12. Jusuf · Ajeti 57 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 12:43–12:57

Mbreti që si duket quhej: Rejjan bin Velid, e sheh ëndërrën dhe kërkon prej dijetarëve t'ia intepretojnë domethënien e saj, e derisa nuk qenë në gjendje t'ia shpjegojnë, ia zhvlerësuan edhe ëndërrën. Në atë kohë, e pas sa vitesh, shërbëtori i mbretit që kishte qenë me Jusufin në burg dhe ishte liruar, i përkujtohet, Jusufi dhe porosia që i pat thënë: përkujtom..., i tha mbretit dhe parisë, nëse më lejoni të shkoj te një njeri, ai do të dijë të shpjegojë. Burgu paska qenë jashtë qytetit, andaj shërbëtori thotë: më dërgoni... Shkon te Jusufi dhe ai ia shpjegon sinjalizimin e ëndërrës. Mirëpo, Jusufi i thotë atij të deleguarit të mbretit që të kthehet dhe të shkojë te mbreti e ta pyes: "A e di ai punën e atyre grave, a e di përse Jusufi qëndroi në burg pa gabim, a e di se gratë ishin shkaktare për burgosjen e tij" Jusufi nuk pranon të dalë nga burgu para se të pastrohej.

Mbreti i tubon gratë, të cilat kishin qenë ndejë te gruaja e ministrit Kitfir-azizit, te Zylejhaja dhe ndriçoi çështjen e Jusufit derisa ato u deklaruan se Jusufi ishte i pafaj, e në fund edhe Zylejhaja pranoi se Jusufi ishte i ndershëm.

"Nuk e çfajsoj epshin.."', nëse këtë e ka thënë Jusufi, ka pasur për qëllim të mos krenohet me vetveten, edhe pse ishte i pastër, e nëse e ka thënë Zylejhaja, atëherë e ka thënë realitetin.

Pasi që vërteton drejtësinë dhe maturinë e Jusufit, mbreti e afron pranë vete dhe i jep pozitë të madhe, duke caktuar përgjegjës të depove të mbretërisë. Kjo ishte mëshirë e të madhit Allah që ia dhuron atij që do, e dhurata më e madhe e Tij është ndihma ndaj njeriut që ai ta besojë, t'i respektojë urdhërat e Tij e më në fund ta përjetojë shpërblimin e madh në jetën tjetër.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 12:54–12:57

- Atëherë, Mbreti tha: “Ma sillni këtu atë, ta mbaj pranë vetes sime!” - Allahu i lavdëruar na tregon se kur mbreti mësoi për pastërtinë dhe dëlirësinë e Jusufit nga akuzat e ngritura kundër tij, ai urdhëroi ta sillnin pranë tij: “Ma sillni këtu atë, ta mbaj pranë vetes sime!” Domethënë, ta bëj atë nga këshilltarët e mi me të afërt. - Pasi bisedoi me të, tha: “Tashmë ti ke një pozitë të lartë dhe je i besueshëm për ne”. - Kështu, pasi bisedoi me Jusufin, ai kuptoi mirë mençurinë, urtësinë dhe vlerat e larta të tij. Ai kuptoi shkathtësinë e Jusufit në opinionet dhe mençurinë që tregonte. Ai pa, gjithashtu, bukurinë e pashembullt dhe moralin e rrallë të Jusufit. Për këtë arsye, i tha: “Tashmë, ti ke një pozitë të lartë dhe je i besueshëm për ne!”. Domethënë, tashmë je njeri me pozitë dhe i besueshëm. Atëherë Jusufi i drejtohet dhe i thotë: - Ai (Jusufi) tha: “Më cakto mua si përgjegjës të depove të vendit! Unë të ofroj besnikërinë dhe diturinë time.”. - Sipas këtij ajeti, është e lejueshme që dikush të lëvdohet duke nxjerrë në pah aftësitë e vlerat e veta, para dikujt që nuk i njeh ato, nëse diçka e tillë është e nevojshme. Jusufi i tha mbretit se ai ishte besnik dhe i ditur, në lidhje me përgjegjësitë dhe organizimin e punës gjatë viteve që do të vijonin. Ai do të ishte personi i duhur për organizimin e punës në mënyrën më të dobishme e të drejtë, gjatë viteve të treguara në ëndrrën e mbretit. Mbreti e pranoi kërkesën e Jusufit për atë post. - Kështu, Ne i dhamë Jusufit pozitë të lartë në atë vend, që ai të zotëronte çfarë të dëshironte e ku të dëshironte. - Në Egjipt, Jusufi gëzonte tashmë një pozitë të lartë dhe mund të vendosej e të merrte çfarëdo toke në të. Pas gjithë atyre vështirësive e sprovave, ai tashmë po ngrihej në pozitë të lartë. - Ne e bekojmë me mëshirën Tonë atë që duam dhe kurrë nuk ua humbim shpërblimin vepërmirëve. - Allahu kurrsesi nuk e humbi shpërblimin për durimin e Jusufit ndaj vuajtjeve që i shkaktuan vëllezërit e vet dhe burgosjes për shkak të gruas së Ministrit. 154 Allahu i Lartësuar e shpërbleu këtë njeri të sinqertë, duke i dhuruar krenari, paqe, fitore dhe mbështetje të madhe në tokë. Allahu i Lartësuar thotë: - Por pa dyshim, shpërblimi i botës tjetër është shumë më i mirë për ata që besojnë dhe janë të devotshëm. - Ky është premtimi për shpërblimin e Jusufit në jetën tjetër. Ai shpërblim është shumë herë më i madh dhe i mrekullueshëm sesa shpërblimet e kësaj dynjaje, më i madh se pushteti që iu dha në tokë. Mbreti i atij vendi ishte Rejjan Ibn Uelid, i cili i dha Jusufit postin e ministrit të depove. Thuhet se mbreti pranoi Islamin nga ftesa e Jusufit. Kështu ka shpjeguar Muxhahidi. Thuhet, gjithashtu, se Jusufi e mori postin e ministrit pas vdekjes së këtij të fundit, ashtu siç thuhet edhe se Jusufi u martua me gruan e ministrit, pasi asaj i vdiq i shoqi.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 12:50–12:57

- “Mbreti tha: “Ma sillni këtu atë (Jusufin)!”” - Mbreti urdhëroi që t’ia sillnin aty Jusufin. Por kur i dërguari i Mbretit shkoi në burg dhe i përcolli Jusufit urdhrin e Mbretit, Jusufi refuzoi që t’i përgjigjej menjëherë. Këtë e bëri për arsye që, fillimisht, të pastrohej figura e tij dhe të dilte në pah pafajësia e plotë për krimin që e kishin akuzuar dhe për të cilin e kishin burgosur. Sigurisht, kjo tregon për durimin e këtij profeti të zgjedhur dhe për logjikën e fortë dhe të hollë të tij. Jusufi i drejtohet të dërguarit të Mbretit dhe i thotë: - “Kur i dërguari shkoi te Jusufi, ai i tha: “Kthehu te zotëria yt dhe pyete: “Si është puna e atyre grave që prenë duart e veta?”! - Shko tek Mbreti yt dhe pyete atë rreth atyre grave që prenë duart e tyre! Kërkoju atyre shpjegim për gjithçka që ndodhi në atë kohë, sepse kjo është çështje shumë e njohur për njerëzit! - “Vërtet, Zoti im e di shumë mirë dredhinë e tyre”. - Çojini ato gratë te Mbreti dhe kërkojuni shpjegim për gjithçka që ndodhi! Vërtet, Zoti im e di shumë mirë dredhinë e tyre dhe ka për ta nxjerrë në pah të vërtetën. Kështu, kur ato u paraqitën përpara Mbretit, ai u tha: - “Si qe puna juaj, kur deshët të tundonit Jusufin?” - Ai u kërkoi shpjegim të qartë dhe të hollësishëm për Jusufin. A ishte ai vërtet fajtor për ato çfarë flitej dhe për të cilat ishte burgosur, apo ishte i pastër? Atëherë ato, duke dëshmuar për pastërtinë dhe pafajsinë e Jusufit, thanë: - “Zoti na ruajt! Nuk dimë që ai të ketë bërë ndonjë të keqe.” - Nuk njohim ndonjë të keqe që mund ta ketë bërë ai, as të vogël dhe as të madhe. Me këtë deklaratë u rrëzua tërësisht akuza kundër Jusufit dhe mbeti vetëm dëshmia e gruas së Ministrit. Allahu i Lartësuar thotë: - “Gruaja e Ministrit tha: “Tani do të dalë në shesh e vërteta.”” - Tani doli në pah e vërteta dhe u rrëzuan të gjitha akuzat që rëndonin mbi Jusufin. Ai u dënua padrejtësisht me burg, për shkak të një faji që kurrë nuk e pati kryer. Duke nxjerrë në pah më shumë pastërtinë e Jusufit, ajo tha: - “Isha unë ajo që ngulmova ta tundoj atë, kundër dëshirës së tij. Ai është vërtet njeri i drejtë.” - Ai është i dëlirë dhe i vërtetë, si në fjalë, ashtu edhe në të gjitha veprat e tij. Pastaj ajo tha: - “Këtë e them për ta ditur se unë nuk e kam tradhtuar asnjëherë atë...” - Unë e pranoj gabimin thjesht për një qëllim: për ta ditur se unë nuk e kam tradhtuar asnjëherë

atë. Ka mundësi që ajo të ketë patur për qëllim sqarimin e burrit të saj, domethënë: “që ta kuptojë burri im se unë thjesht e tundova atë, por nuk kam bërë asgjë më tepër se kaq.”. Por ka mundësi që kuptimi të jetë gjithashtu: “që ta dijë Jusufi se, me këtë deklaratë, domethënë pranimi që isha unë ajo që e tundova atë, unë kam për qëllim që të dalë në pah sinqeriteti i tij. Le ta kuptojë ai se, edhe gjatë kohës kur ai ka qenë në burg, unë gjithmonë e kam pranuar dhe deklaruar pastërtinë e tij.”. - “...dhe se Allahu nuk u jep sukses dredhive të tradhtarëve.” - E bëj këtë dëshmi - thotë gruaja e Ministrit, - edhe për të treguar se çdo intrigant dhe trillues do ta pësojë një ditë nga intrigat dhe mashtrimet e tij. Nuk ka dyshim se çështja do të qartësohet dhe e vërteta do të dalë në pah. Por duke qenë se në fjalët e saj dukej qartë një lloj justifikimi dhe dëshmie për pastërtinë e shpirtit të saj, a thua se ajo nuk kishte kryer ndonjë faj ndaj Jusufit, menjëherë tha: - “Unë kurrsesi nuk e shfajësoj veten time.” - Unë nuk dua të tregoj se jam e pafajshme në lidhje me animin drejt haramit dhe nuk e refuzoj se e dëshirova me forcë, madje planifikova edhe kurthin për ta realizuar këtë çështje. Unë e pranoj këtë gabim dhe dëshmoj se: - “Sigurisht, shpirti (i njeriut) është i prirur për ligësi,...” - Nefsi urdhëron shpesh njeriun për të kryer vepra të këqija. Nefsi që urdhëron për të keq është ndër armët, miqtë dhe aleatët më të fortë të shejtanit të mallkuar. Përmes tij, i mallkuari ndërhyn dhe ndikon fort tek njerëzit, por jo tek të gjithë. - “përveç atij që e ka mëshiruar Zoti im.” - Ata të cilët Allahu i Lartësuar i ka mëshiruar, i ka shpëtuar nga ky lloj nefsi (shpirti ose prirje) që i urdhëron për të këqija. Madje, tek ata, ky nefs është bërë “mutmeinne”- i qetë, që ka gjetur prehjen dhe kënaqësinë tek Zoti i tij. Ai është nënshtruar për t’iu bindur dhe për të jetuar sipas ftuesit të Allahut të Lartësuar dhe udhëzimeve të tij. Sigurisht, kjo nuk është aspak meritë e vetë nefsit, por është një dhuratë dhe bamirësi nga Allahu i Lartësuar, i Cili është Bujar, Mëshirëplotë dhe i Dashur me të zgjedhurit e Tij: - “Me të vërtetë, Zoti im është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Allahu është El Gafur - Falësi i Madh , i cili fal të gjitha gjynahet e atyre që i kryejnë ato dhe pastaj pendohen dhe kthehen të nënshtruar, duke kërkuar faljen dhe mëshirën e Tij. Gjithashtu, Allahu është El Rahim - Mëshirëplotë, sepse Ai ua pranon pendimin të penduarve, u jep sukses atyre që të bëjnë punë të mira dhe i ndihmon që të largohen nga çdo vepër e keqe. Ky është mendimi më i saktë në lidhje me këto ajete. Pra, këto fjalë janë thënë nga gruaja e Ministrit dhe jo nga Jusufi, sepse i gjithë konteksti e tregon këtë. Madje, Jusufi në ato momente ishte akoma në burg dhe nuk ishte pranë Mbretit. Atëherë, pasi të gjithë u qartësuan për pafajësinë dhe dëlirësinë e plotë të Jusufit, Mbreti tha: - “Atëherë, Mbreti tha: “Ma sillni këtu atë, ta mbaj pranë vetes sime!” - Kuptimi: Ma sillni këtu para meje, sepse unë e kam zgjedhur për të qenë nga shoqëruesit e mi më të afërt. Ai do të jetë i nderuar, i respektuar dhe i vlerësuar pranë meje. - “Pasi bisedoi me të, tha: “Tashmë ti ke një pozitë të lartë dhe je i besueshëm për ne.”.” - Kur Jusufi filloi t’i fliste, respekti i Mbretit për të u shtua, prandaj i tha: “Tashmë ti ke një pozitë të lartë dhe je i besueshëm për ne. Ti do të kesh postin e një sekretari besnik, që është në gjendje të ruajë sekretin. Atëherë Jusufi, duke dashur që të jetë edhe më i dobishëm për popullin, i thotë Mbretit: - “Ai (Jusufi) tha: “Më cakto mua si përgjegjës të depove të vendit!” - Kështu, Jusufi i kërkoi që të bëhej ministër i depove dhe ekonomisë së mbretërisë, me qëllim që të kujdesej ai për të gjitha të ardhurat e tokës dhe administrimin e tyre. Më pas tha: - “Unë të ofroj besnikërinë dhe diturinë time.”.” - Unë jam shumë i kujdesshëm.

Pasurinë e vendit do ta shpenzoj atje ku duhet dhe asgjë nuk do të humbasë. Unë do të jem korrekt në mbulimin e kësaj detyre. Unë di si të administroj gjithçka që futet dhe del nga depoja. Unë të premtoj besnikëri dhe urtësi në punë. Kjo nuk tregon se Jusufi thjesht lakmonte të ishte në krye të kësaj detyre, por që ai dëshironte të ishte i dobishëm me diturinë dhe drejtësinë e tij. Duke qenë se ai i njihte mirë aftësitë e veta për ta bërë atë punë, ai e kuptoi se do të ishte shumë e dobishme për të gjithë njerëzit që këtë post ta merrte ai. Edhe nga ana tjetër, duke qenë se të tjerët nuk e kishin ndershmërinë dhe aftësinë e Jusufit, ai u ndie i detyruar që ta kërkonte haptas diçka të tillë. Pas kësaj kërkese, Mbreti e vendosi atë si përgjegjës të depove të mbretërisë, siç tregon Allahu i Lartësuar: “Kështu, Ne i dhamë Jusufit pozitë të lartë në atë vend, që ai të zotëronte çfarë të dëshironte e ku të dëshironte.” - Kështu, Allahu i Lartësuar i mundësoi Jusufit një jetë të mirë plot begati, pasuri, pushtet dhe autoritet. E si të ishte ndryshe, kur ajo ishte mirësi e dhuruar prej Allahut të Lartësuar për profetin e Tij të dashur dhe të devotshëm?! Thotë i Lartësuari: - “Ne e bekojmë me mëshirën Tonë atë që duam dhe kurrë nuk ua humbim shpërblimin vepërmirëve.” - Kjo ishte mëshira e Allahut të Lartësuar për Jusufin. Ajo ishte dhuratë nga Allahu i Lartësuar, që është bujar dhe bamirës me të sinqertët dhe të dashurit e Tij. Sigurisht, mëshira e Allahut të Lartësuar për Jusufin dhe për të sinqertët nuk është e kufizuar vetëm për këtë botë, por edhe për ahiretin. Premtimi për botën e ardhshme është i mrekullueshëm: - “Por pa dyshim, shpërblimi i botës tjetër është shumë më i mirë për ata që besojnë dhe janë të devotshëm.” - Jusufi ishte një nga prijësit e vepërmirëve (muhsinin), prandaj meritoi shpërblim në dynja dhe në ahiret. Siç thotë Allahu i Lartësuar: shpërblimi i botës tjetër, është shumë herë më i mirë për besimtarët dhe të devotshmit, për ata që besojnë drejt dhe jetojnë sipas besimit të pastër. Ata largohen nga gjynahet e mëdha dhe nga gjynahet e vogla. Ndërsa imani i tyre i plotë konsiston në pranimin e sinqertë të gjithçkaje që ka urdhëruar Zoti të besohet, duke e shoqëruar me akte zemre dhe trupi, duke kryer të gjitha detyrimet dhe veprat e pëlqyeshme. Është ky lloj besimi që i shtyn ata të kryejnë të gjitha këto gjëra që i do dhe i pëlqen Allahu i Lartësuar.

← Jusuf 12:57