90. Beled · Ajeti 1 · Tefsir
Hyrja e sures El-Beled Sherif Ahmeti
E zbritur në Meke, pas sures Kaf, ajete: 20
Edhe kjo sure ka për qëllim përforcimin e besimit në përgjithësi dhe përqëndrohet më tepër në besim ndaj përgjegjësisë para Zotit.
Zoti betohet në qytetin e shenjtë, në Mekën, në të cilin gjendej edhe Muhammedi, e për të dhënë shenjë për famën dhe për pozitën e lartë të tij te Zoti.
U tërhiqet vërejtja jobesimtarëve mekas, të cilët ishin të mashtruar në fuqinë e tyre. Përmenden disa momente të vështira në ditën e kijametit dhe sidomos me rastin e ndarjes së njerëzve në dy grupe.
Quhet: "Suretul Beledi" - ngase përmendet qyteti, në të cilin ishte edhe Pejgamberi.
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 90:1–90:20
Qyteti në të cilin bëhet betimi është Meka. Ka mendime se Zoti betohet në Mekë. Ai i thotë Muhammedit, ti je banor i saj, apo i thotë se Meka është vend i shenjtë në të cilin nuk lejohet lufta, përveç teje kur do ta çlirosh: ose nuk betohem në qytet derisa ti je aty, pse ti ke më shumë meritë për t'u betuar në ty.
Derisa betimi u bë në qytetin që ishte i pari i qyteteve, edhe me babain është fjala për Ademin a.s. dhe pasardhësit e tij, e ka mendime se me babain është fjala për Ibrahimin e për pasardhësit e tij Ismailin dhe Muhammedin.
Jeta e njeriut prej kur i hyn shpirti e deri që t'i dalë, gjithnjë është në mundime e vështirësi.
Edhe pse njeriu është një prej krijesave, thuajse më të dobëta, qëllimi është që të pastrohet prej ndytësive shtazarake e të arrijë cilësi të larta.
A mendon mëkatari kriminel, si Ebil Eshedd bin Kelde etj., se s'ka kush që mund ta mposhtë, dhe për pasurinë që e shpenzon kundër Muhammedit e kundër fesë islame, lavdërohet si bujar, po Zoti ia di qëllimin. Nuk falënderon Zotin që ia fali sytë, gjuhën, buzët, i tregoi se cila është rruga e mbarë dhe e hajrit dhe cila është e mbrapshtë, e sherrit.
"Akabe" arabët e quajnë rrugën fyt përpjetë që kalohet me vështirësi. e Zoti thotë: "Pse nuk zgjodhe rrugën që nuk është e lehtë, të jepje pasuri për lirimin e ndonjë skllavi, të jepje kur është skamje, t'i jepje jetimit, të varfërit, të besoje dhe të këshilloje për qëndrueshmëri e ndihmë, e do të ishe prej atyre që u vijnë librat në të djathtë e që janë të shpëtuar, sepse ata që mbetën jashtë besimit, librat u vijnë në të majtë, andaj janë të zhytur në Zjarr.
Falënderoj Allahun e madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 90:1–90:10
Beled është sure mekase, ka 20 ajete dhe është zbritur pas sures Kaf. - “Betohem për këtë qytet ...” - Allahu i Madhëruar betohet për Mekën, kryeqendrën e të gjitha qyteteve e vendeve. Allahu i Madhëruar betohet për këtë vend të bekuar e të zgjedhur, më madhështorin dhe më të mirin vend mbi faqen e dheut. Meka është vendi më i dashur për Allahun në të gjithë tokën, prandaj dhe pikërisht prej këtij qyteti lindi dhe doli Profeti më i zgjedhur i Allahut, Muhamedi ﷺ. - ...“ dhe ti gjendesh në këtë qytet.” – Thuhet se kuptimi i këtij ajeti, i parë i lidhur me ajetin para tij, është: “Betohem për këtë qytet të (bekuar), në kohën kur ti gjendesh në këtë qytet !”, pasi prania e Profetit në Mekë ia shtonte akoma më tepër vlerën që ajo ka përkundrejt të gjithë botës. Thuhet, gjithashtu, se kuptimi është i lidhur me ngjarjen e çlirimit të Mekës, kur Profeti hyri në të me luftë. Meka është Beledul Haram, pra, “Qyteti i ndaluar”. Është quajtur ‘i ndaluar’, sepse brenda saj është e ndaluar lufta, përveç rastit kur iu lejua Profetit të Allahut. Kësisoj, kuptimi i ajetit: ‘ ue ente hil-lun bi hadhal beled ’ është: “dhe ty t’u lejua lufta në këtë Qytet”, ose: “... dhe për ty u bë i lejuar ky Qytet”. Pra, Allahu i Madhëruar i premtonte Profetit të Tij se do ta çlironte Mekën, duke ia lejuar luftën vetëm atij. Në fakt, Allahu i Madhëruar e lejoi luftën në Mekë për Profetin e Tij, dhe vetëm për një pjesë dite, pikërisht ditën e çlirimit të Mekës, sikurse thuhet në hadith të saktë. Kështu, në dy Sahih-ët vjen hadithi i Abdullah Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me ta), i cili përcjell se Profeti ﷺ ka thënë: 2869. “Allahu e ka shenjtëruar këtë vend, ditën kur ka krijuar qiejt dhe Tokën. Ky vend, me shenjtërimin e Allahut, është i tillë deri në Ditën e Kijametit. Askujt para meje nuk i është lejuar lufta në të, madje as mua nuk më është lejuar, përveç një pjese dite të caktuar. Qabja është e shenjtëruar nga Allahu deri në Ditën e Kijametit. Në të nuk lejohet shkulja e gjembave, as gjuetia, as marrja e sendeve të gjetura, përveç nëse është për qëllim të gjendet (e njoftohet) i zoti, si dhe nuk priten barishtet e saj.” - “O i Dërguari i Allahut, përveç idhhirit (lloj barishte), ngase ai na duhet për farkëtim dhe për shtëpitë tona”, - tha Abasi. - “Përveç idhhirit (ai lejohet)”, - tha Profeti (a.s.). Në dy Sahih-ët vjen hadithi tjetër, që thotë: 6870. “Ky është një qytet, që Allahu e bëri të shenjtë ditën kur krijoi qiejt dhe Tokën. Ai është i shenjtë, me shenjtërimin që i bëri Zoti, deri në Ditën e Gjykimit. Prandaj nuk priten e pemët e tij dhe nuk kryhet nevoja fiziologjike në hapësirën e tij. Nëse dikush ju përmend luftën e Profetit të Allahut, i thoni: ‘Allahu ia lejoi Profetit të Allahut, ndërsa juve nuk jua lejoi!” Allahu i Lartësuar vijon të betohet, duke thënë: - “Betohem për prindin dhe për ata që lindën prej tij.” - Prindi për të cilin aludohet këtu është Ademi, ndërsa “ata që lindën prej tij” janë të gjithë pasardhësit e Tij. Ky është shpjegimi i Hasenit, Muxha - hidit, Dahhakut, Ebu Salih, Katades etj., dhe ky është një interpretim i mirë dhe i saktë. Kështu, pasi u betua për kryeqendrën e të gjitha vendeve të botës ku banojnë njerëzit, pra, Meka, Allahu i Madhëruar betohet edhe për ata që banojnë në të, pra, për Ademin, babain e të gjithë njerëzimit (që jetoi në
Mekë) dhe të gjithë fëmijët e pasardhësit e tij, që kanë jetuar dhe do jetojnë në këtë botë. Ndërsa Ibn Xheriri zgjedh mendimin se termi i përdorur është gjithëpërfshirës, prandaj bëhet fjalë për çdo prind dhe atë që lind prej tij. Edhe ky shpjegim është i dukshëm dhe i saktë. - “Vërtet, Ne e krijuam njeriun për vështirësi të njëpasnjëshme.” – Për fjalën kebed janë dhënë shpjegime të ndryshme. Përcillet nga Ibn Mesudi, Ikrima etj., që shpjegojnë se: fi kebed domethënë: “të plotësuar, në baraspeshë dhe ekulibër të plotë.”. Ky shpjegim bazohet në kuptimin e fjalës el kebed, që është ekuilibër e përso - smëri. Kështu, kuptimi i ajetit do të ishte: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në më të plotën formë.” Pra, e krijuam atë që të jetë në ekulibër të plotë (të ecë në dy këmbët e veta) dhe në formën dhe rregullin më të përsosur. Me këtë kuptim ky ajet i përngjan ajetit tjetër: “O njeri! Ç’të mashtroi ty, në lidhje me Zotin tënd, Bujarin, I Cili të krijoi, të përsosi dhe të harmonizoi, të dha formën që Ai dëshiroi?” [Infitar 6 - 8], ose: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” [Tin 4]. Një shpjegim tjetër vjen nga Ibn Abasi, Haseni, Muxhahidi, Seid Ibn Xhubejri etj., thonë se: “fi kebed”, domethënë, për të kaluar në vështirësi e pengesa të shumta. Kështu, kuptimi i ajetit do të ishte: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun për (të kaluar) vështirësi të njëpasnjëshme.” Sipas këtij kuptimi, Allahu i Madhëruar na njofton për sprovat e dynjasë dhe të ahiretit, që e presin njeriun. Kështu, Muxhahidi shpjegon: “E krijuan njeriun për të kaluar fazë pas faze e vështirësi pas vështirësie. Fillimisht kalon fazat në barkun e nënës, pastaj nëpër vështirësitë e jetës. Pra, - thotë Muxhahidi, - sikurse përmendet në ajetin tjetër: “... Nëna e ka bartur me mundim dhe me vështirësi e ka lindur.” [Ahkaf 15]. Po kështu, me vështi - rësi i jep gji, e rrit dhe me vështirësi do të përballet vazhdimisht. Seid Ibn Xhubejri shpjegon: “Domethënë, për të kaluar vështirësi e rëndesa e për të përballuar jetesën.” Nga Haseni është përcjellë se, kur ai lexoi njëherë këtë ajet, tha: “Domethënë, për t’u përballur me çështjet e fazat e dynjasë dhe për t’u përballur me çështjet, fazat dhe ngjarjet e ahiretit.” Ndërsa në një version tjetër thuhet: “Për t’u përballur me ngushtitë e dynjasë dhe tmerret e ahiretit.” Ibn Xheriri ka përzgjedhur pikërisht këtë mendim, pra, që njeriu është krijuar për të kaluar e për t’u përballur me vështirësi të shumta e të njëpasnjëshme në të dyja jetët. - “A mendon ai, se askush s'ka fuqi mbi të?” - Hasen el Basri shpjegon: “A mendon ai, se askush nuk ka fuqi që t’ia marrë pasu - rinë atij?” Katade shpjegon: “A mendon ai, se askush nuk ka për ta pyetur e marrë në llogari për pasurinë e tij, si e fitoi, si e shpenzoi?” Ndërsa Suddiju thotë se kuptimi është: “Pra, a mendon ai, se Allahu i Madhëruar nuk ka fuqi mbi të?” - “Ai thotë (me mburrje) : “Unë kam shpenzuar shumë pasuri.” Lubedâ do të thotë “të shumta”. Pra, njeriu mburret me pasuritë e shumta, që shpenzon në kotësira e shfrenime, prandaj i Lartësuari e qorton dhe kërcënon për këtë. - “A mendon ai se nuk e ka parë askush?!” – Vallë, mendon ai se nuk e ka parë Allahu i Lartësuar? (A mendon se Ai nuk e di se si i fitoi e ku i shpenzoi pasuritë e shumta me të cilat lëvdohet?) - “A nuk i dhamë atij dy sy ...” – Me sy mund të shohë. - Edhe gjuhë e dy buzë?” – Me gjuhë, njeriu mund të artikulojë e shprehë me fjalë atë që ndien në zemër, ndërsa buzët lehtë - sojnë shqiptimin e fjalëve, ngrënien e ushqimit dhe zbukurimin e fytyrës. Hafizi Ibn Asakiri, duke folur për jetëshkrimin e Ebu Rabi’ Dimeshkiu, përmend këtë hadith, që ai e sjell prej Mekhulit, i cili rrëfen se Pro - feti ﷺ ka thënë: “Zoti i Lartmadhëruar thotë: “O biri i Ademit, të kam dhënë bekime të mëdha, të cilat nuk i numëron dot dhe kurrë nuk mund ta përmbushësh mirë - njohjen për to. Prej mirësive, me të cilat të kam begatuar janë dy sytë, që të kam dhu - ruar, nëpërmjet të cilëve mund të shohësh. Vendosa në to kapakë, që të mund t’i
mbyllësh e hapësh. Shiko me sytë e tu atë që e kam lejuar! Por, nëse syri has në diçka që e kam ndaluar, atëherë mbylli kapakët dhe largoje shikimin prej haramit. Unë të kam dhënë një gjuhë, që e vendosa brenda gojës. Për këtë arsye, trego atë që të kam urdhëruar dhe lejuar për ty. E nëse të para - qitet ajo që e kam ndaluar, atëherë mbylle (e burgose) brenda gojës gjuhën tënde. Unë të kam mundësuar të përjetosh kënaqësinë intime dhe ju kemi dhënë veshje, si mbu - luese për vendet tuaja të turpshme. Përmbushi dëshirat e kënaqësinë tënde me atë që ta kam lejuar! Megjithatë, nëse ato ju ofrohen me rrugë, që Unë i kam ndaluar, atëherë ruajeni nderin e hidhni mbulesën tuaj. O biri i Ademit, ti nuk e duron dot zemërimin tim, as nuk mund ta përballosh dot dënimin e hakmarrjen time.” 227 - “Vallë, a nuk ia treguam të dyja rru - gët?” – Ibn Mesudi shpjegon: “Domethënë, ia sqaruam, që të dallojë rrugën e mirësisë dhe atë të sherrit. Po kështu, përcillet edhe si shpjegim i Aliut, Ibn Abasit, Muxhahidit, Ikrimes etj. Ai i ngjan ajetit tjetër: “ Ne e krijuam njeriun prej një lëngu të përzier, për ta sprovuar atë dhe e bëmë që të dëgjojë e të shohë. Ne i treguam atij rrugën e drejtë e kështu, ai do të jetë ose mirënjohës ose përbuzës.” [Insan 2, 3]. Ky është shpjegimi më i saktë i ajetit. (Zoti ia ka sqaruar njeriut rrugën e drejtë nga e gabuara, nëpërmjet shpalljeve dhe profetëve. Për këto mirësi, robi duhet të jetë mirënjohës ndaj Dhuruesit dhe të angazhohet maksimalisht për të plotësuar detyrimet ndaj Tij. Ai duhet që t’i shfrytëzojë këto mirësi për të kënaqur Zotin dhe jo për të plotësuar dëshirat e veta në harame. (Sadi)).
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 90:1–90:20
- “Betohem në këtë qytet, dhe ti gjendesh në këtë qytet. Betohem në prindin dhe në ata që lindën prej tij.” - Allahu i Lartësuar betohet në qytetin e sigurisë, në Mekën e nderuar, që është absolutisht vendi më i shenjtë dhe më i nderuar në botë. Rëndësia dhe shenjtëria e saj ishte më e madhe sidomos në kohën kur Profeti i zgjedhur i Zotit, Muhamedi (a.s.) ishte në të. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar betohet në Mekën kur në të ishte Profeti (a.s.). Ai betohet gjithashtu edhe në Ademin (a.s.) dhe pasardhësit e tij. Por për çfarë betohet i Lartësuari? Arsyeja e betimit vjen më poshtë, kur Allahu i Madhëruar thotë: - “Vërtet, Ne e krijuam njeriun për vështirësi të njëpasnjëshme. ” - Ky ajet mund të shpjegohet në dy mënyra: 1. Njeriu është krijuar për të kaluar në sprova të njëpasnjëshme në jetën e dynjasë,
në jetën e varrit dhe në Ditën e Gjykimit. Për këtë arsye, atij i duhet të punojë shumë për t’ia lehtësuar vetes këto vështirësi dhe për t’iu mundësuar arritja e lumturisë së përjetshme në kënaqësinë e Zotit. Nëse nuk e bën, atëherë ai ka për të qenë i rrethuar nga vuajtjet e vazhdueshme, derisa të përfundojë në ndëshkimin e përjetshëm në ahiret. 2. Njeriu është krijuar për vështirësi të njëpasnjëshme, domethënë, ai është krijuar i fortë dhe i aftë për të përballuar çdo punë të vështirë dhe të rëndë. Megjithatë, ai nuk tregohet falënderues dhe mirënjohës për këtë mirësi të dhuruar nga Zoti i tij. Përkundrazi, fuqinë dhe aftësitë e tij ai i përdor me arrogancë, duke u treguar mospërfillës ndaj Zotit që e ka krijuar. Me injorancën dhe padrejtësinë e tij, nga të cilat është i prirur, ai mendon se kjo gjendje do të jetë e vazhdueshme për të dhe kurrë nuk do t’i largohet, por i Lartësuari thotë: - “A mendon ai, se askush s'ka fuqi mbi të?” - A mendon njeriu se nuk do të mposhtet kurrë, prandaj tregohet arrogant, prandaj lëvdohet ndër njerëz për pasurinë që ka harxhuar në përmbushjen e epsheve të tij: - “Ai thotë (me mburje) : “Unë kam shpenzuar shumë pasuri.”” – Domethënë, ka shpenzuar pasuri të madhe në përmbushjen e dëshirave të tij të liga. Kur flet për shpenzimin e pasurisë në harame, Allahu i Lartësuar përdor shprehjen “ehlektu mâlen”, që, saktësisht, do të thotë: “kam prishur, kam shkatërruar shumë pasuri”. Pra, shpenzimin e pasurisë në harame Zoti e ka konsideruar si të shkatërruar e të hedhur kot për shpenzuesin, sepse ajo pasuri i sjell shpenzuesit veçse trishtim, varfërim, lodhje dhe dëshpërim. Ndryshe ndodh me atë që shpenzon pasurinë për të arritur kënaqësinë e Allahut. Ky person ka bërë tregti shumë fitimprurëse dhe lumturuese me Allahun Bujar dhe të Gjithëmëshirshëm. Ai ka për të fituar shumëfish nga ajo që shpenzon për hir të Tij. Më pas, duke kërcënuar ata që shkatërrojnë pasurinë e tyre për përmbushjen e epsheve në harame, Allahu i Lartësuar thotë: - “A mendon ai se nuk e ka parë askush?!” - Si mendojnë këta të mjerë, që veprojnë në këtë mënyrë. Mos, vallë, mendojnë se Allahu nuk i ka parë dhe nuk di për veprat e tyre, të mëdha apo të vogla qofshin?! Mos mendojnë ata se nuk kanë për t’u llogaritur edhe për gjërat më të imëta? Jo, përkundrazi, e vërteta është krejt ndryshe dhe shumë e hidhur për ta. Allahu i Gjithëditur dhe Gjithëshikues i ka parë të gjitha. Ai i ka regjistruar dhe ruajtur veprat e tyre. Për çdo njeri, Ai ka ngarkuar dy melekë të ndershëm dhe shkrues besnikë. Çdo gjë që robi ka vepruar, të mirë apo të keqe, është e regjistruar me saktësi në librin e vet. Më pas, Allahu i Madhëruar i kujton njeriut mirësitë që i ka dhuruar, me qëllim që të mendohet mirë për zgjedhjet që bën. Ai thotë: - “A nuk i dhamë atij dy sy, Edhe gjuhë e dy buzë?” - Zoti e ka zbukuruar njeriun me këto mirësi, me qëllimin gjithashtu që të shikojë dhe të flasë. Ai i ka dhuruar edhe plot mirësi të tjera, të domosdoshme për njeriun. Këto janë mirësitë e dynjasë, ndërsa për mirësinë e besimit dhe të fesë, Ai thotë: - “Dhe a nuk ia treguam atij të dyja rrugët?” - Zoti ia ka sqaruar njeriut rrugën e drejtë nga e gabuara, nëpërmjet shpalljeve dhe profetëve. Për këto mirësi, robi duhet të jetë mirënjohës ndaj Dhuruesit dhe të angazhohet maksimalisht për të plotësuar detyrimet ndaj Tij. Ai duhet që t’i shfrytëzojë këto mirësi për të kënaqur Zotin dhe jo për të plotësuar dëshirat e veta në harame. Por këta lloj njerëzish nuk veprojnë në këtë mënyrë, siç thuhet më pas: - “Por ai nuk zgjodhi “rrugën e (drejtë dhe të) vështirë”. E ku e di ti se ç’është “rruga e (drejtë dhe e) vështirë”?” - Ata nuk ndjekin rrugën e drejtë, sepse u pëlqen të përmbushin dëshirat e veta. Rruga e drejtë është e vështirë për ta. Më pas, Allahu i Madhëruar e përshkruan këtë rrugë
të drejtë, të cilën të shfrenuarit në harame e konsiderojnë të vështirë për ta ndjekur: - “Ajo është lirimi i një skllavi,...” - Lirimi nga skllavëria bëhet ose duke e blerë lirinë e një skllavi, duke paguar shumën e kërkuar nga zotëria i tij, ose duke e ndihmuar të ashtuquajturin el mukâtib në pagesën e një pjese të çmimit të lirisë së tij. El mukatib quhet ai skllav që ka rënë dakord me padronin për ta blerë lirinë e vet kundrejt një shume të caktuar. Pa dyshim, në lirimin nga skllavëria bën pjesë edhe lirimi i muslimanëve të kapur robër nga qafirët, madje kjo është më parësore për t’u marrë në konsideratë. - “...ose dhënia e ushqimit në kohën kur mbretëron uria ndonjë jetimi, që është i afërt, ose ndonjë të varfëri, të cilin e ka dëshpëruar varfëria” - Të japësh ushqim dhe ndihmë pikërisht në ditët më të vështira, kur njerëzit janë shumë në nevojë. Ndihmën duhet ta përqendrosh më shumë në një kategori të caktuar njerëzish, siç janë jetimët, sidomos jetimët që i ke edhe të afërt në fis. Të ndihmosh njerëzit sipas nevojës dhe afërsisë farefisnore ka shpërblim më të madh. Allahu i Madhëruar na nxit, gjithashtu, për të ndihmuar “ miskinen metrabeh”, që, fjalë për fjalë, do të thotë: një të vobektë, që nga nevoja e madhe, është shtrirë përdhe. Kështu, ne duhet të jemi bamirës ndaj krijesave pa mbështetje dhe që janë në nevojë. Pastaj Allahu i Madhëruar jep një tjetër këshillë të vyer, duke thënë: - “dhe të bëhesh prej atyre që besojnë, që këshillojnë njëri-tjetrin për durim dhe që këshillojnë për të mëshiruar.” - Allahu i Madhëruar urdhëron për të patur këto cilësi të mrekullueshme: 1. Besim të vërtetë dhe të sinqertë në gjithçka që duhet besuar dhe të cilën Zoti e ka shpallur nëpërmjet Profetit të Tij. 2. Vepra të mira, me plot kuptimin e fjalës “të mira”. Që puna të jetë e mirë, ajo duhet të kryhet me sinqeritet për të kënaqur Krijuesin dhe me mënyrën e përcaktuar nga Krijuesi, qoftë vepër e detyrueshme, qoftë e pëlqyeshme. 3. Të këshillojmë njëri -tjetrin për durim, në të tri aspektet e tij kryesore: durim për të zbatuar porositë e Zotit, durim për t’u ruajtur dhe larguar nga ndalesat e Zotit dhe durim ndaj caktimit të Zotit mbi ne, duke e pranuar të kënaqur këtë caktim, pa ankesa dhe rebelim. Ne duhet të këshillojmë njëri - tjetrin për nënshtrim dhe vazhdimësi në rrugën drejt kënaqësisë së Allahut të Madhëruar, për qetësi dhe siguri të plotë në ndihmën dhe mbështetjen e afërt të Tij. 4. Të këshillojmë njëri -tjetrin për të qenë mëshirues dhe të butë me krijesat, duke ndihmuar nevojtarët, duke mësuar të paditurit, duke udhëzuar të humburit, duke u shërbyer atyre në të gjitha drejtimet që kanë nevojë, duke i ndihmuar ata të rregullojnë çështjet e dynjasë dhe të fesë, duke dashur për të tjerët atë që e dëshirojmë për veten tonë dhe të urrejmë për ta atë që e urrejmë edhe për veten tonë. Pikërisht ata që përpiqen dhe i plotësojnë këto cilësi i kanë hyrë asaj rrugë të vështirë, që do t’i nxjerrë në lumturi të paimagjinueshme. Këta janë ata që librin e veprave të tyre do ta marrin nga e djathta, siç thotë i Lartësuari: - “Këta janë të anës së djathtë.” – Arsyeja është se këta përpiqen që të plotësojnë detyrimet ndaj Zotit dhe ndaj krijesave. Ata, gjithashtu, largohen nga haramet e Zotit. Pikërisht kjo është rruga e lumturisë dhe kënaqësisë së përjetëshme. Ndërsa ata që nuk ndjekin këtë rrugë, por zgjedhin mohimin dhe shpërfilljen e porosive të Zotit, ata kanë tjetër trajtim. I Madhëruari thotë: - “Ndërsa ata që nuk i besojnë argumentet Tona, janë të së majtës. Mbi ta është një Zjarri i mbyllur (përvëlues).” - Ata i shpërfillin dhe flakin pas shpine porositë dhe këshillat e Allahut. Ata nuk e besojnë Allahun dhe asgjë që Ai urdhëron të besohet. Ata nuk bëjnë vepra të mira sipas besimit të drejtë dhe nuk i mëshirojnë krijesat e Zotit. Këtyre do t’u jepet libri i
veprave të tyre nga e majta, shenjë kjo se i pret ndëshkimi i dhembshëm. Ata i pret izolimi në Zjarr, ku do të jenë të mbyllur pas hekurash dhe kurrë nuk do të shpëtojnë prej tij. Ashtu të burgosur në Zjarr do të ndëshkohen dhe do të vuajnë të dëshpëruar. Këtu përfundon komenti i sures Beled. Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhëruar!