10. Junus · Ajeti 30 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:21–10:30

Idhujtarët mekas qenë sprovuar me një skamje disa vjet rresht. Kërkuan prej Pejgamberit t'i lutet Zotit dhe i premtuan se do të besojnë. Kur u fali Zoti rahmet, shi, ata sërish e vazhduan rrugën e tyre të gabuar, duke përgënjeshtruar argumentet, por melaikeve, përcjellës të njeriut, nuk u shpëton asgjë pa evidentuar.

Të frikësuarit në anije, të cilët i humbën të gjitha shpresat për shpëtim, i drejtohen me lutje Allahut, pse njeriu është i gatuar në atë mënyrë që kur këputen lidhjet e tjera, i kthehet Zotit të vërtetë. E kjo bën të kuptohet se bindja ndaj Zotit është e ngjeshur në shpirtin e çdo njeriu, por duke u mbështetur në lidhjet e tjera, largohet për një kohë nga ajo bindje.

Kur njerëzit begatohen, zbukurojnë mjetet e kësaj jete, u mbushet mendja se janë të zotët i e çdo gjëje dhe e harrojnë Zotin, prandaj i gjen e keqja.

Turpësia më e madhe për ata që pos Zotit luten edhe ndonjë send tjetër, është ditën e kijametit, kur sendet të cilat i lutën dhe që pritën prej tyre ndonjë ndihmë, refuzojnë se kanë qenë të adhuruara prej tyre, dhe atyre u shkon lutja kot.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:28–10:30

- Atë ditë, Ne do t’i tubojmë të gjithë, ndërsa idhujtarëve do t’u themi: “Rrini në vendin tuaj, ju dhe idhujt tuaj!”. - Kjo do të ndodhë ditën kur Ai t’i tubojë gjithë banorët e Tokës, xhindë e njerëz, qofshin ata të mirë apo keqbërës. Pastaj, Ai do t'u thotë idhujtarëve: “... Rrini në vendin tuaj, ju dhe idhujt tuaj!” Pra, qëndroni në vendet tuaja të ndëshkimit, ju së bashku me ata të cilët ia përshkruat Allahut si ortakë. Allahu i Lartësuar do t’i ndajë dukshëm idhujtarët nga besimtarët, siç thuhet edhe në ajetin tjetër: “Dhe ju o keqbërës (mohues të besimit)! Veçohuni sot (nga besimtarët)! ” [Ja Sin 59]. Ose: “Dhe Ditën, kur të vijë Ora (e kijametit) - ajo është Dita e ndarjes (së njerëzve). Sa u përket atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, ata do të jenë të gëzuar nëpër kopshte (të Xhenetit) . E sa u përket atyre që nuk besuan dhe i përgënjeshtruan argumentet Tona dhe takimin në Botën Tjetër, ata do të jenë në një ndëshkim të pandërprerë.” [Rum 14 - 16], ose: “Prandaj, përqendrohu në Fenë e drejtë, para se të vijë Dita (e Kjametit) , e caktuar nga Allahu, të cilën askush nuk mund ta pengojë (që të ndodhë). Atë ditë njerëzit do të ndahen (në dy - të shpëtuar e të dënuar). Çdokush që nuk beson (në Allahun), do të përgjigjet për mosbesimin e vet, e çdokush që bën punë të mira, ai po përgatitet për veten e vet.” [Rum 43 - 44]. Kjo do të ndodhë në ditën kur Zoti i lartësuar të vijë për të gjykuar mes krijesave. Në një hadith thuhet: 1457. “Ditën e Gjykimit, ne do të jemi në një lartësi, mbi të gjithë njerëzit e tjerë.” Në këtë ajet , i lartësuari na njofton edhe në lidhje me atë çfarë Ai do të urdhërojë të ndodhë në lidhje me idhujtarët dhe idhujt e tyre, në ditën e Kjametit. Ai thotë: - Ne do t’i ndajmë ata nga njëri -tjetri - Pastaj, Ne do t’i ndajmë ata nga idhujt dhe zotat e tyre. Atë ditë, ata që idhujtarët i konsideronin si ortakë të Allahut, do ta mohojnë adhurimin që iu kanë bërë në dynja, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ata adhuruan në vend të Allahut zota të tjerë, për t’u dhënë fuqi e lavdi. Por ata (idhujt) do ta mohojnë adhurimin e tyre dhe do të bëhen armiq të tyre.” [Merjem 82]. Ose: “Atë ditë, paria do të distancohet prej pasuesve të saj, të gjithë do ta shohin dënimin dhe lidhjet mes tyre do të këputen. Atëherë, pasuesit do të thonë: “Ah, sikur të na lejohej një kthim (në dynja) dhe t’i braktisnim, siç na braktisën ata tani!” Kështu, Allahu do t’ua tregojë veprat e tyre si dëshpërim për ta dhe ata kurrë nuk kanë për të dalë prej Zjarrit.” [Bekare 166, 167], ose: “Kush është më i humbur se ata të cilët, në vend të Allahut, u luten atyre që nuk mund t’u përgjigjen (edhe sikur t'u luten) deri në Kijamet?! Ata janë të paditur (e të pafuqishëm t'u përgjigjen) për lutjet e tyre. Dhe kur të mblidhen bashkë të gjithë

njerëzit (në ditën e Llogarisë), ata (idhujt) do të jenë armiqtë e tyre dhe do t’ua mohojnë adhurimin që u përkushtuan.” [Ahkaf 5, 6]. Ndërsa në këtë ajet tregohet se çfarë do t’u thonë adhuruesve të tyre “ortakët” e pretenduar të Allahut: - dhe idhujt e tyre do t’u thonë: “Ju nuk na adhuruat ne.” - Ne as që dinim gjë dhe as që ndienim gjë për adhurimet tuaja. - Allahu na mjafton si dëshmitar mes nesh e jush. Ne nuk dinim asgjë për adhurimin tonë nga ju.” - Mjafton që Allahu është dëshmitar, që ne nuk dinim gjë për adhurimet, që ju na përkushtonit. Ju na adhuronit, por ne nuk dinim asgjë për këtë adhurim dhe Allahu është dëshmitar se ne nuk ju kemi nxitur dhe ftuar që të na përkushtoni adhurime. Ne nuk ju kemi urdhëruar kurrë për diçka të tillë dhe as nuk jemi kënaqur dhe as e kemi pranuar diçka të tillë prej jush. Ky është një zhgënjim i madh për idhujtarët, i cili do t’i dëshpërojë pa masë, pikërisht në atë kohë kur ata kanë nevojën më të madhe për mbështetje nga dikush. E si mund të ndodhte ndryshe, ndërkohë që ata kanë braktisur adhurimin e Atij që është El Hajul Kajum, pra, i Gjalli e i Përjetshmi. Ai që kujdeset për gjithçka, Atij që është Gjithëdëgjues, Gjithëshikues, i Plotpushtetshëm! Allahu i Madhëruar ka sjellë argumente të pakundërshtueshme, që nuk lënë vend për asnjë justifikim, duke dërguar profetë, duke zbritur libra dhe duke u caktuar urdhëresa dhe ndalesa. Kështu, njerëzit nuk kanë asnjë justifikim për padrejtësitë e tyre, siç thotë Allahu i Madhëruar në një ajet tjetër: “Ne çuam në çdo popull të dërguar, që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni shejtanëve (adhurimit të tyre)!” Por pati nga ata që Allahu i udhëzoi dhe pati nga ata që merituan të mbeten në humbje. ...” [Nahl 36]. Ose: “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Meje, prandaj vetëm Mua më adhuroni!”” [Enbija 25], ose: “Pyeti ata që i dërguam para teje: A kemi lejuar që, në vend të Allahut, të adhurohen zota të tjerë?” [Zuhruf 45]. Idhujtarët janë të kategorive të ndryshme. Allahu i Lartësuar i ka përmendur në Librin e Tij dhe ka qartësuar plotësisht gjendjen dhe fjalët e tyre, si dhe na ka sjellë mënyrën se si Ai u është kundërpërgjigjur, në lidhje me idhujtarinë e tyre, me argumentet më të forta. - Atje çdokush do të shpërblehet me atë që ka lënë pas. - Pikërisht në vendin ku do të fillojë llogaria në Ditën e Kijametit, gjithësecili do të njoftohet për çdo vepër që ka bërë, qofshin ato të mira apo të këqija, siç thotë Allahu i Lartësuar: “S’ka dyshim se Ai është i Plotfuqishëm për ta rikthyer atë në jetë, ditën kur të zbulohen të fshehtat, kur ai nuk do të ketë as forcë e as ndihmëtarë.” [Tarik 9], ose: “Atë ditë, vetëm te Zoti yt është kthimi. Atë ditë, njeriu do të njihet me atë që ka bërë dhe me atë që ka lënë pa bërë. Madje, njeriu do të jetë dëshmitar i vetvetes, edhe nëse paraqet arsyetime.” [Kijame 12 - 15], ose: “Asnjë njeriu nuk kemi për t'ia ndarë nga qafa librin e tij (të veprave) dhe në Ditën e Gjykimit, Ne do t’ia paraqitim atë si një libër të hapur. (çdokujt do t'i thuhet:) “Lexoje librin tënd! Sot mjafton të jesh vetë gjykues i vetvetes”.” [Isra 13, 14]. - Ata do të kthehen tek Allahu, te Sundimtari i tyre i vërtetë dhe trillimet e tyre do t'i lënë në baltë. - Kështu, ata kthehen për të marrë gjykimin e drejtë të Allahut të Lartësuar, në të gjitha çështjet. Ai është gjykuesi më i drejtë. Pasi Allahu i Lartësuar i gjykon me drejtësi veprimet e njerëzve, banorët e Xhenetit do t'i futë në Xhenet dhe banorët e Zjarrit ka për t’i futur në Zjarr. Kështu zhduket çdo ortak që idhujtarët trillojnë për Zotin, duke mos u sjellë atyre asnjë dobi. Ata do të harrohen dhe nuk do të mund t’i ndihmojnë aspak idhujtarët. I pastër dhe i lartësuar qoftë Allahu nga ortakët, që i shoqërojnë të paditurit e idhujtarët!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:28–10:30

- "Atë ditë Ne do t’i tubojmë të gjithë…" -Atë ditë Allahu i Madhëruar ka për t'i tubuar të gjitha krijesat. Ajo është dita e premtimit që nuk thyhet e as ndryshon. Allahu i Madhëruar na tregon se ka për t’i tubuar idhujtarët dhe idhujt e tyre: - "ndërsa idhujtarëve do t’u themi: “Rrini në vendin tuaj, ju dhe idhujt tuaj!”. - Qëndroni në vendin e llogarisë derisa të përfundojë gjykimi dhe të vendoset e drejta mes jush. Allahu i Lartësuar na njofton se do t’i ndajë ata nga njëri-tjetri: - Ne do t’i ndajmë ata nga njëri -tjetri dhe idhujt e tyre do t’u thonë: “Ju nuk na adhuruat ne! ”- Ne do t’i ndajmë ata fizikisht dhe shpirtërisht. Mes tyre do të shfaqet ashpër armiqësia dhe urrejtja edhe pse në jetën e kësaj bote kishin miqësi dhe dashuri për njëri -tjetrin. Idhujt që ata adhuronin do të distancohen prej tyre dhe do të thonë: - "Allahu na mjafto n si dëshmitar mes nesh e jush. " - Ne dëshmojmë se Allahu i Lartësuar është i dëlirë dhe i pastër nga çdo mangësi. Ai nuk ka partner dhe të barabartë me Të. Allahu nuk ka nevojë për ndihmës. - Ne nuk dinim asgjë për adhurimin tonë nga ju." - Ne kurrë nuk kemi urdhëruar për

këtë dhe as ju kemi ftuar në diçka të tillë. Në fakt, ju adhuruat atë që ju ftoi të bënit diçka të tillë, dhe ai është shejtani i mallkuar. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: " A nuk ju pata paralajmëruar ju, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuronit shejtanin, sepse ai ishte armiku juaj i hapët dhe që Të më adhuronit vetëm Mua sepse kjo ishte rruga e drejtë? " [Jasin 60 - 62]. Gjithashtu: “ Një Ditë, Ai do ti tubojë të gjithë dhe do t'u thotë melekëve: “Ju ishit ata që këta njerëz ju adhuronin?” Ata do të (melekët) thonë: “I Madhëruar qofsh Ti! Ti je Zoti ynë dhe ne distancohemi prej tyre. Jo. Por ata adhuronin xhindet dhe shumica e tyre besonin në to”. Kështu, atë ditë ata nuk do të kenë asgjë në dorë t’i bëjnë dobi e as dëm njëri -tjetrit. Dhe keqbërësve do t'u themi: “Shijojeni dënimin e zjarrit - atë që e quanit gënjeshtër!” ” [Sebe'e 40 - 42]. Kështu melekët, profetët, evlijatë e Zotit dhe besimtarët e mirë, që injorantët i adhurojnë, atë ditë do të distancohen prej këtyre të paditurve. Ata do ta hedhin poshtë pretendimin e idhujtarëve se ata i kishin ftuar dhe urdhëruar për adhurimin dhe lutjet ndaj tyre. Pa dyshim, këta të zgjedhur të Zotit janë të sinqertë në fjalën e tyre se kurrë nuk i kanë ftuar idhujtarët në këtë lloj adhurimi të ndaluar. Ky do të jetë momenti i dëshpërimit të papërshkrueshëm të idhujtarëve. Atëherë ata do të shohin qartë se çfarë krimesh kanë bërë. Atyre do t’u tregohet se ishin mashtrues dhe shpifnin rreth Zotit. Adhurimet e tyre tashmë janë zhdukur, duke u sjellë veçse dënim dhe dëshpërim. Çdo gjë që adhuronin tashmë është zhdukur dhe ka dalë në pah kotësia e këtij adhurimi. Lidhjet dhe mundësitë e ndihmës e shpëtimit tashmë janë shkëputur: - "Atje çdokush do të shpërblehet me atë që ka lënë pas. Ata do të kthehen tek Allahu, te Sundimtari i tyre i vërtetë dhe trillimet e tyre do t'i lënë në baltë." - Atë ditë çdokush do të lidhet fort pas veprave të veta dhe pas asaj që ka fituar me duart e veta. Sipas tyre do të jepet shpërblimi dhe ndëshkimi. Nëse janë të mira, shpërblimi do të jetë i mirë. Nëse janë të këqija, ashtu do të jetë dhe shpagimi. Tashmë janë të pavlefshme pretendimet se ata janë në rrugë të drejtë me idhujtarinë e tyre. Pretendimet e tyre në dynja se idhujt e tyre do të sjellin mirësi dhe do t’i ruajnë nga dënimi e të këqijat, tashmë nuk u vlejnë dhe mbeten të pashpresë para dënimit të të Drejtit.

← Junus 10:30