë se nuk ka të tjerë që janë të prishur e të pabindur . Përkundrazi, kjo bëhet vetëm për të treguar se ‘prishja’ e munafikëve është shumë më e madhe se e të tjerëve, prandaj edhe ndëshkimi i tyre do të jetë më i madh se i të tjerëve. Arsye tjetër është se besimtarët sprovohen më shumë prej tyre, sepse ata gjenden mes radhëve të besimtarëve dhe ruajtja prej tyre është shumë më e vështirë se ruajtja nga të tjerët. - “Allahu ka përgatitur zjarrin e Xhehenemit për hipokritët, hipokritet dhe jobesimtarët. Atje do të jenë përgjithmonë dhe ai mjafton për ta. Ata i ka mallkuar Allahu dhe kanë dënim të pandërprerë.” - Allahu i Madhëruar dhe i Drejtë do t’i bashkojë munafikët dhe mohuesit në zjarrin e Xhehenemit, ku do të jenë të mallkuar përjetësisht, për shkak se ata bëhen bashkë me njëri tjetrin në dynja për mohimin e të vërtetës dhe për të luftuar fenë e Allahut dhe Profetin e Tij.