Husejn ibn Ali bin Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kopraci (i vërtetë) është ai, që kur përmendem unë tek ai, nuk dërgon salavat mbi mua.”
Enciklopedia e Haditheve · Dhikri për çështje të papritura
Sehël ibën Muadhi transmeton nga babai i tij, i cili tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që ha ushqim dhe thotë: "Lavdia i takon Allahut, i Cili ma mundësoi ta ha këtë ushqim dhe më furnizoi pa mundin dhe fuqinë time", do t’i falen mëkatet e mëparshme.”
Havle bint Hakim Sulejmije (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: "Atij që shkon në një vend dhe thotë: “Eudhu bi kelimatil-lahi tammati min sherri ma halek (Kërkoj mbrojtje nëpërmjet fjalëve të përsosura të Allahut kundër së keqes që ka krijuar)!", nuk i bën dëm asgjë derisa të largohet nga ai vend."
Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos e mallkoni erën. Nëse shihni prej saj diçka që nuk e pëlqeni, atëherë thoni: "O Allah, të kërkojmë prej Teje të mirën e kësaj ere, të mirën që gjendet në të dhe të mirën me të cilën është urdhëruar. Dhe kërkojmë mbrojtje tek Ti nga e keqja e kësaj ere, nga e keqja që gjendet në të dhe nga e keqja me të cilën është urdhëruar.’”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “I poshtëruar qoftë ai njeri, tek i cili përmendem dhe nuk dërgon salavat mbi mua. I poshtëruar qoftë ai njeri që e arrin muajin Ramazan e pastaj ai kalon pa iu falur mëkatet. I poshtëruar qoftë ai njeri njeri që i ka prindërit gjallë në pleqëri e nuk bëhen shkak që ai të hyjë në Xhenet.”
Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se Fatimja u ankua për dhimbjen e dorës nga mulliri dhe mori vesh se Profetit ﷺ i kishin sjellë një rob. Kështu, ajo shkoi t'i kërkonte një shërbëtor, por, pasi nuk e gjeti aty, ia përmendi Aishes. Kur Profeti ﷺ u kthye, Aishja ia përmendi. Pastaj Profeti ﷺ erdhi te ne, ndërkohë që ishim shtrirë për të fjetur. Ne deshëm të çohemi, po ai na tha: “Qëndroni aty ku jeni.” Ai u afrua dhe u ul mes meje e saj, saqë ndjeva të ftohtët e këmbëve të tij në barkun tim dhe na tha: “A doni t'ju mësoj diçka më të mirë se ajo që më keni kërkuar? Kur të shtriheni për të fjetur, bëni tesbih (thoni: Subhanallah) tridhjetë e tri herë, falënderoni (thoni: Elhamdulilah) tridhjetë e tri herë dhe bëni tekbir (thoni: Allahu ekber) tridhjetë e katër herë. Kjo është më mirë për ju sesa një shërbëtor.”