Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartmadhëruar e shtrin Dorën gjatë natës, që të pendohet ai që bën mëkate gjatë ditës, dhe e shtrin Dorën gjatë ditës, që të pendohet ai që bën mëkate gjatë natës, derisa Dielli të lindë nga perëndimi.”
Enciklopedia e Haditheve · Pendimi:
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Çdo bir i Ademit është mëkatar, e mëkatarët më të mirë janë ata që pendohen shpesh!"
Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se, pasi u gurëzua një burrë nga fisi i Eslemëve, i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe tha: “Ruhuni nga kjo ndyrësi që Allahu e ka ndaluar. Ai që e kryen, le ta fshehë veten me mbulimin e Allahut dhe le të pendohet tek Ai, sepse, kushdo që na e zbulon hapur mëkatin e tij, ne do ta zbatojmë mbi të Librin e Allahut të Lartmadhëruar."
Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Vërtet unë jam një njeri që, kur dëgjoja ndonjë hadith nga i Dërguari i Allahut ﷺ, Allahu më bëri dobi aq sa donte që unë të përfitoja prej tij. Kur ndonjëri nga sahabët më transmetonte ndonjë hadith, unë i kërkoja atij të betohej. Kur ai betohej, unë i besoja. Ebu Bekri më tregoi një hadith, ndërkohë Ebu Bekri tha të vërtetën, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: "Nuk ka njeri që bën një mëkat, pastaj ngrihet dhe merr abdes, pastaj fal namaz e i kërkon falje Allahut, përveçse Allahu do ta falë." Pastaj lexoi këtë ajet: "Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre..." (Al Imran, 135)
Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!), pjesëmarrës në Luftën e Bedrit me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe një prej pjesëtarëve të Besëlidhjes së Akabesë, transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ, përreth të cilit po qëndronin një grup shokësh të tij, ka thënë: “Jepmani besën se nuk do t'i shoqëroni Allahut asgjë, nuk do të vidhni, nuk do të bëni zina, nuk do t'i mbysni fëmijët tuaj, nuk do të bëni shpifje në moralin e njëri-tjetrit, dhe nuk do të kundërshtoni kur të urdhëroheni për të mirë. Cilido prej jush që e mban besën e tij, do të shpërblehet nga Allahu, e kushdo që bie në ndonjërën prej këtyre (përveç idhujtarisë) dhe ndëshkohet në dynja, kjo i mjafton si shpagim (për mëkatin). Ndërkaq, kushdo që bie në ndonjërën prej këtyre (përveç idhujtarisë), e pastaj Allahu ia mbulon ato, atëherë çështja e tij i përket Allahut: nëse do, e fal, e nëse do, e dënon.” Atëherë ia dhamë besën për këtë.”