90. Beled · Ajeti 20 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 90:1–90:20
Qyteti në të cilin bëhet betimi është Meka. Ka mendime se Zoti betohet në Mekë. Ai i thotë Muhammedit, ti je banor i saj, apo i thotë se Meka është vend i shenjtë në të cilin nuk lejohet lufta, përveç teje kur do ta çlirosh: ose nuk betohem në qytet derisa ti je aty, pse ti ke më shumë meritë për t'u betuar në ty.
Derisa betimi u bë në qytetin që ishte i pari i qyteteve, edhe me babain është fjala për Ademin a.s. dhe pasardhësit e tij, e ka mendime se me babain është fjala për Ibrahimin e për pasardhësit e tij Ismailin dhe Muhammedin.
Jeta e njeriut prej kur i hyn shpirti e deri që t'i dalë, gjithnjë është në mundime e vështirësi.
Edhe pse njeriu është një prej krijesave, thuajse më të dobëta, qëllimi është që të pastrohet prej ndytësive shtazarake e të arrijë cilësi të larta.
A mendon mëkatari kriminel, si Ebil Eshedd bin Kelde etj., se s'ka kush që mund ta mposhtë, dhe për pasurinë që e shpenzon kundër Muhammedit e kundër fesë islame, lavdërohet si bujar, po Zoti ia di qëllimin. Nuk falënderon Zotin që ia fali sytë, gjuhën, buzët, i tregoi se cila është rruga e mbarë dhe e hajrit dhe cila është e mbrapshtë, e sherrit.
"Akabe" arabët e quajnë rrugën fyt përpjetë që kalohet me vështirësi. e Zoti thotë: "Pse nuk zgjodhe rrugën që nuk është e lehtë, të jepje pasuri për lirimin e ndonjë skllavi, të jepje kur është skamje, t'i jepje jetimit, të varfërit, të besoje dhe të këshilloje për qëndrueshmëri e ndihmë, e do të ishe prej atyre që u vijnë librat në të djathtë e që janë të shpëtuar, sepse ata që mbetën jashtë besimit, librat u vijnë në të majtë, andaj janë të zhytur në Zjarr.
Falënderoj Allahun e madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 90:11–90:20
- Por ai nuk zgjodhi “rrugën e vështirë”. – Ai nuk ndoqi rrugën, në të cilën do të gjente shpëtimin dhe mirësitë e Zotit. El akabe quhet një e përpjetë e fortë, një e përpjetë, të cilën të bindurit patën guximin dhe forcën për ta ngjitur, për hir të Allahut të Madhëruar. - “E ku e di ti se ç’është “rruga e vështirë”?” – Kjo pyetje tregon rëndësinë e madhe të njohjes së saj. Më pas, i Madhëruari na tregon se cilat janë ato punë të vështira, që përbëjnë këtë rrugë të shpëtimit. - “Ajo është lirimi i një skllavi...” - Lirimi i një skllavi është një prej veprave të mira, të nxitura nga Zoti, por edhe e vështirë, sepse kërkon shpenzim pasurie. Imam Ahmedi transmeton nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti i Allahut ka thënë: 2871. “Ai që liron një skllav musliman, për çdo gjymtyrë e pjesë të trupit të liruar, Allahu i Madhëruar ka për t’i ruajtur nga zjarri gjymtyrët e pjesët e trupit të tij. Kështu, për këmbën e liruar i ruan këmbën nga zjarri, për dorën e liruar i ruan dorën nga zjarri, dhe kështu të gjithë trupin.” Ali Ibn Haseni i tha Sedidit: “A e ke dëgjuar këtë vetë prej Ebu Hurejres?” Seidi tha: “Po”. Atëherë, Ali Ibn Haseni i tha një shërbyesi: “Shko dhe ma thirr Mitrafin!” Ai erdhi e qëndroi përpara tij. Aliu i tha: “Mund të shkosh, pasi je i lirë, për hir të Allahut.” [Buhariu dhe Muslimi]. Në versionin e sjellë nga Muslimi thuhet se për skllavin që u lirua, më parë kishin ofruar dhjetë mijë dirhemë për ta blerë. (Lirimi nga skllavëria bëhet ose duke e blerë lirinë e një skllavi, duke paguar shumën e kërkuar
nga zotëria i tij, ose duke e ndihmuar të ashtuquajturin el mukâtib në pagesën e një pjese të çmimit të lirisë së tij. El mukatib quhet ai skllav që ka rënë dakord me padronin për ta blerë lirinë e vet kundrejt një shume të caktuar. Pa dyshim, në lirimin nga skllavëria bën pjesë edhe lirimi i muslimanëve të kapur robër nga qafirët, madje kjo është më parësore për t’u marrë në konsideratë. (Sadi)). - “... ose dhënia e ushqimit në kohën kur mbretëron uria ...” – Ibn Abasi shpjegon: “Domethënë, në një kohë kur ka pllakosur uria.” Të japësh ushqim dhe ndihmë pikërisht në ditët më të vështira, kur njerëzit janë shumë në nevojë. - “... ndonjë jetimi, që është i afërt...” – Në kohë krize e urie, ushqen jetimët, që i ka edhe të afërt në fis. Kjo tregon se sa e rëndësishme është përkujdesi për farefisin në kohë krize, sidomos për fëmijë që janë jetimë, nevoja e të cilëve është shumë herë më e madhe. Pa dyshim që shpërblimi i sadakasë për të afërmin është shumë herë më i madh sesa ndaj të tjerëve, siç thuhet në hadithin, që e sjell Imam Ahmedi nga Selman Ibn Amiri, i cili rrëfen se e ka dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: 2862. “Sadakaja që i jepet nevojtarit konsiderohet dhe shpërblehet vetëm si sadaka. Ndërsa ajo që i jepet farefisit konsiderohet dhe shpër - blehet si sadaka dhe si ruajtje e lidhjeve farefisnore.” Gjithashtu, Imam Ahmedi sjell me sened hadithin prej Amër Ibn Absetes, i cili rrëfen se Profeti i Allahut ka thënë: “Kush ndërton një xhami ku përmendet Allahu, Allahu do t’i ndërtojë atij një shtëpi në Xhenet. Kushdo që liron një musliman, ky do të jetë shpëtimi i tij prej Zjarrit. Ai që thinjet në Islam, qoftë edhe një fije floku, ajo do të jetë dritë për të në Ditën e Kijametit.” 228 Po nga Amr Ibn Absete vjen hadithi se Profeti i Allahut ka thënë: “Kushdo që liron një musliman, ky do të jetë shpëtimi i tij prej Zjarrit, gjymtyrë pas gjymtyre. Ai që thinjet në Islam, qoftë edhe një fije floku, ajo do të jetë dritë për të në Ditën e Kijametit. Ai që qëllon në rrugën e Zotit qoftë edhe një shigjetë, qëllon në shenjë apo jo, do të shpërblehet si të ketë liruar nga skllavëria një prej bijve të Ismailit (pra, skllav të fisëm e shumë të shtrenjtë).229 Kush ka tre fëmijë, që i lindin në Islam dhe vdesin para se të arrijnë moshën e puber - tetit, Zoti do ta fusë në Xhenet prej mëshirës së Tij për ata (fëmijët). Ai që thinjet në rrugë të Zotit qoftë edhe një fije floku, ajo do të jetë dritë për të në Ditën e Kijametit. Ai që qëllon në rrugën e Zotit qoftë edhe me një shigjetë, me të cilën synon armikun, qëllon në shenjë apo jo, do të shpërblehet si të ketë liruar një rob (musliman) nga sklla - vëria. Kushdo që e liron një rob besimtar, Zoti do të çlirojë çdo pjesë të tij nga zjarri. Kush shpenzon dy herë (prej pasurisë së tij) 230 në rrugën e Zotit, le ta dijë se Xheneti ka ketë tetë dyer dhe ai do të mund të hyjë në të, nga cilado portë që të dëshirojë.” 231 (Thuhet se kuptimi është: Kush ka si pasuri lopë, psh., të japë dy lopë, kush ka deve, të japë dy deve, kush ka skllevër, të lirojë dy skllevër e kështu me radhë. Pra, qëllimi është që besimtari ta përsërisë një vepër të mirë ose t’i shtojë sa më shumë ato. Një vepër të mirë ta bëjë të paktën dy herë, që të konsiderohet si i vazhdueshëm në këtë punë të mirë, sepse numri dy është më i vogli në numrin shumës. [Sh.p]). - “... ose ndonjë të varfëri, të cilin e ka dëshpëruar varfëria ...” – Në kohë urie e varfërie të madhe, ai ushqen dikë që është në varfëri aq të madhe, saqë Zoti e për - shkruan:“dha metrabe”, pra, që është shtri - rë përdhe nga skamja e nevoja. Ai nuk ka shtëpi të fusë kokën e as shtrojë të shtrihet, por shtrihet në dhe. Nuk ka njeri që të përkujdeset për të apo të qëndrojë pranë tij. - “... dhe të bëhesh prej atyre që besojnë ...” – Përveç këtyre veprave të mrekullue - shme të bamirësisë, ai e ka zemrën të mbu - shur me besim të pastër, të sinqertë e ko - rrekt. Është ky besim i vërtetë, që e bën atë të shpresojë shpërblimin e Allahut për punët e mira që bën, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Ndërsa ai që ka për qëllim botën tjetër, duke qenë besimtar dhe përpi -
qet për të ashtu si i takon asaj, përpjekjet e tij do të jenë të shpërblyeshme.” [Isra 19]. “Kujtdo që bën një vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’i japim shpërblimin më të mirë për veprat e mira.” [Nahl 97]. - “... që këshillojnë njëri -tjetrin për du - rim dhe që këshillojnë për të mëshiruar.” - Kjo është cilësia e tretë e tyre. Pas besimit korrekt e të sinqertë te gjithçka që janë urdhëruar ta besojnë dhe pas veprave të mira në emër të atij besimi, duke shpresuar shpërblimin e Allahut, i Lartësuari thotë se këta njerëz këshillojnë njëri -tjetrin për të qenë të durueshëm në këtë rrugë të mirësisë, pasi ajo ka vështirësi dhe ata do të përballen me mundimet e shkaktuar a nga njerëzit, të cilët ata ftojnë në rrugën e Zotit. Jo vetëm për durim, por ata këshillojnë edhe për të pasur mëshirë për krijesat, siç thuhet në hadithin vijues: 2873. “Mëshiruesit i mëshiron i Gjithëmëshirshmi. Mëshironi ata që janë në tokë, që t’ju mëshirojë Ai që është në qiell.” Në një hadith tjetër thuhet: “Allahu nuk e mëshiron atë që nuk mëshi - ron njerëzit.” Ebu Daudi sjell me sened hadithin nga Abdullah Ibn Amri, se Profeti ﷺ ka thënë: “Ai që nuk i mëshiron të vegjlit tanë dhe nuk i jep hakun respektit për të moshuarit tanë, ai nuk është prej nesh.” - “Këta janë të anës së djathtë.” - Ata që kanë të tilla cilësi do të jenë nga të djathtët, domethënë, do ta marrin librin e veprave të mira nga e djathta. (Për të djathtët, i Lartë - suari ka thënë: “Po njerëzit e të djathtës? E kush janë të djathtët se?! Ata qëndrojnë mes lotusve pa gjemba, bananeve me fruta palë - palë, nën hije të gjera, pranë një uji që rrjedh, mes frutave të shumëllojshme, që as nuk mbarohen, as nuk janë të ndaluara. Ata qëndrojnë në shtretër të lartë (me hyritë symëdha). Ne i kemi bërë ato (hyritë e Xhe - netit) me një krijim të ri (të përjetshme). Ne i kemi bërë ato virgjëresha, të dashura për bashkëshortët e tyre dhe të një moshe, për njerëzit e së djathtës, ata janë shumë nga të hershmit E shumë nga më të vonshmit.” [Uakia 27 - 41].) Gjithashtu: “ Në qoftë se është nga të djathtët (i thuhet:) “Selam të qoftë ty prej të djathtëve! ” [Uakia 90, 91]. (Sadi)) - “Ndërsa ata që nuk i besojnë argu - mentet Tona, janë të së majtës.” - Refuzuesit e besimit dhe shpalljeve të Zotit do të jenë të majtët, domethënë, ata që do ta marrin librin e veprave të tyre nga e majta. (Për të majtët, i Lartësuari ka thënë: “Po njerëzit e të majtës? E kush janë ata të majtit se?! Ata janë në afshin përvëlues të zjarrit dhe në ujë të valë, nën një hije tymi, as të freskët e as të këndshme. Më përpara, ata kanë qenë të dhënë pas kënaqësive (të ndaluara) dhe vazhdimisht bënin gjynahe të mëdha. Ata thoshin: “Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi dhe e eshtra, vërtet do të ringja - llemi?! Vallë, edhe etërit tanë të hershëm?” Thuaju: “Të jeni të sigurt se, edhe të parët edhe të fundmit, Keni për t’u tubuar në një ditë të caktuar. Atëherë, ju, o të humbur e jobesimtarë, keni për të ngrënë prej pemës Zekum. Prej saj keni për ta mbushur barkun. E menjëherë pas saj do të pini prej ujit të vluar, do të pini si deveja e etshme.” Kjo është “gostia” e tyre në Ditën e Gjykimit.” [Uakia 41 - 56]. Gjithashtu: “E në qoftë se është prej gënjeshtarëve të humbur, mirëseardhja e tij është “gosti” me ujë të valë dhe kredhje në zjarrin e Xhehenemit.” [Uakia 92 – 94]. (Sadi)) - “Mbi ta është një Zjarri i mbyllur.” – Zjarri qëndron i mbyllur mbi ata, që nuk kanë për të dalë kurrë prej tij. Mu’sadeh do të thotë i mbyllur. Ibn Abasi thotë se: “Mu’sadeh” domethënë, me dyer të mby - llura.” Katadja thotë: “ Mu’sadeh”, domethënë, i mbyllur, ku nuk ka dritë dhe asnjë vrimë për të dalë. Ebu Imran Xheuni ka thënë: “Kur të vijë Dita e Kijametit, Allahu i Madhëruar do të urdhërojë për dënimin e çdo tirani gjakpirës, çdo shejtani të pështirë e çdo njeriu të lig, që njerëzit i frikësohe - shin. Ata do të mbërthehen fort me hekur. Pastaj Allahu i Madhëruar do të urdhërojë që ata të zhyten në Xhehenem, i cili më pas do të mbyllet e do t’i izolojë brenda ata.
Betohem për Zotin, që këmbët e tyre nuk do të gjejnë kurrë karar; për Zotin që ata kurrë nuk do të shohin qiell me sy; për Zotin se sytë e tyre kurrë nuk do të mbyllen për të fjetur gjumë; për Zotin që kurrë nuk do të shijojnë freskinë e ujit të ftohtë.” 232 Kështu e ka sjellë Ibn Ebu Hatimi. Fundi i përmbledhjes së tefsirit të sures Beled. Vetëm Allahut i takojnë lavdërimet dhe mirënjohja për mirësitë e tij të pafundme!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 90:1–90:20
- “Betohem në këtë qytet, dhe ti gjendesh në këtë qytet. Betohem në prindin dhe në ata që lindën prej tij.” - Allahu i Lartësuar betohet në qytetin e sigurisë, në Mekën e nderuar, që është absolutisht vendi më i shenjtë dhe më i nderuar në botë. Rëndësia dhe shenjtëria e saj ishte më e madhe sidomos në kohën kur Profeti i zgjedhur i Zotit, Muhamedi (a.s.) ishte në të. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar betohet në Mekën kur në të ishte Profeti (a.s.). Ai betohet gjithashtu edhe në Ademin (a.s.) dhe pasardhësit e tij. Por për çfarë betohet i Lartësuari? Arsyeja e betimit vjen më poshtë, kur Allahu i Madhëruar thotë: - “Vërtet, Ne e krijuam njeriun për vështirësi të njëpasnjëshme. ” - Ky ajet mund të shpjegohet në dy mënyra: 1. Njeriu është krijuar për të kaluar në sprova të njëpasnjëshme në jetën e dynjasë,
në jetën e varrit dhe në Ditën e Gjykimit. Për këtë arsye, atij i duhet të punojë shumë për t’ia lehtësuar vetes këto vështirësi dhe për t’iu mundësuar arritja e lumturisë së përjetshme në kënaqësinë e Zotit. Nëse nuk e bën, atëherë ai ka për të qenë i rrethuar nga vuajtjet e vazhdueshme, derisa të përfundojë në ndëshkimin e përjetshëm në ahiret. 2. Njeriu është krijuar për vështirësi të njëpasnjëshme, domethënë, ai është krijuar i fortë dhe i aftë për të përballuar çdo punë të vështirë dhe të rëndë. Megjithatë, ai nuk tregohet falënderues dhe mirënjohës për këtë mirësi të dhuruar nga Zoti i tij. Përkundrazi, fuqinë dhe aftësitë e tij ai i përdor me arrogancë, duke u treguar mospërfillës ndaj Zotit që e ka krijuar. Me injorancën dhe padrejtësinë e tij, nga të cilat është i prirur, ai mendon se kjo gjendje do të jetë e vazhdueshme për të dhe kurrë nuk do t’i largohet, por i Lartësuari thotë: - “A mendon ai, se askush s'ka fuqi mbi të?” - A mendon njeriu se nuk do të mposhtet kurrë, prandaj tregohet arrogant, prandaj lëvdohet ndër njerëz për pasurinë që ka harxhuar në përmbushjen e epsheve të tij: - “Ai thotë (me mburje) : “Unë kam shpenzuar shumë pasuri.”” – Domethënë, ka shpenzuar pasuri të madhe në përmbushjen e dëshirave të tij të liga. Kur flet për shpenzimin e pasurisë në harame, Allahu i Lartësuar përdor shprehjen “ehlektu mâlen”, që, saktësisht, do të thotë: “kam prishur, kam shkatërruar shumë pasuri”. Pra, shpenzimin e pasurisë në harame Zoti e ka konsideruar si të shkatërruar e të hedhur kot për shpenzuesin, sepse ajo pasuri i sjell shpenzuesit veçse trishtim, varfërim, lodhje dhe dëshpërim. Ndryshe ndodh me atë që shpenzon pasurinë për të arritur kënaqësinë e Allahut. Ky person ka bërë tregti shumë fitimprurëse dhe lumturuese me Allahun Bujar dhe të Gjithëmëshirshëm. Ai ka për të fituar shumëfish nga ajo që shpenzon për hir të Tij. Më pas, duke kërcënuar ata që shkatërrojnë pasurinë e tyre për përmbushjen e epsheve në harame, Allahu i Lartësuar thotë: - “A mendon ai se nuk e ka parë askush?!” - Si mendojnë këta të mjerë, që veprojnë në këtë mënyrë. Mos, vallë, mendojnë se Allahu nuk i ka parë dhe nuk di për veprat e tyre, të mëdha apo të vogla qofshin?! Mos mendojnë ata se nuk kanë për t’u llogaritur edhe për gjërat më të imëta? Jo, përkundrazi, e vërteta është krejt ndryshe dhe shumë e hidhur për ta. Allahu i Gjithëditur dhe Gjithëshikues i ka parë të gjitha. Ai i ka regjistruar dhe ruajtur veprat e tyre. Për çdo njeri, Ai ka ngarkuar dy melekë të ndershëm dhe shkrues besnikë. Çdo gjë që robi ka vepruar, të mirë apo të keqe, është e regjistruar me saktësi në librin e vet. Më pas, Allahu i Madhëruar i kujton njeriut mirësitë që i ka dhuruar, me qëllim që të mendohet mirë për zgjedhjet që bën. Ai thotë: - “A nuk i dhamë atij dy sy, Edhe gjuhë e dy buzë?” - Zoti e ka zbukuruar njeriun me këto mirësi, me qëllimin gjithashtu që të shikojë dhe të flasë. Ai i ka dhuruar edhe plot mirësi të tjera, të domosdoshme për njeriun. Këto janë mirësitë e dynjasë, ndërsa për mirësinë e besimit dhe të fesë, Ai thotë: - “Dhe a nuk ia treguam atij të dyja rrugët?” - Zoti ia ka sqaruar njeriut rrugën e drejtë nga e gabuara, nëpërmjet shpalljeve dhe profetëve. Për këto mirësi, robi duhet të jetë mirënjohës ndaj Dhuruesit dhe të angazhohet maksimalisht për të plotësuar detyrimet ndaj Tij. Ai duhet që t’i shfrytëzojë këto mirësi për të kënaqur Zotin dhe jo për të plotësuar dëshirat e veta në harame. Por këta lloj njerëzish nuk veprojnë në këtë mënyrë, siç thuhet më pas: - “Por ai nuk zgjodhi “rrugën e (drejtë dhe të) vështirë”. E ku e di ti se ç’është “rruga e (drejtë dhe e) vështirë”?” - Ata nuk ndjekin rrugën e drejtë, sepse u pëlqen të përmbushin dëshirat e veta. Rruga e drejtë është e vështirë për ta. Më pas, Allahu i Madhëruar e përshkruan këtë rrugë
të drejtë, të cilën të shfrenuarit në harame e konsiderojnë të vështirë për ta ndjekur: - “Ajo është lirimi i një skllavi,...” - Lirimi nga skllavëria bëhet ose duke e blerë lirinë e një skllavi, duke paguar shumën e kërkuar nga zotëria i tij, ose duke e ndihmuar të ashtuquajturin el mukâtib në pagesën e një pjese të çmimit të lirisë së tij. El mukatib quhet ai skllav që ka rënë dakord me padronin për ta blerë lirinë e vet kundrejt një shume të caktuar. Pa dyshim, në lirimin nga skllavëria bën pjesë edhe lirimi i muslimanëve të kapur robër nga qafirët, madje kjo është më parësore për t’u marrë në konsideratë. - “...ose dhënia e ushqimit në kohën kur mbretëron uria ndonjë jetimi, që është i afërt, ose ndonjë të varfëri, të cilin e ka dëshpëruar varfëria” - Të japësh ushqim dhe ndihmë pikërisht në ditët më të vështira, kur njerëzit janë shumë në nevojë. Ndihmën duhet ta përqendrosh më shumë në një kategori të caktuar njerëzish, siç janë jetimët, sidomos jetimët që i ke edhe të afërt në fis. Të ndihmosh njerëzit sipas nevojës dhe afërsisë farefisnore ka shpërblim më të madh. Allahu i Madhëruar na nxit, gjithashtu, për të ndihmuar “ miskinen metrabeh”, që, fjalë për fjalë, do të thotë: një të vobektë, që nga nevoja e madhe, është shtrirë përdhe. Kështu, ne duhet të jemi bamirës ndaj krijesave pa mbështetje dhe që janë në nevojë. Pastaj Allahu i Madhëruar jep një tjetër këshillë të vyer, duke thënë: - “dhe të bëhesh prej atyre që besojnë, që këshillojnë njëri-tjetrin për durim dhe që këshillojnë për të mëshiruar.” - Allahu i Madhëruar urdhëron për të patur këto cilësi të mrekullueshme: 1. Besim të vërtetë dhe të sinqertë në gjithçka që duhet besuar dhe të cilën Zoti e ka shpallur nëpërmjet Profetit të Tij. 2. Vepra të mira, me plot kuptimin e fjalës “të mira”. Që puna të jetë e mirë, ajo duhet të kryhet me sinqeritet për të kënaqur Krijuesin dhe me mënyrën e përcaktuar nga Krijuesi, qoftë vepër e detyrueshme, qoftë e pëlqyeshme. 3. Të këshillojmë njëri -tjetrin për durim, në të tri aspektet e tij kryesore: durim për të zbatuar porositë e Zotit, durim për t’u ruajtur dhe larguar nga ndalesat e Zotit dhe durim ndaj caktimit të Zotit mbi ne, duke e pranuar të kënaqur këtë caktim, pa ankesa dhe rebelim. Ne duhet të këshillojmë njëri - tjetrin për nënshtrim dhe vazhdimësi në rrugën drejt kënaqësisë së Allahut të Madhëruar, për qetësi dhe siguri të plotë në ndihmën dhe mbështetjen e afërt të Tij. 4. Të këshillojmë njëri -tjetrin për të qenë mëshirues dhe të butë me krijesat, duke ndihmuar nevojtarët, duke mësuar të paditurit, duke udhëzuar të humburit, duke u shërbyer atyre në të gjitha drejtimet që kanë nevojë, duke i ndihmuar ata të rregullojnë çështjet e dynjasë dhe të fesë, duke dashur për të tjerët atë që e dëshirojmë për veten tonë dhe të urrejmë për ta atë që e urrejmë edhe për veten tonë. Pikërisht ata që përpiqen dhe i plotësojnë këto cilësi i kanë hyrë asaj rrugë të vështirë, që do t’i nxjerrë në lumturi të paimagjinueshme. Këta janë ata që librin e veprave të tyre do ta marrin nga e djathta, siç thotë i Lartësuari: - “Këta janë të anës së djathtë.” – Arsyeja është se këta përpiqen që të plotësojnë detyrimet ndaj Zotit dhe ndaj krijesave. Ata, gjithashtu, largohen nga haramet e Zotit. Pikërisht kjo është rruga e lumturisë dhe kënaqësisë së përjetëshme. Ndërsa ata që nuk ndjekin këtë rrugë, por zgjedhin mohimin dhe shpërfilljen e porosive të Zotit, ata kanë tjetër trajtim. I Madhëruari thotë: - “Ndërsa ata që nuk i besojnë argumentet Tona, janë të së majtës. Mbi ta është një Zjarri i mbyllur (përvëlues).” - Ata i shpërfillin dhe flakin pas shpine porositë dhe këshillat e Allahut. Ata nuk e besojnë Allahun dhe asgjë që Ai urdhëron të besohet. Ata nuk bëjnë vepra të mira sipas besimit të drejtë dhe nuk i mëshirojnë krijesat e Zotit. Këtyre do t’u jepet libri i
veprave të tyre nga e majta, shenjë kjo se i pret ndëshkimi i dhembshëm. Ata i pret izolimi në Zjarr, ku do të jenë të mbyllur pas hekurash dhe kurrë nuk do të shpëtojnë prej tij. Ashtu të burgosur në Zjarr do të ndëshkohen dhe do të vuajnë të dëshpëruar. Këtu përfundon komenti i sures Beled. Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhëruar!