Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që bie në gjumë, shejtani ia lidh tri nyja pas kokës dhe, duke e goditur secilën nyjë (thotë): "Qoftë një natë e gjatë për ty, andaj fli!" Nëse (personi) zgjohet dhe e përmend Allahun, i zgjidhet njëra nyjë. Nëse merr abdes, i zgjidhet nyja tjetër. Dhe, nëse falet, i zgjidhen të gjitha nyjat, rrjedhimisht gdhihet aktiv e shpirtmirë, në të kundërtën, gdhihet shpirtkeq dhe dembel.”
Enciklopedia e Haditheve · Vlera e përmendjes së Allahut
Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Ai që e përmend Zotin dhe ai që nuk e përmend, i shëmbëllen të gjallit dhe të vdekurit.” Në versionin e Muslimit qëndron: “Shtëpia, në të cilën përmendet Allahu dhe shtëpia, në të cilën nuk përmendet Allahu, i shëmbëllen të gjallit dhe të vdekurit.”
Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Atij që thotë: "Subhanallahil adhim ue bihamdih (I Lartësuar është Allahu i Madhëruar dhe Atij i takon falënderimi!), i mbillet një palmë hurme në Xhenet.”
Nga Ka'b ibn Uxhreh (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Janë disa fjalë, të cilat kush i thotë në fund të çdo namazi farz, nuk ka për t'u zhgënjyer; 33 herë subhanallah, 33 herë elhamdulilah dhe 34 herë Allahu ekber".
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Shtatë lloj personash Allahu do t'i strehojë në hijen e Arshit të Tij në Ditën e Kiametit, ditën kur nuk ka hije përveç hijes së Arshit të Tij: 1. Prijësin e drejtë. 2. Të riun, i cili rritet duke e adhuruar Allahun. 3. Atë që e ka zemrën të lidhur me xhamitë. 4. Dy persona që duhen mes vetes për hir të Allahut. Bashkohen dhe ndahen vetëm për Të. 5. Personin, që një grua e bukur dhe me famë e fton për zina, porse ai ia kthen: “Unë i frikohem Allahut". 6. Personin që, kur jep lëmoshë, e fsheh, saqë dora e majtë nuk di sa ka dhënë e djathta.” 7. Personin, i cili, kur e përmend Allahun vetëm, i lotojnë sytë."
Ebu Malik Harith ibën Asim Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Pastërtia është gjysma e imanit, (thënia) "elhamdulilah" e rëndon peshoren, (thëniet:) "subhanallah" (i patëmeta është Allahu) dhe "elhamdulilah" (lavdërimi i takon Allahut) mbushin hapësirën ndërmjet qiejve dhe Tokës. Namazi është nur, lëmosha është dëshmi, durimi është ndriçim dhe Kurani është argument pro ose kundër teje. Andaj, çdo njeri, kur zgjohet në mëngjes, ose do ta shesë veten, duke e liruar atë, ose do ta shkatërrojë."