Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: "Asnjë musliman nuk i lutet Allahut me një lutje që nuk përfshin mëkat apo këputje të lidhjeve farefisnore, veçse Allahu do t’i japë një nga këto tre: ose do t’ia pranojë lutjen shpejt, ose do ta ruajë për të në botën tjetër, ose do t’i largojë prej tij një të keqe të barabartë me të." Të pranishmit thanë: "Atëherë do të lutemi më shumë!" Profeti ﷺ tha: “Allahu është edhe më shumë (i gatshëm për t’ju dhënë)."
Enciklopedia e Haditheve · Rregullat e duasë
Selmani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Vërtet Zoti juaj është i Turpshëm dhe Bujar. Ai turpërohet nga robi i Tij që ky t’i ngrejë duart dhe Ai ta kthejë pa asgjë.”
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: "I Dërguari i Allahut ﷺ e pëlqente lutjen gjithëpërfshirëse dhe e linte mënjanë çdo gjë tjetër."
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Asnjëri prej jush të mos thotë: “O Allah, më fal, po deshe!”, “Më mëshiro, po deshe!”, ose: “Më furnizo, po deshe!”, por le të jetë i vendosur në lutjen e tij, sepse Ai vepron ç'të dojë dhe nuk ka kush e detyron Atë.” Te Muslimi gjendet: "... por le të jetë i vendosur në lutje dhe le të kërkojë sa më shumë, sepse për Allahun nuk është e madhe çfarëdo që jep.”