23. Muminun · Ajeti 104 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 23:90–23:104
Përmes Kur'anit Zoti solli fakte për Njësinë e Tij, për ringjalljen dhe për përgjegjësinë në ditën e gjykimit, mohoi trillimet e tyre që thanë se Zoti ka fëmijë dhe se mund të ketë edhe zota të tjerë pos Tij.
Muhammedi a.s., edhe pse ishte i sigurt se nuk do të përfshihej me atë dënim që do t'i zërë zullumqarët, ai u mësua prej Zotit të shprehë lutje në shenjë modestie dhe robërie ndaj Tij, e Ai i tha se nuk do t'i ndëshkojë ata deri në një kohë, ndërsa ai të sillej mirë ndaj tyre, sepse punë e Tij është se ç'do të bëjë me ta.
Ai e mëson Muhammedin, e përmes tij edhe të gjithë besimtarët se duhet kërkuar mbrojtjen e Zotit prej cytjeve të djallit dhe prej përzierjes së tij në punët e njeriut duke thënë: Eudhubil-Lahi minesh-shejtanir raxhimët, ose duke i thënë këto dy ajete: 97-98. Të mësuar prej Pejgamberit, sahabët u mësonin fëmijëve të vet përmendësh këto dy ajete dhe i porositnin t'i lexojnë kur binin për të fjetur.
Idhujtarët kryeneçë do të kërkojnë të kthehen sërish në dynja, të besojnë e të bëjnë vepra të mira, pse mu me rastin e vdekjes ata do ta shohin se çka i pret, por është e kotë, sepse nuk ka kthim, ata do të qëndrojnë për një kohë në atë jetë të varrezave, në Berzah, e pastaj kur trishtimi e përgjegjësia për veprat e bëra në këtë jetë, askujt nuk do t'i bjerë në mend as për më të afërmit.
Atij që një e mirë i peshon më shumë se të këqiat, do të shpëtojë, e ata që kanë më shumë të këqia se të mira, do të dënohen.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 23:101–23:104
- “Pastaj kur t’i fryhet Surit (herën e dytë), ...” - Allahu i Lartësuar na njofton se
kur t’i fryhet surit, për ringjalljen dhe daljen nga varret, atë ditë i Lartësuari thotë: - “... atë ditë nuk do të ketë më lidhje familjare mes tyre e as që do të pyesin më për njëri-tjetrin.” - Atë ditë, njeriut nuk do t’i vlejnë aspak lidhjet farefisnore. Prindi as nuk do t’ia hedhë sytë fëmijës së tij, edhe nëse do përballet me të, madje edhe nëse do të jetë i rënduar me gjynahe, aq sa gati ia thyejnë shpinën. Ai nuk do të interesohet për të, edhe nëse ka qenë nga njerëzit më të dashur në dynja. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Kur vjen oshëtima, është dita kur njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe prej fëmijëve të vet. Atë ditë, çdo njeriu i mjafton çështja e vet.” [Abese 33 - 37]. Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ditën e Kijametit, Allahu i Lartësuar do t’i tubojë së bashku të parët dhe të fundmit. Pastaj një zë do të kumtojë: “Çdokush të cilit i është bërë padrejtësi, le të vijë dhe le të marrë hakun e vet!” Ibn Mesudi vijon: “Atë ditë, njeriu do të gëzohet kur të shohë se do t’i jepet mundësia që të marrë hakun e vet qoftë edhe nga prindi, fëmija apo gruaja e tij, sado e vogël qoftë ajo gjë. Vërtetimi i kësaj është në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Pastaj kur t’i fryhet Surit (herën e dytë), atë ditë nuk do të ketë më lidhje familjare mes tyre e as që do të pyesin më për njëri - tjetrin.” Kështu e ka sjellë Ibn Ebu Hatimi prej Ibn Mesudit. Imam Ahmedi sjell hadithin nga El Misueri (Ibn Mahrame), që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: “Fatimja është një pjesë e imja. Unë ngushtohem nga ajo që e ngushton atë dhe unë kënaqem me atë që e kënaq atë. Çdo farefisni ka për t’u shkëputur Ditën e Kijametit, përveç farefisnisë sime, lidhjeve të mia dhe krushqisë time.”79 Ky hadith e ka bazën në një hadith tjetër, të sjellë në dy Sahihët, po prej El Misuer Ibn Mahrame, në të cilin Profeti ka thënë: “Fatimja është pjesë e imja. Mua më shqetëson çdo gjë që e shqetëson atë dhe më mundon çdo gjë që e mundon atë.” 80 Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Seid el Hudriu, i cili ka thënë: 1909. “E kam dëgjuar Profetin e Allahut të thotë, ja, pikërisht mbi këtë minber: “Si është puna, me ata njerëz, të cilët thonë se lidhja farefisnore me të Dërguarin e Allahut nuk ka për t’u sjellë asnjë lloj dobie të afërmve të tij? Përkundrazi, betohem në Zot, se farefisnia ime ka për të qenë e vlefshme në dynja dhe ahiret. Dhe unë, o njerëz, do t’ju paraprij juve, kur të vini atë ditë. Njëri do të thotë: “O i Dërguari i Allahut! Unë jam filani, i biri i filanit!” Ndërsa vëllai i tij do të thotë: “O i Dërguari i Allahut! Unë jam filani, i biri i filanit!” Kurse unë do t’u them atyre: “Për sa i përket farefisnisë, unë e njoh atë, por ju devijuat pas meje nga besimi dhe rruga e drejtë.” 81 - “Atëherë, ata të cilëve u rëndon peshorja (e veprave të mira) , ata janë të shpëtuarit.” - Bëhet fjalë për ata njerëz, të cilëve u peshojnë më tepër veprat e mira sesa të këqijat, qoftë edhe vetëm me një të mirë të vogël. Pikërisht ata do të jenë të shpëtuarit. Kështu e ka shpjeguar Ibn Abasi. Ata do të fitojnë shpërblimin, do të shpëtojnë nga zjarri dhe do të hyjnë në Xhenet. - “Ndërsa ata, peshorja e të cilëve është e lehtë, ata e kanë humbur vetveten dhe do të jenë në Xhehenem përgjithmonë. ” - Atij që i peshojnë më tepër veprat e këqija sesa veprat e mira, ai ka shkatërruar vetve - ten. Të tillët kanë humbur dhe do të jenë në Xhehenem përgjithmonë, përjetësisht. - “Zjarri do t’ua djegë fytyrat ...” - Ose siç thotë Allahu në një ajet tjetër: “Atë ditë, ti do t’i shohësh idhujtarët të lidhur në pranga. Rrobat e tyre janë prej katrani, kurse fytyrat e tyre do t’i mbulojë Zjarri.” [Ibrahim 50]. “Ah, sikur ta dinin jobesimta - rët që nuk do të mund ta largojnë zjarrin nga fytyrat dhe as nga shpinat e tyre dhe që nuk do t'u vijë asnjë ndihmë!” [Enbija 39]. Ibn Merdevejhi sjell hadithin nga Ebu Darda (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili tregon se, në lidhje me fjalën e Allahut: “Zjarri do t’ua djegë fytyrat...”, i Dërguari i Allahut ka
thënë: 1910. “Pra, i përvëlon zjarri, aq sa mishi i tyre shkrin dhe rrjedh në këmbët e tyre.82 - “... dhe ata do të duken (të shëmtuar) pa buzë e me dhëmbë jashtë.” - Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Seid el Hudriu se, Profeti ﷺ ,duke shpjeguar fjalën kâliĥûn, ka thënë: 1911. “Ata i përvëlon zjarri, dhe kështu, nga ky përvëlim, mblidhet pjesa e sipërme e buzëve, aq sa arrin në mes të kokës, ndërsa buza e poshtme i shkrin dhe varet, deri sa i shkon te kërthiza.” 83
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 23:101–23:114
- Pastaj kur t’i fryhet Surit (herën e dytë), atë Ditë nuk do të ketë më lidhje familjare mes tyre e as që do të pyesin më për njëri -tjetrin. - Allahu i Madhëruar na njofton për tmerret dhe ndodhitë e frikshme që do të përfshijnë gjithësinë atë ditë. Surit do t’i fryhet për ringjalljen e krijesave dhe atëherë të gjithë do të ngrihen nga varret, për t’u takuar në ditën e përcaktuar. Frika dhe tmerri i ka përfshirë thellë, aq sa harrojnë edhe prejardhjen dhe lidhjet e tyre farefisnore, të cilat në dynja ishin lidhjet më të forta. Mendo për lidhjet e tjera që janë më të dobta se ato! Askush nuk do të pyesë për gjë tjetër veç vetes. Çdokujt i mjafton vetja e vet, sepse nuk e di a do të shpëtojë dhe do të lumturohet përjetësisht, apo do të dëshpërohet përjetësisht për të mos parë më kurrë lumturi e mirësi? I Madhëruari thotë: "Por, kur të vijë ushtima, Ajo është dita kur njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe prej fëmijëve të vet. Atë ditë, çdo njeriu i mjafton çështja e vet." [Abese 33 – 37]. Ditën e Kijametit do të ketë momente kur
do të shtohet shumë vuajtja dhe dëshpërimi, frika nga ndëshkimi. Një nga këto momente është peshimi i veprave. Atë ditë, njeriu do të jetë i mbushur plot frikë kur të shohë të shfaqen hapur e me drejtësi veprat që janë pro tij dhe ato që janë kundër tij. Në peshore do të vendoset edhe grimca më e vogël, e mirë ose e keqe qoftë. - Atëherë, ata të cilëve u rëndojnë peshojat (e veprave të mira) - ata janë të shpëtuarit. - Atyre që u peshojnë më shumë veprat e mira se ato të këqijat, ata do të jenë fitimtarët, që do të shpëtojnë nga Zjarri dhe do të hyjnë në Xhenet. Ata do të nderohen me lëvdata të shumta përpara krijesave dhe me grada të larta. - Ndërsa, ata peshojat e të cilëve janë të lehta - ata e kanë humbur vetveten dhe janë në Xhehenem përgjithmonë. - Është fjala për ata të cilët kanë më shumë vepra të këqija se të mira. Për ata, Zoti thotë: "...ata e humbin vetveten...". Humbja e tyre është shumë e madhe, që kurrë nuk mund të kompensohet dhe të rregullohet. Ata humbin përjetësinë dhe e zhysin veten në dënimin dhe dëshpërimin e pafund. Ata e kanë patur mundësinë që të arrinin lumturinë e përjetshme pranë Zotit të botëve, por e humbin dhe e nënçmojnë veten, duke e lënë atë në dëshpërim e vuajtje të përjetshme. Allahu i Madhëruar thotë për ata që janë mbuluar tërësisht nga gjynahet se: "...janë në Xhehenem përgjithmonë." Kurrë nuk kanë për të dalë prej tij. Ky kërcënim, ashtu siç e theksuam, është për ata që janë mbuluar nga gjynahet e tyre, dhe të tillë mund të jenë veçse mohuesit. Këta lloj njerëzish nuk do ta kenë llogarinë si të tjerët, të cilëve u peshohen veprat e mira dhe të këqija, sepse këta nuk kanë ndonjë të mirë që t’u peshohet e t’u sjellë dobi, për shkak të kufrit të tyre. Por pasi të llogariten dhe përmblidhen veprat e tyre, ato do t’u paraqiten para syve të tyre dhe ata do t’i pranojnë se i kanë bërë dhe do të ndihen të poshtëruar. Ndërsa ata që e kanë themelin e imanit, teuhidin e Zotit, por kanë bërë shumë punë të këqija e gjynahe, aq sa ato peshojnë më shumë se veprat e mira të tyre, këta, edhe pse mund të hyjnë në zjarr, - nuk do të rrinë përjetësisht në të, ashtu siç tregojnë tekstet e Kur'anit dhe të Sunetit. Në vijim, Allahu i Madhëruar tregon përfundimin e keq të mohuesve: - Zjarri do t’ua djegë atyre fytyrat... - Zjarri i rrethon nga të gjitha anët, derisa u mbulon edhe fytyrën, që është pjesa më fisnike e trupit. Flakët e zjarrit do t’ua përpijnë fytyrat atyre. - ... dhe ata do të duken (të shëmtuar) pa buzë e me dhëmbë jashtë. - Fytyrat e tyre do të jenë të shëmtuara, të mbledhura nga zjarri, ndërsa buzët janë të prera nga dhimbja e madhe. Duke ua shtuar dhimbjen dhe poshtërimin, atyre u thuhet: - (atyre do t'u thuhet): A nuk u janë lexuar juve Ajetet e Mia;... - A nuk ju erdhën ajetet e Mia, që të merrnit mësim dhe të besonit Zotin dhe Shpalljen e tij? - ... e ju veçse i përgënjeshtruat? ” - Ju i mohuat ato padrejtësisht, me inat e arrogancë. Në fakt, nuk kishit asnjë të drejtë t’i mohonit, sepse ato ishin ajete të qarta dhe shumë mirë të shtjelluara. Ato jua bënin shumë të qartë të vërtetën nga e kota, të sinqertët nga gënjeshtarët. Atë ditë, ata do të pranojnë se ishin të padrejtë dhe keqbërës, por ky pendim e keqardhje tashmë nuk u vlen: - “Ata do të thonë: “O Zoti ynë! Ne na mundën të këqijat, prandaj u bëmë njerëz të humbur. - Ata i mposhti padrejtësia dhe refuzimi i së vërtetës, prandaj gjithmonë i ndoqi e liga dhe poshtërimi. Ata u bënë fatzinj, për shkak të refuzimit dhe mosbindjes ndaj së drejtës. Ata u bënë të pafuqishëm për t’iu shmangur rrugës së humbjes, sepse vetë e zgjodhën atë që u sillte dëm dhe i largonte nga e mira. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, ne na mundën të këqijat, prandaj u bëmë njerëz të humbur." Ata e pranojnë se ishin të humbur e injorantë. Ata kishin njohuri për të vërtetën, por ishin të humbur sepse nuk kanë punuar sipas saj dhe nuk janë nënshtruar të adhurojnë Zotin sipas
Shpalljes. Ata e pranojnë se vepronin si mendjelehtë e të humbur, që nuk arrijnë të dallojnë të mirën e vetes dhe dëmin e saj, si tregon Allahu në një tjetër ajet: "Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim tani ndër banorët e Zjarrit.”. Pra, kështu i pranojnë ata gjynahet e veta. Larg mëshirës qofshin banorët e Zjarrit!" [Mulk 10, 11]. - O Zoti ynë! Na nxirr prej këtu! E, nëse gabojmë përsëri, atëherë, vërtet jemi të padrejtë.” – Ata gënjejnë, në fakt, sepse Allahu i Madhëruar thotë: "Eh, sikur t’i shihje ata, kur të ndalen përpara Zjarrit! Ata do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim (në dynja)! Atëherë nuk do t'i mohonim Argumentat e Zotit tonë por do të bëheshim besimtarë.” Por, atyre u del në shesh ajo që më parë e mbanin fshehur. Por, edhe sikur të ktheheshin, ata do ta kryenin sërish atë që u ishte ndaluar. Me të vërtetë, ata janë gënjeshtarë.” [En'am 27, 28]. Kështu, Allahu i Madhëruar nuk u lë atyre asnjë shteg justifikimi, sepse Ai u ka dhënë kohë të mjaftueshme në jetën e kësaj bote, aq sa ai që dëshiron të kuptojë dhe të ndjekë të mirën, e ka mundësinë ta bëjë. Kjo është kohë mëse e mjaftueshme që i padrejti të pendohet dhe të kthejë rrugë. Prandaj, në përgjigje të lutjeve të tyre në Zjarr, Allahu i Madhëruar thotë: - Ai do t'u thotë: “Heshtni aty e mos më flisni! - Zoti na ruajt nga zemërimi i Tij! Kjo është absolutisht fjala më tmerruese, më e dhimbshme dhe më poshtëruese, që u thuhet atyre të mjerëve. Ajo u këput çdo shpresë për ndonjë çlirim e të mirë dhe është paralajmëruese e vuajtjeve pa fund. Kjo fjalë dhe zemërimi i Zotit Mëshirëplotë do t’u duket shumë më e dhimbshme sesa frika nga dënimi i Zjarrit, që do të përjetojnë përjetësisht. Pastaj Allahu na tregon se çfarë i çon ata në Zjarr dhe ua këput shpresat për mëshirë e shpëtim: - Disa prej robve të Mi thanë: “O Zoti ynë, ne besojmë. Prandaj na fal dhe na mëshiro, sepse Ti je më i miri i mëshiruesve!” - Ata patën besim të sinqertë, i cili i nxiti të bëjnë punë të mira. Ata iu lutën Zotit për falje dhe mëshirë dhe kërkuan të afroheshin tek Ai duke dëshmuar aspektin rububije dhe faktin se ishte Ai që u dhuroi imanin. Ata kërkuan ndërmjetësim dhe afrim me Allahun duke e lëvduar dhe lutur me emrat dhe cilësitë e Tij, duke iu lutur me mëshirën e Tij dhe bamirësinë e Tij të përgjithshme. Të gjitha këto tregojnë se ata janë të nënshtruar e të mbushur me përunjësi e frikërespekt për Zotin. Ata e adhurojnë Zotin me përunjësi e frikë nga ndëshkimi i Tij dhe shpresë për shpërblimin e Tij. - Por ju i tallët ata, saqë ajo tallje ju bëri të harronit Mesazhin Tim. Ju qeshnit me ta. - Në fakt, ata ishin zotërinjtë e vërtetë dhe më të zgjedhurit e njerëzve, po ju: "...i tallët ata." Ju, mohues të besimit, keqbërës, mendjelehtë e faqezinj, guxuat që të talleshit me njerëzit më të zgjedhur e më të lartë. Ju i përçmuat dhe u tallët me ta. Kjo vepër e ulët ju angazhoi aq shumë, saqë: "...ju bëri të harronit të më kujtonit Mua." Kjo vepër e keqe u bë shkak që ata të
harronin të përmendnin Zotin. Mospërmendja e Zotit i nxiste dhe ua bënte të thjeshtë talljen me besimtarët, vepër e cila i bëri të meritonin që zemrat e tyre çdo ditë e më shumë të largoheshin nga përmendja e Zotit. Këto janë të lidhura me njëra tjetrën. Kjo është humbja e sigurt. - Unë do t'i shpërblej ata sot, sepse u treguan të durueshëm. – Sot, Unë po i shpërblej ata për bindjen ndaj Meje dhe për durimin kundrejt mundimeve që ju u jepnit me talljet tuaja. Me punë të mira dhe me durimin e plotë, arritën gradën e lartë, që Zoti thotë: - Ata janë, vërtet fitimtarët.” - Ata fituan mirësitë e përjetshme dhe shpëtimin nga Zjarri i ndezur fort, ashtu siç thuhet në një ajet tjetër: “Por sot janë besimtarët që do të tallen me jobesimtarët. Duke qëndruar mbështetur në kolltukë, ata do të vështrojnë. A u shpërblyen plotësisht jobesimtarët për atë që kanë bërë?" [Mutaffifin 34 – 36]. Duke i qortuar, Allahu i Madhëruar u drejtohet atyre fatzinjve dhe, duke i bërë të shohin mendjelehtësinë e tyre, u thotë: - Atyre do t'u thuhet: “E sa vjet keni qendruar në tokë?” - Edhe pse koha ka qenë shumë e shkurtër, ata kanë bërë aq shumë të këqija sa meritojnë zemërimin dhe ndëshkimin e Allahut. Ata janë treguar mendjelehtë, sepse nuk e kanë shfrytëzuar këtë kohë të shkurtër për të bërë vepra të mira dhe për të fituar përjetësinë, ashtu siç veprojnë besimtarët, të cilëve Zoti u dhuroi urtësi e mençuri dhe ata fituan lumturinë e përjetshme dhe kënaqësinë e Zotit të tyre. - Ata do të thonë: “Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë të ditës. - Kjo fjalë tregon opinionin e tyre në lidhje me kohën e qëndrimit në dynja dhe për faktin se ata e shihnin si një kohë shumë të shkurtër. Por ky nuk ishte përcaktim i saktë, prandaj do të thonë: - Por pyeti ata që dinë mbajnë llogari!” – Pyesni ata që e dinë me saktësi kohën e qëndrimit. Thonë kështu sepse ata të mjerë janë të zhytur në një dënim që ta heq mendjen nga gjithçka. - Pastaj do t'u thuhet: “Me të vërtetë keni qëndruar pak, veç sikur ta dinit!” - Sido që të jetë, e përcaktuat apo jo saktësisht kohën e qëndrimit në dynja, ju keni qëndruar shumë pak, sikur ta dinit.