14. Ibrahim · Ajeti 52 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 14:42–14:52
Zoti xh. sh. i thotë Muhammedit: mos mendo se Zoti është i kënaqur me punën që e bëjnë mëkatarët, e as që i ka harruar ata, por është duke i lënë deri në atë ditë kur të dalin para Zotit e nga frika do të ju shtangen sytë, do t'u mbetet kryet lart, duke shikuar se çka po i gjen sa që nuk lëvizin qerpikët e syve për të shikuar diç tjetër, e zemrat e tyre do të jenë të pikëlluara.
Mëkatarët do të kërkojnë t'u jepet afat e të besojnë, por ata që betoheshin sa ishin në dynja, se nuk kanë për t'u ringjallur edhepse ishin mu në ato vende banorët e të cilëve ishin zhdukur nga ndëshkimet si mëkatarë. Megithatë, ata bënin lloj-lloj dredhishë, u përpoqën ta mbytnin Muhammedin, por plani i Zotit asgjësonte dredhitë e tyre.
Toka në të cilën jemi tash dhe qiejt do të shndërrohen në tokë e qiej të tjerë. Çfarë do të jetë ajo e di vetëm Zoti. Sipas një hadithi që e shënuan Sahihajnit: do të jetë tokë e bardhë e shkëlqyer si argjendi, tokë në të cilën nuk është bërë mëkat as nuk është derdhur gjak..., Kur'ani është shpallur për të mirën e njerëzve, për të kuptuar se nuk ka Zot tjetër pos Allahut një dhe për t'u udhëzuar e gjetur rrugën e drejtë që është shpëtim për ta, por vetëm për ata që e angazhojnë sinqerisht mendjen e tyre.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës Ibrahim.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 14:52
- Ky është një mesazh për njerëzit... - Allahu i Lartësuar na tregon se Kur ’ani është një mesazh i qartë dhe i plotë për njerëzit, sikurse thotë në një ajet tjetër: “... Mua më është shpallur ky Kur ’an, që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet. ...” [En’am 19]. Ai është një kumt i qartë për të gjithë njerëzit dhe xhindët, siç e pohon i Lartësuari që në fillim të kësaj sureje: “Elif, Lam, Ra. Ky është një Libër, të cilin Ne ta shpallëm ty, që, me lejen e Zotit, t’i nxjerrësh njerëzit prej errësirave në dritë, në Rrugën e Ngadhënjimtarit të Lavdëruarit...” - që ata të marrin këshillë... - Domethënë, që të përfitojnë nga këshillat e mësimet e tij (dhe kështu të frikësohen e të shpresojnë). - dhe ta dinë mirë se Ai është i Vetmi i Adhuruar - Përmes fakteve e argumenteve, që gjenden në të, të argumentojnë e të binden se Ai është një i Adhuruar i vetëm e pa ortak dhe askush tjetër nuk meriton adhurimet, përveç Tij. - dhe që të nxjerrin mësim ata që kuptojnë. - Ata që kanë logjikë të pastër e të plotë. Ky është fundi i sures Ibahim. Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet i qofshin Allahut, Zotit të botëve! 4 / 3 / 1389 ose 20 / 5 / 1969
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 14:47–14:52
- Kurrsesi mos mendo se Allahu nuk do ta mbante premtimin që u dha të dërguarve të Tij. - Allahu i Lartësuar ka premtuar se do t’i shpëtojë e dhurojë fitore profetëve dhe pasuesve të denjë të tyre. Ai do t’u dhurojë atyre lumturi në këtë jetë dhe në tjetrën. Nga ana tjetër, Ai ka dhënë fjalën se do t’i shkatërrojë armiqtë e profetëve dhe të së vërtetës me dënim të rëndë në këtë jetë dhe në ahiret. Kështu, kurrë mos mendoni se Allahu do ta shkelë premtimin e Tij. Ai do të realizohet patjetër, sepse është fjala e vërtetë e Zotit, e sjellë përmes profetëve, besnikëve më të zgjedhur mes krijesave të Tij. Kjo është grada më e lartë e saktësisë dhe vërtetësisë së lajmit. Gjithashtu, kjo është në përputhje të plotë me urtësinë e Krijuesit dhe rregullat e krijimit të Tij. Kjo përputhet, po ashtu, edhe me logjikën e saktë dhe të shëndetshme, që e do drejtësinë. Allahut nuk mund t’i shpëtojë asgjë. sepse: - Allahu është Ngadhënjimtar dhe ka ndëshkim të ashpër.... - Nëse Allahu i Lartësuar dëshiron të ndëshkojë dikë, ai person kurrsesi nuk mund t’i shpëtojë dhe nuk mund t’i fshihet Allahut dhe dhënies së llogarisë në Ditën e Gjykimit. - Një ditë Toka do të shndërrohet në tjetër Tokë, e po kështu edhe qiejt - Atë ditë, qiejt dhe toka do të ndryshohen. Këtu bëhet fjalë për ndryshim cilësor të tyre. Ditën e Gjykimit, toka do të sheshohet dhe hapet, ashtu siç bëhet me lëkurën e tharë, duke u zhdukur malet dhe çdo lloj relievi. Ajo do të kthehet, ashtu sikurse thotë Zoti: "Të pyesin ty për malet. Thuaj: “Zoti im do t’i shkulë ato dhe do t'i shpërndajë si
pluhur.”. Dhe vendin e tyre ta bëjë rrafsh e pa kurfarë bimësie. As ultësira e as lartësira nuk do të shohësh në vendin e tyre." [Ta Ha 105 - 107]. Ndërsa qielli do të bëhet, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: "Ditën, kur qielli të bëhet si plumb i shkrirë..." [Mearixh 8]. Kështu do të ndodhë, sepse atë ditë gjendja është e vështirë. Pastaj Allahu i Lartësuar do t’i palosë qiejt me të djathtën e Tij, sikurse thotë: " Atë Ditë, Ne e palosim qiellin, siç palosen fletët e një libri. Ashtu siç e filluam krijimin, ashtu e rikthejmë atë. Ky është premtimi Ynë dhe Ne do ta përmbushim atë.” [Enbija 104]. - ... dhe të gjithë do të dalin para Allahut, të Vetmit Ngadhënjimtarit. - Krijesat do të dalin nga varret e tyre dhe do të grumbullohen të gjithë në " Mahsher", në vendin e tubimit. Askush nuk mund t’i fshihet Allahut të Madhëruar, as njerëzit dhe as veprat e tyre. Të gjithë do të zbulohen përpara Allahut, që është i Vetëm dhe Ngadhënjimtar mbi gjithçka. Allahu është i Vetëm dhe Absolut në madhështinë e Tij, në emrat dhe cilësitë e Tij, në veprat e Tij madhështore dhe në faktin se Ai është Sunduesi dhe Nënshtruesi i të gjitha botëve. Gjithçka është nën sundimin dhe mbretërimin e Allahut; Ai rregullon dhe administron të gjitha çështjet. Gjithçka lëviz apo qëndron në prehje veçse me lejen e Zotit. - Dhe ti do t’i shohësh keqbërësit atë ditë të lidhur në pranga. - El muxhrimin janë ata që bëjnë krime, padrejtësi dhe gjynahe të shumta. Këtë kategori do ta shohësh atë ditë tek marrin ndëshkim të tmerrshëm. Çdo kriminel dhe i padrejtë do të lidhet me zinxhirë të zjarrtë dhe do të tërhiqet zvarrë drejt ndëshkimit. Ata do të jenë në gjendjen më poshtëruese, më të shëmtuar dhe më torturuese. - Rrobat e tyre janë prej katrani, kurse fytyrat e tyre do t’i mbulojë Zjarri. - Rrobat e tyre do të jenë prej katrani, për shkak të zjarrit të ndezur dhe erës jashtëzakonisht të keqe të tyre. Fytyrat e tyre do t’i mbulojë zjarri. Pjesa më e nderuar e trupit, fytyra, do të jetë e përfshirë nga zjarri, dhe po kështu do të ndizet i gjithë trupi i tyre. Kjo, sigurisht, nuk është padrejtësi nga Allahu i Lartësuar ndaj tyre, por është një shpagim i drejtë për gjithçka që kanë bërë me duart e tyre. - Kështu Allahu ka për ta shpërblyer çdo shpirt për gjithçka që ka bërë. - Allahu i Lartësuar do t’u japë atë që meritojnë, për veprat e mira ose të këqija, me drejtësi dhe barazi. Drejtësia e Zotit nuk cenon asnjë. - Vërtet, Allahu është i Shpejtë në llogari. -Një kuptim i këtij ajeti është se llogaria e Zotit do të vijë shumë shpejt. Ky kuptim është i ngjashëm me fjalën e Allahut të Lartësuar: " Gjithnjë e më shumë po u afrofet njerëzve Dita e Llogarisë, por ata nuk i kushtojnë vëmendje dhe i shmangen (besimit të vërtetë).." [Enbija 1]. Një kuptim tjetër është se Allahu i Lartësuar e ka llogarinë të shpejtë. Ai do t’i llogarisë të gjithë në një orë të vetme, ashtu sikurse i furnizon dhe rregullon çështjet e tyre në një orë ose ashtu sikurse përkujdeset për ata në një çast të vetëm. Kujdesi ndaj diçkaje nuk e pengon Allahun për t’u kujdesur ndaj diçkaje tjetër. Asgjë nuk del jashtë përkujdesit të Tij, dhe kjo nuk është aspak e vështirë për Të. Më pas, Allahu i Lartësuar, duke e lavdëruar Kur'anin, thotë: - Ky është një mesazh për njerëzit, që ata të marrin këshillë... - Nëpërmjet Kur'anit, njerëzit pajisen me gjithçka që u nevojitet në udhëtimin e tyre drejt gradave më të larta, sepse ai përmban bazat e urtësisë dhe hollësitë e udhëzimit të Zotit. Në Kur'an përmblidhen të gjitha njohuritë për të cilat kanë nevojë krijesat. Përveç këtyre, Kur'ani shërben edhe si paralajmërues, sepse ai përmban kërcënime për t’u larguar nga të gjitha veprat e këqija dhe na tregon hollësisht për ndëshkimin e atyre që i kryejnë ato. Por mbi të gjitha, Kur'ani u shpall nga Zoti për t’u mësuar njerëzve një të vërtetë shumë të rëndësishme: - ... dhe ta dinë mirë se Ai është i Vetmi i Adhuruar, - Në Kur'an, Allahu i Lartësuar
ka sjellë dhe ka shtjelluar argumente të qarta, që tregojnë njëshmërinë e Tij dhe faktin se Ai është i vetmi që meriton adhurimin e krijesave. Këto argumente janë aq të shumta, saqë e ndihmojnë njeriun të arrijë në gradën “ hakul jakin” , domethënë të vërtetës së sigurt. Allahu i Lartësuar e shpalli këtë Kur'an që: - ... dhe që të nxjerrin mësim ata që kuptojnë. - Domethënë, që të përfitojnë njerëzit që kanë logjikë të saktë dhe mendje të kthjellët. Këta përfitojnë nga ky libër çdo njohuri të dobishme, që mund të jetojnë sipas saj. Gjithashtu, ata mund të kuptojnë gjithçka që u bën dëm, që të mund t’i ruhen. Pikërisht me këtë dituri madhështore, sqaruese të gjithçkaje, dhe të jetuarit sipas saj, ata meritojnë të quhen të mençur. Nëpërmjet Kur'anit, atyre iu shtuan njohuritë, iu zhvillua arsyetimi, iu ndriçua mendja dhe fituan urtësinë. Kjo ndodh, sepse ata e shuajnë etjen e tyre për dituri me Kur'anin e pastër, i cili fton veçse në moralin më të lartë dhe në veprat më të mira. Kur 'ani përmban argumentet më të forta dhe më të qarta, mbi të cilat mund të bazohet njeriu. Është një rregull i mrekullueshëm, që e udhëzon njeriun të ngrihet në gradat më të larta dhe ta shtojë dhe kultivojë më shumë diturinë, urtësinë dhe mprehtësinë e tij. Ky rregull ka një emër: ai quhet meditim i thellë në njohuritë e Kur'anit madhështor. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Këtu përfundon tefsiri i sures Ibrahim el Halil (a.s).