9. Tevbe · Ajeti 78 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:69–9:78
Edhe hipokritët e kohës së Pejgamberit ishin si popujt para tyre, të cilëve u patën ardhur pejgamberë, por ata nuk dëgjuan, andaj edhe pse ishin më të fuqishëm dhe më të pasur, nuk fituan asgjë sepse Allahu i shkatërroi ata, e do t'i shkatërroj edhe këta. Hipokritët janë miq të njëri-tjetrit, dhe i kishin pesë vese: mësonin për këq, ndalonin nga e mira, faleshin me përtesë, nuk jepnin zeqat dhe nuk respektonin urdhërin e Allahut e të Pejgamberit për luftë etj.
Besimtarët janë të pajisur me pesë cilësi te përkundërta: mësojnë për mirë, ndalojnë nga e keqja, falen me dëshirë e pa përtesë, japin me dëshirë zeqatin dhe respektojnë çdo udhëzim të Allahut dhe të të dërguarit të Tij.
Xhenneti që u është premtuar besimtarëve do të jetë "Adni", që është një ndër xhennetet më të dalluara e më të mira.
Pejgamberi është urdhëruar t'i luftojë katër kategori: idhujtarët, ithtarët e librit, hipokritët dhe rrebelët (ajetet: 5, 29, 73 në këtë kaptinë dhe 9 Huxhurat).
Ibni Ubej, kreu i munafikëve pat folur kundër Pejgamberit edhe në luftën Beni Mustalik, mandej edhe në atë në Tebuk. Ata u përpoqën ta mbytnin Pejgamberin mu në Tebuk, por nuk patën sukses, e betoheshin se nuk kishin folur gjë kundër. Ata, e mira e Zotit i kishte çuar peshë, ishin pasuruar, ishin siguruar etj., e Pejgamberi nuk u kishte faj.
Ai që pat thënë se do të japë zeqat e sadaka nëse Allahu më begaton, ishte njëfarë hipokriti i quajtur me emrin Thalebe, i cili pasi ishte pasuruar, dalëngadalë u largua prej namazeve, prej xhumasë, prej zeqatit, prandaj Pejgamberi i tha: vaj medet për Thaleben. Thuhet se ky ishte shkak i zbritjes së këtij ajeti.
Të gjitha këto sjellje tradhtare kundër Pejgamberit dhe myslimanëve ishin si shkak që jeta e tyre të përfundojë me hipokrizi - ruana Zot!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:75–9:78
- Ka nga ata, që i janë zotuar Allahut, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga mirësitë e Tij, sigurisht që do të japim sadaka dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë.” - Allahu i Lartësuar na tregon se, prej munafikëve, ka të tillë që i japin fjalën dhe besën Atij se, nëse Ai u jep pasuri nga mirësitë e Tij, ata do të japin sadaka dhe do të jenë bamirës, por ata nuk e mbajnë fjalën e dhënë dhe nuk e përmbushin premtimin. Për shkak të kësaj vepre të ulët nga ata, Allahu i Lartësuar bën që në zemrat e tyre të zërë vend hipokrizia, e cila nuk do t’u shqitet deri në ditën kur të dalin para Tij në Ditën e Gjykimit, - Allahu na ruajtë nga kjo ligësi! Shumë mufesirë, mes të cilëve
Abdullah Ibn Abasi dhe Hasen el Basriu, thonë se shkaku i zbritjes së këtij ajeti është Thealebe Ibn Hatib el Ensari. Për këtë ka ardhur një hadith, të cilin Ibn Xheriri e sjell për shpjegimin e këtij ajeti. Po kështu e ka sjellë edhe Ibn Ebu Hatimi, prej Mean Ibn Rifaas, me senedin e tij deri tek Ebu Umamete el Bahilij, nga Thalebe Ibn Hatib el Ensari, ku, shkurtimisht, thuhet se: “Thalebe i kërkoi Profetit qa ta luste Allahun për të, që t’i jepte pasuri dhe premtoi se do t’i jepte çdokujt hakun që i takonte prej zekatit. Profeti u lut për të dhe e porositi të merrej me bagëti. Ato iu shtuan shumë, ashtu siç shumohen krimbat, aq sa ai nuk mund t’i mbante më në Medinë. Ai filloi të shkujdesej nga falja e namazeve (me xhemat), për shkak të angazhimit me to. Kur u shpallën rregullat e zekatit, Thalebe tentoi që të mos e jepte zekatin, duke thënë: “Kjo është njëlloj si xhizja (që u merret (jomuslimanëve).” Atij iu kërkua disa herë që të jepte zekatin, derisa zbritën ajetet “Ka nga ata, që i janë zotuar Allahut, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga mirësitë e Tij, sigurisht që do të japim sadaka dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë...” Pas kësaj, Thealebe nxitoi që të nxirte zekatin e t’ia jepte Profetit të Allahut, por ai nuk pranoi t’ia merrte, sepse e ndaloi Allahu. Profeti u largua nga kjo botë, duke mos ia pranuar asnjëherë zekatin. Po kështu vazhduan të mos ia pranonin zekatin edhe tre kalifët pas Profetit: Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani; të gjithë i thoshin të njëjtat fjalë: “Ty nuk ta pranoi Profeti i Allahut, atëherë si ta pranojumë ne?!” Kështu vazhdoi, derisa Thealebe vdiq gjatë udhëheqjes së Uthmanit.” 115 - Por kur Ai u dha nga mirësitë e Veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën. Prandaj, Ai ua ka hedhur hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në Ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin e dhënë Allahut dhe sepse vazhdimisht gënjenin. - Domethënë, për shkak të thyerjes së premtimit dhe për shkak të mashtrimit. Në dy Sahih-ët vjen hadithi se Profeti i Allahut ka thënë: 1392. “Shenjat e munafikut janë tre: Kur flet, gënjen; kur premton, e thyen premtimin, dhe kur i besohet diçka, të tradhton.” - Vallë, a nuk e dinë ata se Allahu i di sekretet e tyre dhe çdo bisedë të fshehtë dhe se Allahu është Ai që i di të gjitha të fshehtat? - Allahu është më i ditur për atë që fshihet në ndërgjegjen e gjithsecilit dhe e di mirë atë që njerëzit fshehin në thellësi të shpirtit të tyre. Ai është i gjithëdituri në imtësi për çdo të fshehtë. Ai e di mirë të dukshmen dhe të padukshmen, atë që bëhet haptazi dhe atë që bëhet fshehtazi.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:75–9:78
- “Ka nga ata, që i janë zotuar Allahut, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga mirësitë e Tij, sigurisht që do të japim sadaka dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë.” - Ka munafikë, të cilët i premtojnë Allahut: Nëse na i shton mirësitë e dynjasë, edhe ne do të japim për bamirësi, do të respektojmë lidhjet farefisnore, do të nderojmë mikun, do të ndihmojmë të vërtetën dhe do të bëjmë të gjitha të mirat. - “Por kur Ai u dha nga mirësitë e Veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën.” - Kur i Madhëruari u dhuron mirësi të Tij, ata nuk e mbajnë fjalën e dhënë, por kthejnë shpinën dhe nuk binden me arrogancë. Si përgjigje, vjen ndëshkimi i drejtë i të Urtit: - “Prandaj, Ai ua ka hedhur hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në Ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin e dhënë Allahut dhe sepse vazhdimisht gënjenin.” - Ky është ndëshkimi i pandashëm i këtyre të mjerëve. Për këtë arsye, le të jenë të kujdesshëm dhe të ruhen besimtarët nga kjo cilësi e ulët: t’i japin fjalën Zotit që, nëse u fal diçka, ata do të përkushtohen, dhe pastaj ta shkelin fjalën e dhënë. Nëse e thyen premtimin pasi Allahu të plotëson kërkesat, atëherë ki frikë nga ndëshkimi i Allahut dhe nga mbushja e zemrës me hipokrizi, sikurse ndodhi me ata që përmenden në Kur 'an. Sipas një hadithi të saktë, që gjendet në dy Sahih-ët, Profeti thotë: "Shenjat e hipokrizisë janë tre: kur flet, gënjen, kur jep besën, tradhton dhe kur premton, e shkel premtimin." Edhe munafikët e përshkruar më lart, - që premtuan se, nëse Allahu i furnizonte, ata do të bëheshin bamirës, - nuk e mbajtën premtimin, gënjyen dhe shkelën zotimin. Çdokush që bën këtë veprim, i Madhëruari e kërcënon duke thënë: - “Vallë, a nuk e dinë ata se Allahu i di sekretet e tyre dhe çdo bisedë të fshehtë dhe se Allahu është Ai që i di të gjitha të fshehtat?” - Zoti i di gjitha, prandaj Ai do t’i shpërblejë për gjithçka që kanë bërë. Këto ajete flasin për një munafik, që quhej Talebe. Ai shkoi tek Profeti dhe i kërkoi që ta luste Allahun që ta furnizonte me të mira. Ai pretendoi se, nëse Allahu do t'i jepte, ai
do të falte sadaka, do të mbante lidhjet farefisnore dhe do të ndihmonte nevojtarët. Profeti u lut për të, dhe vërtet ai u pasurua shumë. Me kalimin e kohës, Talebe u largua nga Medina dhe vinte gjithnjë e më rrallë në xhami gjatë ditës. Më pas u largua edhe më tepër, duke marrë pjesë veçse në namazet e xhumasë. Profeti e vërejti mungesën e tij. Kur erdhi çasti, Profeti dërgoi njerëz që t’i merrnin zekatin e detyrueshëm sipas ligjit të Zotit. Por Talebe tha: "Kjo është thjesht xhizje. Zekati që ju kërkoni prej meje është, në fakt, vëllai i xhizjes, që ua merrni ehlul kitab-ëve.” Kur zekatmbledhësit u kthyen te Profeti, ai tha: "Mjerë për Taleben! Mjerë për Taleben! Mjerë për Taleben!" Kur u shpall ky ajet, - që flet për Taleben dhe të ngjashmit me të, - disa anëtarë të familjes së Talebes shkuan dhe i treguan se ç’kishte thënë Profeti. Atëherë, Talebe shkoi menjëherë tek Profeti, që t’ia jepte vetë zekatin, por Profeti nuk ia pranoi. Po kështu vepruan me të edhe Ebu Bekri me Umerin. Talebe vdiq në kohën e Uthmanit.