Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ e fillonte namazin, i ngrinte duart paralelisht me supet. Pastaj, kur bënte tekbirin për ruku dhe kur ngrihej nga rukuja, sërish i ngrinte duart, sikurse në fillim, dhe thoshte: "Semiallahu limen hamideh, rabbena ue lekel hamd." Ndërkaq, në sexhde, nuk i ngrinte duart.
Enciklopedia e Haditheve · Forma e namazit
Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "I Dërguari i Allahut ﷺ ma mësoi teshehudin ashtu siç më mësonte ndonjë sure Kurani, ndërkohë shuplaka ime ishte mes dy shuplakave të tij: "Et-tehijjatu lil-lahi ues-salavatu uet-tajjibatu. Es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ue rahmetullahi ue berakatuhu. Es-selamu alejna ue ala ibadil-lahis-salihin. Eshhedu en la ilahe il-lallah ue eshhedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu (Përshëndetjet, lutjet dhe mirësitë i takojnë Allahut. Paqja, mëshira dhe bekimi qofshin mbi ty, o Pejgamber! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë! Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij)." Në një tekst të Buhariut dhe të Muslimit, qëndron: “Vetë Allahu quhet Es-Selam. Kur dikush të ulet në namaz, le të thotë: "Et-tehijjatu lil-lahi ues-salavatu uet-tajjibatu. Es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ue rahmetullahi ue berakatuhu. Es-selamu alejna ue ala ibadil-lahis-salihin." Duke e thënë këtë, përfshini çdo rob të mirë të Allahut, në qiell dhe në Tokë. (Pastaj le të vazhdojë:) "Eshhedu en la ilahe il-lallah ue eshhedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu" Pastaj le të lavdërojë Allahun me çfarë të dojë.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ hyri në xhami. Pas tij hyri një burrë dhe u fal, pastaj erdhi dhe i dha selam Profetit ﷺ. I Dërguari i Allahut ﷺ ia ktheu selamin dhe i tha: “Kthehu dhe falu, se nuk je falur.” Personi u kthye dhe u fal si më parë, pastaj erdhi te Profeti ﷺ dhe i dha selam. Ai i tha: “Ve alejke selam”. Pastaj vazhdoi: “Kthehu dhe falu, se nuk je falur.” Kështu veproi tri herë. Në fund, personi në fjalë tha: “Betohem në Atë që të ka dërguar me të vërtetën se nuk di më mirë! Prandaj, më mëso!” Profeti ﷺ i tha: “Kur të ngrihesh për t'u falur, merre tekbrin (thuaj: “Allahu Ekber"), pastaj lexo ndonjë pjesë të Kuranit që e di. Pastaj bjer në ruku dhe qëndro derisa të qetësohesh në ruku, pastaj ngrihu derisa të drejtohesh në këmbë. Pastaj, bjer në sexhde derisa të qetësohesh në sexhde, pastaj ngrihu dhe qëndro derisa të qetësohesh ulur. Kështu vepro gjatë gjithë namazit.”
Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: "Jam urdhëruar të bëj sexhden me shtatë gjymtyrë: me ballë - dhe bëri me shenjë në hundën e tij, - me duar, me gjunjë dhe me majat e gishtërinjve të këmbëve, si dhe të mos i mbledhim flokët (nëse bien përpara gjatë sexhdes) e të mos i përvjelim rrobat."
Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të biesh në sexhde, lëshoji shuplakat në tokë e ngriji bërrylat.”
Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon se Profeti ﷺ midis dy sexhdeve thoshte: "O Allah, më fal, më mëshiro, më jep shëndet, më udhëzo dhe më furnizo!"
Vail ibn Huxhri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: "U fala me Profetin ﷺ dhe ai jepte selam (përfundonte namazin) nga e djathta duke thënë: "Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuthu" dhe nga e majta duke thënë: "Es Selamu alejkum ue rahmetullah."
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i lexoi në dy rekatet sunet të sabahut suret: Kafirun dhe Ihlas.”
Ebu Hazim ibën Dinari tregon se disa burra erdhën te Sehël ibën Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe filluan të debatonin rreth minberit (të Profetit ﷺ) se prej çfarë materiali ishte i punuar, andaj e pyetën atë për këtë çështje. Ai u tha: "Betohem në Allahun se unë e di mirë se prej çfarë materiali ka qenë i punuar. E kam parë kur është vendosur këtu për herë të parë dhe kur është ulur në të i Dërguari i Allahut ﷺ për herë të parë. Ai porositi një grua ensare, - së cilës Sehli ia përmendi emrin (por Ebu Hazimit nuk i kujtohej): - “Urdhëroje shërbëtorin tënd zdrukthëtar që të më ndërtojë një minber, që të hip në të gjatë kohës sa u ligjëroj njerëzve.” Ajo e urdhëroi shërbëtorin e vet, i cili ia ndërtoi (minberin) prej drurëve të Gabës, pastaj e solli. I Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi të vendosej këtu. Më vonë, e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke u falur në të: mori tekbirin duke qenë mbi të dhe ra në ruku, pastaj zbriti nga mbrapa dhe ra në sexhde në fund të minberit dhe u kthye sërish (hipi mbi të). Pasi e përfundoi namazin, u kthye nga njerëzit dhe u tha: “O njerëz! Veprova kështu që të më pasoni dhe ta mësoni namazin tim.”
Hitan ibën Abdullah Rrekashiu tregon: "Njëherë u fala me Ebu Musa Eshariun dhe në uljen e fundit, një burrë nga të pranishmit tha: "Namazi sjell mirësinë dhe pastërtinë." Kur Ebu Musai kreu namazin dhe dha selam, u kthye dhe tha: "Kush tha kështu e kështu?" Të pranishmit heshtën. Ai sërish përsëriti: "Kush nga ju tha kështu e kështu?" Të pranishmit vazhduan të heshtin. Ebu Musai tha: "Ndoshta fole ti, o Hitan?" - Nuk fola unë, - tha Hitani, - kësaj i frikohesha, se do të më fajësoje mua. Në atë rast, një burrë nga të pranishmit tha: "Unë i thashë ato fjalë, por mendova se po bëja mirë." Atëherë Ebu Musai tha: "A nuk dini, vallë, çfarë duhet të thoni në namazin tuaj?! I Dërguari i Allahut ﷺ na ligjëroi dhe na qartësoi Sunetin dhe na mësoi namazin. Ai na pati thënë: “Kur të faleni, drejtojini safat dhe le t'ju prijë dikush nga ju. Kur të marrë tekbir, merrni edhe ju. Kur të thotë: "Gajril-magdubi alejhim ve ledal-lin", (El Fatiha, 7) thoni: "Amin!", sepse Allahu ju përgjigjet. Kur të marrë tekbir dhe të bjerë në ruku, merrni edhe ju tekbir dhe bini në ruku. Imami bie dhe ngrihet para jush nga rukuja.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kjo (kompensohet) me të. Kur të thotë: "Semiallahu limen hamideh", thoni: "Allahumme, rabbena lekel-hamd", Allahu ju dëgjon. Allahu i Lartësuar, nëpërmjet gjuhës së të Dërguarit të Tij ﷺ, ka thënë: "Allahu i përgjigjet atij që e falënderoi (semiallahu limen hamideh)." Kur të marrë tekbir dhe të bjerë në sexhde, merrni edhe ju tekbir dhe bini në sexhde. Imami bie dhe ngrihet para jush nga sexhdja.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kjo (kompensohet) me të. Kur të qëndrojë në ulje, gjëja e parë që thoni, le të jetë: "Et-tehijatu et-tajibatu es-salavatu lil-lahi, es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ve rahmetullahi ve berekatuhu, es-selamu alejna ve ala ibadil-lahis-salihin, eshhedu en la ilahe il-lallah, ve eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluh. (Përshëndetjet, selamet dhe mirësitë i takojnë Allahut. Paqja, mëshira dhe bekimi qofshin mbi ty, o Pejgamber! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë! Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut)."
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thoshte "Allahu Ekber" (tekbir) në çdo namaz farz e vullnetar, në Ramazan e jashtë tij. Bënte tekbirin kur ngrihej për t'u falur dhe kur binte në ruku. Pastaj (duke u ngritur nga rukuja dhe) para se të binte në sexhde, thoshte: "Semiallahu limen hamideh", dhe: "Rabbena ve lekel-hamd." Duke rënë në sexhde, thoshte: "Allahu ekber". Kur e ngrinte kokën, bënte tekbirin, kur binte sërish, bënte tekbirin dhe, kur ngrihej prej sexhdes, sërish bënte tekbirin. Bënte tekbirin sa herë që ngrihej prej uljes pas dy rekatesh. Kështu vepronte në çdo rekat, derisa e përfundonte namazin. Pasi e përfundonte, thoshte: "Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se nga të gjithë ju namazi im më së shumti i ngjason namazit të të Dërguarit të Allahut ﷺ. Kështu falej derisa u nda nga kjo botë."
Hudhejfja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ ndërmjet dy sexhdeve thoshte: "Rabbigfirlij, rabbigfirlij!"