Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se, pasi u gurëzua një burrë nga fisi i Eslemëve, i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe tha: “Ruhuni nga kjo ndyrësi që Allahu e ka ndaluar. Ai që e kryen, le ta fshehë veten me mbulimin e Allahut dhe le të pendohet tek Ai, sepse, kushdo që na e zbulon hapur mëkatin e tij, ne do ta zbatojmë mbi të Librin e Allahut të Lartmadhëruar."
رواه الحاكم والبيهقي
Shpjegimi dhe mësimet
Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka njoftuar se Profeti ﷺ mbajti një fjalim pas gurëzimit të Maiz ibën Malik Eslemiut (Allahu qoftë i kënaqur me të!), dispozitë që parashikohet me sheriat për atë që ka kryer imoralitet, dhe u foli njerëzve duke thënë: Ruhuni nga kjo ndyrësi dhe nga mëkatet e neveritshme e të shëmtuara që Allahu i ka ndaluar. Kush kryen një nga këto mëkate, duhet të bëjë dy gjëra: E para: Ta mbulojë veten, ashtu siç e ka mbuluar Allahu, dhe të mos e zbulojë mëkatin e tij. E dyta: Të nxitojë të pendohet tek Allahu dhe të mos këmbëngulë në të. Ndërsa ai, mëkati i të cilit bëhet publik për ne, ne do të zbatojmë mbi të ndëshkimin e paracaktur ligjërisht, që është në Librin e Allahut të Lartmadhërishëm për atë mëkat.
- Inkurajimi që mëkatari ta mbulojë veten dhe të pendohet për mëkatin në mënyrë private mes tij dhe Zotit.
- Pasi udhëheqësi të njoftohet për shkeljen që ka të bëjë me ndëshkimet e parcaktuara ligjërisht (ar. hudud), atëherë bëhet e domosdoshme zbatimi i tyre.
- Është detyrim që të shmangen mëkatet dhe të bëhet pendim për to.
Burimi: HadeethEnc.com