10. Junus · Ajeti 20 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:11–10:20
Ndodh që njeriu të jetë i hidhëruar ndaj vetes ose ndaj dikujt, e të kërkojë prej Zotit ndonjë të keqe për veten ose tjetrin. Mirëpo, Zoti mëshirues nuk e pranon atë lutje, që ta shkatërrojë atë, kundër të cilit bëhet lutja, duke ditur se lutësi do të tërhiqet prej asaj po sa t'i kalojë hidhërimi. E kur është fjala për lutjet për të mira, ato me të shpejtë i pranon, prandaj kjo është një e mirë e madhe për njerëzit nga i Madhi Zot.
Njerëzit me karakter të dobët janë të atillë që kur i gjen ndonjë gjë e pakëndshme, e lusin Zotin në të gjitha gjendjet, e kur ua largon ai atë të keqe, harrojnë Zotin. Kjo është dobësi e njeriut, besimtar ose jobesimtar.
Idhujtarët mekas nuk mendonin se shumë popuj para tyre ishin shkatërruar, e do të shkatërroheshin edhe ata, poqese nuk do të ndiqnin rrugën e drejtë. Ata i thonin Muhammedit: na e sill një libër tjetër që nuk i përqesh zotat tanë, ose ndrysho ato pjesë ku përqeshen zotat tonë e lavdëroi ata. Muhammedi ju tha: Unë nuk e shpika Kur'anin, ju e dini se katërdhjetë vjet isha me ju e nuk u thash asgjë, sepse as nuk kam ditur gjë, tash më mësoi Allahu, prandaj po i ju kumtoj ato. Shpallja është çështje e Zotit e jo imja.
Prej Ademit e deri në kohën pak para Nuhut, njerëzit ishin të një besimi, e kur u shfaq ndër disa besimi i kotë, Zoti dërgoi Nuhun e pas tij edhe të tjerët, sepse vendimi i Zotit në ezel ishte të mos i shkatërrojë menjëherë kundërshtarët, andaj i la të jetonin deri në një kohë. Idhujtarët mendonin se mrekullia është vepër e Pejgamberit, ndaj, kërkonin ndonjë mrekulli fizike. Ajo është vepër e Zotit, të cilën e shfaq Ai atëherë kur do.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:20
- Dhe ata thonë: “Përse nuk i vjen atij (Muhamedit) ndonjë shenjë nga Zoti i tij?”. - Jobesimtarët, të cilët e mohonin
vërtetësinë e Muhamedit ﷺ dhe faktin se ai ishte i dërguari besnik i Zotit, thoshin: “Përse nuk i vjen atij (Muhamedit) ndonjë shenjë nga Zoti i tij?! Për shembull, t’ua kthente malin në flori ose të largonte malet e Mekës dhe, në vend të tyre, të sillte kopshte të lulëzuara me lumenj, ose gjëra të tjera të jashtëzakonshme, nga ato që vetëm Allahu ka mundësi që t’i kryejë, sepse Allahu është i plotpushtetshëm për gjithçka. Por ata të mjerë harronin se Allahu i Lartësuar është gjithashtu i Urtë në veprat dhe fjalët e Tij. Kjo kërkesë e mohuesve ngjan me atë që Allahu i Lartësuar ka treguar në një ajet tjetër: “Ata thonë, gjithashtu: “Ç’është ky i dërguar, i cili ha ushqim dhe ecën nëpër tregje?! Përse nuk i është dërguar atij një melek dhe të bëhet me të paralajmërues?! Ose, përse nuk i është zbritur një thesar, ose përse nuk ka një kopsht për t'u kënaqur me të?! Të ligjtë thonë: “Ju, vërtet po pasoni një njeri të magjepsur. Shiko çfarë shembujsh sjellin për ty! Por (me këtë) ata humbën (shumë larg) dhe ata kurrë nuk mund ta gjejnë rrugën e drejtë. I lartësuar qoftë Ai, i cili po të dëshironte mund të të jepte ty mirësi më të mëdha nga ç’thonë ata - kopshte në të cilat rrjedhin lumenj; Ai mund të të dhuronte edhe kështjella të shumta (e madhështore).” [Furkan7 - 10]. Ose: “Ne u sqaruam njerëzve në këtë Kur'an shembuj të çdo lloji, por shumica e njerëzve zgjedhin veçse mohimin. Ata thanë: “Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të na nxjerrësh burime prej tokës; Ose të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh që mes e tyre të rrjedhin vazhdimisht lumenj; Ose, ashtu sikurse mëton ti (se do të na dënojë Zoti), le të bjerë mbi ne qielli copa -copa; ose derisa të na sjellësh Allahun dhe melekët pranë nesh (t’i shohim haptazi); Ose të kesh një shtëpi prej ari, ose të ngjitesh lart në qiell. Madje, edhe sikur të ngjitesh lart në qiell, ne nuk do të të besojmë, derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë.” Thuaj: “I madhëruar qoftë Allahu!” A mos jam unë tjetër, përveçse një njeri profet?” Njerëzit nuk i pengoi asgjë që të besojnë, kur u erdhi Shpallja, por ata thoshin: “A thua Allahu e dërgoi njeriun si profet?!” [Isra 89 - 94]. Por i Lartësuari thotë: “Ne nuk na pengon asgjë që t’ju sjellim Shenja, por popujt e parë i mohuan ato....” Kështu, Allahu i Lartësuar tregon se rregulli që Ai ka vendosur në krijesat e Tij është i pandryshueshëm. Sipas këtij rregulli, nëse Allahu i Lartësuar ua sjell njerëzve shenjat që ata kërkojnë dhe ata sërish nuk besojnë, atëherë ndëshkimi për ta do të jetë i menjëhershëm. Për këtë arsye, kur Profetit të Allahut iu dha të zgjidhte: ose t’ua plotësonte atë që kërkonin dhe, nëse ata sërish nuk besonin, të ndëshkoheshin menjëherë, ose t’u lihej afat, ai zgjodhi afatizimin e tyre. Në këtë mënyrë, Profeti ﷺ u tregua i butë, i dhembshur, i dashur e i mëshirshëm me ta, si shumë herë të tjera. Profeti ﷺ ishte gjithmonë i mëshirshëm, i dashur dhe i dhembshur me umetin e tij. Duke e mësuar Profetin e Tij, Allahu i Lartësuar e udhëzon në përgjigjen që duhet t’i jepte popullit të tij: - Por ti thuaju: “E fshehta i takon vetëm Allahut. - E gjithë çështja është në dorë të Allahut. Ai është i vetmi që i di përfundimin e çështjeve dhe urtësinë e çdo gjëje. - Prandaj, ju prisni, sepse edhe unë po pres së bashku me ju! - Prisni që Allahu i Lartësuar të gjykojë me drejtësinë e diturinë e Tij të plotë mes meje dhe jush. Këto ishin fjalët që u tha Profeti ﷺ , por ata patën dëshmuar shenja edhe më të mëdha se këto që kërkuan dhe që u shprehën në këtë ajet. Profeti ﷺ u solli atyre si mrekulli e shenjë të jashtëzakonshme ndarjen e hënës në dy pjesë. Ai tregoi me gisht hënën, me kërkesë e në prani të tyre, një natë kur ajo ishte e plotë, dhe ajo u nda në dy pjesë. Një pjesë e saj qëndronte nga pas malit dhe pjesa tjetër përpara tij. Kjo mrekulli sigurisht që ishte shumë më e madhe se kërkesat e tyre. Nëse Allahu i Lartësuar do të shihte tek ata qoftë edhe dëshirën më të vogël apo motivin më të vogël për të gjetur udhëzimin në rrugën e drejtë, sigurisht që do t’ua jepte dhe do t’u përgjigjej kërkesave të tyre. Por Allahu e
dinte mirë se ata i kërkonin shenjat thjesht si shprehje inati dhe si arsyetim për të mos besuar dhe për të vazhduar me kryeneçësinë e tyre. Për këtë arsye, Ai i la ata në dyshimin dhe paqartësinë e tyre. Allahu e dinte mirë se prej tyre nuk do të besonte askush. Allahu i Lavdëruar ka thënë: “Me të vërtetë, ata të cilët e merituan vendimin e Zotit tënd (për ndëshkim), ata nuk do të besonin, edhe sikur t’u vinin të gjitha Shenjat, derisa ta shohin vetë dënimin e rëndë.” [Junus 96, 97]. “Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën) .” [En’am 111], sepse ata janë kryeneçë e mëndjemëdhenj për të pranuar të vërtetën. Allahu i madhëruar ka thënë: “Edhe sikur Ne t’u hapnim atyre një derë në qiell, që ata të ngjiteshin vazhdimisht lart, ata do të thoshin: “Neve na kanë qenë bllokuar sytë, madje kemi qenë të magjepsur.”.” [Hixhr 14, 15], “ Edhe sikur të shihnin ndonjë send duke rënë nga qielli, ata do të thoshin: “Është veç një grumbull resh. ” [Tur 44], “Edhe sikur të të zbrisnim një libër të shkruar në letër, e ata ta preknin atë me duart e tyre, mohuesit sërish do të thoshin: “Kjo nuk është gjë tjetër, por veçse një magji e qartë”.” [ En’am 7]. Qëllimet dhe motivet e të tillë njerëzve ishin shumë më të ulëta, sesa t’u përgjigjeshe kërkesave të tyre. Nuk ka asnjë lloj dobie që t’u përgjigjesh kërkesave të tyre. Ata janë njerëz që thjesht këmbëngulin në mosbesimin e tyre dhe në rrugën e keqe, që kanë zgjedhur për të jetuar në këtë dynja. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: “Prandaj, ju prisni, sepse edhe unë po pres së bashku me ju!”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:19–10:20
- "Njerëzit kanë qenë veçse të një feje, por u përçanë. " - Në fillim njerëzit ishin të bashkuar rreth një besimi të vetëm, të saktë dhe të pastër, por ata më pas u përçanë. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar dërgoi profetët, si përgëzues dhe qortues. Ai i pajisi ata me Shpallje hyjnore e libër të ndritur, që ata të gjykonin mes njerëzve dhe t'i udhëzonin në ato çështje për të cilat kishin kundërshtime. - "E sikur të mos ishte caktimi i hershëm nga Zoti yt, çështja e tyre do të përfundonte për çdo gjë që ata kishin kundërshtime. " - Allahu i Lartësuar na njofton se çështja e gjynahqarëve do të merrte fund nëse nuk do të ishte vendimi i Tij për t'i afatizuar ata dhe për të mos ua përshpejtuar ndëshkimin për gjynahet e tyre. Në të kundërt, Ai do të shpëtonte besimtarët dhe do të ndëshkonte mohuesit e profetëve dhe shpalljeve të Tij, dhe ky do të ishte argumenti tregues dhe ndarës mes të vërtetës dhe të kotës, kur njerëzit të kishin kontradikta. Por Allahu i Urtë dhe i Gjithëmëshirshëm dëshiroi t'i sprovonte me njëri-tjetrin, që të dallohen të sinqertët nga gënjeshtarët. - "Dhe ata thonë: “Përse nuk i vjen atij (Muhamedit) ndonjë shenjë nga Zoti i tij?”.”. - Mohuesit e të vërtetës dhe urrejtësit arrogantë të saj thanë: "... Përse nuk i vjen atij (Muhamedit) ndonjë shenjë nga Zoti i tij? " Me këtë kishin për qëllim shenjat që ata i propozonin me mendjet e tyre, sikurse thotë në një ajet tjetër: "Ata gjithashtu thonë: “ Ata thonë, gjithashtu: “Ç’është ky i dërguar, i cili ha ushqim dhe ecën nëpër tregje?! Përse nuk i është dërguar atij një melek dhe të bëhet me të paralajmërues?! Ose, përse nuk i është zbritur një thesar, ose përse nuk ka një kopësht për t'u kënaqur me të?! Të ligjtë thonë: “Ju, vërtet po pasoni një njeri të magjepsur. Shiko çfarë shembujsh sjellin për ty! Por (me këtë) ata humbën (shumë larg) dhe ata kurrë nuk mund ta gjejnë rrugën e drejtë ." [Furkan 7 - 9]. Dhe thotë në suren El isra: “Ata thanë: “Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të na nxjerrësh burime prej tokës; Ose të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh që mes e tyre të rrjedhin vazhdimisht lumenj; Ose, ashtu sikurse mëton ti (se do të na dënojë Zoti), le të bjerë mbi ne qielli copa -copa; ose derisa të na sjellësh Allahun dhe melekët pranë nesh (t’i shohim haptazi); Ose të kesh një shtëpi prej ari, ose të ngjitesh lart në qiell. Madje, edhe sikur të ngjitesh lart në qiell, ne nuk do të të besojmë, derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë.” Thuaj: “ I madhëruar qoftë Allahu!” A mos jam unë tjetër, përveçse një njeri profet?” Njerëzit nuk i pengoi asgjë që të besojnë, kur u erdhi shpallja, por ata thoshin: “A thua Allahu e dërgoi njeriun si profet?!” [Isra 90 - 94]. - "Por ti thuaj: “E fshehta i ta kon vetëm Allahut." - Nëse ata kërkojnë prej teje mrekulli, thuaj: E fshehta është veçse në dorën e Zotit. Ai përfshin me diturinë e Tij gjithçka rreth robve dhe krijesave. Është Ai që administron dhe gjykon rreth çështjeve të
tyre, sipas diturisë së Tij absolute rreth tyre dhe sipas urtësisë së Tij të mrekullueshme. Askush nuk mund të ndërhyjë në Ligjin dhe gjykimin e Tij, as në argumentet me të cilat mbështet profetët dhe Shpalljen e Tij, as në qëllimet që synohen nga shpalljet dhe argumentet e Tij dhe as në shkaqet pse Ai i sjell pikërisht ato në mbështetje të profetëve të Tij, e jo të tjera. - " Prandaj, ju prisni, sepse edhe unë po pres së bashku me ju! ” - Secili le të presë se çfarë do të ndodhë me kundërshtarin e vet, pastaj le të shohin se kujt do t'i takojë përfundimi i mirë dhe ai i keq.