13. Rad · Ajeti 26

سورة الرّعد
Përkthimi Sherif Ahmeti
26

ٱللَّهُ يَبۡسُطُ ٱلرِّزۡقَ لِمَن يَشَآءُ وَيَقۡدِرُۚ وَفَرِحُواْ بِٱلۡحَيَوٰةِ ٱلدُّنۡيَا وَمَا ٱلۡحَيَوٰةُ ٱلدُّنۡيَا فِي ٱلۡأٓخِرَةِ إِلَّا مَتَٰعٞ

All-llahu i ofron furnizim me bollëk atij që do dhe ia kufizon (atij që do). Po ata (jobesimtarët) janë të gëzuar me jetën e kësaj bote. E jeta e kësaj bote ndaj botës tjetër nuk është tjetër vetëm se një përjetim (i shkurtër).*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Njëri ndër argumentet që japin të kuptosh për fuqinë e pakufishme të Zotit Krijues është shiu i kohëpaskohshëm, i cili i jep jetë çdo sendi e gjallese. Prej shiut formohen ujërrjedhëse të mëdha ose të vogla dhe gjatë rrjedhjes së ujit me vrull formohet një shkumë, e cila qëndron mbi sipërfaqen e ujit dhe duket si një begati. Në të vërtetë, ajo është vetëm një mashtrim, pse pas pak kohe ajo, së bashku me mbeturinat skajohet buzëve të rrjedhës, e prej saj nuk ka kurrfarë dobie. I dobishëm ishte uji, të cilin e thithi toka, formoi lagështi të cilën e ruan për ushqimin e bimëve. E pavërteta, e kota në këtë jetë duket se po rritet, po përparon, e në realitet ajo nuk është asgjë, s’ka dobi prej saj dhe zhduket shumë shpejt. Ndërsa vepra e mirë, e drejtë dhe e vërtetë, është si uji që mbetet në tokë dhe ruhet për një nevojë më të madhe. Njerëzit janë të urdhëruar ta mbajnë besën e dhënë Allahut: besimin në një Zot, besimin në të gjithë pejgamberët dhe shpalljet dhe ta ruajnë afërsinë e gjakut mes vete, të mbajnë lidhje me të afërmit dhe kurrsesi të mos e këpusin atë. Njerëzit që respektojnë porositë e Zotit do të shpërblehen me qendrën e xheneteve dhe për hir të asaj që ata në dynja ishin të durueshëm në zbatimin e detyrimeve dhe në shmangien e dëshirave të epshit ndaj veprave të këqija, melaiket do t’i përshëndesin, do t’ju urojnë kënaqësinë e përjetshme, e Zoti i Madhëruar do t’ua bashkojë atyre në xhenet, edhe prindërit, edhe bashkëshortet, edhe fëmijët, e për të mos i lënë me ndonjë brengë, kuptohet nëse edhe këta të fundit sado kudo kanë vepra të mira.