22. Haxh · Ajeti 78 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 22:70–22:78

Allahu di në hollësi për çdo send e qenie që ekziston, di edhe për kundërthëniet e idhujtarëve, sepse çdo gjë është e shënuar në Librin (në Levhi Mahfudh), pra gjykimi në ditën e kijametit është shumë i lehtë për Zotin.

Duke mos pasur kurrfarë faktesh e as kurrfarë njohurish, ata po adhuronin idhuj dhe aq shumë ishin dhënë pas tyre sa që kur u lexoheshin ajetet e Kur'anit, atyre u bëheshin fytyrat e tyre të vrazhda nga mllefi dhe orvateshin t'u vërsuleshin atyre që lexonin. Ata do t'i gjejë dënimi më i madh, do t'i kapë zjarri e aty do të mbesin.:

Sikur t'i bashkojnë fuqitë të gjithë zotat e tyre nuk do të mund të krijonin as një mizë që është më e dobëta, më e pavlera, më e mërzitshmja dhe që është më e përhapura në numër. E si mund të konsiderohen ata zotat" Ata nuk janë duke njohur si duhet Allahun, andaj bëjnë krahasime të tilla, duke mos qenë asgjë kundruall Fuqiplotit.

Allahu ka caktuar nga engjëjt të dërguar që ua sjellin pejgamberëve shpalljen, ka caktuar edhe prej njerëzve të dërguar që t'ua përcjellin shpalljen e Zotit njerëzve. Këtë duhet pasur të qartë e besimtarët duhet t'u përmbahen udhëzimeve të Zotit, ta adhurojnë vetëm Atë, të bëjnë vetëm vepra të mira, ta ndihmojnë dhe ta mbrojnë fenë që e shpalli Zoti, fenë që e pati edhe Ibrahimi, sepse besimtarët janë të përcaktuar për këtë detyrë, andaj edhe në shpalljet e para e edhe në Kur'an janë quajtur myslimanë, dhe si të tillë do të jenë dëshmitarë ndaj popujve të tjerë në ditën e kijametit, sikurqë edhe Pejgamberi do të jetë dëshmitar për ymetin e vet, prandaj duhet mbështetur vetëm në Zotin, pse nuk ka ndihmës, as mbrojtës si madhëria e Tij.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "El Haxhxhu". Falënderuar qoftë Allahu!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 22:77–22:78

- “O ju që keni besuar! Falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhuroni! Bëni punë të mira, se do të gjeni shpëtim!” - Imamët - Allahu i mëshiroftë! - kanë dhënë mendime të ndryshme në lidhje me bërjen e sexhdes në këtë ajet të dytë të sexhdes, që ndodhet në suren Haxh. Mendimi më i saktë është se rënia në sexhde në këtë ajet është e ligjëruar, siç vjen në hadithin e Ukbe Ibn Amirit, që përcjell nga Profeti ﷺ se ka thënë: 1879. “Surja Haxh është dalluar me dy sexhde, ndaj ai i cili nuk bie në sexhde në to, më mirë të mos i lexojë fare.” 64 - “Bëni luftë të denjë për hir të Allahut! ” - Përpiquni dhe luftoni në rrugën e Zotit me pasurinë, gjuhën, dhe jetën tuaj.65 - “Ai ju zgjodhi ju ...” - Është Allahu i Lartësuar Ai që ju përzgjodhi mbi të gjithë popujt, ju dalloi dhe ju nderoi. Ai ju veçoi duk ju dërguar profetë dhe duke zgjedhur prej jush më të nderuarin profet, që të zbriste nëpërmjet tij Sheriatin e përsosur. - “... dhe nuk ju obligoi me ndonjë vështirësi në fe ...” - Ai nuk ju ngarkoi me diçka që nuk keni mundësi ta kryeni. I Lartësuari ju ka bërë gjithmonë lehtësime në urdhëresat e Tij. Kështu, namazi, i cili është më i rëndësishmi ndër shtyllat e Islamit, pas shehadetit, mund të falet i plotë, por mund të falet dhe i shkurtuar, madje edhe mund të bashkohet. Namazi mund të falet në këmbë, por edhe hipur në kafshë ose në mjet, qoftë i drejtuar nga Kibla, qoftë jo, në raste nevoje dhe pamundësie. Mund të falesh në këmbë, mund të falesh ulur, mund të falesh edhe i shtrirë apo në mënyra të tjera. Të gjitha këto janë lehtësime, që Allahu i Madhëruar i ka ligjëruar në fenë e Tij, dhe jo vetëm në namaz, por në të gjitha urdhëresat e Tij. Profeti ﷺ ka thënë: 1880. “Unë jam dërguar me fenë hanifie (e drejtë) dhe semha (tolerante, të thjeshtë dhe të lehtë)”. Gjithashtu, është përcjellë se, kur Profeti dërgoi Muadhin dhe Ebu Musain në Jemen, i porositi: 1881. “Përgëzoni njerëzit dhe mos i trembni ata, lehtësoni dhe mos vështirësoni, bashkëpunoni me njëri -tjetrin dhe mos u kundërshtoni!” Në lidhje me fjalën e Allahut të Lartësuar: “... nuk ju obligoi me ndonjë vështirësi në fe...”, Ibn Abasi ka thënë: “Domethënë, nuk ju ka sjellë vështirësi (jashtë mundësive tuaja) në këtë fe, të cilën e ligjëroi për ju.”. - “... në fenë e babait tuaj, Ibrahimit. ” - Ky kuptim është i ngjashëm me atë të ajetit tjetër: “Thuaj: “Vërtet Zoti im më udhëzoi në një rrugë që është e drejtë - në fenë e vërtetë. Ajo është rruga e Ibrahimit, që ishte larg besimeve të kota dhe nuk ishte idhujtar.” [En’am 161]. - “Ai ju quajti muslimanë edhe më parë (në Shkrimet e Shenjta), edhe në këtë (Kuran) ...” - Allahu Krenar dhe i Lartësuar ju ka quajtur “muslimanë” që herët, në librat e shkuar, ashtu si edhe në këtë libër. Nesaiu sjell hadithin nga Harith el Eshariu, se Profeti i Allahut ka thënë: 1882. “Ai që, pas Islamit, sjell ftesa (përçarëse) si ato të kohës së injorancës, ai ka për të qenë prej atyre që do të hyjnë të gjunjëzuar në Xhehenem. Një burrë pyeti: “O i Dërguari i Allahut, edhe nëse agjëron dhe falet?” Profeti tha: “Edhe nëse agjëron dhe falet”. Prandaj ftojini njerëzit në fenë e Allahut, sipas së cilës ju emërtoi muslimanë, besimtarë, adhurues të Allahut.” - “... që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit.” - Allahu i Lartësuar ju bëri një popull të mesëm, të drejtë, të mirë dhe të zgjedhur, të dalluar për drejtësinë e tyre, në mënyrë që Ditën e Kijametit të jeni dëshmitarë mbi njerëzit. Kështu, të gjithë popujt do të jenë të bindur dhe do të dëshmojnë atë ditë për dobinë dhe vlerën e lartë të këtij umeti mbi gjithë umetet e tjera.

Për këtë arsye, atë ditë do të pranohet dëshmia e tyre mbi të gjithë popujt, se profetët e përcollën me besnikëri mesazhin që Zoti u ngarkoi. Po kështu, edhe profeti Muhamed ﷺ do të dëshmojë për këtë umet dhe për drejtësinë e dëshmisë së këtij umeti; ai do të dëshmojë se ua kumtoi qartë të vërtetën e urdhëruar nga Zoti. Më hollësisht rreth kësaj çështjeje folëm në ajetin e sures Bekare, prandaj është e panevojshme që t’i kthehemi sërish këtu. 66 - “Faleni rregullisht namazin, jepeni zekatin ...” - Këtë mirësi të madhe, me të cilën Allahu i Lartësuar ju dalloi, vlerë - sojeni dhe shprehini mirënjohjen Atij, duke përmbushur hakun e Allahut dhe detyrimet ndaj krijesave. Përmbusheni hakun e Allahut mbi ju, siç është falja e namazit dhe dhënia e zekatit, në mënyrën më të mirë dhe më të sinqertë. - “... dhe mbështetjuni Allahut ...” - Kërkojini ndihmë Atij, drejtojuni Atij, kërkoji mbështetje vetëm Allahut, sepse: - “... se Ai është Mbrojtësi juaj ...” - Ai është mbrojtësi juaj, Ai që ju dhuron fitoren dhe ndihmën kundër çdo armiku tuaj. - “... më i Madhi Mrojtës dhe më i Miri Ndihmëtar.” - Allahu është Kujdestari, Miku dhe Mbështetësi më i mirë. Ai ju dhuron fitoren dhe ndihmën kundër të gjithë armiqve dhe atyre që ju pengojnë në rrugën tuaj. Ky është përfundimi i shkurtimit të tefsirit të sures Haxh.VetëmAllahut i takojnë të gjitha lavdërimet, falënderimi dhe mirënjohja! 13/12/1389 hixhri.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 22:78

- Luftoni me një luftë të denjë për hir të Allahut! - El Xhihad quhet shfrytëzimi i të gjitha mundësive për të arritur qëllimin e caktuar. Të luftosh ose bësh xhihad në rrugën e Allahut, ashtu si e meriton Ai, do të thotë që të bësh plotësisht të gjitha përpjekjet për të përmbushur çështjen e Allahut dhe fenë e Tij, për të ftuar krijesat në rrugën e Tij me çdo mënyrë të lejueshme e të mundshme për këtë. Rrugët për këtë janë të shumta, si këshilla e mirë, përhapja e diturisë së dobishme, lufta në rrugën e Zotit, përhapja e moralit të mirë, paralajmërimi dhe këshilla e njerëzve me forma inkurajuese dhe kërcënuese, që nxisin shpresën për shpërblim dhe frikën nga ndëshkimi, etj. - Ai ju zgjodhi ju dhe nuk ju obligoi me ndonjë vështirësi në fé, në fenë e babait tuaj, Ibrahimit. - Është Allahu i Madhëruar Ai që ju zgjodhi ju, o muslimanë, nga mesi i gjithë njerëzisë. Është Allahu Ai që e zgjodhi Islamin si fenë

tuaj dhe që kënaqet që ta adhuroni Atë përmes kësaj feje. Ai zgjodhi për ju më të mirin profet dhe më të zgjedhurin libër. Atëherë, tregoni mirënjohjen e duhur për këtë mirësi që ju dha. Mirënjohja për to tregohet duke u përkushtuar në xhihad në rrugën e Zotit, ashtu si Ai e meriton. Ai thotë: “Luftoni denjësisht për hir të Allahut!” Ndoshta dikush mund ta shohë këtë urdhër si të pamundur ose shumë të vështirë për t’u përmbushur. Për këtë arsye, sqarohet më pas se, të bësh xhihad të vërtetë për hir të Zotit nuk është as e pamundur dhe as e vështirë: “...dhe nuk ju ngarkoi me ndonjë vështirësi në fe”. Kjo fe nuk është as e vështirë dhe as e pamundur të zbatohet. Madje, ajo është në kufijtë më të skajshëm të lehtësisë e thjeshtësisë. Allahu i Madhëruar ka urdhëruar veçse atë që është e lehtë për shpirtin e njerëzve dhe nuk i rëndon dhe as i fut ata në vështirësi. Madje, edhe në rastet kur mund të ndihet ndonjë lloj vështirësie, Ai ka caktuar lehtësime ose duke e çliruar fare njeriun nga disa lloj detyrimesh, ose duke i reduktuar dhe thjeshtësuar ato. Nga ky ajet është nxjerrë edhe një parim ligjor, që thotë: “Vështirësitë bëjnë të ligjshme dispozitat lehtësuese.“ Ose rregulli tjetër: “Domosdoshmëritë bëjnë të lejuar edhe atë që është e ndaluar.” Në bazë të këtyre dy rregullave ligjore lehtësohen shumë çështje, që janë sqaruar në librat e ligjeve dhe fikhut. Kjo fe e këto ligje të mrekullueshme dhe të lehta janë pjesë e moralit dhe fesë së atit tuaj, Ibrahimit (a.s), prandaj kapuni fort pas tyre: - Ai ju quajti myslimanë edhe më parë (në Shkrimet e Shenjta), edhe në këtë (Kur’an),... - Kështu ju ka emërtuar Zoti në librat e parë dhe të njohur. Po kështu ju emërtoi edhe në këtë Kur'an madhështor dhe këtë fe të plotë. Ky është emri dhe atributi juaj i vjetër dhe i ri. - ... që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju... - Profeti do të dëshmojë për veprat tuaja të mira ose të këqija. - ... dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit. – Ndërsa ju do të dëshmoni për të gjithë njerëzit, sepse jeni populli më i mirë që ka dalë për të mirën e njerëzimit. Ju jeni popull i drejtë, i mirë dhe i dobishëm. Ju do të dëshmoni se profetët e kryen amanetin e Zotit dhe ua kumtuan popujve të tyre shpalljet dhe mesazhin e Tij, ashtu siç jeni njoftuar në Librin tuaj. - Pra faleni rregullisht namazin,... - Faleni namazin duke i plotësuar shtyllat, detyrat, kushtet e elementët e pëlqyeshëm të tij dhe duke përmbushur gjithçka që nënkupton një namaz i mirë. - ... jepeni zekatin... - Jepni zekatin e detyrueshëm, si mirënjohje për Allahun, për ato që ju ka falur! Jepjani zekatin pikërisht atij njeriu që e meriton! - ... dhe mbështetjuni Allahut... - Vetëm tek Allahu kërkoni strehim e mbrojtje nga çdo e keqe dhe vetëm Atij mbështetjuni e kërkojini ndihmë, për të arritur të gjitha të mirat që kërkoni nga të dyja jetët! Kurrë mos u mbështesni në forcat tuaja dhe mundësitë tuaja! - se Ai është Mbrojtësi juaj - Allahu është Mbrojtësi e Ndihmëtari, që kujdeset për të gjitha çështjet tuaja. Ai ju edukon dhe rregullon gjendjen tuaj, me përkujdesin e dashurinë e Tij për ju. Ai ju udhëzon në

rrugën më të mirë për ju, me vendimet dhe pushtetin e Tij. - më i Madhi Mrojtës dhe më i Miri Ndihmëtar. - Sa Ndihmëtar dhe Kujdestar i mirë është Allahu, për ata që i ka futur nën kujdesin e Tij! Sa i lumtur është ai për të cilin kujdeset Zoti, sepse ai do të arrijë gjithçka që synon në të dyja jetët! Sa Mbrojtës i mirë është Ai për këdo që kërkon ndihmën e mbrojtjen e Tij, sepse ai njeri do të shpëtojë nga çdo e keqe që i kanoset!

← Haxh 22:78