21. Enbija · Ajeti 15 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 21:1–21:15

Njerëzve po u afrohet momenti i përgjegjësisë para Zotit, ndërsa ata janë zhytur në kënaqësitë e kësaj jete dhe as nuk mendojnë fare për këtë. Afrimi i ditës ose i momentit të llogarisë, është i sigurt ngase çdo e ardhme është e afërt, po edhe vdekja është një moment i përgjegjësisë.

Çdo pjesë të re e cila i shpallej Muhammedit, idhujtarët e tallnin, madje bënin biseda të fshehura mes vete: Muhammedi është njeri sikurse edhe ne, si mund t'i vijë atij shpallja? E për t'i larguar të tjerët prej besimit, thonin: Kjo është magji, ose ai po ëndërron gjëra të kota apo ndoshta ai vetë e trillon këtë Kur'an, e mund të jetë edhe poet. Kërkonin prej Muhammedit ndonjë mrekulli konkrete si shkopi i Musait, deveja e Salihut etj. Zoti xh. sh. i sqaron Muhammedit se edhe ata që ishin para tyre kërkuan gjëra të ngjashme dhe kur u plotësuan kërkesat e tyre ata përsëri refuzuan, e kështu do të bëjnë edhe mekasit, andaj hiqu tyre.

Të gjithë pejgamberët ishin burra që ushqeheshin, që ecnin e që vdisnin, e nëse këtë nuk e kuptojnë, atëherë le të pyesin njerëzit që janë të dijshëm dhe që kanë lexuar librat e mëparshme në mënyrë që të binden.

Kurejshitëve u tërhiqet vërejtja, pse nuk e pranonin Kur'anin kur ai ishte në gjuhën e tyre, e i ishte shpallur njeriut nga mesi i tyre. Thuhej se në të ishte edhe fama dhe autoriteti i tyre si popull i privilegjuar me shpallje në gjuhën e tyre, madje se mësimet e Kur'anit do t'u ngritnin i atyre karakterin njerëzor në këtë jetë dhe do t'i ngritnin në grada të larta në jetën tjetër.. i Kundërshtarët ishin kryelartë gjithnjë derisa e shihnin dënimin, atëherë ata ulnin kokën dhe orvateshin të iknin, por ishte e kotë, sepse urdhërit të Zotit nuk mund t'i iket, e engjëjt që u merrnin i shpirtin me atë dënim u thonin - në shenjë ironie: kthehuni në kënaqësitë që ishit, si mund të ndodhë që të mos u pyes askush për fatin tuaj... Kështu bëhej tallje me ta, mu sikurse bënin tallje ata me Kur'anin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 21:10–21:15

Allahu i Lavdëruar tregon për vlerën e madhe të Kuranit dhe i nxit njerëzit që ta besojnë dhe ta mësojnë mirë atë: - “Ne shpallëm Librin (Kuranin), në të cilin gjendet krenaria juaj. ” - Ibn Abasi shpje-gon: “Domethënë, nderi e fisnikëria juaj.” Ndërsa Muxhahidi shpjegon: “Domethënë, fama e krenaria juaj”. Ndërsa Haseni shpje-gon: “Domethënë, feja juaj” - “A nuk e kuptoni? ” - A nuk e kuptoni çfarë mirësie e madhe dhe e pashembullt është kjo?! A nuk jeni mirënjohës për të? I Lartësuari thotë: “Me të vërtetë, ai (Kurani) është lëvdatë e madhe për ty dhe për popullin tënd, dhe për këtë (mirësi) do të përgjigjeni.” [Zuhruf 44]. Ai është krenari për ty dhe për popullin tënd, sepse ai zbriti me gjuhën tuaj. 28 - “Sa e sa popuj që ishin keqbërës, Ne i shkatërruam ...” - Janë të shumtë popujt që Ne i shkatërruam. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Sa e sa breza kemi shkatërruar pas Nuhut. Mjafton që Zoti yt i di dhe i sheh të gjitha gjynahet e robërve të Tij.” [Isra 17]. Ose: “Sa e sa fshatra keqbërësish kemi goditur, që janë rrënuar tërësisht. Puset janë braktisur e pallatet e larta janë shkretuar . A nuk udhëtojnë ata nëpër tokë, që zemrat e tyre të mund të mësojnë urtësinë dhe veshët e tyre të mund të dëgjojnë (të mirën) ?! Vërtet, nuk verbohen sytë, por verbohen zemrat në kraharor.” [Haxh 45]. - “... e në vend të tyre sollëm popuj të tjerë.” - Erdhën shumë popuj të tjerë. - “Ata kur e vinin re fuqinë e dënimit tonë ...” - Kur e shihnin se dënimi Ynë do t’i rrëmbente në mënyrë të pakthyeshme, ashtu siç u paralajmëruan nga profetët e tyre, ata - “... iknin me shpejtësi. ” - Iknin, me shpresën për t’i shpëtuar ndëshkimit. - “Mos ikni, po kthehuni në pasuritë dhe në banesat tuaja ...” - Kjo qe tallje me ta dhe poshtërim i tyre. Pra, mos ikni me vrap, por kthehuni në vendbanimin tuaj! Por si të ktheheshin, kur ata i përfshiu dënimi i ashpër i Zotit?! - “... se ndoshta do të mund të merreni vesh!” - Ndoshta mund t’ju lejohet të flisni e të përgjigjeni, në lidhje me mosmirë - njohjen që treguat ndaj Bamirësit të Madhëruar. - “Ata thoshin: “O të mjerët ne, që ishim zullumqarë!” - Ata i pranuan gjynahet dhe

padrejtësitë e tyre, në një kohë kur kjo nuk u vlente aspak (pra, në kohën e zbritjes së dënimit). - “Shkatërrimi i tyre vazhdoi, derisa i bëmë trupa të rrëzuar e të ftohur. ” - Ata vazhduan të përsërisnin këto fjalë, derisa i kapi dhe shfarosi dënimi, pastaj heshtën dhe trupat e tyre ngrinë pa jetë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 21:11–21:15

Duke paralajmëruar ata zullumqarë që mohojnë Profetin, Allahu i Madhëruar i njofton ata rreth popujve të shkuar, që nuk u besuan profetëve: - Sa e sa popuj, që ishin keqbërës, Ne i shkatërruam, e në vend të tyre sollëm popuj të tjerë. - Ishin shumë popuj që u shfarosën me ndëshkime gjithëpërfshirëse. Pas tyre erdhën shumë popuj të tjerë. - Ata kur e vinin re fuqinë e dënimit tonë, iknin me të shpejtë. - Kur shihnin shenjat e para të ndëshkimit të Allahut, nuk kishin më kohë që të ndërronin rrugë dhe asnjë mundësi për të kundërshtuar. E vetmja gjë që mund të bënin ishte të vraponin si të çmendur nga tmerri, të penduar për çfarë kishin bërë dhe me shpresë se do të shpëtonin. Këto ishin fjalët poshtëruese e nënçmuese që u thuheshin atyre: - “Mos ikni, po kthehuni në pasuritë dhe në banesat tuaja, se ndoshta do të mund të merreni vesh! - Largimi me vrap nuk ka për t’ju shpëtuar dhe as pendimi nuk ju vlen më. Nëse keni mundësi, kthehuni tani në vendet tuaja, ku dëfreheshit të shfrenuar me kënaqësitë e kësaj bote, në banesat tuaja luksoze! Kthehuni në botën tuaj, që ju mashtroi e ju bëri të harronit ahiretin! A e shihni më veten si të paprekshëm? Po kënaqësitë, që i shihnit si të pashtershme dhe madhështinë që pretendonit se ishte e pacenueshme, a i keni më tani? A mund të ktheheni më në gjendjen tuaj të mëparshme? Tashmë nuk ka mundësi kthimi dhe pendimi. Tashmë ju ka përfshirë ndëshkimi dhe urrejtja e Zotit. Tashmë ju ka lënë krenaria e lavdia e dikurshme. Tani jeni drejt ndëshkimit dhe dëshpërimit, që nuk do t’ju ndahen kurrë. - Ata thonin: “O të mjerët ne, që ishim zullumqarë!” – Ata mallkonin veten, të mbushur me keqardhje e dëshpërim, duke i pranuar padrejtësitë e mohimin e tyre, si dhe duke pranuar faktin se Allahu është i drejtë me dënimin e Tij. Kështu luteshin në kohën kur i godiste ndëshkimi, derisa: - Shkatërrimi i tyre vazhdoi, derisa i bëmë trupa të rrëzuar e të ftohur. - Pikërisht si ato bimët e korrura e të shkulura, pa jetë. Askush nuk lëvizte dhe pipëtinte. Ruajuni atëherë, ju që e dëgjoni Kur'anin dhe mos vazhdoni të mohoni më të nderuarin e profetëve, pasi do të ndëshkoheni ashpër, ashtu si popujt e shkatërruar.

← Enbija 21:15