Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: "Çdo fatkeqësi që mund ta godasë muslimanin, qoftë lodhje e sëmundje, qoftë brengë e pikëllim, qoftë shqetësim e mërzi, madje dhe një shpim gjembi, përmes saj Allahu do t'ia fshijë disa gjynahe."
Enciklopedia e Haditheve · Vlera e teuhidit
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Një burrë erdhi te Profeti ﷺ dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut, nuk kam lënë asnjë gjynah të vogël e të madh pa e kryer." Ai i tha: "A nuk dëshmon se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut që meriton adhurimin dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut?" Ai e përsëriti pyetjen tri herë. Ai iu përgjigj: "Po." Kështu, Profeti ﷺ i tha: "Kjo i mund (shlyen) ato."
Hurejm ibn Fatiku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Veprat ndahen në gjashtë lloje dhe njerëzit janë katër sosh. Janë dy gjëra obliguese, (dy) që llogariten një për një, një vepër e mirë me dhjetë sosh dhe një vepër e mirë me shtatëdhjetë mijë sosh. Dy gjërat obliguese janë: atij që vdes pa i bërë shok Allahut asgjë (në adhurim), i takon Xheneti, kurse Atij që vdes duke i bërë shok Allahut ndokënd (në adhurim), i takon Zjarri. Ndërkaq, (dy) që llogariten një për një janë: nëse dikush ka vendosur të bëjë një vepër të mirë derisa ta ndiejë atë zemra e tij dhe Allahu ta dijë këtë gjë prej tij, i shënohet një vepër e mirë, si dhe, nëse dikush ka bërë një vepër të keqe, i shënohet një vepër e keqe. Atij që bën një vepër të mirë, i vlen sa dhjetë të mira si ajo. Ndërkaq, ai që jep një lëmoshë të vetme në rrugën e Allahut, kjo vepër e mirë i shënohet si shtatëqind vepra të mira. Sa u përket njerëzve, ka të atillë që kjo botë u zgjerohet, e bota tjetër u ngushtohet; të atillë që kjo botë u ngushtohet, e bota tjetër u zgjerohet; të atillë që janë të ngushtuar në këtë botë e në botën tjetër dhe të atillë që në këtë botë dhe botën tjetër e kanë të zgjeruar."