Enciklopedia e Haditheve · Besimi në ditën e fundit

46 Sahih

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Një njeri e pyeti Profetin ﷺ për Kiametin, duke thënë: "Kur është Kiameti?" - “Çka ke përgatitur për të?” - ia ktheu Profeti ﷺ. - Asgjë, përveçse e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ, - iu përgjigj ai. - “Ti do të jesh me ata që i do”, - i tha Profeti ﷺ. Enesi vazhdon: "Me asgjë nuk jemi gëzuar më shumë se me fjalën e Profetit ﷺ: “Ti do të jesh me ata që i do.” Unë e dua Profetin ﷺ, Ebu Bekrin e Omerin, andaj shpresoj të jem me ta, në saje të dashurisë sime ndaj tyre, edhe pse nuk kam bërë vepra (të mira) sikurse ata."

Gabim?
47 Sahih

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “A doni t'ju tregoj për Dexhalin diçka që asnjë pejgamber nuk ia ka treguar popullit të vet? Ai është i verbër në njërin sy dhe ka me vete diçka që i ngjason Xhenetit dhe Zjarrit. Ajo, për të cilën thotë se është Xheneti, në realitet është Zjarri. Po ju paralajmëroj për të (Dexhalin) ashtu siç pati bërë Nuhu me popullin e vet.”

Gabim?
48 Sahih

Safvan ibn Muhrizi tregon: “Një burrë e pyeti Ibn Omerin: “E ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ çfarë ka thënë për momentet kur Allahu e veçon robin dhe i flet në vetmi (Ditën e Gjykimit)?” Ai tha: “E kam dëgjuar të thotë: “Besimtari i afrohet Zotit të vet të Lartmadhëruar, i Cili do t'ia vendosë sipër Mbulesën e Tij dhe do ta bëjë t'i pranojë mëkatet e tij: “Të kujtohet (filan mëkati)?” (Ai thotë): “Po, o Zoti im, më kujtohet!” Allahu i drejtohet: “Ta kam mbuluar në dynja, ndërsa sot po ta fal.” Pastaj i jepet fletushka e veprave të tij të mira. Ndërkaq, jobesimtarët dhe hipokritët thirren në mesin e krijesave duke u thënë: “Këta gënjenin ndaj Allahut.”

Gabim?
49 Sahih

Abdullah ibën Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Gjerësia e Hauzit tim është sa një muaj ecje. Uji i tij është më i bardhë se qumështi, aroma e tij është më e mirë se myshku, enët e tij janë sikurse yjet e qiellit. Kush pi prej tij, nuk do të ketë etje kurrë.”

Gabim?
50 Sahih

Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Unë do të jem te Hauzi dhe do t'i shoh ata prej jush që do të vijnë tek unë. Disa njerëz do të pengohen të vijnë tek unë, andaj unë do të them: "O Zot, ata janë me mua dhe të umetit tim!" Atëherë më thuhet: "A e di çfarë kanë vepruar pas teje? Për Allahun, ata janë kthyer në besimin e mëhershëm (janë bërë renegatë).”

Gabim?
51 Sahih

Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Thashë: "O i Dërguari i Allahut, si janë enët e Hauzit tënd?" Profeti ﷺ tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se enët e tij janë më shumë se të gjitha yjet dhe planetët e qiellit që shihen në një natë të errët pa re. Sa u përket enëve të Xhenetit, ai që pi prej tyre s'do të ndiejë më kurrë etje pas kësaj, e aty (në Hauz) derdhen dy gryka nga Xheneti. Ai që pi prej tij, nuk ndien më etje. Gjerësia e tij dhe gjatësia janë sa distanca mes qytetit të Amanit dhe Ejles. Uji i tij është më i bardhë se qumështi e më i ëmbël se mjalti.”

Gabim?
52 Sahih

Abdullah ibn Amër ibnul Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Allahu do ta shpëtojë një njeri nga umeti im para të gjitha krijesave në Ditën e Llogarisë. Atij ia paraqet nëntëdhjetë e nëntë regjistra (me mëkatet e tij), ku madhësia e secilit regjistër është aq sa shikon syri. Pastaj (Allahu) thotë: "A mohon diçka prej tyre? A të kanë bërë padrejtësi (melekët) e Mi shkruajtës e ruajtës?" Thotë: "Jo, o Zoti im!" Pastaj (Allahu) i thotë: "A ke arsyetim?" Thotë: "Jo, o Zoti im!" Atëherë (Allahu) i thotë: "Në të vërtetë, ti ke një të mirë te Ne, e në këtë ditë nuk të bëhet padrejtësi." Kështu, nxirret një skedë, në të cilën shkruan: "Eshhedu en la ilahe il-lallah, ue eshhedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu - Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Allahut." (Allahu) thotë: "Sille peshoren tënde!" Ky njeri thotë: "O Zot, e çfarë është kjo skedë përballë gjithë këtyre regjistrave?!" (Allahu) thotë: "Ty nuk do të të bëhet padrejtësi." Pastaj vendosen regjistrat (me mëkate) në njërën anë të peshores dhe kjo skedë në anën tjetër të saj dhe fluturojnë regjistrat e rëndon skeda, dhe se nuk peshon me emrin e Allahut asgjë."

Gabim?
53 Hasen

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Kur Allahu e krijoi Xhenetin dhe Zjarrin, e dërgoi Xhibrilin (alejhi selam) në Xhenet dhe i tha: "Shikoje atë dhe çfarë kam përgatitur në të për banorët e tij!" E shikoi dhe u kthye, pastaj tha: "Pasha krenarinë Tënde, kushdo që do të dëgjojë për të, do të (mundohet të) hyjë në të." Atëherë (Allahu) urdhëroi që të rrethohet (Xheneti) me vështirësi. Sërish i tha: "Shko dhe shikoje atë dhe çfarë kam përgatitur në të për banorët e tij!" Kështu, e shikoi, kur ja, ishte rrethuar me vështirësi, kështu që tha: "Pasha krenarinë Tënde, kam frikë se askush nuk do të hyjë në të." (Allahu) i tha: "Shko shikoje Zjarrin dhe çfarë kam përgatitur në të për banorët e tij!" E shikoi atë, kur ja, ishte ndërtuar në shtresa një mbi një, kështu që u kthye dhe tha: "Pasha krenarinë Tënde, askush nuk do (të dëshirojë) të hyjë në të!" Atëherë (Allahu) urdhëroi që të rrethohet (Zjarri) me epshe. Sërish i tha: "Kthehu dhe shikoje!" Kështu, e shikoi, kur ja, ishte rrethuar me epshe, kështu që u kthye dhe tha: "Pasha krenarinë Tënde, kam frikë se askush nuk do t'i shpëtojë hyrjes në të!"

Gabim?
54 Sahih

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Vdekja do të sillet në formë të një dashi laraman dhe dikush do të thërrasë: "O banorë të Xhenetit!" Ata do t'i zgjasin kokat për të shikuar. Thirrësi pyet: "E njihni këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Profeti ﷺ thotë: "Dhe, të gjithë tanimë e kanë parë." Pastaj thërret: "O banorë të Zjarrit!" Ata i zgjasin kokat për të shikuar. Ai pyet: "E njihni këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Profeti ﷺ thotë: "Dhe, të gjithë tanimë e kanë parë." Në atë rast ajo theret dhe thirrësi thotë: "O banorë të Xhenetit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje, dhe, o banorë të Zjarrit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje!” Pastaj, i Dërguari i Allahut ﷺ lexoi ajetin: “Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.” (Merjem, 39) Këta, që përshkruhen se janë të shkujdesur, janë njerëzit që jepen pas dynjasë.

Gabim?
55 Sahih

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Zjarri juaj është një e shtatëdhjeta pjesë e zjarrit të Xhehenemit.” Dikush i tha: "O i Dërguari i Allahut, edhe po të ishte sa zjarri i dynjasë, do të ishte i mjaftueshëm." Ai tha: “Ai (zjarri i Xhehenemit) është për gjashtëdhjetë e nëntë hise më i nxehtë. Secila hise ka nxehtësinë e zjarrit të kësaj bote.”

Gabim?
56 Sahih

Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ishte më i vërteti, vërtetësia e të cilit është dëshmuar, dhe thoshte: “Çdo njeriu i tubohet krijimi në mitrën e nënës së tij për dyzet ditë e dyzet net, pastaj, për po aq ditë shndërrohet në droçkë gjaku, më pas, për po aq ditë, shndërrohet në copë mishi (sikurse mishi i përtypur). Pastaj, atij i dërgohet një melek i urdhëruar me katër gjëra: të shkruajë furnizimin e tij, jetëgjatësinë, veprën, si dhe nëse do të jetë fatzi ose i lumtur (në botën tjetër). Më pas, i fryhet shpirti. Prej jush ka të atillë që, bën vepra të xhenetlinjve, madje aq sa vetëm një kut e ndan prej Xhenetit, por, ja që vjen në shprehje ajo që i është shkruar, kështu që punon vepra të banorëve të Zjarrit, rrjedhimisht hyn në të, dhe anasjelltas, ka të atillë që bën vepra të xhehenemlinjve, saqë mes tij dhe Zjarrit s’ka më shumë se një kut, por, ja që vjen në shprehje caktimi që i është ndarë, ndaj bën punë të banorëve të Xhenetit dhe hyn në të."

Gabim?
57 Sahih

Katadja (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen se një njeri pyeti: - O i Dërguari i Allahut, si ndodh që jobesimtari të ringjallet (duke ecur) me fytyrën e tij? - “A nuk ka mundësi që, Ai që e ka bërë të ecë me dy këmbë në këtë botë, ta bëjë të ecë me fytyrë në Ditën e Kiametit?!” - tha Profeti ﷺ. Katadja shtoi: "Ashtu është, pasha krenarinë e Zotit tonë!"

Gabim?
58 Sahih

Abdullah ibën Amër ibën Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon se e ka dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: “Kur të dëgjoni myezinin, përsëritni fjalët që i thotë e pastaj dërgoni salavate për mua, sepse ai që dërgon salavate për mua një herë, Allahu do të dërgojë salavate (do ta lavërojë) për të dhjetë herë. Pastaj kërkoni prej Allahut për mua vesilen, e cila është pozitë në Xhenet që i takon vetëm një robi të Allahut. Kam shpresë të jem unë ai. Ai që kërkon vesilen për mua, do ta gëzojë ndërmjetësimin tim.”

Gabim?
59 Sahih

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Grupi i parë që do të hyjnë në Xhenet do të kenë pamjen e hënës së plotë, ndërsa të tjerët pas tyre sikurse ylli më i shndritshëm në qiell. Aty as urinojnë, as kryejnë nevoja fiziologjike, as pështyjnë e as u rrjedhin hundët. Krehërit i kanë të artë, djersët e tyre janë prej myshku, ndërsa materiali i parfumit të tyre është bima e Aloes. Gratë e tyre janë hyritë sybukura. Të gjithë do të kenë formën e njëjtë, formën e babait të tyre, Ademit, të gjatë gjashtëdhjetë kute.”

Gabim?
60 Sahih

Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në Xhenet ka njëqind shkallë; distanca mes çdo dy shkallëve është si distanca mes qiellit dhe Tokës. Më e larta prej tyre në gradë është Firdeusi, prej të cilit burojnë katër lumenjtë e Xhenetit, dhe mbi të është Arshi (Froni Hyjnor). Prandaj, kur t’i kërkoni Allahut, kërkoni prej Tij Firdeusin!”

Gabim?