402
Sahih
Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Profetin ﷺ duke thënë: "Vërtet shejtani e ka humbur shpresën që të adhurohet nga ata që falen në Gadishullin Arabik, por nuk e ka humbur shpresën për të mbjellë përçarje mes tyre."
Transmeton Muslimi
Shpjegimi dhe mësimet
Profeti ﷺ në këtë hadith ka treguar se shejtani e ka humbur shpresën që besimtarët që falen në Gadishullin Arabik të kthehen në adhurimin e tij dhe t'i bëjë sexhde idhujve. Mirëpo, ai ende shpreson dhe vazhdon të përpiqet me ngulm për të mbjellë përçarje mes tyre, duke nxitur mosmarrëveshje, armiqësi, luftëra, trazira e të ngjashme.
- Adhurimi i shejtanit bëhet përmes adhurimit të idhujve, sepse është ai që urdhëron dhe thërret në këtë. Argument për këtë janë fjalët e Allahut, ku flet për Ibrahimin (alejhi selam): "O babush, mos e adhuro shejtanin...!"
- Shejtani përpiqet të nxisë mosmarrëveshje, armiqësi, luftëra dhe trazira mes muslimanëve.
- Ndër dobitë e namazit në Islam është se ai ruan dashurinë mes muslimanëve dhe forcon lidhjet vëllazërore ndërmjet tyre.
- Namazi është adhurimi më i madh në Islam pas dy dëshmive të besimit, dhe për këtë arsye muslimanët quhen namazfalës.
- Gadishulli Arabik posedon karakterisitka që vendet e tjera nuk i posedojnë.
- Nëse thuhet se adhurimi i idhujve ka ndodhur në disa pjesë të Gadishullit Arabik, megjithëse Profeti ﷺ ka thënë: "Vërtet shejtani e ka humbur shpresën që të adhurohet nga ata që falen në Gadishullin Arabik..." Atëherë përgjigjja është se fjalët e Profetit ﷺ tregojnë për dëshpërimin që ndjeu shejtani kur pa fitoret dhe njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe. Pra, hadithi tregon për mendimin dhe pritshmërinë e shejtanit, por ajo që ka ndodhur në realitet është ndryshe, për një urtësi të caktuar nga Allahu i Lartmadhërishëm.
Burimi: HadeethEnc.com