20. Ta Ha · Ajeti 16 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 20:1–20:16

Dy shkronjat e para, Ta dhe Ha janë sikurse edhe të tjerat në fillim të kaptinave, që sipas mendimit të një shumice dijetarësh, janë të pashpjegueshme - muteshabih. Sipas Ibni Abasit etj. do të thotë: O njeri! Ka mendime se ato shkronja janë emër i Zotit, emër i Pejgamberit, emër i kaptinës, ose është: "i lumi ai që ka I gjetur rrugën e drejtë", apo është "shkele tokën o Muhammed" etj.

Zoti xh. sh. i thotë Muhammedit se Kur'anin nuk ia ka zbritur që me të ta mundojë atë, por si këshillë e dritë për atë që ia ka frikën Zotit, që krijoi gjithçka dhe prej fronit të vet udhëheq me gjithçka, prandaj i thotë se në asnjë moment nuk është i vetmuar dhe se lutjen mund ta shprehë si të dojë, me zë të lartë ose të ulët, sepse Zoti e di edhe atë që është në shpirtin e tij, e që nuk shprehet fare.

Duke u kthyer Musai prej Medjenit për në Egjipt, e humb rrugën ngase ishte një natë shumë e errët e edhe e ftohtë. Papritmas në anën e majtë të rrugës sheh një zjarr dhe i thotë familjes: Rrini në vend derisa të shkoj te ai zjarr të marrë ndonjë unë të ndezur, ose të gjejë ndokë që do të më tregojë për rrugën.

Mirëpo, kur ai afrohet sheh se nuk ishte zjarr por dritë, e Zodo therret, e thërret, e duke i thënë se Ai ishte Zoti te ai zianr të marrë ndonië unë të ndezur. i tij, e urdhëron të zbathet dhe e njofton se gjendet në luginën e shenjtë Tuva. Pastaj, i thotë se atë e ka caktuar pejgamber dhe t'ia vërë veshin mirë asaj që po i shpallej, se Ai që e thërriste është vetë Zot dhe tjetër zot pos — — Tij nuk ka. Pos kësaj Ai thotë: Mua më përkujto gjatë faljes, e bëhu gati se kijameti pa tjetër ka për të ardhur, por Unë e kam lënë të fshehtë momentin, e ty të mos mashtorjë ndonjë që nuk e beson gjykimin para Zotit e është i dhënë pas qejfeve të kësaj bote, e të të merr në qafë edhe ty, sepse atë ditë do të shpërblehet secili i për veprat që ka bërë. Këto porosi ia bën Zoti për ta forcuar Musain në bindje, sepse më vonë ai do të ballafaqohet me faraonin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 20:11–20:16

- “Por, kur shkoi te zjarri , u dëgjua një zë: “O Musa!” - Kur u afrua pranë zjarrit, u thirr prej Allahut të Madhëruar, fillimisht në emër: “O Musa!” Në një ajet, tjetër Allahu i Lartësuar thotë: “ Por, kur arriti tek ai (zjarri), u dëgjua një zë nga një pemë nga ana e djathtë e luginës së atij vendi të bekuar: “O Musa! Unë jam Allahu, Zoti i botëve.”” [Kasas 30]. Ndërsa këtu thuhet: - “Jam Unë, Zoti yt. ” - Domethënë: “Jam Unë, Zoti yt, që po të flet!” - “Hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë! ” - Për të nderuar këtë vend të shenjtë, që quhej Tuva. - “Unë të kam zgjedhur ty. ” - Në një ajet tjetër thuhet: “Ai (Allahu) tha: “O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët me Shpalljen Time dhe të folurin Tim. Zbatoje atë që të kam dhënë dhe bëhu nga ata që janë mirënjohës!”.” [Araf 144]. Allahu i Lartësuar e zgjodhi dhe e dalloi Musain mbi të gjithë njerëzit e kohës së tij. - “Prandaj dëgjoje mirë atë që po të shpallet!” - Dëgjo me kujdes atë që do të të shpall tani. - “Jam Unë, Allahu! Nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Meje. ” - Kjo është detyra e parë mbi të përgjegjshmit ligjërisht: Ta dinë me siguri të plotë se nuk ka Zot tjetër, që meriton të adhurohet, veç Allahut. Ai është një i vetëm dhe nuk ka ortak me Të, që të meritojë adhurim. - “Pra, vetëm Mua më adhuro ...” - Përkushtohu në adhurimin ndaj Meje dhe vetëm ndaj Meje, pa më shoqëruar asnjë dhe asgjë! - “... dhe fale namazin rregullisht për të më kujtuar Mua!” - Falu për Mua, sa herë që të më kujtosh. Këtë kuptim e mbështet hadithi nga Enesi në dy Sahih-ët, se Profeti i Allahut ka thënë: 1779. “Për atë të cilin e zë gjumi ose e harron namazin, kompensimi dhe shlyerja është që ta falë atë kur ta kujtojë. Nuk ka mënyrë tjetër kompensimi përveç kësaj.” - “Pa dyshim, Ora (e Kijametit) do të vijë patjetër, por Unë e kam fshehur atë, që çdokush të shpërblehet sipas përpjekjeve që ka bërë. ” - Ajo do të ndodhë patjetër dhe askush nuk mund ta pengojë apo shmangë atë. Vërej kur Allahu i Lartësuar thotë: “... por Unë e kam fshehur atë ...”. Pra, ia kam fshehur atë çdo krijese, duke mos ia treguar kohën e saj akujt. I Lartësuari thotë në ajete të tjera: “Thuaj: “Askush në qiejt dhe në Tokë nuk e di të fshehtën, përveç Allahut dhe as nuk e dinë se kur do të ringjallen (për gjykim)!” E edhe më e pakët është dija e tyre për botën tjetër? Por, ata janë në dyshim (e në pasiguri) për atë. Madje, ata janë të verbër ndaj saj.” [Neml 65, 66]. Ose: “Të pyesin ty rreth Orës (së Kijametit), kur do të ndodhë? Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im. Askush, veç Tij nuk mund ta zbulojë kur do të ndodhë. Kjo barrë është shumë e rëndë për gjithçka në qiej dhe në tokë. Ajo ka për të ardhur veçse befas. Ata të pyesin ty, sikur ti të kishe zbuluar dijen rreth saj. Thuaj: “Për të di vetëm Allahu”, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” [Araf 187]. Kështu, dituria rreth kohës së Kijametit është e largët për banorët e qiellit dhe të tokës. Pastaj, për të na treguar urtësinë, përse Allahu i Lartësuar ua ka fshehur krijesave kohën se kur do të ndodhë Kijameti, thotë: “... që çdokush të shpërblehet sipas përpjekjeve që ka bërë.” Domethënë, që çdo njeri të shpërblehet ose të ndëshkohet, sipas veprave që ka bërë në këtë jetë. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Atë ditë, njerëzit do të grumbullohen të ndarë në grupe, që të shihen (e llogariten për) veprat e tyre. Kush ka bërë ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do të shohë. Dhe kush ka bërë ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do të shohë.” [Zelzele 6 - 8]. Ose: “... Ky është i vetmi “shpërblim” për atë që e merituat me veprat tuaja.” [Tur 16]. - “Prandaj, mos e lejo atë që nuk beson në të (Ditën e Kijametit) dhe që është dhënë pas dëshirave të tij të të devijojë

(nga rruga e drejtë) , se atëherë do të shkatërrohesh ...” - Këto fjalë u drejtohen të gjithë robërve që janë të përgjegjshëm ligjërisht. Pra, mos ndiqni rrugën e atyre të cilët nuk besojnë Ditën e Ringjalljes dhe të cilët janë përkushtuar pas kësaj dynjaje, duke shpërfillur kështu urdhëresat e Allahut të Madhëruar, që kujdeset për ta. Ata thjesht ndjekin dëshirat e tyre pa fre dhe e kanë humbur rrugën e drejtë; nëse ndiqni rrugën e tyre, edhe ju do të shkatërroheni.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 20:9–20:16

Allahu i Madhëruar, duke i dhënë rëndësi të madhe historisë së Musait dhe kujtimit të saj i drejtohet profetit të Tij të dashur, Muhamedit (a.s.), me një pyetje që nxit dëshirën për të mësuar sa më shumë prej saj: - A ka mbërritur tek ti historia e Musait? - Bëhet fjalë konkretisht për fillimet e kësaj historie. Ato çaste të papërsëritshme ishin fillimi i lumturisë së Musait dhe momenti më madhështor i shpalljes së tij si profet i Zotit të botëve. Kështu, Musai kishte humbur rrugën, kur pa nga larg një zjarr. Ndërkohë po ndiente të ftohtë dhe nuk kishte me çfarë të ngrohej.

- Ja. Ai pa një zjarr dhe i tha familjes së vet: “Rrini ku jeni, se vërejta një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell ndonjë dru të ndezur prej tij, ose të gjej pranë zjarrit ndonjë udhërrëfyes.”.”. - Ai pa zjarr në të djathtë të malit Tur dhe tha: “Po iki atje, se mbase ju sjell ndonjë shkarpë të ndezur për zjarr ose mos gjej atje ndonjë njeri, që të na tregojë rrugën. Musai po kërkonte dritë dhe orientim, për udhëtimin e tij në tokë, por atje ku shkoi gjeti dritë dhe udhëzim shpirtëror. Atje gjeti dritën e Shpalljes, përmes së cilës do të ndriçoheshin shpirtrat dhe zemrat me një orientim të plotë dhe të saktë, duke u udhëzuar në rrugën e drejtë, që të çon në kopshtet e mirësisë. Kësisoj, Musait po i ndodhte diçka që nuk e kishte pritur kurrë dhe as që nuk i kishte shkuar ndër mend. - Por, kur shkoi te zjarri, u dëgjua një zë: “O Musa!”.” - Kur iu afrua zjarrit që kishte parë nga larg, Musai vuri re se ishte një zjarr jo i zakontë. Ai ishte një zjarr që digjte, por edhe që shkëlqente e rrezantonte shumë dritë. Për këtë tregon edhe fjala e Profetit (a.s), i cili, duke përshkruar perden e Zotit, thotë: “Perdja e Tij është dritë ose zjarr. Nëse do ta zbulonte, rrezatimi i Fytyrës së Tij do të digjte gjithçka ku shkonte shikimi i Tij (pra, çdo gjë).” Kur mbërriti atje, Musai dëgjoi që e thirrën. Ishte Allahu që e thirri dhe i foli, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Përmendju në Libër Musain! Ai ishte i zgjedhur dhe ishte i dërguar dhe profet. Ne e thirrëm atë nga ana e djathtë e kodrës Tur dhe e afruam për t’i folur nga afër”. [Merjem 51, 52]. I Madhëruari i tha: - Jam Unë Zoti yt. - I tha se Ai ishte Zoti i tij dhe e urdhëroi që të përgatitej për bisedën e afërt e të ngushtë, që do të zhvillohej në vijim. Musai duhej të kujdesej mirë për këtë mirësi të pashembullt. - Hiqi nallanet sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë! - Allahu urdhëroi që të hiqte sandalet, sepse ndodhej në një luginë të pastër, të shenjtë e madhështore. Do të mjaftonte si shenjtëri e madhështi e saj vetëm fakti që Zoti e përzgjodhi si vend për t’i folur Musait, të cilin e ka quajtur Kelimullah, domethënë, “Ai të cilit i foli Allahu.” Disa interpretues të tjerë të Kur'anit thonë se Allahu e urdhëroi Musain të hiqte sandalet, sepse ato ishin punuar me lëkurë gomari. Megjithatë, Allahu është më i ditur për gjithçka. - Unë të kam zgjedhur ty... - Unë të zgjodha, të dallova, të veçova nga të gjithë njerëzit. Kjo ishte mirësia më e madhe e Zotit mbi Musain, që meriton mirënjohje shumë të madhe, ashtu siç e meriton një mirësi e tillë e pashembullt. Duke i treguar pikërisht mënyrën e shprehjes së mirënjohjes, Allahu i tha: - ...prandaj dëgjoje mirë atë që po të shpallet! Jam Unë Allahu. - Përkushtoje të gjithë dëgjimin tënd në atë që po të shpallet, sepse kjo shpallje e meriton një respekt dhe interesim të tillë! Tashmë ty do të përcillen themelet e fesë dhe të besimit Islam. Më pas, i Madhëruari vijon të shtjellojë Shpalljen dhe këto themele të rëndësishme: - Nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Meje. - Allahut i takon i gjithë adhurimi. Ai është i vetmi i adhuruar me meritë, sepse Ai është i plotë e absolut në atributet e Tij, është i pakrahasueshëm dhe i vetëm në veprat dhe cilësitë e Tij. Ai nuk ka shembull, nuk ka të ngjashëm, as të barabartë e të njëjtë në emrat, cilësitë dhe veprat e Tij. - Pra vetëm Mua më adhuro dhe fale namazin rregullisht për të më kujtuar Mua! - Vetëm Mua m’i përkushto të gjitha llojet e adhurimeve, ato të shfaqura haptaz dhe ato të fshehtat, ato që janë themele dhe ato që janë degëzime. Pastaj i Madhëruari thekson namazin, edhe pse për të na nxit më sipër në mënyrë të përgjithëshme. E përmend namazin veçmas, për shkak të vlerës dhe rëndësisë së tij të madhe. Ky lloj adhurimi është adhurimi ku marrin pjesë në harmoni zemra, gjuha dhe të gjithë gjymtyrët. Vëreni se si Allahu thotë: “... fale namazin për të më kujtuar Mua!” Sigurisht, kujtimi i Allahut me zemër është

qëllimi më i lartë. Ai është një adhurim zemre, përmes së cilit arrihet lumturia. Ajo zemër e larguar nga përmendja e Allahut do të jetë e privuar nga të gjitha të mirat; ajo është një zemër e shkatërruar tërësisht. Allahu ka përcaktuar shumë adhurime, qëllimi i të cilave është të kujtojmë Atë. Vetëm kështu mund të rregullohet zemra e njeriut. Nuk ka dyshim se adhurimi më i rëndësishëm për këtë qëllim është falja e namazit. Allahu i Madhëruar thotë: “Lexoje atë që po të shpallet nga libri dhe fale namazin! Namazi të largon nga punët e shëmtuara dhe poshtërsitë. Përmendja e Allahut është më e rëndësishmja. Allahu di gjithçka që bëni ju.” [Ankebut 45]. Namazi të ndalon nga poshtërsitë dhe të këqijat dhe bën që ta kujtosh Allahun më shpesh me zemër. Kujtimi i Allahut me zemër është shumë herë më i rëndësishëm sesa thjesht largimi nga të këqijat. Këtë e sjell namazi. Me fjalë të tjera, dobia më e madhe që sjell namazi është kujtimi i Zotit. Kjo është një nga pjesët e teuhidit: Njësimi i Zotit në meritën e adhurimit. Merita e adhurimit është cilësi vetëm e Zotit, ndërsa krijesat duhet t’i shprehin Atij me përunjësi adhurimin e tyre. - Pa dyshim, Ora (e kijametit) do të vijë patjetër,... - Ora e Kijametit do të vijë patjetër në mënyrë të pakthyeshme. - ...por Unë e kam fshehur atë... – Zoti e ka fshehur kohën e kësaj ndodhie, sikurse thotë në një ajet tjetër: “I lartësuar qoftë Ai, në dorën e të Cilit është sundimi i qiejve e i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet ndërmjet tyre! Vetëm Ai e di çastin e Kijametit dhe tek Ai do të ktheheni.” [Zuhruf 85]. Ose: “Njerëzit të pyesin për Orën (e Kijametit). Thuaju: “Për atë di vetëm Allahu. E, ku mund ta dish ti, ai ndoshta është afër!” [Ahzab 63]. Allahu e ka fshehur këtë çështje nga të gjitha krijesat, qofshin melekë të afërt dhe profetë të dërguar. Askush veç Tij nuk e di. Urtësia e ndodhisë së Kijametit është: - ... që çdokush të shpërblehet sipas përpjekjeve që ka bërë. - Të gjithë do të marrin atë që meritojnë për veprat e tyre, të mira ose të këqija. Kijameti është porta për në botën e shpërblimit ose ndëshkimit, sikurse thotë i Madhëruari: “Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai ka për t'i dënuar ata që bëjnë keq sipas veprave të veta e ka për t’u dhënë shpërblimin më të mirë atyre që bëjnë vepra të mira.” [Nexhm 31]. - Prandaj, mos e lejo atë që nuk beson në të (Ditën e Kjametit) dhe që është dhënë pas dëshirave të tij të të devijojë (nga rruga e drejtë) , se atëherë do të shkatërrohesh. - Kurrsesi mos të të lëkundin nga besimi në Ditën e Kijametit dhe nga përgatitja për të, ata të cilët nuk e besojnë se ajo do të ndodhë. Mosbesimi i tyre nuk duhet të bëhet pengesë për ty që të përgatitesh për atë ditë dhe ta besosh me bindje atë. Mohuesit e Ditës së Gjykimit jo vetëm që nuk e besojnë vetë, por përpiqen që të fusin dyshime e pasiguri edhe në zemrat e besimtarëve, duke polemizuar me kotësira. Ata thjesht pasojnë epshin e tyre. Ata nuk synojnë aspak që të gjejnë të vërtetën me polemikat e tyre. Qëllimi i tyre final janë dëshirat dhe duan ta justifikojnë këtë gjë. Kujdes nga këta lloj njerëzish! Kurrë mos ua vër veshin fjalëve që të shtyjnë ta mohosh besimin e drejtë! Kurrë mos i dëgjo fjalët e atyre që duan të prishin besimin në Ditën e Gjykimit dhe të pengojnë që të përgatitesh për atë ditë! Kujdes! Njerëzit janë të prirur t’i përgjasojnë llojit të tyre dhe të anojnë drejt unifikimit me ta. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar na paralajmëron që të jemi shumë të kujdesshëm në këtë aspekt. Ai na urdhëron që t’i përmbahemi rrugës që Ai na ka treguar përmes Shpalljes dhe të mos ndikohemi nga fjalët e shumta e të zbukuruara, që të turbullojnë mendjen. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm nga çdokush që fton në të kotën dhe na pengon nga besimi themelor, madje edhe nga ata që pengojnë për plotësimin e besimit. Ne duhet të ruhemi nga çdo gjë që fut dyshime në zemër. Allahu i Madhëruar përmend

besimin tek Ai, adhurimin e Tij dhe besimin në Ditën e Gjykimit, sepse këto janë themele të imanit dhe bazat e fesë, të cilat duhet të jetë të palëkundura dhe duhet të ruhesh nga çdokush dhe gjithçka që fut dyshime në to. Nëse ato baza janë të kompletuara, i tillë do të jetë edhe besimi i njeriut. Por nëse ato cenohen ose zhduken, atëherë në të njëjtën shkallë do të cenohet ose zhduket edhe besimi. Kjo i ngjan shumë fjalës së Allahut që na tregon se cilët do të jenë të lumturit dhe të shpëtuarit: “Ata që besuan (në Kur'anin), judejtë, sabi’inët e të krishterët, kushdo prej tyre që besoi në Allahun e Ditën e Gjykimit (me besim të drejtë) dhe bëri vepra të mira (sipas shpalljes së Zotit) për ta nuk do të ketë frikë e as pikëllim.” [Maide 69]. Më pas Allahu thotë: “...se atëherë do të shkatërrohesh.” Pra, nëse ndjek rrugën e atyre që të pengojnë nga bazat e fesë tënde, ke për t’u shkatërruar dhe ke për të mbetur i dëshpëruar.

← Ta Ha 20:16