2. Bekare · Ajeti 39 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:30–2:39

Prej shumë të mirave, të cilat Zoti ia dhuroi njeriut, më e çmuarja është nderimi qe iu bë, I me urdhërin e Zotit, nga ana e engjëjve. Njeriu duke filluar prej Ademit është caktuar zëvendës- mëkëmbës, i cili do t'i zbatojë dispozitat e Zotit në tokë. Me këtë besim që iu dha njeriut, i cili i është krijesa më e përsosur, kuptohet se në mesin e njerëzve do të ketë gjithnjë edhe të dalluar, të cilët do të udhëheqin në të gjithë lëmenjt e jetës. Engjëjt nuk e kundërshtuan vendimin e Zotit për caktimin e Ademit si zëvendës, por dëshiruan i të mësojnë edhe më shumë për aftësitë e njeriut si krijesë fizike e materiale, e cila sipas natyrës së vet është e gatshme të bëjë edhe çrregullime në tokë. Këtë engjëjt e kishin kuptuar në botën e tyre shpirtërore. Mirëpo, kur Allahu e urdhëroi Ademin t'i shfaqë aftësitë e veta me të cilat ishte përgatitur ai dhe lloji i tij për udhëheqje në tokë, ai emërtoi sendet, engjëjt e kuptuan fshehtësinë e nderimit ndaj tij, andaj respektuan urdhërin e Zotit dhe i bënë sexhde, në shenjë nderimi, e jo adhurimi.

"Sexhde" është një nga trajtat gjatë faljes së namazit kur njeriu bie në gjunj dhe me duar e fytyrë përdhe në shenjë përuljeje ndaj Zotit. Kjo përulje nuk lejohet t'i bëhet asnjë krijese, pos Krijuesit.

"Melaikët" - engjëjt nxisin virtytet e larta të njeriut, kujdesen për zbatimin e urdhërave të i Zotit në tërë ekzistencën, madhërojnë Zotin e kurr nuk gabojnë.

- "Iblis", "shejtan" është emër i djallit - dreqit. Ai është i larguar, i dëbuar, i përzënë prej "Iblis": mëshirës së Allahut. Djalli nxitë dhe ngacmon te njeriu çdo ves që është i ulët dhe shtazor.

"Xhennet" - parajs, e kur është fjala për ndonjë bukuri e kënaqësi në këtë botë, është kopsht.

Fjalët që Zoti ia mësoi Ademit për lutje pas të cilave ia fali gabimin janë të theksuara në kaptinën "A'rafë".

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:38–2:39

Allahu i Lartësuar na tregon për premtimet që Zoti u dha Ademit, Havasë dhe Iblisit, kur këta i zbriti në Tokë. Në fakt, kjo do të ishte sprovë për pasardhësit e secilit lloj. Allahu i Lartësuar i njoftoi se do të dërgonte mes tyre të dërguar e profetë, të cilët do t’u sjellin argumente e fakte, që t’u qartësojnë rrugën drejt Tij. Pastaj tha: “Çdokush që pranon udhëzimin Tim...”, pra, ai që përkushtohet dhe pason atë që Allahu do të shpallë prej librave dhe porositë që Ai do t’i sjellë përmes profetëve: “...nuk do të ketë frikë...”. Pra, nuk do të ketë frikë për atë që e pret nga çështjet e ahiretit; “...e as do të brengoset”, për ato çështje të kësaj bote që nuk i arriti dot. I Lartësuari thotë në suren Ta-Ha 123: “Ai (Allahu) u tha: “Zbrisni prej tij (Xhenetit) që të gjithë! Ju do të jeni armiq të njëri -tjetrit. Nëse ju vjen nga Unë udhëzim (libër e profet), atëherë kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur, e as nuk ka për t'u trishtuar”. Pra, - shpjegon Ibn Abasi - “nuk ka për të humbur” në dynja dhe “nuk ka për t’u trishtuar” në ahiret. Në vijim thotë: “Por, kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe Ditën e Kijametit do ta ringjall të verbër." Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?” Ai (Allahu) do të thotë: “Ashtu sikurse i shpërfille ti argumentet Tona kur të erdhën, ashtu edhe ti sot do të jesh i shpërfillur”. Dhe kështu e shpërblejmë Ne atë që i tejkalon të gjitha kufijtë dhe nuk beson në Argumentet e Zotit të vet. Por dënimi në Botën Tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm.” [Ta Ha 124]. Ndërsa këtu tha: “Ndërsa ata që mohojnë besimin dhe mohojnë argumentet Tona do të jenë ban orë të Zjarrit. Në të (në Zjarr), ata do të jenë përjetësisht". Pra, do të jenë përjetë në të dhe nuk do të kenë mundësi t’i shmangen apo të shpëtojnë prej tij. Ibn Xheriri sjell këtu një hadith me senedin e tij deri tek Ebu Said el -Hudrij, - Allahu qoftë i kënaqur prej tij, - i cili tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 62 “Banorët e Zjarrit të cilët do të jenë përjetësisht në të, as vdesin në të dhe as jetojnë. Por disa njerëz (besimtarë) që i kap zjarri për gjynahet e tyre, Allahu do t’i vdesë ata, dhe kur të jenë bërë qymyr, do të japë leje për të ndërmjetësuar për ta.” Këtë hadith e ka sjellë Muslimi nga Sh’ubeh, e ky nga Ebu Selemeh.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:35–2:39

- “Ne i thamë: “O Adem! Banoni në Xhenet, ti dhe bashkëshortja jote…” - Allahu i Lartësuar e krijoi Ademin dhe e dalloi mbi krijesat e tjera. Për t’i plotësuar e përsosur më shumë mirësitë e Tij ndaj Ademit (a.s.), Allahu i Lartësuar krijoi prej Ademit një krijesë (femrën), që t’i shërbente si qetësim dhe kënaqësi për Ademin (a.s.). Ajo do të ishte një ‘vendprehje’ për të. Allahu i Lartësuar i urdhëroi ata që të banonin në Xhenet dhe të ushqeheshin prej tij, duke u thënë: - “…dhe hani nga frutat e tij lirisht dhe ku të dëshironi” - Kuptimi: Hani fruta, domethënë shumë lloje frutash, me kënaqësi dhe duke i shijuar ato. Kështu, Ai i lejoi të provonin nga çdo gjë që shihnin në Xhenet dhe prej çdo lloji të frutave që të dëshironin. Allahu i Lartësuar i tha Ademit (a.s.), sikurse tregohet në suren Ta Ha, ajeti 119: “Ti aty (në Xhenet) nuk ke për të qenë i uritur e as ke për të mbetur i zhveshur. Aty nuk ke për të patur etje e as nuk do të kesh vapë.” Por, më pas, Allahu i Lartësuar, duke dashur t’i sprovonte, u tha: - “por mos iu afroni asaj peme e të bëheni të padrejtë.” - Domethënë flitej për një lloj peme që gjendej aty, mes të tjerave. Ndalesa e drejtuar e bënte haram afrimin te pema, sepse çdo rast kur nuk respektohet një ndalesë konsiderohet padrejtësi, zullum. Por armiku i tyre (Shejtani) vazhdoi t'u bënte atyre vesvese, t’ua zbukuronte haramin dhe t’i tundonte drejt tij, derisa: - “Shejtani i tundoi ata nëpërmjet saj (pemës)” – Pra, i tronditi nga bazat dhe qëndrueshmëria e tyre për të mos thyer urdhrat. Këtë e arriti duke ua zbukuruar të ndaluarën, duke iu betuar atyre dhe duke u shtirur si këshilltar i mirë, që u donte të mirën. E kështu, ata u mashtruan dhe iu bindën atij. - “…dhe i nxori nga ajo (e mirë) ku patën qenë.” - Në këtë mënyrë, ai i nxori ata nga mesi i atyre mirësive dhe kënaqësive që po shijonin, për t ’u hedhur në botën e lodhjes, të mundimit dhe të përpjekjeve. Allahu i Lartësuar i kallëzon për marrëdhëniet që do

të kenë mes njëri -tjetrit, njerëzit dhe xhindët, kur thotë: - “Ne u thamë: “Zbritni (dilni prej Xhenetit)! Ju jeni armiq të njëri tjetrit!” - Pasardhësit e Ademit (a.s.) do të jenë armiq të Iblisit dhe të pasardhësve të tij. Dihet shumë mirë se armiku përpiqet me të gjitha mënyrat që ta godasë kundërshtarin e tij me çdo të keqe të mundshme, si edhe t’ia ndalojë e ndërpresë të mirat atij me çdo mjet dhe me çdo rrugë që ekziston. Ky është një paralajmërim, për t ’u ruajtur prej Shejtanit. Allahu i Lartësuar thotë: “Shejtani është armiku juaj dhe si të tillë konsiderojeni. Ai e thërret grupin (pasuesit) e vet për t'u bërë banorë të Zjarrit.” Ndërsa në suren Kehf, ajeti 50, thotë: “Vallë, a në vend Tim, do ta konsideroni si mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërkohë që ata janë armiqtë tuaj?! Sa këmbim i shëmtuar dhe i padrejtë është ky (i mohuesve) !” Pastaj Allahu i Lartësuar tregon destinacionin e zbritjes: - “Në tokë ju do të keni vendbanim e strehim, dhe atje do të gjeni furnizim, deri në një afat (të caktuar) ” - Kuptimi: Për ju toka do të jetë vend qëndrimi dhe vend jetese, deri në një afat (të caktuar). Në të do të kaloni vitet e jetës suaj, për të shkuar pastaj në vendin për të cilën u krijuat dhe i cili u krijua për ju. Jeta juaj në tokë do të jetë e përkohshme, prandaj nuk meriton të quhet ‘vendprehjeje’, me plot kuptimin e fjalës. Kjo tokë është veçse një stacion, ku ne furnizohemi, për të shkuar në destinacionin përfundimtar (Xhenet). Ajo nuk është një vendqëndrim, ku ne mund të gjejmë prehjen dhe qetësinë e plotë (të përjetshme). - “Pastaj Ademi, prej Zotit të vet, mësoi disa fjalë (lutjeje)” – Pra, Ademi (a.s) mësoi disa fjalë e lutje, me të cilat e frymëzoi Allahu i Lartësuar. Këto fjalë ishin: " Rab-benâ dhalemnâ enfusenâ ue in lem tagfir lenâ ue terĥamnâ le nekûnen -ne minel ħâsirin ! “Ata të dy (Ademi dhe Havaja) thanë: “Zoti ynë, ne i bëmë dëm vetes sonë. Nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi të humbur!” [Araf 23]. Kështu, Ademi (a.s.) e pranoi gabimin që bëri dhe i kërkoi Allah ut të Lartësuar që këtë gabim t’ia mbulonte dhe t’ia falte. Përgjigjja ishte: - “…dhe Ai ia pranoi pendimin. Ai është Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti. ”. – Pra, Allahu i Lartësuar e pranoi pendesën e Ademit (a.s) dhe e mëshiroi atë. Ai është Mëshirëplotë (Raĥîm) ndaj adhuruesve të Tij. Prej mëshirës së tij është edhe suksesi që Ai u jep robve për t'u penduar, duke i falur dhe duke ua mbuluar të metat e tyre. Pranimi i pendimit prej Allahut kuptohet në dy mënyra: 1. Me anë të suksesit për t’u penduar. 2. Me anë të plotësimit të kushteve të pranimit të tij. - Ne u thamë: “Dilni prej tij (Xhenetit) që të gjithë! - Allahu i Lartësuar përsëriti, përmendjen e zbritjes në tokë të dy të rëndësishmëve, për të njoftuar krijesat për atë që i pret ata në vendbanimin e tyre të ri (në tokë). Thotë i Madhëruari: - “Juve, pa dyshim, do t'ju mbërrijë udhëzim prej Meje.” - Kuptimi: Në ç do kohë e në çdo periudhë, do t’ ju vijë prej Meje udhëzim i qartë. Udhëzimi do të vijë nëpërmjet profetëve dhe librave që do t’u shpallen atyre. Në çdo kohë, juve do t’ ju vijë ndonjë profet dhe shpallje prej Meje, që t’ju udhëzojë në rrugët e afrimit tek Unë dhe në rrugët e kënaqësisë Time. Atëherë, dijeni se: - “Çdokush që pranon udhëzimin Tim, nuk do të ketë frikë e as nuk do të brengoset.” - Kuptimi: Çdokush prej jush që e pranon udhëzimin Tim, dhe këtë pranim e interpreton duke i besuar të dërguarit dhe librat e Mi, ka një premtim të pakthyeshëm. Secili prej jush që udhëzohet nga mësimet e tyre, me fjalë të tjera, çdokush që i beson si duhet profetët dhe librat e Mi, ka një premtim të mrekullueshëm. Por çfarë quhet besim i drejtë? Një besim i drejtë kërkon plotësimin e dy kushteve:

1. Pohimin dhe besimin larg çdo dyshimi të të gjitha informacioneve që kanë ardhur nëpërmjet librave dhe profetëve. 2. Zbatimin me rigorozitet të urdhrave dhe largimin nga ndalesat, të cilat janë sqaruar nga profetët dhe janë porositur në ato libra. Çdokush që i beson profetët dhe librat në këtë mënyrë të drejtë, ka një premtim prej Allahut të Lartësuar, që thotë: “…nuk do të ketë frikë e as do të brengoset.” Ndërsa në një ajet tjetër, dhe pikërisht në ajetin 123 të sures Ta Ha, thuhet: “Ai (Allahu) u tha: “Zbritni prej tij (Xhenetit) që të gjithë! Ju do të jeni armiq të njëri -tjetrit. Nëse ju vjen nga Unë udhëzim (libër e profet), atëherë kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur, e as nuk ka për t'u trishtuar”. Kështu, Allahu i Lartësuar ka premtuar katër gjëra për ata që ndjekin udhëzimin e Tij: 1. Ata do të jenë të ruajtur nga frika. 2. Ata do të jenë të ruajtur nga mërzitia dhe brenga. 3. Ata do të jenë të ruajtur nga humbja dhe devijimi. 4. Ata do të jenë të ruajtur nga trishtimi. Për ta nuk do të ketë as frikë e as brenga. Ndryshimi mes këtyre dy gjendjeve qëndron në faktin se diçka e keqe dhe e papëlqyeshme, nëse ka kaluar, sjell brengë (el ĥuzn ) në shpirtin tënd. Ndërsa kur ajo pritet të ndodhë, shkakton frikë ( el ħauf). E pra, për ata që ndjekin udhëzimin e Allahut nuk ka frikë dhe as brengosje. Madje ata do të shijojnë të kundërtat e këtyre gjendjeve, duke qenë gjithnjë të sigurt dhe të qetë. Gjithashtu, kush ndjek udhëzimin e Tij nuk ka për të humbur a devijuar dhe nuk ka për t'u trishtuar. Përkundrazi, ai do të përjetojë të kundërtat e këtyre gjendjeve: ai do të jetë i udhëzuar dhe gjithnjë i lumtur. Përfundimisht, njerëzit që ndjekin udhëzimet e Allahut kanë për të shijuar qetësinë, sigurinë, prehjen dhe lumturinë, si në këtë jetë, edhe në jetën tjetër. Vetëm ata mund të quhen të udhëzuar në rrugën e drejtë. Të udhëzuarit nuk përjetojnë asnjë lloj frike dhe brenge. Ata nuk shkelin në ndonjë rrugë të humbur dhe nuk e provojnë trishtimin e përjetshëm. Këta do të arrijnë gjithçka që dëshirojnë dhe do të jenë të shpëtuar nga gjithçka së cilës i druhen dhe të cilën nuk e duan. - “Ndërsa ata që mohojnë besimin dhe përgënjeshtrojnë argumentet Tona, …” – Pra, ata të cilët nuk e ndjekin udhëzimin e Allahut, të sjellë nëpërmjet profetëve dhe librave: - “…do të jenë banorë të Zjarrit. Në të (në Zjarr) ata do të jenë përjetësisht. ". – Pra, ata do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, duke mos dalë kurrë prej tij. Dënimi i tyre nuk do të pakësohet e lehtësohet asnjëherë dhe ata kurrë nuk do të ndihmohen. Në këtë ajet, dhe në të tjera si ai, Allahu i Lartësuar i ndan krijesat në: krijesa të lumtura dhe krijesa të trishtuara. Në këto dy grupe klasifikohen xhindët dhe njerëzit. Ajetet kur'anore përshkruajnë gjithashtu cilësitë e secilit grup, si dhe veprat që i karakterizojnë ata. Pikërisht në bazë të këtyre veprave, ata përfundojnë në vendin që u takon. Nga ky

ajet kuptohet që edhe xhindët, sikurse dhe njerëzit, do të shpërblehen me të mira dhe do të meritojnë ndëshkimet që i bëjnë hak në këtë jetë. Edhe xhindët, sikurse njerëzit, do të jenë njëlloj në përgjegjësinë që do të mbajnë, në aspektin e zbatimit të urdhrave dhe të largimit nga ndalesat hyjnore. Më pas, Allahu i Lartësuar nis të përmendë mirësitë dhe dhuratat e shumta që u pati dhënë bijve të Israilit (çifutëve), duke thënë:

← Bekare 2:39