2. Bekare · Ajeti 260 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:253–2:260
Pejgamberët e Zotit janë të njëjtë, përsa i përket asaj se të gjithë janë të dërguar prej Zotit. Disa prej tyre janë të dalluar me detyra e cilësi të posaçme, siç ishte Musai të cilit i foli Zoti, Isai që ishte i ndihmuar prej Xhibrilit, Muhammedi që ishte në shkallën më të lartë ngase ishte i dërguar, dhe mëshirë për tërë botën.
Popujt që erdhën pas tyre nuk do të duhej të përçahen derisa të gjithë kishin pejgamberin e dërguar prej Zotit, por disa nuk deshën të pranojnë as pejgamber as shpallje tjetër, përveç të tyre, andaj nuk u ndihmoi vullneti i Zotit.
Ajetul kursijji ose tesbih dova është një nga ajetet me famë shumë të madhe, e thuhet se në te është emri i madh i Zotit - ismi a'dham.
Liria në besim është e garantuar sipas dispozitave islame. Dhuna për t'i futur njerëzit në fe, nuk është parim islam, andaj përhapja e fesë islame me dhunë, sipas tendencës së disave, nuk është e vërtetë.
Kundërshtari i Ibrahimit ishte njëfarë Nemrudi bin Ken'an, kështu mendojnë komentatorët e Kur'anit, anipse nuk është përmendur emri i tij. Pushteti dhe pasuria, të cilat ia kishte dhuruar Zoti, ia rritën mendjen dhe në vend që të adhuronte dhe falënderonte Zotin, ai deshi ta quaj vetën Zot. Zakonisht pozita dhe pasuria janë gjendje që te disa njerëz luajnë rol negativ, sepse këto i zhveshin ata prej virtyteve të larta njerëzore dhe i bëjnë mendjemdhënj.
Ibrahimi e la gojëhapur kundërshtarin.
Për fshatin, vendbanimin e shkatërruar thuhet se ishte Jerusalemi, të cilin e kishte rrënuar në themel njëfarë Buhtunasri në shekullin e gjashtë para epokës së re. Njeriu që kaloi atypari thuhet se ishte Uzejri, i cili kur e pa ashtu të shkatërruar u habit dhe i shkoi mendja te ringjallja. Ai mendoi se kishte ra në gjumë, pse kur u zgjua e gjeti ushqimin e paprishur, por kur shikoi gomarin që ishte zhdukur e i kishte mbetur vetëm ndonjë copë ashti, ai atëherë e kuptoi se kishte qëndruar shumë. Prova e Zotit: ushqimin nuk ia kishte prishur, kurse gomari ishte shkatërruar e në prezencën e tij ia bashkoi eshtrat, e mveshi me muskulaturë dhe e bëri të gjallë. Kjo ishte një provë për njerëzit se si fuqia e Zotit do të ringjallë të vdekurit për ditën e gjykimit.
Ibrahimi kërkoi ta shoh me sy se si i ngjall Zoti të vdekurit, ai nuk dyshoi në ringjallje, andaj e bëri pyetjen: "si" i ringjalle e jo a i ringjalle. Kjo është dëshirë e çdo besimtari për t'i përjetuar konkretisht mrekullitë e Zotit. Ibrahimi nuk i ngjalli shpezët e copëtuara, ato i ngjalli, Zoti, kurse për Ibrahimin kjo ishte një mrekulli.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:260
- Po, kur Ibrahimi tha: “Zoti im! Më mundëso të shoh se si i ngjall të vdekurit!” Ai (Zoti) i tha: “A nuk beson?!” Ai (Ibrahimi) u përgjigj: “Sigurisht që besoj, por desha që zemrës sime t'i shtohej bindja.” - Dijetarët kanë dhënë shpjegime të ndryshme se për çfarë arsye Ibrahimi ﷺ i kërkoi Allahut të Lartësuar një shenjë të tillë. Kështu, disa prej tyre përmendin si shkak për këtë kërkesë faktin se kur ai i tha Nemrudit që Zoti im jep jetë dhe jep vdekje, dëshiroi në zemër që të ngrihej në një gradë më lartë të sigurisë dhe diturisë që i ishte dhënë; pra, të ngrihej nga niveli i ilmi jakin - diturisë së sigurt, në nivelin e ajnul jakin - sigurisë të shikimit me shqisa, pra, të shikimit me sytë e ballit. Ai deshi ta shihte haptazi procesin e ringjalljes së krijesave, prandaj tha: "Zoti im! Më mundëso të shoh se si i ngjall të vdekurit!” Ai (Zoti) i tha: “A nuk beson?!” Ai (Ibrahimi) u përgjigj: “Sigurisht që besoj, por desha që zemrës sime t'i shtohej bindja.” Buhariu dhe Muslimi sjellin për këtë ajet një hadith nga Ebu Hurejra (r.a), i cili tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 41 1. “Ne do të ishim më dyshues sesa Ibrahimi kur tha: "Zoti im! Më mundëso të shoh se si i ngjall të vdekurit! Ai (Zoti) i tha: “A nuk beson?!” Ai (Ibrahimi) u përgjigj: “Sigurisht që besoj, por desha që zemrës sime t'i shtohej bindja.” Po në këtë formë e ka sjellë edhe Muslimi. Në këtë hadith, pjesa: "Ne do të ishim më dyshues se sa Ibrahimi" mund të kuptohet gabimisht nga
dikush që nuk ka njohuri rreth kësaj çështjeje dhe mendon se bëhet fjalë për dyshimin rreth ringjalljes. Sigurisht që ky është një kuptim i gabuar. Për këtë hadith janë dhënë shpjegime të ndryshme nga dijetarët, prej të cilave mund të përmendim:...124 Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Ai (Zoti) tha: “Merr katër shpendë e pastaj, në çdo kodër vendos nga një pjesë të tyre; pastaj thirru atyre! Dhe ata kanë për të ardhur me shpejtësi. - Allahu i Lartësuar e urdhëroi që të merrte katër lloje zogjsh dhe t’i lidhte pranë vetes, pastaj t’i therte dhe t’i ndajë në shumë copa. Dhe Ibrahimi kështu veproi: i lidhi dhe i theri. Pastaj në male të ndryshme vendosi nga një copë të zogjv e të copëtuar, pasi i pati përzier mirë copat me njëra tjetrën. Ibn Abasi thotë gjithashtu: “dhe pastaj ai i mori me vete kokat e tyre”. Allahu i Madhëruar e urdhëroi më pas që t’i thërriste zogjtë për t’i ardhur dhe paraqitur para atij. Ibrahimi i urdhëroi zogjtë që të vinin tek ai, sikurse e urdhëroi Allahu i Lartësuar. Pas kësaj, Ibrahimi ﷺ pa se si pendët fluturonin në ajër, për t’u bashkuar me njëra -tjetrën. Gjaku kthehej në vend, për t’u bashkuar me trupin, mishi bashkohej me mishin dhe të gjitha copëzat e çdo zogu lidheshin me njëra-tjetrën. Kjo vazhdoi derisa secili nga zogjtë u ngrit në këmbë i plotë, por pa kokë. Madje, zogjtë shkuan me shpejtësi tek Ibrahimi, që ai ta shikonte me sytë e vet plotësimin e kërkesës që i drejtoi Allahut të Madhëruar. Kështu, çdo zog shkoi tek Ibrahimi për të marrë kokën e vet , që ishte në dorën e Ibrahimit . Kur afrohej tek Ibrahimi dhe ai i jepte tjetër kokë, jo kokën e tij, zogu e refuzonte, dhe kur i afronte kokën që i përkiste, zogu e pranonte. Kështu, koka lidhej me trupin e vet dhe shpendi plotësohej me fuqinë e Allahut të Lartësuar. - Dije se Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë”. - Allahu është Aziz - Ngadhënjimtar, Krenar, i Plotpushtetshëm, që askush nuk mund ta mposhtë dhe asgjë nuk është e pamundur për Të. Çfarë dëshiron Ai, bëhet dhe asgjë nuk mund ta pengojë Atë, sepse Ai është nënshtruesi dhe mposhtësi i gjithçkaje. Gjithashtu, Allahu është Hakim - i Urtë në fjalët dhe veprat e Tij, është i urtë në ligjin që ka caktuar për krijesat, për të jetuar dhe adhuruar Atë; Allahu është i urtë në kaderin e Tij, pra, në ligjet e krijimit dhe funksionimit të kësaj ekzistence. Abdurrazaku tregon se Meameri përcjell nga Ejubi se, për pjesën e ajetit: "që të më qetësohet zemra.", dëshmon se Ibn Abasi ka thënë: "Nuk ka në Kur 'an ndonjë ajet që të nxisë shpresën në shpirtin tim më shumë sesa ky ajet." Ndërsa Ibn Ebu Hatimi përcjell nga Ibn Ebu Munkediri i cili tregon: “Njëherë, u takuan së bashku Abdullah Ibn Abasi dhe Abdullah Ibn Umer Ibn Asi. Ibn Abasi i tha Ibn Umer Ibn Asit: "Cili është ajeti më shpresëdhënës në Kur 'an, sipas teje?” Ibn Umer Ibn Asi tha: "Fjala e Allahut të Lartësuar: "Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut, sepse Allahu i fal të gjitha gjynahet! Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë." [Zumer 53]." Ndërsa Ibn Abasi tha: “Ndërsa unë them se është fjala e Allahut të Lartësuar: “Po, kur Ibrahimi tha: “Zoti im! Më mundëso të shoh se si i ngjall të vdekurit!” Ai (Zoti) i tha: “A nuk beson?!” Ai (Ibrahimi) u përgjigj: “Sigurisht që besoj, por desha që zemrës sime t'i shtohej bindja.” Pra, Allahu i Lartësuar pranoi si justifikim dhe përgjigje nga Ibrahimi fjalën e tij: “Sigurisht që besoj (jam i bindur dhe nuk kam asnjë dyshim. )" Ibn Abasi tha më pas: “Dhe të mendosh se sa të shumta janë vesveset e dyshimet që vërtiten në zemrat tona, që na i fut shejtani i mallkuar." Kështu e ka sjellë El Hakimi, duke e quajtur të saktë këtë ngjarje.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:260
- “Po kur Ibrahimi tha: “Zoti im! Më mundëso të shoh se si i ngjall të vdekurit!”” - Edhe kjo ngjarje është një dëshmi e qartë, që vërteton pushtetin absolut të Allahut të Lartësuar për të ringjallur të vdekurit, për t'i marrë në përgjegjësi dhe për t'i shpërblyer me drejtësi. Kështu, Allahu i Lartësuar na tregon se si i dashuri dhe i zgjedhuri i Tij, Ibrahimi (a.s.), i kërkoi Atij që ta shihte me sy se si bëhej ringjallja e të vdekurve. Ibrahimi (a.s.) ishte plotësisht i sigurt se Allahu i Lartësuar kishte mundësi ta bënte atë, porse ai dëshironte që këtë të vërtetë të sigurt ta shihte me sytë e tij, që të arrinte një gradë më të lartë sigurie. Ai donte të fitonte atë që quhet “ ajnul jaķîn ”, sigurinë e shikimit me sy të kësaj të vërtete të padiskutueshme. Allahu i Lartësuar i tha: - “Ai (Zoti) i tha: “A nuk beson?!” Ai (Ibrahimi) u përgjigj: “Sigurisht që besoj, por desha që zemrës time t'i shtohej bindja.” - Ibrahimi (a.s.) gjithmonë hulumtonte që të zbulonte argumente sa më të qarta dhe të sigurta, nëpërmjet të cilave të fuqizonte imanin dhe të përkryente jakin-in. Kështu veprojnë të mëdhenjtë e të mençurit. Zoti i tij iu përgjigj kësaj kërkese të madhe. - “Ai (Zoti) tha: “Merr katër shpendë dhe copëtoji, e pastaj, në çdo kodër vendos nga një pjesë të tyre! Pastaj thirru atyre, dhe ata kanë për të ardhur me shpejtësi!” - Allahu i Lartësuar e urdhëroi që të merrte katër zogj, t'i copëtonte dhe t’i shpërndante copat e tyre në kodrat përreth, që të mund të shikonte më pas me sytë e tij ringjalljen e tyre. Pastaj i tha që t’u thërriste atyre copave pa jetë, dhe ato, menjëherë pas kësaj thirrjeje, do të merrnin jetë të plotë dhe do të bashkoheshin ashtu si më parë, duke fluturuar drejt Ibrahimit (a.s.). Profeti Ibrahim (a.s.) i kreu të gjitha porositë e Allahut dhe e pa me sytë e tij atë që kërkoi të shihte. Ky, në fakt, ishte veç një tregues shumë i vogël i pushtetit dhe fuqisë që ka Allahu i Lartësuar në qiej dhe në tokë, të cilin Ai ia tregoi haptazi Ibrahimit (a.s.). Pastaj Allahu i Lartësuar i tha Ibrahimit (a.s.): - “Dije se Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë”. - Allahu është i Plotfuqishëm. Ai ka fuqi të sjellë në ekzistencë çdo gjë. Asgjë nuk mund të dalë jashtë kontrollit dhe pushtetit të Tij. Gjithçka është e nënshtruar ndaj pushtetit dhe madhështisë së Tij dhe asgjë nuk del jashtë Urtësisë së Tij. Ai nuk bën asgjë pa një qëllim të caktuar dhe pa urtësi të madhe. Pastaj thotë i Lartësuari: