11. Hud · Ajeti 99 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 11:84–11:99
"Medjen quhej një fis sipas emrit të një djali të Ibrahimit, e të cilit i takonte edhe Shuajbi. Ka mendime se vendi që quhej Medjen, ishte diku jo larg Tebukut. Përveç thirrjes që u bëri për besim të drejtë sikurse edhe pejgamberët e tjerë, Shuajbi ua tërhoq vërejtjen të mos mashtrojnë njerëzit duke iu matur e peshuar me hile. Ata u tallën me Shuajbin dhe i thanë se a thua feja e tij po e urdhëroka që ta lënë fenë e baballarëve dhe të masin drejt" Shuajbi iu tha: mua më dërgoi Zoti, atë që ju urdhëroj juve e kryej edhe vetë, pra mos të bëhet shkak urrejtja ndaj meje e të mbeteni pa besim të drejtë, se do të dënoheni sikurse u dënuan ata që ishin para jush. Ata nuk e dëgjuan,bile edhe ju kërcënuan, por kishin frikë kabilën e tij, dhe ashtu mbetën të humbur. U shkatërruan me një zë të tmerrshëm që i thirri Xhibrili. Dënimi i tyre kishte edhe momente të tjera të tmerrshme siç është përmendur në A'raf, në Shuaraë dhe këtu.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 11:96–11:99
- Ne e dërguam Musanë me mrekullitë Tona dhe me fakte të qarta te Faraoni dhe rrethi i tij, por rrethi i tij i shkoi pas urdhrit të Faraonit, edhe pse urdhri i Faraonit nuk ishte i drejtë. - Allahu i Lartësuar na njofton se Ai e dërgoi Musain me shenjat dhe mrekullitë e Tij të jashtëzakonshme tek Faraoni. Por ata ndoqën rrugën e Faraonit, që mashtronte dhe devijonte me vetëdije nga e vërteta. Allahu i Lartësuar thotë: “... por rrethi i tij i shkoi pas urdhrit të Faraonit, edhe pse urdhri i Faraonit nuk ishte i drejtë.” Rruga ku fton Faraoni nuk ishte e ndërtuar mbi dijen dhe drejtësinë, por mbi paditurinë, humbjen, mohimin dhe refuzimin e të vërtetës, arrogancën dhe kryeneçësinë. Ashtu sikurse në dynja ai ishte udhëheqësi dhe i adhuruari i tyre, po kështu edhe në Ditën e Kijametit ai do t’u prijë për në Xhehenem, derisa të hyjnë të gjithë në të. Ata kanë për të pirë nga i njëjti ujë i pështirë në Xhehenem. Faraoni sigurisht që do të ketë më të madhin ndëshkim, do të jetë më i poshtëruari dhe do të përjetojë vuajtjen më të madhe nga të gjithë, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Por Faraoni e kundërshtoi të Dërguarin, prandaj Ne e ndëshkuam atë me një dënim të rëndë.” [Muzemil 16]. Gjithashtu: “...por ai e mohoi dhe nuk u bind. Pastaj i ktheu shpinën dhe u largua. Bëri një tubim të madh dhe mbajti një fjalim. Atje tha: “Unë jam Zoti juaj më i lartë!” Atëherë, Allahu e ndëshkoi atë rëndë, për këtë të fundit dhe për atë të parën. Ky ndëshkim është mësim për ata që frikësohen.” [Nazijat 21 - 26].145 - Ditën e Kijametit, ai do t'i prijë popullit të vet dhe do ta çojë në Zjarr. Eh, sa i shëmtuar është ai vend, ku ata do të çohen! - E tillë është gjendja e atyre që ishin prijës në mohimin e Zotit dhe refuzimin e besimit të vërtetë. Atyre do t’u shumëfishohet ndëshkimi Ditën e Kijametit, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Melekët do t’u thonë: “Hyni në Zjarr, mes popujve që shkuan para jush - xhinde dhe njerëz.” Sa herë që një popull hyn aty, mallkon atë të mëparshmin. Dhe, kur të gjithë të tubohen në të, grupi i fundit thotë për grupin e parë: “Zoti ynë, janë këta që na çuan ne në humbje, prandaj shumëfishoja atyre dënimin me zjarr!” Ai do të thotë: “Për secilin nga ju dënimi është i shumëfishuar, por ju nuk e dini.”. Pastaj i pari do t’i thotë të fundit: “Ju nuk jeni më të mirë se ne; prandaj shijojeni dënimin, për gjithçka që bëtë!” Nuk ka dyshim se atyre që mohojnë Argumentet Tona dhe tregohen kryeneçë ndaj tyre, nuk u hapen dyert e qiellit dhe nuk do të hyjnë në Xhenet derisa deveja të futet në vrimën e gjilpërës. Kështu i shpërblejmë Ne keqbërësit.” [ El ea’raf 38 - 40]. Gjithashtu Allahu i lartësuar na njofton rreth mohuesve dhe fjalëve që ata thonë në zjarr: “Ditën kur fytyrat e tyre të përmbysen në Zjarr ata do të thonë: “Të mjerët ne! Ah sikur t'i ishim nënshtruar Allahut dhe t'i ishim bindur të Dërguarit!” Dhe do të thonë: “O Zoti ynë! Ne iu bindëm udhëheqësve dhe të parëve tanë dhe ata na humbën nga rruga (e drejtë) .”. O Zoti ynë! Jepu atyre Dënim të dyfishtë dhe mallkoji ata me Mallkim shumë të madh!” [Ahzab 67, 68]. - Ata i ndjek mallkimi si në këtë botë, ashtu edhe në Ditën e Kijametit. Eh, sa e keqe është ajo "dhuratë", që do t'u jepet! - Atyre do t’u shtohet vazhdimisht ndëshkimi në Zjarr. Përveç shtimit dhe forcimit të ndëshkimit në Zjarr, ata do t’i
përndjekë edhe mallkimi në këtë botë. I Lartësuari thotë: “... ashtu edhe në Ditën e Kijametit.” Muxhahidi shpjegon: “Atyre iu shtua edhe një mallkim në Ditën e Kijametit. Atyre iu dhanë dy mallkime, një në dynja dhe një në ahiret, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Ne i bëmë ata (veçse) prijës që ftojnë për në zjarr dhe Ditën e Kijametit ata nuk do të ndihmohen. Edhe në këtë botë Ne i bëmë që t'i ndjekë mallkimi, kurse Ditën e Kijametit ata do të jenë të përbuzur.” [Kasas 41, 42], ose: “Ata do të sillen para zjarrit mëngjes e mbrëmje, ndërsa kur të vijë Ora, do të thuhet: “Futini pasuesit e Far aonit në dënimin më të rëndë!” Gafir 46.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 11:96–11:99
- “Ne e dërguam Musanë me mrekullitë Tona dhe me fakte të qarta te Faraoni dhe rrethi i tij...” - Profeti Musa Ibn Imrani u dërgua me shumë argumente, shenja dhe mrekulli, të cilat vërtetonin Shpalljen që ai solli prej Allahut të Madhëruar. Ndër to ishin shkopi, dora e bardhë dhe e shndritshme etj. Allahu i Madhëruar thotë se i dhuroi Musait (a.s.) "sultan el mubin ", pra, fakte të qarta e të dukshme. Ato ishin të qarta si drita e diellit. Allahu i Madhëruar e dërgoi atë te Faraoni dhe paria rreth tij, sepse ata ishin udhëheqja, ndërsa të tjerët ishin pasues të tyre. Por ata nuk u bindën para fakteve dhe argumenteve të qarta të Allahut të Gjithëfuqishëm, madje i shpërfillën ato. - “...Por rrethi i tij i shkoi pas urdhrit të Faraonit, edhe pse urdhri i Faraonit nuk ishte i drejtë.” - Faraoni ishte jo vetëm i devijuar tërësisht nga rruga e drejtë, por edhe një devijues i pamëshirshëm. Ai urdhëronte veçse për shkatërrim e asnjëherë për mirë. Nuk ka asnjë dyshim për përfundimin e keq të Faraonit dhe pasuesve të tij. Edhe pasuesit e tij u shkatërruan dhe
do të ndëshkohen përjetësisht në ahiret, bashkë me të, siç thotë i Madhërishmi: - “Ditën e Kijametit, ai do t'i prijë popullit të vet dhe do ta çojë në Zjarr. Eh, sa i shëmtuar është ai vend, ku ata do të çohen!” - Ky është premtimi për ta në ahiret. Por jo vetëm kaq. Ata do të përndiqen nga mallkimi i të Madhërishmit: - “Ata i ndjek mallkimi si në këtë botë, ashtu edhe në Ditën e Kijametit.” - Ata u mallkuan që në jetën e dynjasë dhe në Ditën e Gjykimit do të mallkohen përsëri nga Allahu, melekët e Tij dhe nga i gjithë njerëzimi. - “Eh, sa e keqe është ajo "dhuratë", që do t'u jepet!” - Sa e keqe është e gjithë kjo barrë që rëndon mbi ta: ndëshkimi i Allahut të Madhëruar, si dhe mallkimi në dynja dhe në ahiret.