23. Muminun · Ajeti 52 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 23:23–23:52
Në ajetet e sipërshënuara përshkruhen pesë ngjarje, duke filluar që nga ajo e popullit të Nuhut, e për t'u lidhur pastaj me tregimin rreth Ademit, sepse Nuhu konsiderohet Ademi i dytë, ngase lloji i njerëzve është i kufizuar në pasardhësit e tij pas tij. Përmendet pastaj populli i Hudit e brezave të tjerë, i Musait dhe i Harunit, i Isait dhe i nënës së tij. Të gjitha këto tregime kanë për qëllim t'ia lehtësonin brengat e vështirësitë që i përjetonte Muhammedi nga kundërshtimi që i bënte populli i vet, derisa edhe pejgamberët e tjerë qenë përgënjeshtruar e torturuar prej popujve të tyre, siç ishte rasti i pejgamberëve të përmendur në këto ajete.
Siç mund të kuptohet nga kundërshtimet e popujve të mëparshëm, e edhe prej idhujtarëve në kohën e Muhammedit, si arsye kryesore e mosbesimit të tyre ishte: mundësia e ringjalljes në përgjithësi. Zakonisht, njerëzit kryelartë refuzonin si njërën ashtu edhe tjetrën mundësi nga shkaku se i frikësoheshin uljes së autoritetit të tyre ndaj atij të pejgamberit dhe përgjegjësisë për vepra pas ringjalljes. Veçanërisht mendjemëdhenjtë, të cilët jetonin në një komoditet, nuk dëshironin ta frenonin veten nga kënaqësitë e kësaj jete, edhe kur ato ishin jashtë rrugës se drejtësisë dhe jashtë humanitetit, andaj për t'i pajtuar veten dhe veprimet e tyre të padrejta, e mohojnë mundësinë e ringjalljes dhe përgjegjësinë para Zotit në jetën tjetër dhe kështu vazhdojnë rrugën e tyre të gabuar e përpiqen që t'i mashtrojnë edhe të tjerët dhe të formojnë shoqëri sa më të madhe, duke u paraqitur në sy të njerëzve i naivë, si fuqi e forcë e madhe. Prandaj Kur'ani ua tërheq vërejtjen kryelartëve se do të dënohen me Zjarr, se do të nënçmohen i e do të bëhen të paaftë mu si foshnja që vihet në djep prej të tjerëve, ashtu edhe ju do të veheni në xhehenem, aty ku dëshirojnë zebanijet e xhehenemit, duke mos patur kurrëfar fuqie mbrojtëse.
Në fund paraqitet detyra e të gjithë pejgamberëve, e që ishte se të gjithë thirren në një besim, se feja e tyre ishte një dhe se të gjithë ishin të dërguar prej një Zoti.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 23:51–23:56
- “O ju të dërguar! Hani gjërat që janë të mira dhe të pastra dhe bëni vepra të mira! Unë di gjithçka që ju bëni. ” - Allahu i Lartësuar i urdhëron robërit e Tij të dërguar (paqja e Zotit qoftë me të gjithë ata!) që të kujdesen që ushqimi i tyre të jetë hallall dhe të përkushtohen në kryerjen e veprave të mira, madje të jenë të kujdes - shëm në përzgjedhjen e këtyre punëve. Ajeti tregon se të ushqyerit me hallall është një ndihmë e madhe dhe lehtësim për njeriun, që të kryejë vepra të mira. Nuk ka asnjë dyshim se, të gjithë profetët e përmbushën këtë porosi me përkushtimin më të madh, prandaj Allahu i Lartësuar u dha shpërblim të madh për këtë shërbim që ata u ofruan dhe mësuan njerëzve. Hasan el Basriu ka thënë për këtë ajet: “Dijeni se nuk do të gjykoheni nëse (rizku juaj) është i verdhë apo i kuq, është i ëmbël apo i thartë, por kufizohuni dhe përqendrohuni vetëm me rizkun që ka lejuar Zoti.” Në një hadith të saktë thuhet: 1896. “Daudi (a.s) hante prej punës së duarve të tij.” Në një hadith tjetër të saktë thuhet: 1897. “Çdo profet ka qenë bari delesh.” Njerëzit e pyetën: “Edhe ti, o i Dërguari i Allahut?” - “Po, edhe unë ruaja delet me mëditje, për banorët e Mekës”. Muslimi sjell hadithin nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej Tij!), se Profeti i Allahut ka thënë: 1898. “O njerëz! Allahu është i Mirë dhe pranon veçse të mirën. Allahu iu dha besimtarëve ato urdhëresa që u dha edhe Profetëve të Tij, kur thotë: “O ju të dërguar! Hani gjërat që janë të mira dhe të pastra dhe bëni vepra të mira! Unë di gjithçka që ju bëni." Ai thotë gjithashtu: “O ju që keni besuar! Hani nga të mirat, me të cilat ju kemi begatuar!". Pastaj përmendi një burrë, i cili ka udhëtuar gjatë dhe, i shpupuritur e i pluhurosur, i zgjat duart drejt qiellit e lutet: "O Zot! O Zot!" Por ndërkohë, ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram, veshja e tij është haram, pra, ka jetuar me haram. Atëherë, si t’i pranohet lutja këtij njeriu?!” Hadithin e sjell edhe Imam Ahmedi. - “Kjo është feja juaj . Ajo është e vetmja fe dhe Unë jam Zoti juaj, prandaj më kini frikë vetëm Mua !” - Feja juaj, - o të dërguarit e Mi! - është një e vetme dhe ju keni një besim të përbashkët. Kjo fe është pikërisht ftesa e njerëzve në adhurimin e Allahut si një të vetëm dhe të pashoq. Qëllimi i fesë së të gjithë profetëve ka qenë: adhurimi i Allahut si një i vetëm dhe i pashoq, adhurim që duhej bërë pikërisht nëpërmjet sheriateve të larmishme, që Ai u zbriti të dërguarve të Tij, duke i urdhëruar për t’ua mësuar atë popujve të tyre. Vetëm në këtë mënyrë njerëzit mund ta dinë se si ta adhurojnë Zotin. - “Por, më vonë, njerëzit u përçanë në grupe rreth fesë së tyre dhe secili grup krenohej me atë të vetën. ” - Popujt tek të cilët u dërguan lajmëtarët e Zotit u përçanë. Allahu i Lartësuar thotë: “... secili grup krenohej me atë të vetën.” Pra, ata ishin të kënaqur me humbjen, në të cilën ishin zhytur dhe mësuar. Ata pandehnin se ishin të udhëzuar. Për këtë arsye, duke i
paralajmëruar këta të devijuar, Allahu i Lartësuar thotë: - “Megjithatë, lëri edhe për pak kohë në vetëmashtrimin e tyre! ” - Lëri ata në devijimin dhe humbjen e tyre. Lëri, deri kur të vijë shkatërrimi i tyre. Allahu i Lartësuar thotë një ajet tjetër: “Ata vërtet bëjnë kurthe të mëdha. Po edhe Unë përgatis kurthe kundër tyre. Prandaj lëri afat jobesimtarëve! Jepu atyre edhe pak kohë!” [Tarik 17]. Gjithashtu: “Le t'i gëzojnë dhe të kënaqen! Le të ushqehen me shpresa të kota, se më vonë do ta kuptojnë.” [Hixhr 3]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Mos, vallë, ata mendojnë se, meqë u kemi dhënë me mbushulli pasuri dhe fëmijë, Ne do t’u ofronim të gjitha të mirat?” - Mos pandehin ata të vetëma - shtruar se dhuratat, begatitë dhe stolitë të cilat u kemi dhënë, ua kemi dhënë për t’i nderuar dhe në shenjë vlerësimi për ta? Kurrsesi! Çështja nuk qëndron aspak siç pretendojnë kur thonë: “... Ne kemi më shumë pasuri e fëmijë (se sa ju) dhe kurrë nuk kemi për t'u ndëshkuar.”.” [Sebe’ 35]. Pa dyshim, shpresa e tyre është e pavend dhe ka për t’i lënë të dëshpëruar dhe të hidhëruar. Përkundrazi, pasuritë që Zoti u ka dhënë në këtë botë janë thjesht një afatizim i tyre, për të shkuar dalëngadalë drejt shkatërrimit. - “Jo, kurrsesi! Por, ata nuk kuptojnë. ” - Në ajete të tjera, i Lartësuari thotë: “Mos u mahnit nga pasuria dhe fëmijët e tyre! Allahu dëshiron t’i ndëshkojë ata në jetën e kësaj bote nëpërmjet tyre dhe pastaj t’u dalë shpirti si mohues.” [Teube 55]. “Të mos mendojnë jobesimtarët se afatin që Ne u kemi dhënë të jetojnë është në dobi të tyre! Ne i lëmë të jetojnë veç që të shtojnë edhe më shumë gjynahet e tyre. Ata i pret një dënim poshtërues.” [Al Imran 178]. “Pra, m'i lër Mua ata që e mohojnë këtë Kuran! Ne do t’i afrojmë ata gradualisht (drejt ndëshkimt), prej nga nuk e presin. Unë u jap afat atyre, sepse ndëshkimi Im është shumë i fortë.” [Kalem 44, 45]. Ose: “Ma lër Mua atë, që e krijova të vetmuar, 72 që i mundësova të ketë pasuri të madhe; që e bëra edhe me djem, të cilët i ka me vete! Unë ia kam dhënë të gjitha mundësitë, ndërsa ai lakmon që t’ia shtoj edhe më shumë. Por jo. Ai u tregua mohues i fakteve Tona. Atë do ta ndrydh dhe do ta ndëshkoj me një dënim të rëndë e të padurueshëm.” [Mudethir 11 - 17]. Ose: “ Nuk janë pasuria juaj dhe as fëmijët tuaj, që mund t'ju afrojnë te Ne. Afër Nesh janë vetëm ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira.”. Këta janë ata që do të shpërblehen shumëfish për veprat e tyre dhe ata janë në banesa të larta, të sigurt nga çdo e keqe. ” [Sebe 37]. Ajetet me këtë mesazh janë shumta.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 23:51–23:56
- (Ne u patëm thënë): “O ju të dërguar (të Allahut)! Hani (të gjitha) gjërat që janë të mira dhe të pastra dhe bëni vepra të mira! - Ky është një urdhër që Allahu i Madhëruar ua ka drejtuar të gjithë profetëve të Tij: që të ushqehen me ushqime të këndshme, të mira, pra, me rizkun hallall, dhe ta falënderojnë e shprehin mirënjohjen Atij. Mirënjohja shprehet nëpërmjet punëve të mira, përmes të cilave rregullohen zemra dhe trupi, kjo jetë dhe ahireti. Pastaj u tregoi se Ai është i Gjithëditur për çdo përpjekje që bëjnë për hir të Tij. - Unë di gjithçka që ju bëni. – Ai ka për t’ju dhënë shpërblimin më të mirë. Kjo tregon se të gjithë profetët kanë qenë
unanimë në lejueshmërinë e ushqimeve të pastra e të mira dhe i kanë pasur të ndaluara të pistat dhe të këqijat. Gjithashtu, ata kanë qenë unanimë në urdhërimin për vepra të mira, edhe pse në disa urdhëresa mund të kenë pasur ndryshime. Sidoqoftë, të gjitha veprimet e tyre kanë qenë të mira, por të gradave të ndryshme, sipas kohës dhe vendit. Kështu mund të themi me bindje se çdo vepër e mirë, e cila është e tillë në çdo kohë dhe vend, ka qenë gjithmonë ligj i pranuar unanimisht dhe i kryer nga të gjithë profetët. Nga të tilla baza të pandryshueshme të mirësisë mund të përmendet urdhri për teuhidin dhe largimin nga shirku, sinqeriteti në adhurim e përkushtimin vetëm ndaj Tij, dashuria për Zotin, frikërespekti për Të, shpresa ndaj Tij, bamirësia e të gjitha llojeve, vërtetësia, çiltërsia e largimi nga gënjeshtra, plotësimi i premtimeve, ruajtja e lidhjeve farefisnore, bamirësia ndaj prindërve, të varfërve e jetimëve, bamirësia ndaj të gjitha krijesave. Për këtë arsye, dijetarët dhe të urtët që kishin njohuri për librat e shkruar hyjnorë, në kohën kur u dërgua Muhamedi (a.s) si profet, argumentonin për vërtetësinë e profetësisë së Tij duke parë natyrën e urdhëresave që Ai solli dhe të ndalesave që caktoi. Kështu veproi për shembull, Herakli. Kështu, duke qenë se ai përcillte të njëjtat urdhëresa si profetët para tij dhe ndalonte të njëjtat gjëra si edhe profetët para tij, kjo tregonte se edhe ai ishte njëlloj si ata. Ndryshe ndodh me profetët e rremë, të cilët ndalojnë nga të mirat dhe urdhërojnë për ligësi, nga të cilat profetët e shkuar i kanë ndaluar unanimisht popujt e tyre. Prandaj Allahu i Madhëruar u drejtohet profetëve dhe u thotë: - Kjo është feja juaj . Ajo është një fé e vetme (e pranuar tek Zoti) dhe (vetëm) Unë jam Zoti juaj. Prandaj më kini frikë Mua (e askënd tjetër) ! - Të gjithë ju, o profetë, jeni si një trup i vetëm, keni një fe të përbashkët dhe Zoti juaj është një i vetëm. Për këtë arsye, vetëm Atij frikësojuni duke kryer urdhëresat e Tij dhe duke iu larguar e ruajtur nga ndalesat e Tij. Duke urdhëruar profetët, Zoti në fakt ka urdhëruar të gjithë besimtarët, sepse ata janë pasues të profetëve dhe rrugës së tyre. Ai thotë: "O ju që keni besuar! Hani nga të mirat me të cilat ju kemi begatuar dhe falënderojeni Allahun, nëse jeni të sinqertë në adhurimin e Tij!" [Bekare 172]. Kështu, është detyrë për të gjithë ata që pretendojnë se pasojnë profetët, që të zbatojnë shpalljet e profetëve dhe urdhëresat e tyre dhe të ndërtojnë jetën sipas tyre. Por të padrejtët nuk dinin gjë tjetër, veç të përçaheshin dhe të mos i bindeshin Zotit, prandaj dhe tha: - Por, më vonë njerëzit u përçanë në grupe rreth fesë së tyre... - Kështu edhe ata që pretendonin se pasonin profetët u përçanë dhe u ndanë në fraksione. - ... dhe secili grup krenohej me atë të vetën. - Secili fraksion i gëzohej asaj që kishte, duke pretenduar se vetëm ata ishin në të vërtetën dhe të drejtën, kurse të tjerët ishin të mashtruar dhe të devijuar. Por një gjë është e sigurt: të udhëzuarit në rrugën e drejtë kanë qenë ata që kanë ndjekur
besnikërisht rrugën e profetëve, të cilët të gjithë hanin hallallin dhe bënin vepra të mira, siç Zoti i urdhëronte në shpalljet e Tij. Ndërsa ata që ndoqën rrugë të cilat bien ndesh me shpalljet hyjnore, ata ishin të devijuarit dhe trillues gënjeshtrash për fenë e Zotit. Allahu i Madhëruar thotë për ta: - Por, lëri ata edhe për pak kohë në vetëmashtrimin e tyre! - Lëri ata të sorollaten në injorancën e tyre rreth së vërtetës, lëri në vetëkënaqësinë e tyre dhe në pretendimin se ata janë në rrugë të drejtë. Allahu thotë: "...lëri ata edhe për pak kohë!" Pra, lëri derisa të zbresë mbi ta dënimi dhe zemërimi i Zotit. Për ata nuk vlen asnjë paralajmërim e këshillë. E si mund të përfitojë nga këshilla dikush që, pa dije, pretendon se është në të vërtetën dhe që çdo qëndrim tjetër e konsideron kotësi?! Ky mashtrim dhe vetëkënaqësi i lë ata në humbje të thellë, në pakujdesi e shpërfillje ndaj të vërtetës. - Mos vallë ata po mendojnë se meqë u kemi dhënë me mbushulli pasuri dhe fëmijë, Ne do t’u ofronim të gjitha të mirat? - Edhe ky është një shkak që ua shton vetëkënaqësinë. Ata të mjerë mendojnë se pasuria e madhe dhe pasardhësit e shumtë që u jep Zoti në këtë jetë janë shenjë treguese se ata kanë të drejtë, se ata janë të mirët dhe ata që meritojnë lumturinë. Ata mendojnë se do t’u jepen mirësi si në dynja, ashtu edhe në ahiret. Por të mos mendojnë kështu të mjerët, sepse çështja nuk qëndron aspak siç e mendojnë në vetëkënaqësinë dhe ëndrrat e tyre boshe. Allahu i Madhëruar thotë: - Jo, kurrsesi! Por, ata nuk kuptojnë. – Ne, thjesht po i afatizojmë ata dhe po u lëmë kohë që të kënaqen me stolitë e kësaj bote dhe të harrohen në to, që të shtohen më shumë gjynahet e tyre, në mënyrë që ndëshkimi në ahiret të jetë më i madh për ta. Kështu gëzohen ata të mjerë me atë që u jepet, prandaj e shpërfillin të vërtetën, siç thotë Zoti: "Por meqë ata i shpërfillën porositë, Ne u hapëm të gjitha dyert (e kënaqësive) dhe, kur ata po gëzonin për ato që iu ishin dhënë, i ndëshkuam në befasi, e ata mbetën të pashpresë." [En'am 44].