111. Mesed · Ajeti 5 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 111:1–111:5
Sebebi nuzul - shkaku i zbritjes së kësaj sureje, sipas ibni Abasit ishte: Kur e urdhëroi Zoti Pejgamberin t'i thërrasë në rrugën e drejtë edhe rrethin e tij të afërt, Pejgamberi u ngjit në bregun Safa dhe i thirri me emër kabilet e kurejshëve. Kush mundi, shkoi ta dëgjojë atë kumtesë, e dikush dërgoi dikë për të kuptuar se si qëndron çështja. U tubuan kurejshitët si edhe xhaxhai i Pejgamberit Ebu Lehebi. thanë: "Çka na thirre?" Pejgamberi tha: "Nëse ju them se disa kalorës, atje pas bregut në luginë kanë ndërmend t'ju sulmojnë, a më besoni?" Ata i thanë: "Po, se kurr nuk kemi provuar se ti rrent" Pejgamberi tha: "Pra, unë po ju them se jeni pranë një ndëshkimi shumë të ashpër" Ebu Lehebi i tha: "Qofsh i mallkuar a për këtë na ke thirrur?!" Atëbotë u shpall kjo sure.
Pejgamberi u thoshte njerëzve: "Thuani la ilahe il-lellah, e shpëtoni, kurse Ebu Lehebi i shkonte prapa e thoshte: "Mos e dëgjoni këtë rrenacak!"
Në ajetin e parë thuhet ju shkatërrofshin duart e Ebu Lehebit, e fjala është: U shkatërroftë i tërë Ebu Lehebi. Ndër arabë ka qenë traditë shprehja: duart, në vend të tërë njeriut.
Ebu Lehebi ishte: Abdul Uza bin Abdul Mutalib, e gruaja e tij ishte Ymmi Xhemil, motra e Ebu Sufjanit. Që të dy ishin shumë të armiqësuar ndaj mësimeve të Muhammedit. Ebu Lehebi u thoshte të tjerëve: "Nëse është e vërtetë çka thotë Muhammedi, unë me veten time, me pasurinë time dhe me djemtë e mi, do t'ju shpëtoj nga ai dënim". E Kur'ani tha: "Nuk ka për të bërë, dobi as malli, as fëmijët, por ke për të hyrë në flakë të zjarrit". Dy djem të Ebu Lehebit e pranuan fenë islame me rastin e çlirimit të Mekës.Ebu Lehebi vdiq pas luftës së Bedrit dhe mbeti i pavarrosur tri ditë derisa u fry, atëherë me një kërrabëz e tërhoqën zvarrë dhe e hodhën në një humnerë.
Gruaja e tij bante fjalë, bënte intrigime dhe bartte ferra dhe i hedhte në rrugë nga kalonte Pejgamberi. Ato ferra do t'i bartë edhe në xhehenem pasi që të hedhet në të, duke e ngrehur me një litar të lidhur për qafe të saj, sepse një qafore shumë të çmueshme, që e kishte në qafën e vet, thoshte se do ta shpenzojë per propagandë kundër Muhammedit. Zoti xh. sh. në vend të asaj qafore do t'i vërë litar për të cilin tërhiqet.
Shpallja e kësaj sureje, me të cilën vërtetohet se Ebu Lehebi është banues i zjarrit, është një argument i fortë i mrekullisë së Kur'anit, përndryshe, kush do të kishte pasur guxim të gjykojë se Ebu Lehebi do të vdesë në kufr, sepse pati edhe armiq të tjerë të Muhammedit, të cilët më vonë e përqafuan fenë islame, e do të mendohej se ndoshta edhe ai do ta përqafojë. Kështu do të ishte sikur Kur'ani të ishte thënie e njeriut. Pra ky rast argumenton se është thënie e Zotit që i di të fshehtat, andaj nuk mund të ndodhë ndryshe, por vetëm si ka thënë Ai.
Falënderoj Allahun e madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 111:1–111:5
- “U thafshin duart e Ebu Lehebit, që është i shkatërruar!” - Kjo sure ka zbritur pas sures Fatiha. Buhariu sjell hadithin prej Ibn Abasit se: 2951. “Profeti shkoi në Bat’ha, u ngjit mbi kodër dhe thirri me zë të lartë: “ Jâ sabâĥâ , Jâ sabâĥâ !”, thirrje kjo që bëhej në rast se njerëzve u kanosej një rrezik i madh. Kështu, u mblodhën të gjithë kurejshët. Ai u tha: “Nëse unë ju them se një armik ka për t’ju sulmuar këtë mbrëmje, a do të më besonit?” - “Po”, - thanë ata. Ai u tha: “Atëherë, unë po ju paralajmëroj për një ndëshkim të dhembshëm e të ashpër, që ju pret.” Ebu Lehebi tha: “Ama, për këtë na mblodhe?! U shkatërrofsh ti!” Atëherë Allahu i Lartësuar zbriti ajetet: “U thafshin duart e Ebu Lehebit, që është i shkatërruar!” Pra, u shkatërroftë, mbettë duarthatë nga çdo mirësi dhe u dëshpëroftë Ebu Lehebi! Kurrë mos paftë mbarësi e mirësi! U shkatërrofshin punët e përpjekjet e tij!” Ebu Lehe - bi ishte një nga xhaxhallarët e Profetit .ﷺ Emri i tij ishte Abdul’uzza - i biri i Abdul Muttalibit. Ndërsa llagapi i tij ishte Ebu Utejbe, por njihej edhe si Ebu Leheb (babi i flakëve), sepse fytyra e tij shndriste si zjarr. Edhe pse e kishte nipin e vet, ai e mundonte shumë Profetin e Allahut, pasi e urrente dhe mundohej të poshtëronte e fyente atë dhe fenë që ai solli prej Zotit. Kur Profeti ﷺ ftonte njerëzit: “O njerëz, thoni ‘La ilahe il’Allah’, që të fitoni çdo mirësi dhe të shpëtoni nga çdo e keqe dhe bela!”, Ebu Lehebi shkonte pas tij e u thoshte njerëzve: “Ai ka tradhtuar fenë e të parëve të tij. Ai është mashtrues, prandaj mos e ndiqni!” Në këtë mënyrë, ai nuk i ndahej Profetit, e ndiqte kudo që shkonte dhe i pengonte njerëzit nga rruga dhe feja e Allahut, në të cilën Profeti ﷺ i ftonte. Vëreni me kujdes, kur i Lartë - suari thotë: ‘është i shkatërruar’, pra, ai është i mallkuar dhe tashmë është vendosur shkatërrimi i tij. - “Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet dhe as bëmat e tij.” - Ibn Abasi e të tjerë kanë thënë se “ mâ keseb ” janë fëmijët. Pra, atë nuk do ta ndihmojnë pasuria dhe fëmijët e vet. I njëjti shpjegim vjen nga Aishja, Muxhahidi, Katade, etj. Ibn Mesudi rrëfen se, kur Profeti i Allahut ftoi popullin e tij për ta besuar, Ebu Lehebi tha: “Nëse kjo që thotë djali i vëllait tim është e vërtetë, atëherë Ditën e Kijametit, unë do ta shpëtoj veten, duke dhënë si kompensim pasurinë e fëmijët e mi.” Atëherë, Allahu i Lartësuar shpalli: “Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet dhe as bëmat e tij.” - “Ai do të flaket në një zjarr të ndezur fort.” - Një zjarr i furishëm, me nxehtësi shumë të madhe. - “Edhe gruaja e tij, ajo bartësja e shkarpave ...” - Gruaja e tij ishte ndër
zonjat më të njohura e të respektuara ndër kurejshë. Ajo ishte Ummu Xhemil dhe quhej Erua, bija e Harb Ibn Umejes, pra, ishte motra e Ebu Sufjanit. Ajo ishte gjith - monë në mbështetje të burrit të saj në rru - gën e mohimit, refuzimit me këmbëngulje të Shpalljes dhe kryeneçësisë ndaj të vërtetës, prandaj edhe Ditën e Gjykimit do të jetë së bashku me të e do të ndihmojë në ndëshki - min sa më të ashpër në zjarrin e Xhehene - mit. I Lartësuari thotë: “... bartësja e shka - rpave.” Kështu, ajo do të bartë shkarpa në zjarrin e Xhehenemit, për t’ia hedhur e shtuar zjarrin burrit të saj, që të vuajë edhe më shumë. - “... në qafën e saj do të ketë një litar të thurur mirë.” - Nga Seid Ibn Musejib përcillet të ketë thënë se ajo kishte një varëse shumë të shtrenjtë dhe të rrallë dhe gjithmonë thoshte: “Kam për ta shpenzuar këtë varëse me vlerë shumë të madhe në luftën kundra Muhamedit. Kështu, Allahu i Madhëruar ia zëvendësoi atë varëse në zjarrin e Xhehenemit me një litar zjarri, që shtrëngon qafën e saj. Disa dijetarë kanë thënë se ajo do të lidhet në qafën e saj me një litar të zjarrtë, nëpërmjet të cilit do të tërhiqet e ngrihet lart në grykën e Xhehe - nemit, e pastaj që atje do të lëshohet, për t’u përplasur në tabanin e Xhehenemit; dhe kështu do të vazhdojë përjetësisht. Dijetarët thonë se kjo sure është argument i qartë dhe i dukshëm që tregon se Muhamedi është Profeti i Allahut. Kjo sure, e pikërisht fjala e Allahut: “Ai do të flaket në një zjarr të ndezur fort. Edhe gruaja e tij, ajo bartësja e shkarpave: në qafën e saj do të ketë një litar të thurur mirë”, tregoi se që të dy ata, burrë e grua nuk do të besonin dhe do të ishin prej fatzinjve. Dhe, me të vërtetë, ata nuk besuan deri në fund të jetës, as haptazi e as fsheh - tazi, madje as sa për sy e faqe. Kjo, pa dyshim, është vetëm një nga provat se Muhamedi është Profeti i Allahut, i cili fliste sipas Shpalljes.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 111:1–111:5
Ebu Lehebi ishte xhaxhai i Profetit, por ishte dhe armiku më i ashpër i tij, me mundimet që i shkaktonte Profetit (a.s.). Ai nuk kishte as besim në Allahun dhe as dashuri për farefis, Allahu e shëmtoftë! Prandaj Allahu i Lartësuar e poshtëroi e i dha këtë mallkim të madh, që do të jetë për të deri në Ditën e Kijametit. I Lartësuari thotë: - “U thafshin duart e Ebu Lehebit, dhe u shkatërroftë!” – Kuptimi: U dëshpëroftë dhe iu thafshin duart nga mirësitë! Kurrë mos paftë mirësi dhe mbarësi! - “Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet dhe as bëmat e tij.” - Kuptimi: Pasuria e tij e madhe, e cila u bë shkak që ai të kalonte kufijtë dhe të tregohej mospërfillës, tashmë nuk i sjell më dobi. Po kështu, edhe ato që ai fitoi nuk e ruajnë dot nga ndëshkimi i Allahut. Asgjë nuk mund ta shpëtojë atë nga vuajtjet dhe ndëshkimi. Çështja e tij tashmë ka marrë fund. - “Ai do të flaket në një zjarr të ndezur fort.” - Zjarri do ta përfshijë atë nga çdo drejtim dhe nuk do të ndihmohet dhe as do të dalë më prej atje. Por jo vetëm ai. Ashtu si ai do të dënohet edhe gruaja e tij, e cila, gjithashtu, e mundonte Profetin (a.s.). - “(e bashkë me të) Edhe gruaja e tij, ajo bartësja e shkarpave (për zjarrin e xhehennemit). Në qafën e saj do të ketë një litar (prej zjarri) të thurrur mirë. ” - Ajo bashkëpunonte me burrin e saj në vepra të këqija dhe armiqësi ndaj Profetit dhe besimtarëve. Ata përhapnin të keqen dhe përpiqeshin si askush tjetër që të mundonin Profetin (a.s.) dhe besimtarët. Por ajo nuk bënte gjë tjetër, veçse ngarkonte shpinën e saj me gjynahe të rënda, ashtu sikurse dikush ka ngarkuar dru mbi shpinë dhe në qafë është i lidhur me litar. Por ajeti mund të kuptohet edhe ndryshe: Ajo do të detyrohet në zjarrin e Xhehenemit që të ngarkojë dru mbi shpinën e saj dhe, me to, të ndezë fort zjarrin e të shoqit dhe të sajin, pafundësisht, duke patur një litar prej zjarri të lidhur në grykë. Në këtë sure kemi të bëjmë me një mrekulli dhe shenjë të profecisë së Muhamedit (a.s.). Këto ajete u shpallën para vdekjes së Ebu Lehebit dhe gruas së tij, dhe Allahu i Lartësuar tregoi se ata të dy do të ndëshkoheshin në zjarrin e Xhehenemit. Ky qe një tregues se ata nuk do ta pranonin Islamin kurrë. Dhe vërtet ashtu ndodhi. Ata nuk e pranuan Islamin dhe vdiqën si mohues dhe armiq të Zotit dhe të Profetit të Tij. Ata nuk e pranuan Islamin, qoftë edhe formalisht. Kështu, përfundimisht, ndodhi ashtu sikurse paralajmëroi Njohësi i së fshehtës dhe i të dukshmes, Allahu i Lartësuar.