20. Ta Ha · Ajeti 135 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 20:115–20:135
Ngjarja rreth përuljes së engjëjve me urdhërin e Zotit ndaj Ademit dhe e refuzimit të shejtanit, është përsëritur në shtatë kaptina të Kur'anit me qëllim që besimtarët të kuptojnë se duhet zbatuar urdhërin e Zotit, i duhet larguar prej ndalesave dhe rikujtuar armiqësinë e shejtanit, të cilën ai e shfaqi kundër babait të tyre, i Ademit, e të cilën e shfaq edhe ndaj secilit pasardhës të Ademit.
Zoti xh. sh. ia bëri me dije Ademit armiqësinë e dreqit, ia bëri me dije telashet që do ta goditnin nëse do të dëgjonte mësimet e tij, por shejtani, me vesvesen e tij, e preku Ademin në dy pikat që janë më të ndieshmet dhe më lakmueset për njeriun në përgjithësi. E preku në pavdekshmëri, d.m.th. në jetë të amshueshme dhe në pasuri të pashtershme. Që të dyja këto ia ka anda njeriut, andaj, jo nga lakmia për të ngrënë nga ajo pemë, por nga lakmia e fitimit të atyre dy cilësive, Ademi u mashtrua.
Si masë e parë e ndëshkimit të Ademit dhe të Havës, ishte ajo kur ata u zhveshën prej petkut, që ishin rreze drite të cilat mbulonin trupin e tyre, e kur u zbuluan, ngarendin e mblidhnin gjethe të pemevë të xhennetit duke mbuluar avretin e tyre.
I Në xhennet jetën e kishin të garantuar pa kurrfarë mundi, e kur u larguan prej aty, çështja e jetës e gjallimit mbeti përgjegjësi e njeriut, e si rrjedhojë e saj, paraqiten mosmarrëveshjet dhe grindjet mes njerëzve, andaj u thuhet se do të jenë armiq të njëri-tjetrit, nëse nuk u përmbahen mësimeve të Zotit, që do t'i sillte me shpallje përmes pejgamberëve. Kush ua kthen shpinën porosive të Zotit, ai edhe në këtë jetë do të jetë gjithnjë në vështirësi, por mjerimi kryesor është se ai në botën tjetër do të jetë i mënjanuar nga mëshira e Zotit.
Muhammedi urdhërohet të jetë i durueshëm ndaj përgojimeve të armiqve, urdhërohet t'i falë pesë kohët e namazit e të mos u lakmojë atyre që përjetojnë kënaqësi të kësaj jete, pse kjo jetë është vetëm sprovë, është begati e shkurtër dhe e zhdukshme, e të mirat e Zotit janë shumë më të mëdha e të përjetshme. Pra, çështja e rrojtjes nuk guxon të jetë preokupim e ta largojë njeriun nga namazi dhe përkujtimi ndaj Zotit.
Idhujtarëve u erdhi Muhammedi me Kur'an në të cilin përkshkruheshin ngjarjet e shënuara në librat e mëparshëm, me çka dokumentohej se Kur'ani ishte mrekulli e shpallur prej Zotit, madje edhe në librat e hershëm kishte shënime për ardhjen e Muhammedit, e të Kur'anit, e megjithkëtë ata kërkonin ndonjë mrekulli tjetër, andaj u thuhet të pritnin se do të shihnin se cila ishte rruga e drejtë, e tyre ose ajo e besimtarëve të drejtë, e besimtarëve të besimit islam.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "TA HA". Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 20:133–20:135
Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar na tregon rreth fjalëve të mohuesve dhe arsyetimit që ata i bënin mosbesimit të tyre. - “Ata thonë: “Përse nuk na sjell ai ndonjë argument nga Zoti i vet? ” - Pse nuk na sjell Muhamedi një shenjë nga Zoti i tij, që të tregojë se është vërtet i dërguar nga Zoti? Allahu i Lavdëruar thotë: - “A nuk u erdhi atyre (në Kuran) argument i qartë për gjithçka që qe në librat e mëparshëm të shpalljeve?!”. - A nuk shohin ata mjaftueshëm në këtë libër madhështor rreth historive të popujve të hershëm, edhe pse Muhamedi është ummij, pra, që nuk di shkrim e lexim dhe nuk ka mësuar nga ithtarët e Librit?! Madje, Kurani është vërtetues dhe garantues i librave të mëparshëm. Ai verifikon saktësinë e tyre, duke dalluar çfarë është e devijuar, e tjetërsuar dhe e shtuar nga njerëzit. Ky i ngjan ajetit tjetër, ku thuhet: “ Ata thanë: “Përse të mos i ketë zbritur atij ndonjë
shenjë (mrekulli) nga Zoti i tij?” Thuaj: “Çështja e shenjave (mrekullive) është vetëm në dorë të Allahut, kurse unë jam veçse një paralajmërues i qartë.”! Po a nuk u mjaftoi atyre që Ne të shpallëm ty një Libër, që u këndohet atyre (besnikërisht)? Nuk ka dyshim se kjo është mëshirë e këshillë për njerëzit që besojnë.”. Thuaj: “Mjafton që Allahu është dëshmitar ndërmjet meje dhe jush.” Ai e di ç’ka në qiej e në Tokë. Dhe ata që besuan në të kotën e nuk besuan në Allahun, pikërisht ata janë të humburit.”. ” [Ankebut 50, 51]. Në dy Sahih-ët vjen hadithi se i Dërguari i Allahut ka thënë: 1806. “Çdo profeti të Allahut i është dhënë si mrekulli diçka e mjaftue-shme, që njerëzit ta besojnë. Ajo që m'u dha mua ishte Shpallja, që Allahu ma zbriti, prandaj shpresoj se unë do të jem Profeti me më shumë pasues në Ditën e Kijametit.” Në këtë hadith është përmendur mrekullia më e madhe dhe e rëndësishme, që iu dha Profetit, por jo se është e vetmja mrekulli, pasi Zoti i dha atij mrekulli dhe shenja të panumërta, sikurse është shtjelluar kjo temë në vendin e vet. - “Sikur Ne t’i ndëshkonim ata me ndonjë dënim para këtij (Kuranit) ...” - Nëse Ne do t’i shkatërronim përpara se t’u dërgonim Profetin ﷺ dhe të zbrisnim Kuranin madhështor, ata do të thoshin: - “O Zoti ynë! Sikur të na kishe çuar ndonjë të dërguar, ne do ta kishim ndjekur me siguri Shpalljen Tënde, para se të poshtëroheshim e të turpërohe - shim!”. - Pra, do të justifikoheshin e do të mëtonin se, nëse do u dërgohej profet, ata do ta dëgjonin dhe do ta pasonin atë. Por Allahu i Madhëruar dhe i Gjithëditur na qartëson se ata janë kryeneçë e inatçorë, që thjesht kanë zgjedhur t’i kundërvihen të vërtetës me inat e urrejtje. Ata nuk synojnë të pranojnë ftesën e Zotit. I Lartësuari thotë: “Me të vërtetë, ata të cilët e merituan vendimin e Zotit tënd (për ndëshkim) , ata nuk do të besonin, edhe sikur t’u vinin të gjitha shenjat, derisa ta shohin vetë dënimin e rëndë.” [Junus 96, 97]. “Me të vërtetë, edhe ky është një Libër, të cilin Ne e zbritëm si bekim. Përmbajuni mësimeve të tij dhe të jini të devotshëm, që të mëshiroheni e që të mos thoni: “Libri iu zbrit vetëm dy popujve para nesh, kurse ne nuk dinim gjë për librat (qiellorë) dhe mësimet e tyre.” Që të mos thoni, gjithashtu: “Sikur Libri të na kishte zbritur neve, do ta kishim ndjekur udhëzimin e tij edhe më mirë se ata.” Tani që ju erdhi nga Zoti juaj një argument i qartë dhe një udhëzim e mëshirë, kush është më keqbërës se ai që i mohon argumentet e Allahut dhe ua kthen shpinën atyre?! Ne do t’i godasim me ndëshkimin më të rëndë ata, që ua kthejnë shpinën argumenteve Tona dhe që pengojnë (njerëzit) nga rruga e drejtë.” [En’am 155, 157]. Ose: “Ata u betuan me betimin më të fortë në Allah se, nëse do t'u vinte ndonjë profet, ata do të ishin më të udhëzuar (më besimtarë) se çdo popull tjetër (jehudët e krishterët) . Por, kur atyre u erdhi Profeti, kjo u shtoi veçse largimin (nga e Vërteta), për shkak të mendjemadhësisë dhe të dredhive të tyre për të keqen. Por, dredhia për të keqen nuk godet askënd tjetër, veç atyre që e kurdisin. A janë duke pritur ata ndonjë ligj tjetër, veç ligjit të Allahut ndër popujt e hershëm? Në ligjin e Allahut nuk do të gjesh asnjë ndryshim.” [Fatir 42, 43]. Ose: “Ata betohen fuqishëm në Allahun se, nëse u vjen ndonjë shenjë (e veçantë), do ta besojnë. Thuaju: “Të gjitha shenjat janë në dorën e Allahut”. Por ku mund ta dini ju se, edhe sikur t’u vijnë shenjat (e veçanta), ata përsëri nuk do të besojnë. Ne do t'ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t'i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre. Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën) .” [En’am 109 - 111]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë:
- “Thuaj: “Të gjithë janë duke pritur. Prisni atëherë edhe ju! ” - Thuaju, o Muhamed, se të gjithë janë duke pritur, si ne, ashtu edhe ju. Prisni dhe do të shihni përfundimin e gjithësecilit. - “Së shpejti ju do ta dini se kush ishin ndjekësit e rrugës së drejtë ...” - Domethënë, të rrugës së Zoti. - “... dhe se kush ishin ata që u udhëzuan në të vërtetën.”. - Do të dalloni e shihni qartë se cilët ishin ata që kanë ndjekur rrugën e drejtë dhe cilët e shpërfillën atë, duke zgjedhur errësirën dhe rrugët e humbjes. Kjo i ngjan fjalës së Allahut: “ (Të mjerët!) Shpejt do ta mësojnë, kur ta shohin qartazi dënimin, se kush ishte më larg së vërtetës.’ [Furkan 42]. Ose: “Do ta kuptojnë nesër se kush është gënjeshtari mendjemadh.” [Kamer 26]. Ky është fundi i shkurtimit të tefsirit të sures Ta Ha. Vetëm Allahut i takojnë të gjitha lavdërimet dhe mirënjohja. E lusim të Lartësuarin të na drejtojë dhe të na japë forcë e sukses!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 20:133–20:135
- Ata thonë: “Përse nuk na sjell ai ndonjë Argument nga Zoti i vet? - Kundërshtuesit e Profetit e pyesnin atë: “Pse nuk na sjell ndonjë shenjë nga Zoti i Tij?” Ata kishin për qëllim mrekullitë që ata propozonin vetë, si për shembull kur thoshin: “Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të na nxjerrësh burime prej tokës; ose të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh që mes e tyre të rrjedhin vazhdimisht lumenj; ose, ashtu sikurse mëton ti (se do të na dënojë Zoti), le të bjerë mbi ne qielli copa-copa; ose derisa të na sjellësh Allahun dhe melekët pranë nesh (t’i shohim haptazi); ose të kesh një shtëpi prej ari, ose të ngjitesh lart në qiell. Madje, edhe sikur të ngjitesh lart në qiell, ne nuk do të të besojmë, derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë.” Thuaju: “I madhëruar qoftë Allahu! A mos jam unë tjetër, përveçse një njeri profet?” [Isra 90 -93]. Kjo ishte mendjemadhësi, inat dhe padrejtësi e madhe nga ana e tyre. Si ata, ashtu edhe profetët janë njerëz e robër të Zotit, prandaj edhe ata e dinë se nuk duhet të kërkojnë të tilla shenja e mrekulli sipas dëshirave të tyre. Ai që zgjedh mrekullitë e duhura për t’ia dhënë një profeti është vetëm Allahu i Madhëruar. Me urtësinë e Tij, Ai i jep profetit shenja të mjaftueshme që vërtetojnë atë si profet dhe Shpalljen që ai sjell nga Zoti. Ato shenja janë mëse të mjaftueshme për t’i besuar bindshëm. Ata pyesnin: “Përse nuk na sjell ai ndonjë shenjë nga Zoti i vet? Sipas tyre, Profeti nuk kishte sjellë asnjë shenjë për të provuar vërtetësinë e tij si Profet i Zotit. Kjo ishte një shpifje e paskrupullt, sepse Profeti i zgjedhur u solli atyre mrekulli mahnitëse dhe të pakundërshtueshme. Madje, edhe një pjesë e vogël e atyre mrekullive do të ishin mëse të mjaftueshme për të treguar se ai ishte Profet i Zotit dhe fliste në emër të Tij, prandaj tha: - A nuk u erdhi atyre (në Kur’an) Argument i qartë për gjithçka që qe në Librat e mëparshëm të shpalljeve?”. - Nëse vërtet dëshirojnë të vërtetën me argumente, le të shohin këtë libër dhe faktin se ai është vërtetues dhe garantues i shpalljeve dhe ligjeve të Zotit të sjella në librat më të hershëm. Shiko ngjashmërinë e madhe mes Kur'anit dhe shpalljeve të para, si Teuratit, Ungjillit etj. Ai përmend të njëjta histori ashtu si ata. Madje, edhe në librat e mëhershëm paralajmërohej për Kur'anin dhe ligjin e Zotit, që do të jetë gjithmonë me njerëzit. Në to flitej për Profetin e fundit, që sipas parashikimeve, nuk dinte të shkruante e të lexonte. Përveç këtyre, Kur'ani është mrekullia më e madhe që garanton udhëzimin dhe besimin e njerëzve, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Po a nuk u mjaftoi atyre që Ne të shpallëm një libër, i cili u lexohet atyre (qartësisht)? Nuk ka dyshim se kjo është mëshirë e kujtim për njerëzit që besojnë”. [Ankebut 51]. Mrekullitë u bëjnë dobi vetëm besimtarëve dhe mrekullia më e madhe është vetë Kur'ani. Nëpërmjet shenjave dhe argumenteve, besimtarëve u shtohet besimi dhe u forcohet siguria në premtimet e Zotit.
Ndërsa ata që refuzojnë shpalljet e Zotit dhe jetojnë në kundërshtim me to, ata nuk besojnë dhe as që mund të përfitojnë prej Kur'anit dhe shenjave të Zotit, siç thuhet në Kur'an: “Me të vërtetë, ata të cilët e merituan vendimin e Zotit tënd (për ndëshkim), ata nuk do të besonin, edhe sikur t’u vinin të gjitha Shenjat, derisa ta shohin vetë dënimin e rëndë.” [Junus 96, 97]. E vetmja gjë që ndodh kur ata dëgjojnë Kur'anin dhe faktet e Zotit është se ata nuk do të kenë më justifikim para Zotit kur mbi ta të zbresë dënimi. Atë ditë nuk do të mund të thonë: - Dhe sikur Ne t’i ndëshkonim ata me ndonjë dënim para këtij (Kur’anit), ata do të thoshin: “O Zoti ynë! Sikur të na kishe çuar ndonjë të dërguar, ne do ta kishim ndjekur me siguri shpalljen Tënde, para se të poshtëroheshim e të turpëroheshim.”. - Ja ku ju erdhi i Dërguari, me argumente të qarta dhe të prera. Nëse vërtet doni të besoni, atëherë besojini këtij profeti dhe pasoni rrugën e tij. - Thuaj: “Të gjithë janë duke pritur. Prisni atëherë edhe ju! - Mohuesit e Profetit e quanin atë gënjeshtar, madje thoshin: “Ai është veçse një poet, prandaj po presim derisa vdekja ta zhdukë!”. Thuaju: “Prisni, sepse edhe unë po pres bashkë me ju!”. [Tur 30, 31]. Ndërsa në këtë ajet thuhet: “Të gjithë janë duke pritur, prandaj prisni edhe ju!” Pra, prisni që unë të vdes, sepse edhe unë po pres që ju t’ju përfshijë ndëshkimi i Zotit. Por ne presim veç mirësi prej Allahut, siç thotë ajeti kuranor: “Thuaj: “Asgjë nuk do të na ndodhë, përveç asaj që ka caktuar Allahu për ne; Ai është Mbrojtësi ynë”. Prandaj, vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët! Thuaj: “E çfarë prisni për ne, përveçse njërës nga dy të mirat (therori ose fitore) ? Ndërsa ne presim për ju që Allahu t’ju godasë me një dënim prej Tij, ose prej duarve tona. Prisni atëherë, sepse edhe ne së bashku me ju po presim!”” [Teube 51, 52]. - Së shpejti ju do ta dini se kush ishin ndjekësit e rrugës së drejtë dhe se kush ishin ata që u udhëzuan në të vërtetën.”. - Ata që ndjekin rrugën e drejtë të shpallur nga Zoti, ata janë të shpëtuarit dhe njëkohësisht ata që kanë fituar mbarësi në këtë botë dhe në ahiret. Ndërsa ata që e shpërfillin këtë rrugë do të jenë në humbje dhe dëshpërim. Dihet mirë se Profeti i Zotit dhe pasuesit e tij e gjetën rrugën e drejtë dhe do të jenë në kopshtet e mirësisë përjetësisht, ndryshe nga armiqtë e tyre, që do të përfundojnë në Xhehenem pa shpresë për shpëtim. Allahu është më i ditur.