9. Tevbe · Ajeti 72 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:69–9:78

Edhe hipokritët e kohës së Pejgamberit ishin si popujt para tyre, të cilëve u patën ardhur pejgamberë, por ata nuk dëgjuan, andaj edhe pse ishin më të fuqishëm dhe më të pasur, nuk fituan asgjë sepse Allahu i shkatërroi ata, e do t'i shkatërroj edhe këta. Hipokritët janë miq të njëri-tjetrit, dhe i kishin pesë vese: mësonin për këq, ndalonin nga e mira, faleshin me përtesë, nuk jepnin zeqat dhe nuk respektonin urdhërin e Allahut e të Pejgamberit për luftë etj.

Besimtarët janë të pajisur me pesë cilësi te përkundërta: mësojnë për mirë, ndalojnë nga e keqja, falen me dëshirë e pa përtesë, japin me dëshirë zeqatin dhe respektojnë çdo udhëzim të Allahut dhe të të dërguarit të Tij.

Xhenneti që u është premtuar besimtarëve do të jetë "Adni", që është një ndër xhennetet më të dalluara e më të mira.

Pejgamberi është urdhëruar t'i luftojë katër kategori: idhujtarët, ithtarët e librit, hipokritët dhe rrebelët (ajetet: 5, 29, 73 në këtë kaptinë dhe 9 Huxhurat).

Ibni Ubej, kreu i munafikëve pat folur kundër Pejgamberit edhe në luftën Beni Mustalik, mandej edhe në atë në Tebuk. Ata u përpoqën ta mbytnin Pejgamberin mu në Tebuk, por nuk patën sukses, e betoheshin se nuk kishin folur gjë kundër. Ata, e mira e Zotit i kishte çuar peshë, ishin pasuruar, ishin siguruar etj., e Pejgamberi nuk u kishte faj.

Ai që pat thënë se do të japë zeqat e sadaka nëse Allahu më begaton, ishte njëfarë hipokriti i quajtur me emrin Thalebe, i cili pasi ishte pasuruar, dalëngadalë u largua prej namazeve, prej xhumasë, prej zeqatit, prandaj Pejgamberi i tha: vaj medet për Thaleben. Thuhet se ky ishte shkak i zbritjes së këtij ajeti.

Të gjitha këto sjellje tradhtare kundër Pejgamberit dhe myslimanëve ishin si shkak që jeta e tyre të përfundojë me hipokrizi - ruana Zot!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:72

Allahu i Lartësuar na tregon për mirësitë dhe lumturinë e përjetshme, që ka përgatitur për besimtarët dhe besimtaret. Ai thotë: - Besimtarëve dhe besimtareve Allahu u ka premtuar kopshte nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë - Ata nuk do të largohen kurrë prej atyre mirësive e kënaqësive. Ai do të jetë vendqëndrimi i përjetshëm i tyre. - dhe vendbanime të bukura në Xhenetin e Adnit. - Atje ka banesa të bukura dhe vendpushime të këndshme, siç thuhet në hadithin që gjendet në dy Sahih-ët prej Ebu Imran el Xheunit, me senedin e tij deri tek Ebu Musa el Eshariu, i cili rrëfen se Profeti i Allahut ka thënë: 1386. “Janë dy xhenete, në të cilat enët dhe gjithçka tjetër janë prej ari, si edhe dy xhenete, në të cilat enët dhe gjithçka tjetër janë prej argjendi. Mes njerëzve dhe mundësisë për të parë Zotin e tyre është veçse mbulesa e Krenarisë (Kibrijâ) në Fytyrën e Tij në Xhenetin e

Adnit.” Në dy Sahih-ët vjen hadithi: 1387. “Banorët e Xhenetit i shohin dhomat e ndërtesat e (gradave të) larta në Xhenet, ashtu siç shihni yjet në qiell.” Le të dihet se grada më e lartë në Xhenet është ajo që quhet El Uesila , e cila është shumë pranë Arshit. Ajo është grada dhe vendi i Muhamedit, Profetit të Allahut, në Xhenet. Në Sahih-un e Muslimit citohet Abdullah Ibn Amr Ibn Asi, se ai e kishte dëgjuar Profetin e Allahut të thoshte: 1388. “Kur të dëgjoni muezinin të thërrasë ezanin, thoni edhe ju ashtu si ai, pastaj çoni salavate për mua, sepse për atë që çon një herë salavat për mua, Allahu çon 10 herë salavate. Pastaj lutuni për mua që të më jepet El Uesila, e cila është një gradë në Xhenet, që e ka veçse njëri nga robërit e Allahut, dhe unë shpresoj të jem ai. Ai që lutet për mua për El Uesila ka për të përfituar nga ndërmjetësimi im në Ditën e Gjykimit.” Në Sahih-un e Buhariut vjen hadithi prej Muhamed Ibn Munkedirit, që përcjell nga Xhabir Ibn Abdilahi, se Profeti i Allahut ka thënë: “Çdokush që, kur dëgjon ezanin, thotë: “ Allahum-me rab -be hâdhihid - dea'uetit-tâm-meh ues -salâtil kâime! Âti Muhem-medenil uesilete uel fadilete, ueb'ath'hu mekâmen maĥmûden El -ledhi uead-dteh!” (O Allah, Zoti i kësaj thirrjeje të plotë dhe të këtij namazi që do të falet! Jepi Muhamedit Uesile-n dhe nderimin më të lartë! Ngrije atë në gradën më të lavdëruar dhe të lavdishme, të cilën ia ke premtuar!), ai do të përfitojë nga ndërmjetësimi im në Ditën e Kijametit.” Gjithashtu, në Sahih-un e Muslimit është hadithi nga Abdullah Ibn Amr Ibn Asi, që tregon se e ka dëgjuar Profetin e Alahut të thotë: “Kur të dëgjoni muezinin të thërresë ezanin, thoni edhe ju ato që thotë ai dhe çoni salavate për mua, sepse kush çon një herë salavat për mua, Allahu çon dhjetë herë salavat për të! Pastaj kërkojini Allahut për mua Uesile-n, sepse ajo është një gradë e lartë në Xhenet, që i takon veçse njërit prej robërve të Zotit, dhe shpresoj të jem unë ai rob! Ai që lutet për mua që Allahu të më japë Uesile-n, ai e ka hallall ndërmjetësimin tim.” Në Musned-in e Ahmedit vjen hadithi i Ebu Hurejras, i cili tregon: 1389. “Ne thamë: “O i Dërguari i Allahut! Na trego për Xhenetin, çfarë ndërtesash ka në të?” Ai tha: “Një tullë prej ari e një prej argjendi dhe balta lidhëse mes tyre është prej misku; guralecët në të janë prej diamanti e rubini, ndërsa dheu i tij është prej shafrani. Ai që hyn në të do të përjetojë mirësi dhe kurrë nuk do të vuajë, do të jetë i përjetshëm e kurrë nuk do të vdesë, nuk do t’i vjetërohen rrobat e kurrë nuk do t'i zbehet rinia (e freskia).” - Por lumturia më e madhe është kënaqësia e Allahut. Kjo është fitorja e madhe. - Fakti që Allahu i Lartësuar është i kënaqur me ta është një mirësi shumë më e madhe se të gjitha mirësitë e tjera, që do të përjetojnë në të, siç thuhet në hadithin që sjell Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) nga Ebu Seid el Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti i Allahut ka thënë: 1390. “Allahu i Lartësuar do t’u thotë banorëve të Xhenetit: “O Banorë të Xhenetit!” Ata do të përgjigjen: “Urdhëro, o Zoti ynë, po të dëgjojmë të nënshtruar ndaj urdhrit Tënd! E gjithë e mira është në duart e Tua!” Ai do të thotë: “A jeni të kënaqur?” - “E si të mos kënaqemi, o Zot, kur Ti na ka dhënë atë që nuk ia ke dhënë asnjë krijese tjetër?!” - “A t'ju jap diçka më të mirë se këto?” - “O Zot, po çfarë është më e mirë se këto?!” - “Unë do të jem gjithmonë i kënaqur me ju e kurrë nuk do të zemërohem me ju!” [Hadith prej Malikut, sjellë nga Buhariu dhe Muslimi].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:71–9:72

Pasi tha se munafikët janë miq të njëri tjetrit, Allahu i Madhëruar na thotë se edhe besimtarët janë miq të njëri tjetrit, por besimtarët përshkruhen me të tjera cilësi: - “Besimtarët dhe besimtaret janë miq e mbrojtës të njëri tjetrit;...” - Si meshkujt, edhe femrat besimtare, janë miq të njëri - tjetrit. Ata e duan njëri -tjetrin. Ata i përkasin njëri tjetrit dhe ndihmojnë njëri tjetrin. Pjesë e detyrimeve të tyre të ndërsjellta është që ata: - “...ata urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja, falin rregullisht namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij.” – ‘El Mearuf’ quhet besimi, veprat, fjalët e cilësitë e mira që Zoti i do dhe ka urdhëruar që të pajisemi me to. Besimtarët urdhërojnë njëri-tjetrin për ‘ mearuf’ dhe, sigurisht, ata

janë të parët që i kryejnë vetë ato. ‘ El Munker’ quhet çdo besim, vepër, fjalë e cilësi e keqe që Zoti nuk e do dhe na ka ndaluar prej tyre. Besimtarët ndalojnë njëri tjetrin nga këto gjëra dhe janë vetë të parët që largohen prej tyre. Gjithashtu, të gjithë besimtarët i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kështu, ata arrijnë të përqendrohen në rrugën e drejtë dhe e mbajnë njëri -tjetrin fort në të. Këtë e bëjnë vazhdimisht dhe kurrë nuk lëkunden, derisa të largohen nga kjo botë e të takojnë Zotin e tyre, duke qenë me besim të pastër, me vepra të mira e të sinqerta. Këta janë ata për të cilët Allahu i Madhëruar thotë: - “Allahu do t’i mëshirojë ata.” - Këta do ti përfshijë i Madhëruari në mëshirën e Tij, që të siguron nga çdo e keqe, dhe do t’i mbulojë me bamirësinë e Tij, që të ofron çdo të mirë. - “Allahu është Ngadhënjimtar e i Urtë.” - Allahu është i Plotfuqishmi, Krenari, Ngadhënjimtari, Mposhtësi dhe Nënshtruesi i gjithçkaje. Por, me gjithë pushtetin e Tij absolut, Ai është edhe i Urtë. Ai e vendos çdo gjë në vendin e vet që i takon. Ai meriton që të lavdërohet për gjithçka që ka krijuar dhe për çdo ligj që na ka caktuar. Më pas, Allahu i Madhëruar përmend shpërblimet e mëdha që ka përgatitur për të zgjedhurit e Tij: - “Besimtarëve dhe besimtareve Allahu u ka premtuar kopshte nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë dhe vendbanime të bukura në Xhenetin e Adnit.” - Në Xhenet ka vetëm mirësi, lumturi dhe gëzim; ai është i pastër nga ligësitë e brengat. Nëpër kështjellat e Xhenetit rrjedhin lumenj të mëdhenj. Rreth tyre gëlon bimësia e dendur, e stolisur me vendpushime e bukuri të papara e të padëgjuara. Kopshtet e hijshme e lumturuese ujiten nga lumenj të kristaltë. Vetëm Allahu i Lartësuar i di hollësisht se si janë begatitë që fshihen në ato kopshte të bukura. Lumturia e banorëve nuk ka të përshkruar kur të mësojnë se do të jenë atje përjetësisht. Ata nuk do të dëshirojnë asnjëherë të largohen nga ai vend. Xheneti është rregulluar e zbukuruar nga vetë i Madhëruari për të devotshmit. Të mrekullueshme do të jenë pamjet që do të shikojnë, vendet ku pushojnë dhe kënaqësitë që do të shijojnë në çdo çast. Ata kurrë nuk do të mendojnë për t'u larguar nga ai vend i bekuar. Vetë Allahu i Madhëruar ka ndërtuar për të devotshmit dhoma të tejdukshme e të stolisura me smeralde e diamante. Kur je jashtë, mund të shikosh bukuritë e brendshme, ndërsa kur je brenda, shijon pamjet e mrekullueshme jashtë. Këto vendbanime të hijshme, në të cilat qetësohen shpirtrat, tërhiqen zemrat dhe lumturohen adhuruesit, do të jenë të përjetshme. Por mbi të gjitha këto kënaqësi, qëndron diçka shumë më e madhe: - “Por lumturia më e madhe është kënaqësia e Allahut. Kjo është fitorja e madhe.” - Kënaqësia e Allahut, që i përfshin banorët e Xhenetit, është më e madhe se kënaqësitë e tjera që ata përjetojnë atje. Madje, kënaqësitë e Xhenetit nuk mund të kuptohen dhe të

përjetohen pa kënaqësinë e Allahut dhe vështrimin drejt Tij. Shikimi i Fytyrës së Zotit dhe lumturia që sjell kënaqësia e Tij mbi adhuruesit e vet, ka qenë motivi që frymëzon adhuruesit dhe objektivi drejt të cilit vrapojnë të dashuruarit pas Zotit. Kënaqësia e Zotit të tokës dhe qiejve është lumturia më e madhe e Xhenetit.

← Tevbe 9:72