14. Ibrahim · Ajeti 8 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 14:1–14:8
Kur'ani nuk është shpikje e Muhammedit, por shpallje nga Zoti, që me ndihmën e Tij t'i largojë njerëzit prej rrugës së gabuar, e t'i shpie në rrugën e drejtë, në rrugën e besimit, në rrugën e ndritshme të Allahut. Të mjerë janë ata, të cilët nuk pranuan rrugën e Zotit, u përpoqën që edhe të tjerët t'i pengojnë, u përpoqën t'ia përshtatin epsheve të tyre fenë e shpallur prej Zotit, duke mos i dhënë rëndësi jetës së ardhshme, e cila është përgjithmonë, por e çmuan dhe e vlerësuan më shumë këtë jetë.
Zoti çdo populli i dërgoi pejgamber që fliste gjuhën e atij populli, që ta kuptojnë më mirë qëllimin e shpalljes. Megjithatë, pejgamberët kishin për detyrë vetëm komunikimin e jo edhe t'i shpiejnë ose mos t'i shpiejnë në rrugën e drejtë, ajo është çështje që i takon vetëm Allahut.
Dallimi mes dërgimit të Musait edhe pejgamberëve të tjerë dhe dërgimit të Muhammedit qëndron I në atë se Muhammedit i thuhet: T'i nxjerrësh njerëzit..., e Musait: Ta nxjerrësh popullin tënd.
Pra kuptohet se Muhammedi nuk ishte i dërguar për një popull, por për të gjithë njerëzit.
Falënderimi, mirënjohja e së mirës së dhuruar nga Zoti, është garancë e shtimit të asaj të mire, i e përbuzja dhe refuzimi kanë për pasojë azabin e xhehenemit, e Zotit nuk i nevojitet asgjë, pse i Ai vetë është i pavarur dhe i lavdishëm.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 14:6–14:8
- Musai i tha popullit të vet: “Kujtoni mirësitë e Allahut ndaj jush, kur ju shpëtoi prej njerëzve të Faraonit, të cilët ju ndëshkonin me format më të këqija, ju thernin bijtë tuaj dhe linin gjallë bijat tuaja. - Ajeti tregon rreth Musait (a.s) dhe kohës kur ai i përkujtoi popullit të tij mirësitë e Allahut, mbrojtjen dhe shpëtimin që erdhi prej Tij. Allahu i Lartësuar i shpëtoi ata nga familja dhe populli i Faraonit, dhe nga torturat dhe dhimbjet, që ata përjetonin nën sundimin e atij tirani. Ata u thernin fëmijët meshkuj dhe u linin gjallë femrat, por Allahu i Lartësuar i shpëtoi prej tyre. - Kjo ishte një sprovë (e mirësi) e madhe nga Zoti juaj. - Fjala “belâun” vjen me kuptimin “mirësi”. Kështu kuptimi i ajetit është: “Kjo ishte një mirësi e madhe nga Zoti juaj.” Pra bëhet fjalë për shpëtimin nga torturat e Faraonit. Sigurisht që kjo ishte një mirësi e madhe, dhuruar këtij populli . Për këtë kuptim tregon fillimi i ajetit: “Kujtoni mirësitë e Allahut ndaj jush...”. Këto i shin mirësi shumë të mëdha, për të cilat ata do të mbeteshin gjithmonë borxhlinj. Por fjala “belâun” vjen edhe me kuptimin “sprovë e bela”. Kështu kuptimi i ajetit është: “Kjo ishte një sprovë e madhe nga Zoti juaj.” Pra bëhet fjalë për vetë torturat e Faraonit, të cilat ishin një sprovë e madhe për bijtë e Israilit. Por ka mundësi të jenë pasur për qëllim të dyja, spse Allahu i lartësuar i sprovon robërit edhe me mirësi edhe me bela dhe sprova. Sikurse thotë i lartësuari: “Ne i shpërndamë ata në këtë Tokë grupe - grupe. Prej tyre ka të mirë, por ka edhe jo të tillë. Ne i vumë në provë ata edhe me mirësi edhe me fatkeqësi, që të kthenin rrugë.” [El ea’raf 168]. 169 - “Zoti juaj shpalli: ... ” - Te’edh-dhene ka kuptimin: “përcolli një premtim”. Pra: Allahu i Lartësuar ju tregoi për premtimin e Tij, që nuk kthehet pas dhe nuk shkelet kurrë. Ky është njëri kuptim. Ndërsa kuptimi tjetër është: “u betua për një premtim”. Pra: kujtoni kur Zoti juaj u betua në krenarinë dhe madhështinë e Tij, se ... ”. Ky është kuptimi i dytë. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar kur thotë: “Zoti Yt shpalli qartas se, mbi ta do të vendosë deri Ditën e Kijametit, sundimin e dikujt, që ka për t'i ndëshkuar ata me mënyrën më të keqe. ...”. [El ea’raf 167]. - “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj të mirat... - Nëse ju tregoheni mirënjohës për mirësitë e Mia dhuruar juve, Unë kam për t’jua shtuar ato dhe kam për t’ju dhënë më shumë. - por nëse do të tregoheni mosmirënjohës, të jeni të bindur se dënimi Im është, vërtet shumë i rëndë.” - Nëse i mohoni mirësitë e Mia dhe nuk tregoheni mirënjohës sa duhet, atëherë dijeni se: “... dënimi Im është, vërtet shumë i rëndë.” Ndëshkimi Im, duke jua hequr ato mirësi është i dhimbshëm. - Dhe Musai tha: “Nëse ju dhe të gjithë ata që janë në tokë nuk janë mirënjohës, Allahu është i Panevojë dhe i
Lavdëruar”. - Allahu i Lartësuar nuk ka nevojë për mirënjohjen e robërve të Tij; Ai është i Lavdëruar, edhe nëse e mohojnë ose refuzojnë që t’i shprehin mirënjohje. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Nëse ju mohoni, Allahu nuk ka asnjë nevojë për ju. Ai nuk është i kënaqur që robërit e Tij të mohojnë (besimin). Nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, kjo është ajo që Ai e pëlqen për ju. ...” [Zumer 7]. Dhe thotë gjithashtu: “... Kështu, ata nuk besuan dhe kthyen shpinën. Por Allahu nuk ka nevojë për ta, se Allahu është i Pasur e i Lavdëruar.” [El tegabun 6]. Në Sahih-un e Muslimit vjen hadithi nga Ebu Dherri se Profeti i Allahut tregon se Allahu i Lartësuar ka thënë: “O robërit e Mi! Nëse të parët dhe të fundit, njerëzit dhe xhindët, do të ishin me zemrën më të devotshme të dikujt prej jush , kjo nuk do të shtonte në mbretërimin dhe pasurinë Time asgjë. O robërit e Mi! Nëse të parët dhe të fundit, njerëzit dhe xhindët, do të ishin me zemrën më të prishur (e gjynahqare) të dikujt prej jush, kjo nuk do të pakësonte në mbretërimin dhe pasurinë Time asgjë. O robërit e Mi! Nëse të parët dhe të fundit, njerëzit dhe xhindët, tubohen të gjithë në një vend dhe më luten e kërkojnë dhe nëse Unë i jap secilit prej tyre gjithçka që kërkojnë, kjo nuk ka për të pakësuar në mbretërimin dhe pasurinë Time asgjë, ashtu sikurse nuk pakëson gjë një majë gjilpëre prej ujit të detit, nëse futet në të. ...” I Pastër dhe i Dëlirë është Allahu i Lartësuar. Ai është i Pasuri i përhershëm dhe asnjëherë nevojtar. Ai është i Lavdëruar në madhështinë e Tij!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 14:7–14:8
Musa (a.s) e nxiste popullin për të qenë mirënjohës ndaj Allahut të Madhëruar: - Zoti juaj shpalli: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj të mirat, por nëse do të tregoheni mosmirënjohës, të jeni të bindur se dënimi Im është, vërtet shumë i rëndë.” - Allahu i Lartësuar na ka premtuar se, nëse tregohemi mirënjohës, Ai do të na i shtojë më shumë mirësitë që na ka dhuruar. Ai, gjithashtu, na tregoi: “...të jeni të bindur se dënimi Im është vërtet shumë i rëndë”. Dhe një mënyrë dënimi është largimi i mirësive, me të cilat na ka begatuar. Mirënjohja ndaj Zotit shprehet me zemër, duke i njohur dhe pranuar që këto mirësi t’i ka dhuruar Ai. Së dyti, ajo shprehet me fjalë, duke e përlëvduar dhe falënderuar Zotin për mirësitë e dhuruara. Së treti, shprehet me vepra, duke i shfrytëzuar këto mirësi dhe duke i përdorur ato për kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Nga ana tjetër, mohimi i mirësive ose mosmirënjohja shprehet me të kundërtat e këtyre që u thanë më lart. - Dhe Musai tha: “Nëse ju dhe të gjithë ata që janë në tokë nuk janë mirënjohës, Allahu është i Panevojë dhe i Lavdëruar”. - Edhe nëse e bëni këtë, ju nuk keni për ta dëmtuar aspak Allahun e Madhëruar, sepse “Allahu është i Panevojë dhe i Lavdëruar”. Sikur të gjitha krijesat t’i bindeshin dhe nënshtroheshin Allahut, duke e adhuruar si një të vetëm dhe duke zbatuar tërësisht ligjin e Tij, kjo nuk do të shtonte asgjë në pushtetin e Allahut të Lartmadhëruar. Por edhe nëse do të mblidheshin të gjitha krijesat për të mos iu nënshtruar Zotit, kjo nuk do ta cenonte dhe pakësonte aspak pushtetin e Tij. Arsyeja është: Ai është i Plotë, Absolut, i Pasur dhe i Panevojë për të tjerët. Allahu është i lavdëruar në Veten e Tij, në emrat, cilësitë dhe në veprat e Tij. Ai ka veçse cilësi të lavdërueshme dhe të plota dhe emrat më të bukur. Të gjitha veprat e Zotit janë madhështore dhe të drejta.