16. Nahl · Ajeti 50 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:41–16:50

Ai grup i vogël i myslimanëve në Mekë, u torturua dhe u mundua sa që dy herë u detyruan të ikin e të shkojnë disa prej tyre në Habesh (Abisini-Etiopi), por madhëria e Zotit u mundësoi më vonë vendosje të mirë e të sigurt në Medinë. Prandaj, mundimet e tyre i shpërbleu edhe në dynja, vetëm se shpërblimet në jetën tjetër do të jenë shumë më të mira dhe të përjetshme. Sabri dhe mbështetja në Zotin, gjithnjë përfundon me sukses.

Për çështjet që nuk i njeh, njeriu duhet pyetur ata që i dinë ato, duhet pyetur dijetarët se çka ka thënë Zoti ose Pejgamberi përkitazi me ndonjë çështje, sepse burimi i çështjeve fetare është prej Zotit dhe prej Pejgamberit, e nuk duhet bazuar as mbështetur në atë se çka thotë nga vetvetja dijetari. Mbështetja në thëniet ose në qëndrimet e kujtdo qoftë, përveç Zotit e Pejgamberit, është taklidë-imitim, e imitimi nuk është i lejuar. Imitimi i verbër i thënieve e sjelljeve të ndonjë personi kushdo qoftë, e pa u bazuar në argumente, është shkak i besimeve të kota, është devijim i principeve fetare dhe është degjenerim i një maseje të mashtruar. Kur thotë Zoti se edhe para teje, para Muhammedit, kemi dërguar njerëz, u thotë jobesimtarëve, urdhëroni dhe pyetni për këtë ata që e dinë Tevratin ose Inxhilin, pra urdhëroni e shikoni se çka ka thënë Zoti në to.

Zoti është mëshirues, nuk i kap me dënim menjëherë kundërshtarët, u jep afat të përmirësohen, e nëse nuk duan, Ai i ka në dorë, i dënon kur të dojë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:48–16:50

- A nuk po shohin ata (mohuesit e Zotit) se çdo gjë që e krijoi Allahu, e sjell hijen e vet djathtas dhe majtas, duke i bërë sexhde Allahut dhe duke qenë e përulur? - Allahu i Madhëruar na tregon rreth madhështisë dhe lartësisë së Tij. Ai është Krenari, Ngadhënjimtari dhe mposhtësi i gjithçkaje. Të gjitha krijesat, pa përjashtim, janë të përulura dhe të nënshtruara para Tij. Sendet, kafshët, bimët, të përgjegjshmit ligjërisht si njerëzit dhe xhindët, por edhe melekët, janë të nënshtruar para Krijuesit të tyre. Çdo gjë e lëshon hijen e vet djathtas e majtas, duke i bërë sexhde Allahut të Madhëruar. Në mëngjes e në mbrëmje, kur dielli ulet nga kupa e qiellit, të gjitha këto krijesa i bëjnë sexhde Allahut përmes hijes së tyre. Duke i përshkruar këto krijesa, Allahu i Madhëruar thotë: “... e sjell hijen e vet djathtas dhe majtas, duke i bërë sexhde Allahut dhe duke qenë e përulur.” Ato i bëjnë sexhde Zotit duke qenë të përulur e të nënshtruar, duke shfaqur përulësinë,

dobësinë dhe nënshtrimin e tyre para Allahut të Madhëruar. Sexhdja e çdo krijese është hija që ajo lëshon në tokë, sipas rregullit që ka vendosur Allahu i Lartësuar. Sikurse thotë i lartësuari: “Gjithçka në qiej e në Tokë i bën sexhde vetëm Allahut, me hir a me pahir, e po kështu edhe hijet e tyre në mëngjes e mbrëmje.” [Ra’d 15]. - Edhe melekët (i bëjnë sexhde) e ata nuk tregohen kryeneçë. - Ata nuk tregohen kryeneçë e mendjemëdhenj ndaj adhurimit të Allahut të Lartësuar. Përkundrazi, ata i përulen me frikë e respekt, siç thotë i Lavdëruari në vijim: - I frikësohen Zotit të tyre, që është mbi ta dhe bëjnë gjithçka për të cilën urdhërohen. - Ata i bien në sexhde Atij të frikësuar, të mbushur me droje, përunjësi e nënshtrim për Zotin e tyre të Lartësuar dhe Krenar. Allahu i përshkruan këta të bindur, duke thënë: “... bëjnë gjithçka për të cilën urdhërohen.” Pra, janë të përkushtuar tërësisht, durimtarë e të vazhdueshëm në bindjen ndaj Allahut të Lartësuar, në përmbushjen me përpikmëri të urdhëresave të Tij dhe lënien e ndalesave të Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:49–16:50

- Vetëm Allahut i bën sexhde çdo gjë që është në qiej e që është në tokë. Edhe melekët (i bëjnë sexhde) e ata nuk tregohen kryeneçë. - Të gjitha gjallesat, si ata që flasin e edhe ato që nuk flasin, i përulen madhështisë së Allahut. Edhe melekët, krijesat më të zgjedhura, të pastra e të mira, i bien Atij në sexhde. Allahu i përmend melekët veçmas për vetë mirësinë e pastërtinë e tyre, si dhe për adhurimet e shumta që ata i kushtojnë Atij. Duke i përshkruar ata, Allahu thotë: "...ata nuk tregohen kryeneçë." Ata nuk tregohen kurrë mendjemëdhenj apo të tregojnë vetëkënaqësi për adhurimet që i kushtojnë Allahut. Ata tregohen shumë të përulur dhe kryejnë adhurime të shumta dhe të pastra. Morali i tyre është i pakrahasueshëm dhe fuqia e tyre në ato adhurime është shumë e madhe. Të tillë janë adhuruesit e vërtetë të Zotit, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Mesihu nuk do të refuzonte kurrë të ishte rob dhe adhurues i Allahut, dhe as melekët më të zgjedhur.” [Nisa 172]. Në vijim vjen një tjetër përshkrim i tyre: - Ata i frikësohen Zotit të tyre, që është mbi ta, dhe bëjnë gjithçka për të cilën urdhërohen. - Megjithëse ata tregojnë devotshmëri dhe frikërespekt për Zotin, që është sipër tyre, i Lartësuar i Plotë në pushtetin dhe cilësitë e Tij, ata janë të përunjur para pushtetit dhe mbretërimit të Tij, siç thotë Allahu: "... bëjnë gjithçka për të cilën urdhërohen." Çfarëdo urdhri që t’u japë Zoti i tyre, ata e zbatojnë me bindje e vullnet të lirë. Sexhdja që krijesat i bëjnë Zotit është dy llojesh: 1. Sexhdja e detyruar . Kjo lloj sexhdeje është e përgjithshme, që bëhet nga çdo krijesë, besimtarë apo mohues qofshin, punëmirë apo punëkeq, flasin apo nuk flasin. Kjo përulje e përgjithëshme e çdo krijese për Allahun tregon se Ai është i plotë në çdo cilësi si dhe në sundimin e pushtetin e Tij. 2. Sexhdja me vullnet të lirë . Kjo lloj sexhdeje ndaj Allahut realizohet vetëm nga më të dashurit dhe të zgjedhurit e Tij besimtarë, qofshin melekë, njerëz apo xhindë, të cilët Ai i ka dalluar e përzgjedhur mbi të gjithë.

← Nahl 16:50