2. Bekare · Ajeti 182 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:171–2:182

Derisa idhujtarët nuk i vunë veshin e kuptimit shpalljes së Zotit as thirrjes së Pejgamberit, por vazhduan ta praktikojnë traditën e të parëve injorantë, brengosjen e pejgamberëve për mossukses në thirrjen e tyre, Zoti ua qetëson duke u thënë se faji nuk është te ju, por tek ata që nuk pranojnë mësimet tuaja, të cilët janë sikurse bagëtia e bariut që zërin e tij e dëgjojnë po nuk e kuptojnë.

Edhe pse një numër i njerëzve i refuzoi mësimet e Zotit, Ai nuk ua ndërpreu të mirat në këtë botë. Përkundrazi, Ai i udhëzoi për ushqime të mira, e besimtarëve u tha: hani ushqimet e lejuara të cilat janë në dobi të shëndetit tuaj dhe falënderonie Zotin, i cili u udhëzoi për ruajtjen e shpirtit sikurse edhe për ruajtjen e shëndetit. Ushqimi i ndaluar është i dëmshëm, por nëse është në rrezik jeta nga uria, atëherë është i lejuar aq sa për t'i ikur rrezikut.

Çështja e ndryshimit të kibles shkaktoi polemikë të thellë te ithtarët e librit, ashtu që secili prej tyre pretendonte se vetëm kibla e tij është rrugë e drejtë. Për këtë polemikë të pavend shpallet ky ajet i Kur'anit, sipas të cilit kuptohet se e tërë e mira është në besimin e drejtë, në veprat e mira e humane, në zbatimin e obligimeve të fesë, e jo kthimi kah lindja ose perëndimi.

I Gjurmimi i hakmarrjes kundër dorasit që mbyt tjetrin pa kurrfarë të drejte e arsye, është obligim i bashkësisë, por në mënyrë dhe masë të drejtë, e jo në mënyrë revanshuese. Me këtë obligim synohet ruajtja e jetës, sepse mbytja e dorasit nga ana e bashkësisë, është vërejtje të tjerëve për pasojën e një krimi të tillë, e hakmarrja nuk është synim. Në Kur'an thuhet: kisasi - ekzekutimi i dënimit kundër katilit, është jetë për ju, anipse është humbje e një personi, pse ndikimi i një mase të tillë ka lënë përshtypje të madhe në ruajtjen e jetës së të tjerëve. Kur'ani zgjon ndër njerëz ndenjën. vëllazërore kur thotë: e atij që nga vëllau i vet i falet diçka.. ku viktima ose familja e viktimës quhet vëlla i dorasit, andaj falja e gjakut, ose kalimi në shpagim të tij, është shumë thevab.

Testamenti - vasijjeti, në ditët e para deri kur u shpall dispozita rreth të drejtës së trashëgimisë ka qenë obligim, e pas asaj dispozite testamenti kufizohet në suaza më të ngushta, por ata që e dëgjojnë porosinë e porositësit, janë të obliguar të dëshmojnë besnikërisht.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:180–2:182

- Jeni urdhëruar që, kur dikujt i afrohet vdekja, nëse lë pasuri nga pas, e ka detyrim lënien e testamentit për prindërit dhe për më të afërmit. Testamenti duhet bërë me drejtësi. Për ata që janë të devotshëm, kjo është detyrë që nuk tolerohet. - Para se të shpalleshin ajetet e trashëgimisë, ishte e lejuar që të lihej testament për prindërit dhe farefisin e afërt. Madje, kjo ishte e detyrueshme, sipas mendimit më të saktë në këtë çështje. Por kjo u abrogua më pas nga ajeti i cili e bëri trashëgiminë dhe rregullat e saj të përcaktuara nga Allahu, duke e bërë të panevojshme lënien e testamentit (vasijetit) nga personi vetë. Tashmë e drejta dhe pjesët e trashëgimisë janë të përcaktuara nga Allahu, e nuk janë lënë në dorë të personit. Në hadithin e sjellë në Sunen, Amr Ibn Harixhe tregon: “E kam dëgjuar Profetin e Allahut të thotë në hytbe: 190 . “Allahu tashmë i ka dhënë çdokujt hakun që meriton dhe nuk lihet testament (vasijet) më për trashëgimtarin.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ibn Abasi se, kur ai ishte duke lexuar suren Bekare dhe arriti tek fjala e Allahut: "Jeni urdhëruar që, kur dikujt i afrohet vdekja, nëse lë pasuri nga pas, e ka detyrim lënien e testamentit për prindërit

dhe për më të afërmit....", tha: “Ky ajet është abroguar.” Gjithashtu, është thënë se ajeti është abrogues veçse i vasijetit për ata që janë prej trashëgimtarëve të përcaktuar me ligj, ndërsa për ata që nuk janë përfshirë në ligj vasijeti është i lejueshëm. Ibn Kethiri thotë: Sipas këtij mendimi, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një abrogim dispozite, sipas kuptimit të këtij termi në terminologjinë e përhapur dhe njohur në kohën e sotme, sepse ajeti i trashëgimisë përjashtoi nga anulimi veçse një pjesë të atyre që meritojnë me ligj pjesën e trashëgimisë dhe të cilët janë përmendur tekstualisht në ajetin kuranor. Fjala "të afërmit" në këtë ajet përfshin si ata që janë përcaktuar në ligj, ashtu edhe ata që nuk janë prej trashëgimtarëve të përcaktuar. Kështu, ajeti i trashëgimisë i përjashton "trashëgimtarët e përcaktuar" nga e drejta për të përfituar pjesë sipas vullnetit të personit, sepse është ligji që i përcakton pjesët e tyre të trashëgimisë, dhe jo dëshira apo vullneti i personit. Ndërsa pjesa tjetër e të afërmve, ata të papërcaktuarit, vazhdon të jetë në të njëjtën pozitë, pra, që mund të përfitojnë pjesë sipas vullnetit të personit që po vdes. Por ky mendim mund të pranohet nga ata të cilët janë të mendimit se vasijeti sipas vullnetit të personit në fillim të Islamit ishte i pëlqyeshëm, dhe pastaj u abrogua me kuptimin e përmendur më sipër, pra, u reduktua dhe kufizua. Ndërsa ata që janë të mendimit se vasijeti në fillimet e Islamit ishte i detyrueshëm, - dhe ky është mendimi i shumicës së mufesirëve, po kështu edhe konteksti i ajeteve e tregon këtë - janë të mendimit se ky ajet e ka abroguar tërësisht ajetin e vasijetit. Ky është mendimi i shumicës së mufesirëve dhe dijetarëve të konsiderueshëm të fikhut (jurispudencës Islame). Kështu, detyra e lënies së vasijetit (testament) për dy prindërit dhe farefisin e afërt është abroguar. Madje, mund të themi se tashmë është e ndaluar lënia e vasijetit për ta, sipas hadithit e përmendur më sipër: "... nuk lihet testament (vasijet) për trashëgimtarin e përcaktuar me ligj." Ajeti i trashëgimisë është një dispozitë më vete, e lënë si detyrë nga Allahu i Madhëruar. Ai i përcakton pjesët e trashëgimtarëve në pasuri dhe i abrogon plotësisht dispozitat e shkuara të vasijetit për ta. Por mbetet çështja e atyre të afërmve që nuk janë pjesë e trashëgimtarëve: a lejohet që të lihet me amanet një pjesë (vasijet) për ta? Po, është e pëlqyeshme që për ta të lihet vasijet, duke marë për bazë, - por jo vetëm atë, - edhe ajetin e vasijetit dhe faktin se në të përmendet edhe ky lloj i të afërmve. Argumenti tjetër që e lejon dhe e bën të pëlqyeshme këtë, por jo detyrë, është hadithi në dy Sahih -ët nga Ibn Umeri, i cili tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 191 “Për çdo musliman që zotëron diçka për të cilën mund të lërë vasijet, nuk duhet të kalojë dy ditë pa vasijet të shkruar”. Ibn Umeri ka thënë: “Mua nuk më kalon një natë pa e patur vasijetin të shkruar pranë meje, që kur e kam dëgjuar Profetin ﷺ të thotë këtë.” Allahu i Lartësuar thotë: "...nëse lë pasuri nga pas...". Pra, vasijet lihet vetëm nëse lë pas pasuri, siç ka thënë Ibn Abasi e të tjerë. Disa prej tyre kanë thënë që kjo vlen për çdo lloj pasurie, pak apo shumë qoftë. Disa janë të mendimit që vasijeti lihet vetëm nëse lihet pasuri e madhe. Në lidhje me masën e lejuar që mund të lihet vasijet (testament), kanë dhënë mendime të ndryshme. Ibn Ebu Hatimi sjell nga Hashim Ibn Uruete, ky nga i ati, që tregon se Aliut i thanë se një burrë nga kurejshët vdiq duke lënë pas 300 ose 400 dinarë pa ndonjë vasijet, dhe Aliu tha: “Kjo nuk është ndonjë pasuri e madhe (për vasijet). Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse lë pasuri (pra, të madhe) nga pas”. Po nga ai përcillet se, së bashku me një burrë tjetër, shkuan për vizitë tek një i afërm, dhe ai burri tjetër i tha të afërmit: "Lër vasijet!" Por Aliu i tha: “Allahu ka thënë: “Nëse lë pasuri (të madhe) nga pas”, ndërsa ti ke pak gjë, prandaj lëre atë pak gjë për fëmijët e tu!" Sipas disave, vasijeti lihet vetëm nëse ke mbi 60 dinarë, e sipas disa të tjerëve vetëm nëse ke mbi 80 dinarë. Katadja

tregon: “Atëherë, shpesh thoshin se vasijet lë vetëm kur ke mbi 1000 dinarë." Allahu i Madhëruar thotë se: testamenti “duhet bërë me drejtësi", si edhe me bamirësi e dashamirësi, siç thotë Hasani. Pra, është përgjegjësi për çdo musliman që, kur i vjen vdekja, të lërë vasijet, por ky vasijet duhet lënë për të bërë mirësi, jo për të shkaktuar probleme. Ai duhet lënë brenda normave, domethënë, të jetë për të afërmit, në atë masë që nuk dëmtohen trashëgimtarët me pjesë të përcaktuar nga ligji, pra, pa e tepruar. Në dy Sahihët shënohet se, njëherë, Sadi tha: 192 . “O i Dërguari i Allahut, unë kam pasuri të madhe dhe nuk kam asnjë trashëgimtar me pjesë të përcaktuar, përveçse një vajze. A të lë testament, sipas vullnetit tim, dy të tretat e pasurisë time?” Profeti tha: “Jo!” - “Po gjysmën? - “Jo!” - “Po një të tretën?” - Profeti tha: “Mirë, lër një të tretën, por edhe një e treta është shumë. Që t'i lësh trashëgimtarët e tu të pasur është më mirë sesa t'i lësh të varfër e t’u lypin njerëzve.” - Kush e ndryshon testamentin pasi e ka dëgjuar, ta dijë se gjynahu është i atyre që e ndryshojnë. - Pra, kushdo që e tjetërson testamentin që ka lënë dikush, duke shtuar ose hequr, duke e fshehur dhe pa e shfaqur fare, - dhe kjo është më e keqja - atëherë: "... ta dijë se gjynahu është i atyre që e ndryshojnë." Ibn Abasi e të tjerë thonë që: "Shpërblimi i të vdekurit që ka lënë testament është i plotë dhe i pacënueshëm, kurse gjynahu bie mbi ata që e fshehin ose ndryshojnë atë testament.” - Allahu dëgjon dhe di gjithçka. - Ai e ka parë testamentin dhe e di mirë se kush e ndryshon dhe çfarë ndryshon në të. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: - Nëse druheni se testament -lënësi po largohet nga drejtësia, gabimisht ose qëllimisht, dhe vendosni drejtësinë, për ju nuk ka asnjë gjynah. Vërtet, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Ibn Abasi e të tjerë shpjegojnë që: " Xhenefen" domethënë "gabimisht". Kjo fjalë përfshin të gjitha llojet e gabimeve që bëhen në të tilla raste, p.sh. nëse i lë pjesë djalit të vajzës, që ajo të përfitojë më shumë , etj. Kjo mund të ndodhë gabimisht, por mund të ndodhë edhe me qëllim, dhe në raste të tilla është detyrë që të ndryshohet testamenti e të formulohet sërish brenda kufijve të lejuar, që të gjendet forma më e përshtatshme, që është brenda kufijve të Zotit, por edhe synimit të lënësit të testamentit. Ky rregullim nuk përfsh ihet në ndalimin e përmendur në ajet. Ibn Medauejhi përcjell nga Ibn Abasi se Profeti ﷺ ka thënë: 193. “Ndryshimi i vasijetit është gjynah i madh.” Por rreth këtij hadithi ka diskutim e mëdyshje në faktin a është hadith merfu', (pra, fjalë që i atribuohet Profetit) apo është fjalë e Ibn Abasit?

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:180–2:182

Ajeti u drejtohet besimtarëve, duke u treguar atyre se Allahu i Lartësuar ka përcaktuar me ligj edhe çështjen e testamentit. - “Jeni urdhëruar që, kur dikujt i afrohet vdekja, nëse lë pasuri nga pas, e ka detyrim lënien e testamentit për prindërit dhe për më të afërmit. Testamenti duhet bërë me drejtësi. ” – Pra, nëse dikujt i afrohet vdekja, domethënë, nëse i shfaqen shenjat e saj, si ndonjë sëmundje e rëndë ose diçka tjetër që tregon se vdekja është e pashmangshme, ndërkohë që ai ka pasuri të madhe, atëherë e ka për detyrë që të lërë një testament të veçantë për prindërit dhe për njerëzit më të afërm. Këtë duhet ta bëjë sipas rregullit, duke mos e tepruar me të largëtit dhe të neglizhojë të afërmit. Për secilin, ai duhet marrë në konsideratë afërsinë farefisnore dhe nevojat për ndihmë. - “Për ata që janë të devotshëm, kjo është detyrë që nuk tolerohet. ” – Kështu, kjo dispozitë është detyrë, e cila duhet kryer. Madje, Allahu i Lartësuar e ka lidhur atë me devotshmërinë. Shumica e shpjeguesve të Kur’ânit janë të mendimit se ky ajet është i shfuqizuar. Sipas tyre, dispozita e tij është zëvendësuar me një tjetër, që ka ardhur më pas, e shtjelluar në ajete të tjera, të quajtura “ajetet e trashëgimisë”. Në ajetet e trashëgimisë sqarohet se nuk lejohet të lësh testament për ata që janë trashëgimtarë të ligjshëm të pasurisë tënde, sepse Sheriati i ka përcaktuar si personat që trashëgojnë, edhe masën e trashëgimisë që ata trashëgojnë. ‘Uasijet’ quhet pasuria që i vdekuri lë si porosi për t'iu shpërndarë të afërmve të tij. Ajo përjashtohet nga trashëgimia e përcaktuar me ligj. Në ajetet e trashëgimisë dhe në hadithet që flasin për këtë çështje, sqarohet se trashëgimtarët e ligjshëm, mes të cilëve janë edhe prindërit e të vdekurit dhe më të afërmit e tij, nuk lejohet që, përveç trashëgimisë së përcaktuar nga Sheriati, të përfitojnë edhe nga ‘ uasijet’-i. Disa thonë se fragmenti: “për prindërit dhe për më të afërmit” flet për atë pjesë të të afërmve për të cilët Sheriati nuk ka përcaktuar trashëgimi. Pra, me fjalë të tjera, Allahu urdhëron që personi, të cilit po i afrohet vdekja, të lerë me porosi që, prej pasurisë së tij, t'u jepet edhe prindërve apo më të afërmve, të cilët nuk marrin pjesë nga trashëgimia. Por ky lloj shpjegimi i ajetit nuk mund të pranohet, përderisa nuk ka ndonjë fakt mbështetës nga Allahu dhe Profeti i Tij. Nuk ka prova që të na shtyjnë të kuptojmë se këtu flitet për ata prindër dhe të afërm që nuk janë trashëgimtarë të ligjshëm. Qëndrimi më i drejtë në këtë çështje është që ky ajet nuk ka pse të konsiderohet si i anuluar. Ai është një ajet përgjithësues, i cili urdhëron besimtarët, të cilëve u afrohet vdekja, që të lënë testament, ku të përcaktojnë një pjesë pasurie e bamirësie për prindërit e tyre dhe për më të afërmit e tyre. Ajeti nuk na sqaron se për cilët lloj prindërish dhe të afërmish të të vdekurit bëhet fjalë. Pra, ai nuk përcakton

a bëhet fjalë për prindërit dhe të afërmit të cilët përfitojnë edhe nga trashëgimia e përcaktuar nga Sheriati, apo për ata prindër e të afërm për të cilët Sheriati nuk ka përcaktuar pjesë. Ky ajet është përgjithësues, ndërsa Sheriati ia ka lënë zakoneve të njerëzve përcaktimin e masës së këtij testamenti, pa rënë ndesh me ligjin e fesë sepse ajeti thotë: "Testamenti duhet bërë me drejtësi.” . Por pasi Allahu i Lartësuar solli dispozita për trashëgiminë në ajete të tjera, në të cilat përcakton si personat që trashëgojnë, edhe masën e trashëgimisë, atëherë ajeti i sipërpërmendur u qartësua më shumë. Nëse do ta shihnim atë të veçuar nga ajetet që janë zbritur për trashëgiminë, do të mendonim se jemi të urdhëruar që, sipas zakoneve të njerëzve që nuk bien ndesh me Sheriatin, ne duhet të lëmë testament për prindërit dhe të afërmit, pa dallim, a trashëgojnë ligjërisht, apo jo. Kështu, zbritja e ajeteve të tjera të trashëgimisë e kufizon gjithëpërfshirjen e ajetit të mësipërm, duke kuptuar që ai flet vetëm për ata prindër dhe të afërm të cilët, për ndonjë shkak a cilësi të tyre, nuk përfitojnë trashëgimi sipas përcaktimit të ligjit. Me fjalë të tjera ajetet e trashëgimisë na tregojnë se si duhet ta kuptojmë fjalën e Tij: "Testamenti duhet bërë me drejtësi.” Në këtë mënyrë bëhet harmonizimi mes kuptimit të ajeteve. Pra, nuk është e nevojshme të thuhet se ky ajet është i anuluar, sikurse deklaron një grup, dhe as të thuhet se ai është "i posaçëm" vetëm për atë kategori prindërish dhe të afërmish për të cilët Sheriati nuk ka caktuar pjesë. Qëndrimi më i saktë është ai që sapo shtjelluam më lart, sepse ajetet janë shpjegues të njëri -tjetrit, dhe këtu kemi të bëjmë me një ajet të pashkoqitur, i cili bëhet i kuptueshëm nëpërmjet ajeteve të tjera. Falë Allahut, nëpërmjet këtyre kritereve, dijetarët arrijnë të shohin qartë të vërtetën që ndodhet mes ajeteve dhe fjalëve të Profetit (s.a.u.s.). Puna e parë në kësi rastesh është gjetja e një mënyre harmonizimi mes teksteve të ardhura nga Allahu dhe Profeti (s.a.u.s.), para se të pretendojmë se kemi të bëjmë me një anulim dispozitash apo posaçërim të kuptimit të tyre, pa pasur argument të qartë për këtë. Më pas, duke qenë se shpeshherë njerëzit mendojnë që trashëgimtarët e tyre nuk do ta plotësojnë porosinë e lënë, ose që mund ta ndryshojnë atë sipas dëshirave të tyre, ata nuk lënë fare testamente të tilla. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar bën një kërcënim të hapur për ata që dëgjojnë dhe e kanë për detyrë zbatimin e testamentit të të vdekurit, duke thënë: - Kush e ndryshon testamentin pasi e ka dëgjuar, ta dijë se gjynahu është i atyre që e ndryshojnë. ” – Pra, të gjithë ata që dëgjojnë testamentin dhe e kuptojnë shumë mirë se cilëve u adresohet ai, dhe pastaj e ndryshojnë atë, duke mos e çuar në vend porosinë, kanë gjynah dhe meritojnë ndëshkimin e Allahut të Lartësuar, ndërsa personi që lë testamentin e merr shpërblimin e tij të plotë tek Allahu i Lartësuar. Gjynahu i moszbatimit të testamentit rëndon vetëm mbi moszbatuesit e tij, të cilët e kanë dëgjuar dhe kuptuar mirë qëllimin e personit. - “Allahu Dëgjon dhe i Di gjithçka. ” – Pra, Allahu i Lartësuar i dëgjon të gjitha fjalët e atij që lë testamentin, i cili duhet ta ndiejë këtë mbikëqyrje dhe të mos bëjë ndonjë shkelje. Allahu i Lartësuar na kujton, gjithashtu, se Ai është Alim, i Ditur. Ai i di q ëllimet dhe motivet e testamentlënësit. Ai i di edhe veprat e atyre që dëgjojnë dhe kuptojnë testamentin, të cilët e kanë detyrë ta zbatojnë ashtu si e dëgjojnë dhe e kuptojnë atë. Nëse testamentlënësi përpiqet maksimalisht që të mbajë drejtësi në këtë çështje, Allahu i Lartësuar do ta shpërblejë atë, edhe nëse gabon. Por kjo vlen edhe si kërcënim për ata që dëgjojnë testamentin dhe e kuptojnë atë, që të mos bëhen të padrejtë dhe ta ndryshojnë atë, sepse Allahu i Lartësuar di çdo qëllim, motiv dhe vepër të robit. Pra, le të jenë të gjithë të kujdesshëm prej sjikimit dhe dijes absolute të Allahut për çdo

çështje. Nëse porosia e testament lënësit është e padrejtë, ata që janë të pranishëm gjatë lënies së saj, duhet ta këshillojnë personin që të tregohet i drejtë, duke i mësuar rrugën më të mirë. Pra, nëse testamentlënësi bën padrejtësi, me apo pa dashje, ai duhet këshilluar nga të pranishmit, por nëse përsëri nuk heq dorë nga padrejtësia e tij, atëherë kjo porosi nuk lejohet të zbatohet. Në një rast të tillë, çështja duhet zgjidhur si është më e drejta dhe më e mira, me vullnetin dhe pranimin e palëve. Ai që këshillon për drej tësi, për ta shpëtuar testament lënësin nga barra e padrejtësisë, bën një vepër mjaft të çmuar. Po ashtu, edhe nëse testamenti i padrejtë ndryshohet, nuk është gjynah, sepse kjo ndihmon të vendoset drejtësia sipas Sheriatit dhe paqja mes njerëzve. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë më poshtë: - “Nëse druheni se testament lënësi po largohet nga drejtësia, gabimisht ose qëllimisht, dhe vendosni drejtësinë, për ju nuk ka asnjë gjynah. Vërtet, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” – Pra, Allahu i Lartësuar i fal të gjitha gabimet e robve. Ai është shumë i butë dhe tolerues me ata që pendohen. Ai është Falës i atij robi që heq dorë nga pasuria që i takon, për t’i dhënë përparësi më shumë vëllait të vet, në shenjë bamirësie, drejtësie dhe mëshire. Kush tregohet tolerant me të tjerët, ta dijë se edhe Allahu i Lartësuar do të tregohet tolerant me të. Madje, nëse njerëzit vendosin që ta rregullojnë çështjen e testamentit me mirëkuptim mes tyre, duke shpresuar që i vdekuri i tyre të falet nga Allahu i Lartësuar për padrejtësinë në porosinë e tij, atëherë Allahu i Lartësuar nuk ka për t’i zhgënyer, por ka për ta falur të vdekurin, për shkak të veprimit të tyre, sepse Allahu i Lartësuar i mëshiron shumë adhuruesit e Tij. A nuk është shprehje e mëshirës së Tij edhe ky ligj i Tij, nëpërmjet të cilit njerëzit mëshirojnë dhe përkujdesen për njëri tjetrin?! Ajetet janë një nxitje e fortë që njeriu të lërë testament, duke përcaktuar me drejtësi ata që përfitojnë prej tij, pasi për çdo padrejtësi do të mbahet përgjegjësi. Ajetet nxisin, gjithashtu, për gjetjen e mirëkuptimit dhe vendosjen e drejtësisë, edhe sikur për këtë do të duhet të ndryshohet (vasijeti) porosia.

← Bekare 2:182