Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut ç'është shpëtimi? Ai i tha: "Përmbaje gjuhën tënde, qëndro në shtëpinë tënde dhe qaj për mëkatin tënd."
Enciklopedia e Haditheve · Rregullat e të folurit dhe heshtjes
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “A e dini çfarë është përgojimi?” Ata thanë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri." Profeti ﷺ tha: “Të përmendësh për vëllanë tënd atë që ai e urren.” Dikush pyeti: "Çfarë mendon nëse vëllai im e ka atë që e them?" Profeti ﷺ tha: “Nëse e ka atë që e thua, pikërisht kjo është përgojim, e, nëse nuk e ka, atëherë i ke bërë shpifje atij.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Betimi (në tregti) mundëson shitjen e produktit, por e zhduk bereqetin.”
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartmadhëruar thotë: “I biri i Ademit më fyen Mua. Ai e shan kohën, ndërkohë Unë jam koha (Zoti i saj). Unë e sjell natën dhe ditën.”