23. Muminun · Ajeti 89 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 23:75–23:89

Kurejshitët idhujtarë i pat zënë skamje e tmerrshme, derisa detyroheshin të hanin edhe shtazë të ngordhura. Njëfarë Thumame bin Athal u kishte bllokuar rrugën e tregtisë dhe ishte betuar se nuk do të lejonte kokërr drithi të sillej në Meke derisa Pejgamberi të lejonte një gjë të tillë. Kur u shtrënguan së tepërmi nga skamja, Ebu Sufjani i tha Pejgamberit: Po mendon se je i dërguar mëshirë për botën" Pejgamberi i përgjegji: "Pot" Atëherë, ai tha: Prindërit e idhujtarëve ranë viktimë nga shpata, të bijtë e tyre po bijnë viktimë urie, atëherë Pejgamberit iu shpall ajeti: "Edhe sikur t'i mëshirojmë... dhe u tërhoqi vërejtjen se ata do t'i zë dënimi edhe më i ashpër, përderisa nuk i pranojnë mësimet e Allahut të shpallura në Kur'an.

Allahu ua numëron të mirat që u ka dhënë njerëzve, e megjithatë, disa prej tyre, si kurejshitët, nuk falënderojnë fare. Ai sqaron fuqinë e Vet të pakufishme në krijimin e çdo sendi, në pushtetin dhe kompetencën e Tij edhe ndaj Arshit të madh, për atë se vetëm Ai merr në mbrojtje atë që do dhe askush tjetër nuk mund të ketë mbrojtje jashtë mbrojtjes së Tij, po edhe pas këtyre fakteve ata bredhin në iluzionet e mëparshme.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 23:84–23:90

Allahu i Lartësuar dëshmon se Ai është një i vetëm, i pakrahasueshëm në pushtetin për të krijuar, për të rregulluar çështjet e krijesave dhe në mbretërimin dhe sundimin e Tij. Këto fakte, Allahu i Lartësuar i pohon për të udhëzuar robërit në besimin e vetëm të vërtetë, në besimin se Ai është Allahu, i vetmi Zot që meriton të adhurohet. Nuk ka tjetër të adhuruar me meritë, veç Tij. Adhurimet nuk i duhen përkushtuar askujt tjetër, përveç Allahut, që është një i vetëm, i pashoq dhe pa ortak në meritën për t’u adhuruar nga krijesat. Ai e porosit Profetin e Tij që t’u drejtojë këto fjalë idhujtarëve, të cilët adhurojnë idhuj të tjerë, edhe pse ata janë të bindur se Allahu i Madhëruar është i vetmi Krijues, Zotërues, Sundues dhe Kujdestar i gjithësisë, pa shokë e pa ortakë në këtë pushtet. Megjithatë, ata i bëjnë shok Zotit në uluhije, domethënë, duke i përkushtuar adhurime dikujt tjetër. Ata adhurojnë idhuj, edhe pse e dinë që ata janë krijesa dhe nuk kanë asnjë lloj pushteti të përbashkët me Zotin. Ata i adhurojnë zotat e tyre, duke shpresuar më kot se do t’i afrojnë dhe do t’i bëjnë më të pranueshëm tek Allahu, siç na njofton i Lartësuari në ajete të tjera. Kështu, Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij të dashur që t’u thotë këtyre njerëzve: - “Thuaju: “E kujt është Toka dhe çdo gjë në të, nëse e dini?” - Kush e krijoi Tokën dhe gjithçka që ekziston në të?

- “Ata do të thonë: “E Allahut.” - Ata e pranojnë se i gjithë krijimi është vepër e Allahut, që është Një i vetëm dhe pa ortak. - “Atëherë, thuaju: “Dhe sërish nuk mendoni?!” - A nuk e kuptoni se nuk meriton që të adhurohet askush tjetër, përveç Krijuesit, Atij që është edhe Furnizuesi, që përkujdeset për krijesat e Tij dhe askush tjetër, veç Tij. - “Thuaju: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zot i Arshit të madh?” - Kush është Ai që krijoi botën e epërme dhe kush është Zoti i Arshit madhështor. Arshi është tavani i të gjitha krijesave të Allahut, i gjithë krijimit të Tij. Në hadithin që sjell Ebu Daudi, Profeti i Allahut thotë: 1903. “Madhështia e Allahut është shumë më e madhe se kaq. Me të vërtetë, Arshi i Tij qëndron mbi të gjithë qiejt e Tij kështu (dhe Profeti bëri me dorën e tij si shembulli i kubesë).74” Ndërsa në një hadith tjetër thotë: 1904. “Shtatë qiejt, shtatë tokat dhe gjithçka mes tyre e brenda tyre, në krahasim me Kursijin i ngjajnë një unaze të hedhur në një shkretëtirë të gjerë. Po kështu, edhe Kursiji me gjithçka në të, në krahasim me Arshin, është njëlloj si ajo unazë në atë shkretëtirë të madhe.” 75Allahu i Lartësuar e përshkruan Arshin e Tij si “ el adhim ”, pra, i madh, i madhërishëm. - “Ata do të thonë: “Allahu.”. Thuaju: “Atëherë, a nuk druheni?” - Nëse ju e pranoni se Ai është Zoti i qiejve, Zoti i Arshit të madhërishëm, atëherë a nuk i frikësoheni ndëshkimit të Tij, a nuk i druheni zemërimit dhe dënimit të Tij, kur adhuroni dikë tjetër. - “Thuaju: “Në dorë të kujt është pushteti për gjithçka?” - Në dorën e kujt është mbretërimi, sundimi dhe pronësia e gjithçkaje? - “Kush është Ai që mbron e prej të Cilit nuk mund të mbrohesh nga askush? Thuajeni, nëse e dini!” - Arabët e kishin zakon që, nëse zotëria më i nderuar dhe i respektuar ndër ta i ofronte mbrojtje dikujt, askush nuk e thyente këtë mbrojtje. Gjithashtu, askush që ishte më poshtë këtij zotërie në pozitë, nuk mund të merrte dikë në mbrojtje pa lejen e zotërisë më të nderuar të popullit. Ky ishte një rregull, që ata nuk e shkelnin kurrë. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar u drejtohet këtyre njerëzve duke përshkruar Veten e Tij: “Ai që mbron e prej të Cilit nuk mund të mbrohesh nga askush”. Allahu është më Madhështori dhe Absoluti në zotërimin dhe sundimin e Tij. Nuk ka më të madh se Ai në pushtetin dhe nderimin që meriton. Në dorën e Allahut është krijimi i gjithçkaje dhe çdo çështje e gjithësisë. Askush nuk mund të kontestojë apo t’i kundërvihet gjykimit dhe vullnetit të Tij. Ai nuk mund të pengohet në atë që dëshiron dhe askush nuk mund të kundërshtojë atë që Ai vendos. Ajo që Ai ka dëshiruar të jetë, ajo do të ekzistojë dhe ajo që Ai nuk ka dëshiruar të jete, ajo kurrë nuk mund të jetë. - “Ata do të thonë: “Në dorë të Allahut.” - Ata pranojnë se edhe ky pushtet është në dorë të Allahut të Lartësuar dhe se Ai është më madhështori Zotërues e Sundues, i Cili mund të mbrojë gjithkënd dhe prej të Cilit askush nuk mund të të mbrojë dot. Ai është

i vetëm dhe pa ortak në këtë pushtet dhe zotërim. - “Thuaj: “Atëherë, përse mashtroheni?” - Atëherë, si është e mundur që gënjeheni dhe adhuroni dikë tjetër veç Allahut, kur ju i pohoni të gjitha këto cilësi madhështore të Tij?! - “Ne u kemi sjellë atyre të Vërtetën ...” - E vërteta për të cilën flitet këtu është pikërisht dëshmia se: “Nuk ka të adhuruar me meritë, veç Allahut.” Ne, - thotë Allahu i Lartësuar - sollëm argumente të prera e të pakundërshtueshme, në lidhje me këtë të vërtetë të madhe: - “Por ata janë me të vërtetë gënje - shtarë.” - Ata janë mashtrues e trillues besimesh të kota, për adhurimet e idhujve të tyre. Ata nuk kanë asnjë argument ku mbështeten, në lidhje me këtë padrejtësi të madhe e të pafalshme që bëjnë, siç thotë Allahu i Lartësuar në fund të kësaj sureje: “Kush adhuron përveç Allahut ndonjë zot tjetër, për të cilin nuk ka kurrfarë fakti, do të përgjigjet vetëm para Zotit të vet. Dhe mohuesit nuk do të shpëtojnë kurrë.” Kështu, idhujtarët bien në shirk, jo sepse kanë fakte për diçka të tillë, por ata thjesht pasojnë symbyllurazi e pa u menduar aspak etërit e tyre të parë, që ishin të padrejtë dhe të paditur, siç thotë Allahu i Lartësuar në ajete të tjera: “A mos u kemi dhënë ndonjë libër para këtij, të cilit ata i përmbahen? Jo. Por ata thonë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje.”.” [Zuhruf 21 - 22.]

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 23:84–23:89

Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij që t’u lexojë këto ajete mohuesve të ringjalljes, atyre të cilët kanë parapëlqyer idhujt kundrejt Zotit të gjithësisë. Nëpërmjet këtyre ajeteve, u thërret mendjes së atyre të mjerëve që të kujtojnë ato gjëra që i besojnë edhe vetë dhe të meditojnë me kujdes në to. Ata e besojnë se Allahu është Krijuesi, Furnizuesi dhe Rregulluesi i gjithësisë. Pra, ata e njësojnë Allahun në aspektin rububije. Atëherë, ajeti i nxit ata që, duke u nisur nga fakti se Allahu është Një i vetëm në aspektin rububije, të pranojnë se Ai është Një dhe i vetëm edhe në aspektin uluhije, pra, në meritën e adhurimit, përkushtimit dhe nënshtrimit ndaj Tij. Gjithashtu, ata e besojnë se është Allahu i Madhëruar Ai që i krijoi qiejt dhe tokën dhe çdo gjë tjetër mes tyre. Atëherë, le të meditojnë në këtë fakt që e pranojnë, për të pranuar edhe faktin që Allahu mund t’i ringjallë të vdekurit, sepse kjo është edhe më e lehtë se krijimi i gjithë atyre krijesave madhështore. Duke i nxitur që të mendojnë e të vënë në përdorim logjikën, Allahu i Madhëruar thotë: - Thuaj: “E kujt është Toka dhe çdo gjë në të? (Thuajeni) nëse e dini!”” - Kush është Ai që e krijoi tokën dhe gjithë çka në të: kafshët, bimët, sendet, oqeanet, lumenjtë, malet? Pronë e kujt janë ato dhe në sundim të kujt? Kush është Ai që rregullon çdo çështje në këtë botë? Nëse i pyet, ata me siguri do të thonë se i krijoi Allahu, që është Një i vetëm e i Pashoq. E

nëse ata e pohojnë diçka të tillë, atëherë thuaji: - Ata do të thonë: “Të Allahut.”. Atëherë, thuaju: “Dhe megjithatë, nuk po mendoni?” - Pse nuk e kujtoni këtë fakt, që Zoti jua përmend dhe që ju e pranoni në logjikën tuaj? Ndoshta ky fakt mund të flejë në mendjet tuaja, për shkak të largimit tuaj nga rruga e Zotit, por nëse ju i ktheheni kujtesës suaj dhe meditoni pak me kujdes, do të dëshmoni me bindje se Ai që i sundon dhe ka në pronësi gjithçka, pikërisht dhe vetëm Ai duhet të jetë i Adhuruari i vetëm në zemrat tuaja. Adhurimi i krijesave, që janë pronë e dikujt tjetër, është gjëja më e kotë dhe e pamend që mund të bëjë dikush. Pastaj Allahu i Madhëruar përmend diçka më të madhe se toka: - Thuaj: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zot i Arshit të Madh?” - Kush është Krijuesi e Zoti i qiejve të gjerë, plot rrugë yjesh që lëvizin dhe që qëndrojnë në prehje? Kush është Zoti i Fronit të madh? Froni është krijesa më e lartë, më e gjerë dhe më madhështore e Zotit. Kush, pra, është Ai që krijoi të gjitha këto dhe kujdeset për to? - Ata do të thonë: “Allahu.”. - Ata do të pohojnë se është Zoti Ai që e bën gjithë këtë. Nëse ata e pohojnë këtë gjë, atëherë thuaju: - Thuaju: “Atëherë, a nuk po frikësoheni (e t'i ruheni dënimit të Tij) ?” - Pse nuk frikësoheni dhe t’i largoheni adhurimit të kotë që ia përkushtoni krijesave të dobta dhe të pafuqishme?! Pse nuk po i frikësoheni Zotit të botëve dhe t’i ruheni dënimit dhe zemërimit të Tij?! Ai ka pushtet, madhështi e sundim absolut. Vini re se sa me dashuri dhe butësi Zoti u drejtohet njerëzve, kur thotë: “Pse nuk po mendoni? Pse nuk po frikësoheni?” Kjo mënyrë i tërheq zemrat drejt asaj që u sjell dobi dhe i ruan. Pastaj i Madhëruari u përmend diçka që është edhe më gjithëpërfshirëse: - Thuaj: “Në dorën e kujt është pushteti për gjithçka? - Në dorën e kujt është pushteti e sundimi i çdo gjëje, i botës së sipërme dhe asaj të poshtme, i asaj që e shohim dhe asaj që nuk e shohim? - Dhe kush është Ai që i mbron (të gjithë),... - Ai i strehon dhe i mbron krijesat nga e liga dhe nga çdo gjë që i dëmton. - ... e prej të Cilit askush nuk mund të të mbrojë dot? Thuajeni nëse e dini!” - Askush nuk mund të të strehojë e të të mbrojë nga Allahu, nëse Ai dëshiron të të dënojë. Atë gjë që Zoti e ka caktuar të të godasë, askush nuk mund ta kthejë pas apo ta pengojë të realizohet. Madje, edhe në lidhje me ndërmjetësimin, askush nuk mund të ndërmjetësojë pa lejen e Allahut. Edhe në lidhje me këtë pyetje, do të thonë: - Ata do të thonë: “Në dorë të Allahut.” - Ata do të pohojnë se nën sundimin dhe pushtetin e Allahut është gjithçka dhe se Ai është Mbrojtësi i vetëm, nga i cili nuk të mbron dot askush. E nëse ata e pohojnë këtë fakt, atëherë thuaju: - Thuaj: “Atëherë, si po mashtroheni (nga e kota) ?” - Pra ku shkojnë dhe sorollaten mendja dhe logjika juaj?! Si mundet që të adhuroni diçka për të cilën jeni të sigurt se nuk ka asnjë thërmijë pushteti dhe janë të dobët e të pafuqishëm në çdo aspekt? Si është e mundur të zhyteni në këtë llum dhe të braktisni adhurimin e Krijuesit madhështor, Sunduesit të Plotpushtetshmët në dorën e të Cilit është rregullimi i çdo gjëje? E pra një mendje që të udhëzon në një kotësi të tillë, nuk mund të jetë veçse e magjepsur dhe e sunduar nga ligësia. Nuk ka dyshim se të tilla mendje i ka zaptuar me magji shejtani i mallkuar nëpërmjet, zbukurimit e stolisjes, nëpërmjet përmbysjes së realitetit. Ja kështu shejtani i mallkuar ua ka magjepsur mendjet, ashtu siç i magjepsin magjistarët sytë e njerëzve.

← Muminun 23:89