17. Isra · Ajeti 69 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 17:61–17:69
Armiqësia e shejtanit kundër njerëzve është e pranishme prej Ademit, kur bëri kryelartësi dhe për atë shkak u përjashtua prej mëshirës së Zotit, por u betua se do të përpiqet t'u hakmirret njerëzve sa të ekzistojë jeta. Zoti xh. sh. i dha leje të veprojë, duke i thënë se robtë e sinqertë ndaj Meje, besimtarët e denjë, i mbroj Unë, e ti nuk ke fuqi t'i mashtrosh. Shoqërimi i tij në pasuri të njerëzve është te ata që pasurinë e tyre e fitojnë në mënyrë të palejueshme, haram, ose e shpenzojnë pa vend. E përzierja e tij në fëmijë, manifestohet te fëmijët pa kurorë, te imoraliteti. Eshtë karakteristike se njerëzit shkojnë pas mësimeve të dreqit, madhërojnë e adhurojnë çka nuk duhet, por kur e vërejnë rrezikun se do të shkatërrohen si kur i kapin valët e detit, ata i harrojnë të gjitha ato mësime dhe adhurime të gabuara e i drejtohen Zotit të madhëruar, sepse e dinë se vetëm Ai mund t'i shpëtojë në ato raste, por sa të çlirohen e vazhdojnë mbrapështinë e tyre, e nuk mendojnë se Zoti i ka në dorë dhe kur të dojë i shkatërron.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 17:69
- Apo jeni të sigurt se Ai nuk do t’ju kthejë përsëri (në det) , e t’ju lëshojë ndonjë furtunë shkatërrimtare - Apo jeni të sigurt, o ju që i ktheni shpinën njësimit Tim, pasi e njihni Atë në det dhe e mohoni sërish kur dilni në tokë, se Ai nuk do t’ju kthejë përsëri në det, e t’ju lëshojë ndonjë stuhi, që të shkatërrojë e mbysë anijet tuaja? - t’ju fundosë për shkak të mosbesimit tuaj? - Për shkak të refuzimit të besimit të drejtë në njëshmërinë e Allahut dhe mosnënshtrimit ndaj Tij. - e ju të mos gjeni asnjë që të ankohej kundër Nesh për ju. - Ju nuk do të gjeni asnjë që të hakmerret për ju. Allahu është Mposhtësi i gjithçkaje dhe Ngadhënjimtari mbi gjithçka.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 17:69
- Apo jeni të sigurt se Ai nuk do t’ju kthejë përsëri (në det) ,... - Edhe nëse mendoni se në tokë jeni të sigurt, a nuk mendoni se ju mund të ktheheni sërish në det? Ju nuk jeni të sigurt që gjatë jetës suaj, ju të gjendeni në të njëjtën situatë në mes të detit. - ...e t’ju lëshojë ndonjë furtunë shkatërrimtare që t’ju fundosë për shkak të mosbesimit tuaj ... – Atëherë, Ai ju lëshon një furtunë, që shkatërron çdo gjë që i del përpara. Allahu ka fuqi për gjithçka. - ... e ju të mos gjeni asnjë që të ankohej kundër Nesh për ju. - Kurrë nuk do të keni mundësi të refuzoni dhe rrëzoni gjykimin e drejtë të Allahut, i Cili nuk i bën padrejtësi askujt, as sa një thërrmijë.