11. Hud · Ajeti 39 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 11:25–11:39

Tregimet ndaj pejgamberëve të përparshëm kanë qenë qëllim, t'i japin lehtësime Muhammedit I në detyrën e tij, duke kuptuar se si edhe ata para tij patën vështirësi dhe se si ata ishin të durueshëm, mandej se si u vinte ndihma nga Zoti. Edhe besimtarët myslimanë nga rrëfimet e tilla do të fitojnë I përvojë të duhur në jetën e tyre. Të gjithë të dërguarit e Zotit në përpjekjet e tyre patën si detyrë dhe qëllim kryesor ta udhëzojnë popullin në besim vetëm të një Zoti, kurse mohuesve u tërhoqën vërejtjen për rrezikun që i pret. Është karakteristike çështja e tyre se gjithnjë ishin të mashtruar pas jetës së kësaj bote, ata që ishin kryelartë ndaj thirrjes së pejgamberëve. Zakonisht ata të cilët ishin të privilegjuar me pozitë si pari, ose pasanikë, talleshin me besimtarët.

Asnjë i dërguar, ashtu sikurse edhe Nuhu, për hir të kryeneçëve, nuk pranoi t'i largojë prej vete besimtarët. Ai nuk kërkoi shpërblim, nuk pretendoi se ka diçka në dorë, pos shpalljes së Zotit, nuk u tha se dënimi kundër jush është në dorën time, por në dorën e Zotit, e meqë ai ishte një popull shumë i padëgjueshëm, dënimi nga ana e Zotit ishte i pashmangshëm, prandaj ai u urdhërua ta ndërtojë anijen, dhe të mos kërkojë falje për kundërshtarët. Paria kryelartë tallej me Nuhun duke i thënë kinse ishe pejgamber e tani u bëre zdrukthëtar, e Nuhu i njoftoi ata për fatkeqësinë që i priste.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 11:36–11:39

- Nuhut iu shpall: “Askush nga populli yt nuk do të besojë më, përveç atyre që tashmë kanë besuar. - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai vendosi që ta përshpejtonte goditjen e ndëshkimit dhe zemërimit të Tij mbi popullin e Nuhut. Ai ia shpalli Nuhut një vendim të tillë, prandaj Nuhu (a.s) në

vijim u lut dhe e mallkoi popullin e tij. Këtë lutje Allahu i Lartësuar na e ka treguar në Kur’an, kur thotë: “Nuhu tha: “O Zoti im! Mos lër mbi Tokë asnjë nga jobesimtarët! Nëse Ti i lë, ata do t’i largojnë adhuruesit e Tu (nga rruga e drejtë) dhe prej tyre do të lindin veçse të shfrenuar dhe jobesimtarë. O Zoti im! Më fal mua, fali prindërit e mi, ata që hynë në shtëpinë time si besimtarë dhe të gjithë besimtarët e besimtaret! Ndërsa jobesimtarëve shtoju veçse dëshpërim!”. [Nuh 26 - 28]. Dhe thotë: “Prandaj ai iu drejtua Zotit të vet: “Unë jam i mundur, prandaj më ndihmo!”” [Kamer 10]. Atëherë Allahu i lavdëruar i shpalli atij: “Askush nga populli yt nuk do të besojë më, përveç atyre që tashmë kanë besuar.” - Prandaj mos u brengos më për veprimet e tyre!” - Mos u dëshpëro dhe mos u merakos, sepse ndëshkimi tashmë do të bjerë mbi ta, dhe ky është vendim i pakthyeshëm. - Ndërtoje një anije nën Sytë Tanë dhe sipas Shpalljes Sonë - Ndërto një anije nën kujdesin dhe mbikëqyrjen Tonë. Merr udhëzimet Tona në lidhje me mënyrën e ndërtimit të saj. - e mos m’u drejto Mua (më) për ata që kanë bërë padrejtësi! Ata do të përmbyten.” - Mos më fol dhe mos m’u lut që ta ndal shkatërrimin e mohuesve, sepse përfundimi i tyre është i pashmangshëm: ata të gjithë do të mbyten! - Ai nisi të ndërtonte Anijen! Sa herë që kalonte pranë tij, paria e popullit të tij e përqeshte. Ai u thoshte: “Nëse ju talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu siç po talleni ju. - Kur Nuhu (a.s) ndërtonte anijen, pranë tij kalonin grupe nga populli i tij, të cilët e kishin mohuar atë si profet. Ata talleshin me të, duke i thënë: “Ti je duke ndërtuar një anije në tokë?! Si do të lundrojë në tokë kjo anije?!” - Por shpejt do ta mësoni se kë do të zërë dënimi poshtërues dhe mbi kë do të bjerë dënimi i përhershëm.” - Ky është kërcënim i ashpër dhe paralajmërim i sigurt, për një ndëshkim poshtërues e të dhimbshëm që në këtë dynja. Ndërsa në ahiret, mbi ta do të godasë sërish dënimi i Zotit. Ata do t’i mbulojë ndëshkimi i vazhdueshëm, i përjetshëm, i pafund. Ky është shpagimi për mohuesit e besimit dhe ata që e refuzojnë atë, për ata që i konsiderojnë profetët si gënjeshtarë dhe ata që tallen me mesazhin e Zotit dhe të profetëve të Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 11:36–11:39

- “Nuhut iu shpall: “Askush nga populli yt nuk do të besojë më, përveç atyre që tashmë kanë besuar, prandaj mos u brengos për veprimet e tyre!” - Zemrat e tyre janë ngurtësuar, prandaj nuk kanë për të besuar. Për këtë arsye, mos u trishto dhe as mos u kushto rëndësi atyre. Kuptoje se tashmë Allahu i Madhëruar i urren ata dhe ka vendosur që ndëshkimi mbi ta të mos kthehet mbrapsht. - “Ndërtoje një anije nën Sytë Tanë dhe sipas Shpalljes Sonë e mos m’u drejto Mua (më) për ata që kanë bërë padrejtësi! Ata do të përmbyten.” - Ndërtoje anijen nën mbikëqyrjen, përkujdesin dhe kënaqësinë Tonë. Mos kërko prej Meje që të kthej pas vendimin për ndëshkimin e tyre. Vendimi i Zotit për ta ka marrë fund dhe ata do të mbyten. Kështu, Nuhu (a.s.) filloi ndërtimin e anijes, duke zbatuar urdhrin e Zotit të tij. - “Ai nisi të ndërtonte Anijen! Sa herë që kalonte pranë tij, paria e popullit të tij e përqeshte.” - Kur kalonte pranë profetit Nuh dhe e shihnin çfarë po ndërtonte, populli tallej me të. Por ai u përgjigjej: - “Ai u thoshte: “Nëse ju talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu siç po talleni ju. Por shpejt do ta mësoni se kë do të zërë dënimi poshtërues dhe mbi kë do të bjerë dënimi i përhershëm.” - Atëherë do ta marrim vesh se kush do të befasohet nga ndëshkimi: ne apo ju. Dhe, vërtet, ata e përjetuan me dhimbje e tmerr ndëshkimin, kur i përfshiu me ashpërsinë e tij.

← Hud 11:39