12. Jusuf · Ajeti 34 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 12:23–12:34
Sprova e tretë për Jusufin ishte tentimi i gruas së ministrit për ta çnderuar. S'ka dyshim, si pejgamber ai ishte i kursyer prej çdo gabimi, e edhe prej tentimit të saj.Se në çfarë mase ishte maturia e Jusufit, nuk ka nevojë për ndonjë interpretim të gojëdhënave, mjafton që Zoti thotë për të se ishte prej të zgjedhurve.
Sigurisht gruan e ministrit e kishin përgojuar gratë e rrethit të shtresës më të lartë të qytetit, andaj edhe përgatitja për tubimin e tyre në ndejë ishte e rangut të lartë, kur thuhet se u përgatiti fotele mbështetëse etj. Gruaja e ministrit u përpoq t'i ikën realitetit derisa edhe gratë e qytetit ranë nën një ndikim sikurse edhe ajo, e atëherë ajo u zbulua haptazi dhe iu kërcënua Jusufit.
Jusufi, si pejgamber shprehi dëshirën për vuajtje në këtë botë dhe nuk lejoi t'u nënshtrohet dëshirave fizike, e si njeri kërkoi ndihmën e Zotit, pse prirjet e epshit janë shumë agresive, Allahu e ndihmoi, e shpëtoi prej mëkatit të turpshëm dhe e bëri shembull të përjetshëm për të gjithë rininë që përpiqet të jetë e ndershme. Për fatbardhësinë e rinisë së tillë kemi hadithin e Pejgamberit kur thotë: "Shtatë kategori i merr Zoti në mbrojtjen e vet, në atë ditë kur nuk ka mbrojtje tjetër pos mbrojtjes së Tij...", e një prej atyre kategorive e numëron: "Personin (të riun), të cilin e thërret një grua e bukur dhe autoritative, e ai thotë: i frikësohem Allahut!" - ashtu sikurse tha Jusufi dhe si thonë përherë ata që janë të ndershëm.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 12:30–12:34
Allahu i Lartësuar na njofton se lajmi për ngjarjen në shtëpinë e ministrit u përhap në qytet me shpejtësi. Njerëzit filluan të flisnin e diskutonin rreth tij: - Disa nga gratë e qytetit thanë: “Gruaja e zotërisë i është vërsulur marrëzisht shërbëtorit të vet! Asaj i ka hyrë në loçkë të zemrës dashuria për të. Me siguri që ajo e ka humbur fare.” - Gratë e aristokracisë në Egjipt filluan të flisnin me nota qortuese ndaj sjelljes së gruas së ministrit. Ato e vlerësuan sjelljen e saj si një mangësi dhe të papranueshme për gratë e asaj sëre. Ato thoshin me njëra -tjetrën: “Gruaja e zotërisë i është vërsulur marrëzisht shërbëtorit të vet! Si është e mundur që një zonjë të shkojë me shërbëtorin e saj?! Asaj i ka hyrë dashuria për të thellë në zemër!” El shegaf (në gjuhën arabe) quhet “dashuria vrasëse”. Pastaj thanë: “Me siguri që ajo e ka humbur fare! Me këtë vepër, ajo tregon se ka rënë shumë poshtë nivelit të saj.” - Kur ajo dëgjoi për thashethemet e tyre, u çoi fjalë për t’i ftuar dhe u përgatiti një gosti. - Duke iu referuar grave të Egjiptit, të cilat po flisnin për gruan e ministrit dhe ndodhinë e saj, Allahu i Lartësuar përdor fjalën “ mekrihinne”, që do të thotë: “intrigën e tyre”. Pra, thashethemet e grave ishin intrigë e përpjekje e tyre tinëzare për të arritur që ta shihnin edhe ato Jusufin, pasi dëgjuan për bukurinë e tij të rrallë. Ato po ngacmonin sedrën e gruas së ministrit, nëpërmjet këtyre fjalëve thumbuese, me qëllim që të arrinin atë që dëshironin, pra, të shihnin Jusufin. Dhe, me të vërtetë, gruaja e ministrit i ftoi ato për një gosti, ku secila do të ulej në vendin e saj. Ajo përgatiti për to një ushqim që duhej prerë me thikë, si fruta të ndryshme etj. Allahu i Lartësuar na tregon e thotë:
- Çdonjërës prej tyre i dha nga një thikë - Domethënë, ajo planifikoi një kurth edhe më të madh se ai i tyre. - dhe i tha atij (Jusufit): “Dil para tyre!” - Me dinakërinë dhe synimin e saj të mirëmenduar, ajo i tha Jusufit: “Dil para tyre!” - Kur e panë, ato ngelën të shtangura (nga bukuria e tij), aq sa prenë edhe duart - Ato u mahnitën e mbetën pa fjalë nga ajo bukuri njeriu e pashembullt. Madje, ato po prisnin gishtat së bashku me frutat që kishin në dorë dhe nuk po e ndienin. Më pas, kur ndien dhimbjen, filluan të flisnin të mahnitura. Atëherë, gruaja e ministrit u tha: “Ju, vetëm me një shikim që i bëtë atij, përfunduat në këtë gjendje! Si, pra, më qortoni mua?!” - dhe pastaj thanë: “Allahut i qofshim falë! Ky nuk është njeri. Ky duhet të jetë ndonjë melek fisnik.” - Nuk të qortojmë aspak për atë që ke kaluar, pas asaj që pamë. Jusufit i ishte dhënë një bukuri e rrallë. Madje, - siç thuhet në hadithin e Israsë, - atij i ishte dhënë gjysma e të gjithë bukurisë. Konkretisht, në hadith thuhet: 1515. “Profeti kaloi pranë Jusufit në qiellin e tretë dhe tha: “Atij i ishte dhënë gjysma e të gjithë bukurisë.” Ndërsa Hamad Ibn Seleme përcjell nga Thabiti, e ky nga Enesi, se Profeti i Allahut ka thënë: 1516. ”Jusufit dhe nënës së tij iu dha gjysma e të gjithë bukurisë.” Për këtë arsye, gratë e Egjiptit thanë: “Allahut i qofshim falë! Ky nuk është njeri! Ky duhet të jetë ndonjë melek fisnik!” - Atëherë, ajo tha: “Ja, ky është ai, për të cilin ju më fajsuat. - Ajo i thoshte këto për të shfajësuar veten për atë veprim. Kështu, ajo sikur po thoshte se është mëse natyrshme që një njeri i tillë të dëshirohet aq fort. Para bukurisë e përsosmërisë së tij, kushdo është i pafuqishëm për të duruar. - Unë u përpoqa ta tundoja atë, po ai u përmbajt fort. - Kjo vetëpërmbajtje dhe refuzimi i tij ishin tregues të bukurisë së tij shpirtërore. Tek Jusufi ishin bashkuar bukuria trupore dhe bukuria e moralit, bukuria e jashtme dhe ajo e brendshme. Pastaj ajo e kërcënoi Jusufin, që të arrinte qëllimin e saj: - Por, nëse nuk bën atë që e urdhëroj unë, ai do të burgoset dhe do të poshtërohet.”. - Pas këtyre fjalëve, Jusufi i kërkoi mbrojtje e strehim Allahut të Madhëruar nga sherri dhe kurthet e intrigat e grave. Ai tha: - Ai tha: “O Zoti im! Parapëlqej më shumë burgun, sesa atë ku më ftojnë ato. - Kurrsesi nuk do të zgjidhja poshtërsinë, edhe nëse më duhet të duroj burgun! - Nëse Ti nuk e largon kurthin e tyre prej meje, unë mund të prirem drejt tyre e të hyj në rradhën e të paditurve.”. - Nëse më lë të mbështetem në veten time, o Zot, atëherë unë jam i pafuqishëm për ta ruajtur veten nga ndonjë dëm ose që të përfitoj ndonjë të mirë, veç nëse Ti më dhuron fuqi, o Zoti im! Ti je i vetmi Ndihm ues i imi dhe vetëm tek Ti i kam shpresat! Mos më lejo, o Zot, që të mbështetem në forcat e mia, sepse kështu mund të prirem drejt tyre dhe të hyj në radhën e të paditurve! Kështu, Allahu i Lavdëruar i ofroi një mbrojtje madhështore,
duke e bërë të qëndrueshëm ndaj joshjes dhe kërcënimit të gruas së ministrit. Ai ishte gati të përballonte më mirë burgun, sesa të binte në atë poshtërsi. Ky ishte nivel tepër i lartë i moralit, sepse dihej që Jusufi në atë kohë ishte në kulmin e moshës e të dëshirave të saj. Ai ishte djalosh i hijshëm, i plotë në burrërinë dhe freskinë e tij, që ftohej nga një zonjë shumë e bukur, e pasur dhe e pushtetshme. Megjithatë, ai zgjodhi vuajtjen dhe burgun, përkundrejt poshtërsisë. Këtë e bëri veçse nga frika e respekti për Allahun, si dhe me shpresën për shpërblimin e Tij. Në dy Sahih-ët vjen hadithi se Profeti i Allahut ka thënë: 1517. “Allahu do të fusë nën hijen e (krijuar prej) Tij shtatë persona, atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër, veç hijes së (krijuar prej) Tij...” Dhe mes tyre përmendi: “një burrë të cilin e fton për imoralitet një grua e pushtetshme dhe e bukur, por ai thotë: “Unë kam frikë Allahun, Zotin e botëve...”152 - Zoti e pranoi lutjen e tij dhe ia largoi kurthin e tyre. Vërtet, Ai dëgjon e di gjithçka.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 12:30–12:35
- “Disa nga gratë e qytetit thanë: “Gruaja e zotërisë i është vërsulur marrëzisht shërbëtorit të vet.”” - Kjo tregon se lajmi u përhap gjerësisht në qytet, aq sa gratë e atjeshme po e përmendnin shpesh në bisedat e tyre. Sipas gjykimit të tyre, kjo ishte një ngjarje shumë e shëmtuar. Një grua e një sëre të lartë, me burrin ministër, kishte rënë nivel aq të ulët, sa të ngacmonte shërbëtorin e saj. Ajo kishte rënë marrezisht në dashuri me të, siç thoshin ato: - “Asaj i ka hyrë në loçkë të zemrës dashuria për të.” - Dashuria për të ka arritur në thellësi të zemrës së saj. “ Shegaf” ose “loçka” është pjesa më e thellë dhe më e fshehtë e zemrës. Kur dashuria arrin deri aty, tregon se kjo ndjenjë është tepër e fuqishme. Gratë thoshin gjithashtu: - “Me siguri që ajo e ka humbur fare!” - Kjo gjendje nuk ka lidhje me nivelin e saj. Ajo është shumë e kritikueshme për njerëzit e sërave të larta. Megjithatë, nëpërmjet këtyre fjalëve, ato nuk donin thjesht që të ulnin figurën e asaj gruaje, por dëshironin që edhe ato të kishin mundësi ta shikonin Jusufin. Ato donin ta shikonin me sytë e tyre këtë djalë, që bëri për vete atë grua të bukur dhe me pushtet. Ato donin ta bënin gruan e Ministrit që të detyrohej t’i thërriste dhe t’ua prezantonte këtë djalosh kaq të bukur, me qëllimin që ato ta jusifikonin pastaj. Prandaj dhe në ajet fjalët e tyre quhen “ mekra”, pra, kurth. Allahu i Lartësuar thotë: - “Kur ajo dëgjoi për thashethemet e tyre, u çoi fjalë për t’i ftuar...” - Atëherë, gruaja e Ministrit i ftoi gratë e qytetit në pallatin e saj për një gosti, me qëllim që atje t’u prezantonte Jusufin (a.s.). - “...dhe u përgatiti një gosti. Çdonjërës prej tyre i dha nga një thikë dhe i tha atij (Jusufit): “Dil para tyre!”” - Ajo shtroi një tryezë plot me ushqime dhe pije të shijshme. Disa ushqime ose fruta kishin nevojë për thikë, siç janë qitrot për shembull, prandaj të gjitha gratë morën nga një të tillë. Më pas, ajo urdhëron Jusufin të dilte para atyre, me gjithë bukurinë dhe hijeshinë e tij. Duke përshkruar reagimin e tyre të çuditshëm, Allahu i Madhëruar thotë: - “Kur e panë, ato ngelën të shtangura (nga bukuria e tij), aq sa prenë edhe duart dhe pastaj thanë: “Allahut i qofshim falë! Ky nuk është njeri. Ky duhet të jetë ndonjë melek fisnik.”.” - Ato u mahnitën nga bukuria e Jusufit. Ato nuk kishin parë kurrë një bukuri të tillë. Aq u çuditën dhe u mrekulluan nga ajo pamje, saqë Allahu i Plotfuqishëm thotë: “aq sa prenë edhe duart”. Ato prenë duart e veta me thikat që kishin për të prerë frutat dhe ushqimet, duke thënë: “Allahut i qofshim falë! Ky nuk është njeri. Ky duhet të jetë ndonjë melek fisnik.” Jusufit i ishte dhënë një bukuri, nur e hijeshi e jashtëzakonshme. Për të gjithë ata që e shikonin, ai ishte një shenjë dhe një argument bindës për madhështinë e veprës së Allahut të Lartësuar. Në fakt, gratë panë vetëm bukurinë e jashtme të Jusufit, pa vërejtur bukurinë e tij të brendshme, e megjithatë u mahnitën pas tij. Pa dyshim, në të tillë situatë, ato e kuptuan qartë justifikimin e gruas së Ministrit dhe se çfarë
kishte ndodhur me të. Kështu, pasi u tregoi bukurinë e jashtme të Jusufit, gruaja e Ministrit u foli grave të tjera edhe për bukurinë e tij të brendshme: për ndeshmërinë dhe pastërtinë e tij morale të plotë. Jo vetëm kaq, por e dehur tërësisht nga dashuria për të, ajo nuk pyeti fare se çfarë mendonin të tjerët, por nisi t’u tregonte vetë se si e kishte joshur Jusufin dhe se si ai ishte përmbajtur dhe i ishte larguar këtij tundimi. Pastaj tha: - “Atëherë, ajo tha: “Ja, ky është ai, për të cilin ju më fajsuat. Unë u përpoqa ta tundoja atë, po ai u përmbajt fort.” - Me gjithë këmbënguljen e saj për ta joshur, Jusufi ishte larguar dhe ishte mbrojtur. Nga ana tjetër, sa më shumë kalonte koha, aq më tepër shtohej dashuria për këtë djalosh kaq të përmbajtur dhe të ndershëm. E verbuar dhe e dehur nga kjo dashuri, mu në sy të atyre grave të tjera, ajo thotë: - “Por, nëse nuk bën atë që e urdhëroj unë, ai do të burgoset dhe do të poshtërohet.”. - Me anë të kërcënimit, ajo kërkonte të plotësonte dëshirën e saj. Por Jusufi (a.s) i drejtohet Zotit të tij, duke i kërkuar strehim, mbrojtje dhe ndihmë, që ta shpëtonte nga kurthi i tyre: - “Ai tha: “O Zoti im! Parapëlqej më shumë burgun, sesa atë ku më ftojnë ato.” - Kjo tregon se edhe gratë e tjera filluan ta joshnin Jusufin që të bënte edhe me to atë që kërkonte zonja e tij. Megjithatë, Jusufi zgjodhi më mirë burgun dhe ndëshkimin e kësaj dynjaje, kundrejt kënaqësisë së përkohshme, që sjell ndëshkimin e ashpër dhe zemërimin e Allahut të Lartësuar. Pastaj, me përunjësinë dhe përgjërimin e një robi plot edukatë dhe madhërim për Zotin e tij, ai u lut: - “Nëse Ti nuk e largon kurthin e tyre prej meje, unë mund të prirem drejt tyre e të hyj në rradhën e të paditurve.”.” - Kuptimi: Pas gjithë këtyre joshjeve dhe intrigave, unë mund të tërhiqem prej tyre, sepse unë jam i dobët dhe i pafuqishëm. Unë nuk mund të duroj të tilla sprova, nëse Ti, o Zoti im, nuk e largon prej meje efektin e këtyre joshjeve. Pa ndihmën dhe mëshirën Tënde, unë mund të anoj për nga ato, duke u bërë kështu një i paditur. Do të ishte injorancë e thellë prej meje, nëse do t’i jepja përparësi një kënaqësie të përkohshme dhe kaq të parëndësishme, ndaj premtimit të Allahut të Madhëruar. Nëse do të harroja kënaqësitë e përsëritshme, të njëpasnjësh - me, të pafundme dhe të përjetshme në Xhenetin e begatshëm të Allahut të Lartësuar, do të isha më i humburi dhe i dëshpëruari. Kënaqësitë e Xhenetit janë të larmishme, të shumta dhe të përjetshme. Asnjëherë nuk velesh prej tyre. Dituria, urtësia dhe mençuria të bëjnë që t’i japësh përparësi dobisë dhe kënaqësisë më të madhe dhe të përjetshme. Atëherë, Allahu i plotfuqishëm thotë: - “Zoti e pranoi lutjen e tij dhe ia largoi kurthin e tyre.” - Allahu i Madhëruar iu përgjigj Jusufit, duke e larguar kurthin e tyre. Gruaja e Ministrit vazhdonte ta joshte, por ai vazhdonte t’i mbështetej e t’i kërkonte ndihmë Allahut të Lartësuar aq sa mundej, derisa ajo i humbi shpresat. Kështu, Allahu i Plotfuqishëm e largoi të keqen e saj. - Vërtet, Ai dëgjon e di gjithçka.” - Allahu e dëgjon atë që lutet dhe është i gjithëditur për qëllimet që fshihen në gjoks. Ai di edhe për dobësinë e njeriut në të gjitha aspektet. Njeriu është i pafuqishëm vetë dhe kurrë nuk ka sukses pa ndihmën, mbështetjen dhe butësinë e Allahut të Lartësuar. Kështu e shpëtoi Allahu i Madhëruar Jusufin (a.s) nga kjo sprovë kaq e vështirë dhe shkatërruese, por çështja tashmë ishte përhapur te njerëzit. Mes tyre kishte nga ata që e justifikonin, kishte nga ata që shpifnin dhe kishte nga ata që qortonin. Atëherë, paria mori një vendim: - “Më pas, edhe pasi panë argumentet, ata e vendosën (padrejtësisht) që ta burgosnin atë (Jusufin) për njëfarë kohe.” - Duke parë situatën që ishte krijuar, edhe pse kishte argumente të qarta që tregonin për pastërtinë dhe pafajësinë e Jusufit, ata
vendosën që ta burgosnin atë për njëfarë kohe.