10. Junus · Ajeti 70 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:62–10:70
Evliaja është besimtarë i përpikët. Në një hadith thuhet: "Janë disa robër të Allahut, të cilët nuk janë as pejgamberë e as dëshmorë, për pozitën e tyre që ua ka dhuruar Allahu, u kanë lakmi edhe pejgamberët edhe dëshmorët!" Shokët i thanë: "Na trego kush janë ata? Çfarë vepra kanë bërë? E të dijmë edhe ne. Pejgamberi atëherë tha: "Njerëzit që janë dashur mes vete për hir të Allahut dhe të fesë, pa pasur mes vete afërsi farefisnore, as pa favorizuar njëri-tjetrin me pasuri, pasha Allahun, fytyrat e tyre janë dritë, janë në vende të ndërtuara nga nuri, nuk frikësohen kur njerëzit brengosen... pastaj ai lexoi ajetin në fjalë.
Të tillëve melaiket u marrin myzhde për shpëtimin e tyre mu në momentin e vdekjes, po edhe pas vdekjes, duke u dhënë të kuptojnë se janë xhennetlinj. A ka nevojë Zoti për fëmijë kur gjithçka është e Tij, fëmija është për atë që ka nevojë për të.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:68–10:70
- Ata thonë: “Allahu ka një bir”. Qoftë i lartësuar Ai! Ai është i Vetëmjaftueshmi. - Allahu i Lartësuar hedh poshtë pretendimin e atyre që trillojnë se Ai ka bir. Ai thotë: “Qoftë i lartësuar Ai!” Ai është i dëlirë nga çdo mangësi dhe nga të pasurit fëmijë. Madje, Ai është i Vetëmjaftueshmi, i Pasuri, që nuk ka nevojë për asgjë e askënd. - Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. - Atëherë, si mundet që të jetë biri i Tij dikush që është krijesë e nënshtruar dhe pronë e Tij?! - Ju nuk keni argumente për këtë. Pse thoni për Allahun atë që nuk e dini? - Ky është një kërcënim dhe paralajmërim i frikshëm. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata thanë: “I Gjithëmëshirshmi ka bir!”. Vërtet, ju keni thënë një fjalë shumë të shëmtuar. Qiejt janë gati të copëtohen, toka është gati të çahet dhe malet janë gati të shemben e të thërmohen nga ajo (shpifje), që trilluan se i Gjithëmëshirshmi ka bir. Të Gjithëmëshirshmit nuk i shkon të ketë fëmijë. Çdo qenie në qiej e në Tokë ka për t’iu paraqitur Të Gjithëmëshirshmit si rob.” [Merjem 88 -93]. Pastaj i Madhëruari i kërcënon ata që trillojnë se Ai ka bir, se ata nuk kanë për të shpëtuar e nuk kanë për të arritur asnjë të mirë në dynja dhe as në ahiret. - Thuaj: “Ata që trillojnë gënjeshtra për Allahun, nuk kanë për të gjetur shpëtim.” - Në jetën e dynjasë, ata nuk kanë për të gjetur mirësinë, edhe pse ndoshta Allahu i afatizon dhe gradualisht i afron drejt ndëshkimit, duke u mundësuar të shijojnë diçka prej stolive e pasurive të kësaj bote. Allahu i Lartësuar thotë: “Të mos mendojnë jobesimtarët se afatin që Ne u kemi dhënë të jetojnë është në dobi të tyre! Ne i lëmë të jetojnë veç që të shtojnë edhe më shumë gjynahet e tyre. Ata i pret një dënim poshtërues.” [Al imran 178]. - Ata do të përjetojnë një kënaqësi të paktë në jetën e kësaj bote - Domethënë, ky do të jetë një përjetim i shkurtër. - dhe pastaj vetëm tek Ne është kthimi i tyre. - Ditën e Kijametit, të gjithë tek Ne do të kthehen. - Ne do t’u japim të shijojnë dënimin më të ashpër, për shkak se nuk besojnë. - Për shkak se ata nuk e pranojnë besimin e drejtë, ata meritojnë dënimin e dhimbshëm dhe torturues. Ata trillojnë kotësira për Allahun, me pretendimet dhe besimet e tyre të shëmtuara e të pabaza.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:68–10:70
Allahu i Madhëruar na tregon rreth shpifjes së madhe të idhujtarëve ndaj madhërisë së Tij: - Ata thonë: “Allahu ka një bir”. Qoftë i lartësuar Ai! - I Lartësuari shpreh dëlirësinë e Tij nga kjo shpifje duke thënë: "Subhaneh" (Qoftë i Lartësuar Ai!) I pastër, i dëlirë, i lartësuar e larg çdo mangësie e të mete qoftë i Madhëruari, nga çdo shpifje që i adresojnë zullumqarët! Pastaj, duke shpjeguar edhe më hollësisht dëlirësinë dhe pastërtinë e Tij nga të tilla shpifje, Ai thotë: - Ai është i Vetëmjaftueshmi. - Allahu është i Pasur, që nuk ka nevojë për asgjë. E gjithë pasuria e pushteti është në dorën e Tij. Të gjitha llojet e pasurisë, mbretërimit dhe pushtetit janë në dorën e Tij dhe vetëm të Tij. Allahu është absolut në zotërimin dhe sundimin e pasurisë së qiejve dhe tokës. Kështu, nëse është i Vetëmjaftueshëm dhe Jonevojtar, përse i duhet fëmija? Nevoja për fëmijë bie ndesh me pushtetin dhe pasurinë e Tij dhe me faktin që Ai është i Vetëmjaftueshëm. Ai që bën fëmijë ka vërtet nevojë për fëmijën dhe ka mangësi në pasurinë apo pushtetin e Tij. Argumenti i dytë: - Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë. - Kjo është një fjali
gjithëpërfshirëse, nga e cila nuk përjashtohet asgjë që ekziston. Qiejt, Toka dhe çdo krijesë tjetër, janë rob dhe pronë e Krijuesit. Kështu, ky përshkrim përjashton mundësinë që diçka e krijuar të jetë fëmijë i Zotit. Arsyeja është se fëmija ka natyrën e të atit, dhe si i tillë nuk mund të jetë krijesë dhe pronë apo e nënshtruar. Kështu, fakti që gjithçka në qiej e në tokë janë pronë e Zotit e përjashton që diçka prej tyre të jetë e lindur prej Tij. Argumenti i tretë: - Ju nuk keni argumente për këtë. - A keni ndonjë argument që tregon se Allahu ka fëmijë? Nëse do të kishin ndonjë argument, do ta shfaqnin. Por duke qenë se edhe pas sfidës, ata nuk sjellin argument bindës, kuptohet se kjo është një kotësi dhe shpifje e madhe. Kjo është të flasësh për Zotin pa dituri e shpallje të ndritur, prandaj thotë i Madhëruari: - Pse thoni për Allahun atë që nuk e dini? - Kështu, kjo është nga çështjet më të dënueshme e të ndaluara nga Zoti. - Thuaj: “Ata që trillojnë gënjeshtra për Allahun, nuk kanë për të gjetur shpëtim. Ata do të përjetojnë një kënaqësi të paktë në jetën e kësaj bote dhe pastaj vetëm tek Ne është kthimi i tyre. Ne do t’u japim të shijojnë dënimin më të ashpër, për shkak se nuk besojnë.”. - Ata nuk kanë për të arritur qëllimet e tyre dhe planet e tyre të zeza kurrë nuk do të realizohen. Ata thjesht do të përjetojnë njëfarë kënaqësie në shfrenimin që u ofron mohimi i Zotit dhe shkelja e kufijve të Tij, në jetën e kësaj bote. Ato kënaqësi janë shumë të pakta dhe pastaj shumë shpejt ata do të nisin të vetmuar rrugën e vështirë drejt llogarisë e ndëshkimit të përjetshëm. Tek Zoti është kthimi i tyre dhe i rëndë është ndëshkimi që i pret, për shkak të kufrit të tyre. Allahu nuk u bën asnjë padrejtësi atyre, por ata i bëjnë padrejtësi vetvetes.