2. Bekare · Ajeti 123 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:116–2:123
Në një hadithi kudsij, të cilin e shënon Buhariu, Zoti xh. sh. ka thënë "Njeriu trilloi gënjeshtra dhe fyerje ndaj Meje. Trilloi gënjeshtër kur tha se Unë nuk kam fuqi ta ringjallë atë, e bëri fyerje kur për Mua tha se kam fëmijë". Natyralistët tabiijjun - dehrijjun nuk besuan ringjalljen, kurse idhujtarët për engjëj thanë se janë bija të Zotit, jehuditë, për Uzejrin thanë djalë, e krishterët për Isain thanë se është djalë i Zotit.
"Bedië" është shpikës, zanafillës i një sendi pa ndonjë model të mëparshëm. Zoti, pra, është shpikës i tillë i çdo sendi. Ndonjë shpikje, ndonjë risi në fe, në ibadet ose dispozitat e saj që nuk ka mbështetje në ndonjë themel islam, është e përbuzur, e mallkuar. Nëse ka mbështetje në themelet islame, atëherë është e lavdishme.
Ata që nga zilia dhe mendjemadhësia nuk deshën ta pranojnë Kur'anin, duke kërkuar ndonjë argument tjetër, vepruan ashtu sikurse kishin vepruar edhe disa popuj më heret. Muhammedit i thuhet: zbatoje detyrën tënde sipas Kur'anit. Ti nuk je përgjegjës për ta pse ata nuk besojnë, e ata do të digjen në zjarr. Ata nuk janë të kënaqur me ty, vetëm nëse shkon pas idesë së tyre.
Ata ithtarë të librit që besnikërisht iu përmbajtën mësimeve të librit të tyre, ata e pranuan Kur'anin si shpallje e Zotit. Në ditën e kijametit, çdo kush do të jetë i preokupuar me punët e veta, andaj nuk duhet pritur ndihmë nga të tjerët, pos Zotit xh. sh.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:122–2:123
Ky është një a jet i ngjashëm që përmendet në fillim të sures dhe u përsërit këtu për të përforcuar mesazhin që na e sjell dhe për të nxitur për pasimin e Muhamedit ﷺ . Ai i qorton jehudët dhe të krishterët që të mos tregohen ziliqarë për djemtë e xhaxhait të tyre, popullin arab, sepse Ismaili ishte vëllai i Is’hakut. Pra, të mos bëhen xhelozë ndaj arabëve për mirësinë që iu dha Zoti, duke nxjerrë nga mesi i tyre Profetin e fundit, vulën e gjithë profetëve, dhe të bëhen mohues të tij.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:121–2:123
- “Ata të cilëve ua dhamë Librin e lexojnë (dhe e ndjekin) atë (Kur'anin), ashtu si duhet.” - Allahu i Lartësuar na njofton se Kur’ânin e besojnë ata të cilëve Ai u dhuroi Librin, duke u bërë kështu një mirësi të madhe, dhe që e ndjekin atë ashtu sikurse e meriton ai të ndiqet. Fjala ‘ tilâueh’ do të thotë ‘ndjekje e diçkaje hap pas hapi’. 2 Ndjekja me përpikmëri e Librit nënkupton pranimin e plotë të dispozitave të tij. Kështu për shembull, ata e konsiderojnë të lejuar atë që në Libër përcaktohet si e tillë, dhe e konsiderojnë të ndaluar atë që në Libër vlerësohet si e tillë. Ata punojnë sipas urdhrave të përnxjerra nga ajetet e qarta dhe
të drejtpërdrejta, por ata i besojnë me pastërti edhe ajetet që kanë një fushë më të gjerë kuptimore. - “…Pikërisht ata e besojnë me të vërtetë atë (Kur'anin).” - Pikërisht ata do të lumturohen, domethënë ata të cilët e njohin mirësinë e Allahut të Lartësuar dhe tregojnë mirënjohjen dhe falënderimin për të. Janë ata që besojnë të gjithë profetët (dhe Shpalljet) dhe nuk bënë asnjë dallim mes tyre. Këta janë besimtarët e vërtetë. Ndërsa ata që besojnë një pjesë të shpalljeve dhe e mohojnë një pjesë tjetër, ata janë të kërcënuar. Këta Allahu i Lartësuar i kërcënon duke thënë: “Ndërsa ata që e mohojnë atë (Kur'anin), pikërisht ata janë të humburit.” - “O bijtë e Israilit! Kujtoni të mirat e Mia, me të cilat ju begatova! Unë ju pata dalluar mbi njerëzit e tjerë (të asaj kohe).” - Pastaj Ai i kërcënon ata, për t’iu frikësuar Ditës së Kiametit. Atë ditë, askush nuk mund t’i bëjë dobi askujt. I Madhëruari thotë: - Atëherë ruajuni një Dite, kur askush nuk do të mund ta ndihmojë tjetrin për asgjë! - Askush, sado i nderuar dhe i madh qoftë: melek, profet, apo njeri i mirë, nuk do të ketë në dorë asnjë mundësi ndihme për askënd. Ata nuk mund të ndihmojnë asnjë, sado i dashur apo i afërt të jetë ai që kërkon ta ndihmojnë. E vetmja ndihmë për njeriun do të jetë prej veprave që ka bërë. Edhe ndërmjetësimet janë të papranueshme pa lejen dhe pa kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. I Lartësuari thotë: - Prej askujt nuk pranohet kompensim, dhe askujt nuk do t’i bëjë dobi asnjë ndërmjetësim. – Për ndërmjetësimin duhet të plotësohen dy kushte: Së pari, të jepet leja nga Allahu i Lartësuar për të dhe, së dyti, Allahu i Lartësuar të jetë i kënaqur me atë për të cilin ndërmjetësohet. Nga ana tjetër, dihet shumë mirë që Allahu i Lartësuar nuk kënaqet nga vepra e askujt, nëse ajo vepër nuk plotëson dy kushte: 1. Të kryhet me sinqeritet për Allahun, duke kërkuar kënaqësinë e Tij. 2. Të kryhet në përputhje me traditën e Profetit (s.a.u.s.) dhe mësimeve të tij. Nuk pranohet ndërmjetësim dhe as kompensim, siç thotë i Madhëruari: - Prej askujt nuk pranohet kompensim – Për këtë, i Lartësuari thotë sërish në Kur’ân, "Edhe sikur e tërë ajo që është në tokë dhe një herë aq sa ajo, të ishte pronë e atyre që nuk besuan, ata do ta jepnin si kompensim për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në ditën e kijametit. Atyre do t’u vijë prej Allahut diçka (një dënim), që as nuk kanë mundur ta mendojnë." [Zumer 47]. Domethënë, nuk do të pranohet kompensim prej tyre. Ata, gjithashtu, nuk do të ndihmohen: - Askush nuk do të ndihmohet. – Domethënë, prej atyre nuk do të largohet ajo së cilës ata i druhen dhe asnjë krijesë nuk do të ketë mundësi t’u bëjë dobi apo t’u largojë ndonjë dëm. Thënia e Allahut: “ la texhzi nefsun an nefisin shejâ ” (… askush nuk do të mund ta ndihmojë tjetrin për asgjë), tregon pamundësinë e të gjithëve për të bërë dobi atë ditë. Ndërsa thënia: “ ue lâ hum junŝarûn ” (e ata nuk kanë për t'u ndihmuar) tregon pamundësinë e tyre për të larguar të keqen dhe të dëmshmen. Në thënien e Allahut: “lâ juķbelu minhâ adlun” (Prej askujt nuk pranohet kompen-sim), dhe në thënien tjetër të Tij: “… Ue lâ tenfeuha shefâah”, (nuk do t’i bëjë dobi asnjë ndërmjetësim) mësohet diçka shumë e rëndësishme. Nëse njeriu e kupton se fitimi i të mirave dhe largimi i të këqijave nuk mund të arrihen duke ia kërkuar krijesave, atëherë ai kthehet për t'ia kërkuar sinqerisht ato të vetmit që mund t’ia dhurojë (Allahut). Arritja e të mirave dhe largimi i të këqijave nuk mund të bëhet, gjithashtu, as me kompensime dhe as me ndërmjetësime, sikurse ndodh mes krijesave. Atë ditë nuk do të jetë askush i aftë qoftë edhe për një grimcë dobie apo dëmi. Kjo është një ftesë e hapur që adhuruesi të lidhet fort dhe sinqerisht vetëm me Allahun e Lartësuar, duke i kërkuar të mirat veç prej Tij dhe duke kërkuar mbrojtje nga çdo e keqe
vetëm tek Ai. Kjo është ftesë për ta adhuruar Atë si Një të vetëm, sepse veç Ai e meriton adhurimin tonë dhe vetëm tek Ai duhet të mbështetemi për t’i përkryer adhurimet tona.