Enciklopedia e Haditheve · Vlera e diturisë

305 Sahih

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, Muavija doli në xhami. Aty ai pa një grup njerëzish të tubuar dhe i pyeti: - Përse jeni ulur kështu? - Jemi ulur që të përmendim Allahun, - u përgjigjën ata. - Betohuni për Allahun se vetëm për këtë jeni ulur? - u tha Muavija. - Betohemi për Allahun se nuk jemi ulur për asgjë tjetër pos kësaj. Atëherë, Muavija u tha: “Nuk ju kërkova të betoheni se po ju akuzoj. Madje nuk mendoj se dikush aq i afërt sa unë me të Dërguarin e Allahut të ketë transmetuar më pak hadithe se unë. E megjithatë (mbaj mend që) një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ pa një grup sahabësh të tubuar dhe i pyeti: - "Përse jeni ulur kështu?" - Jemi ulur të përmendim Allahun e ta falënderojmë që na ka udhëzuar në Islam dhe na ka begatuar me të, - u përgjigjën ata. - "Betohuni për Allahun se vetëm për këtë jeni ulur!" - i tha Profeti ﷺ. - Betohemi për Allahun se nuk jemi ulur për asgjë tjetër pos kësaj-thanë ata. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Nuk ju kërkova të betoheni se ju akuzoj, por Xhibrili më erdhi dhe më tregoi se Allahu i Madhërishëm po krenohet me ju përpara melekëve.”

Gabim?
306 Hadith hasen

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ka thënë ﷺ: "Ai që del për të kërkuar dituri është në rrugën e Allahut derisa të kthehet."

Gabim?
307 Sahih

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Atij që i largon besimtarit një brengë të kësaj bote, Allahu do t'i largojë një brengë të Ditës së Kiametit; atij që ia lehtëson borxhin skamnorit, Allahu do t'ia lehtësojë gjendjen në këtë botë dhe botën tjetër; atij që ia mbulon gabimet muslimanit, Allahu do t'ia mbulojë gabimet në këtë botë dhe botën tjetër. Allahu do ta ndihmojë robin e Vet, për aq kohë sa robi është duke ndihmuar vëllanë e vet. Kush ndjek një rrugë, nëpër të cilën merr dituri, Allahu do t'i lehtësojë një rrugë për në Xhenet. Sa herë që një grup njerëzish tubohen në ndonjë shtëpi të Allahut (xhami), e lexojnë dhe e mësojnë mes vete Librin e Tij, u zbret qetësia, i përfshin mëshira, melekët i mbulojnë me krahët e tyre dhe Allahu i përmend tek ata që janë pranë Tij. Atë që vepra e vet e lë mbrapa, prejardhja nuk e çon përpara.”

Gabim?
308 Sahih

Muaviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "E kam dëgjuar Profetin ﷺ duke thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën, ia mundëson kuptimin e fesë. Unë jam vetëm shpërndarës (i pasurisë dhe kumtues i fesë), kurse Allahu është Dhuruesi. Ky umet do të vazhdojë të qëndrojë i fortë në fenë e Allahut dhe nuk do ta dëmtojnë kundërshtarët, derisa të vijë caktimi i Allahut.”

Gabim?
309 Sahih

Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: "Allahu e ndriçoftë një njeri që dëgjon prej nesh diçka dhe e përcjell ashtu siç e ka dëgjuar, sepse ndodh, që ai të cilit i përcillet, të jetë më i kuptueshëm se ai që e ka dëgjuar."

Gabim?