12. Jusuf · Ajeti 22 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 12:11–12:22

Edhe pse Jakubi u tha bijve të vet se nuk mund të rrijë pa Jusufin dhe se frikësohej nga ujku, ata iu betuan se e duan dhe do të kenë kujdes ashtu që e lejoi të shkojë me ta.

Vëllezërit e hodhën Jusufin në bunar, por prezenca e Zotit ishte aty, ia dërgoi Xhibrilin t'ia qetësojë shpirtin, t'ia largojë frikën e vetmisë dhe ta lajmërojë se do të jetë i shpëtuar prej kësaj fatkeqësie. Ata, për ta fshehur sado kudo turpësinë e tyre, pasi ra muzgu erdhën kinse duke qarë) dhe me këmishë të përgjakur, por Jakubi e kuptoi çështjen dhe iu mbështet Zotit për ndihmë. Një grup tregtarësh kaloi atypari dhe e gjeti Jusufin, por nuk treguan se është i gjetur, po sikurse ishte rob i tyre dhe me të shpejt e shitën, duke u frikësuar se po lajmërohet i zoti i tij. Jusufin e bleu ministri i ekonomisë së egjiptit, e gruas së vet i tha të ketë kujdes për vendosjen, ushqimin dhe veshmbathjen e tij, sepse do të kenë dobi prej tij, ose, meqë nuk kishin fëmijë, ta përvetësojnë për djalë të vetin.

Deri këtu Jusufi përjetoi dy sprovime të mëdha: hedhjen në bunar dhe shitjen si rob, por ndihma e Zotit nuk i mungoi në asnjërin rast.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 12:21–12:22

Allahu i lartësuar vijon të na tregojë përkujdesin dhe mëshirën e Tij të madhe për Jusufin. Pjesë e këtij përkujdesi ishte edhe fakti që blerësi i tij në Egjipt të ishte një njeri i cili do të tregonte përkujdesje të plotë për Jusufin. Ai e këshilloi familjen e vet që të kujdesej mirë për Jusufin, sepse ai ishte i aftë të dallonte tek Jusufi mirësinë, zgjuarsinë dhe mençurinë e tij të spikatur. - Atë e bleu dikush nga Misiri (Egjipti), i cili i tha së shoqes: “Le të jetojë i nderuar mes nesh! Ai do të na sjellë dobi të shumta ose do ta birësojmë!” - Ai që e bleu ishte një ministër, madje ministri i depove të Egjiptit. Ai ishte një njeri i mprehtë dhe i zgjuar dhe dalloi mirësinë e zgjuarsinë e spikatur te Jusufi. Kjo duket qartë në fjalët që ai i drejtoi familjes së vet në lidhje me Jusufin kur tha: “Le të jetojë i nderuar mes nesh! Ai do të na sjellë dobi të shumta ose do ta birësojmë!” - Kështu e venduam Jusufin në tokë dhe i mësuam shpjegimin e ëndrrave. - Ashtu sikurse e shpëtuam Jusufin nga kurthi dhe intrigat e vëllezërve të tij, mirësi kjo shumë e madhe, po ashtu Allahu e vazhdoi mirësinë e Tij me Jusufin kur i mundësoi një post të nderuar në Egjipt. Gjithashtu, mirësi tjetër që Allahu përmend ishte edhe mësimi i interpretimit të ëndrrave. - Allahu është Mbizotërues i të gjitha çështjeve, por shumica e njerëzve nuk e dinë. - Kur Allahu dëshiron e vendos diçka, askush nuk mund ta kthejë pas e ta shmangë vendimin e Tij. Askush nuk mund ta tjetërsojë atë, por do të zbatohet ajo që Ai ka vendosur, sepse Allahu është mposhtësi dhe nënshtruesi i gjithçkaje dhe vepron gjithçka që Ai dëshiron. - Kur Jusufi arriti pjekurinë, Ne e bëmë gjykues të aftë dhe i falëm dituri. - Kur Jusufi arriti moshën e pjekurisë, - dhe kjo ndodhi kur ai ishte 18 vjeç, - Allahu i Lavdëruar na njofton se i dhuroi atij profetësinë dhe e bëri shumë të dashur mes njerëzve. - Kështu i shpërblejmë Ne vepërmirët. - Allahu dëshmon se ai ishte një bamirës i rrallë. Veprat e Jusufit ishin bindje ndaj Allahut të Lartësuar. Ai shquhej për nënshtrimin e plotë ndaj Zotit.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 12:22

- “Kur Jusufi arriti pjekurinë, Ne e bëmë gjykues të aftë dhe i falëm dituri.” - Kur Jusufi arriti moshën e pjekurisë, qoftë nga ana intelektuale, qoftë dhe nga ana fizike, dhe kur u bë i aftë të përballej me sprova të vështira dhe të mbante peshën e profetësisë dhe Shpalljes, Allahu i Lartësuar thotë që: “Ne e bëmë gjykues të aftë dhe i falëm dituri”. Domethënë, e bëmë një profet të ditur dhe një edukator të mirë e të dhembshur, që t'i udhëzojë njerëzit në rrugën e Allahut të Lartësuar. - “Kështu i shpërblejmë Ne vepërmirët.” - Ata janë bamirës në aspektin e kryerjes së adhurimeve ndaj Krijuesit, duke shfrytëzuar diturinë dhe çdo aftësi të tyre në këtë aspekt. Por, gjithashtu, janë bamirës edhe me robërit e Allahut, duke bërë çdo përpjekje e duke dhënë çdo gjë që kanë mundësi, për t’i ndihmuar dhe udhëzuar në rrugën e drejtë. Për shkak të kësaj bamirësie, mes shpërblimeve të shumta që do u dhurohen është edhe dituria e dobishme, që Allahu i Lartësuar ua shton. Sa më shumë të përkushtohesh në adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar dhe sa më i dobishëm të jesh për krijesat, aq më shumë të nderon Allahu i Lartësuar, duke të dhuruar dituri të gjerë dhe duke të mundësuar që të punosh sipas saj. Ky ajet tregon se Jusufi (a.s) e arriti gradën e ‘vepërmirit’ ose të ‘ ihsan-it’. Veç kësaj,

Allahu i Lartësuar i dhuroi atij aftësi për të gjykuar drejt mes njerëzve, dituri të madhe dhe, mbi të gjitha, gradën e profetësisë.

← Jusuf 12:22