26. Shuara · Ajeti 104

سورة الشعراء
Përkthimi Sherif Ahmeti
104

وَإِنَّ رَبَّكَ لَهُوَ ٱلۡعَزِيزُ ٱلرَّحِيمُ

Është e vërtetë se Zoti yt është i gjithëfuqishëm i mëshirshëm.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Në fillim të kësaj sureje u përmend brengosja e Muhamedit a.s. për popullin e vet, i cili nuk besonte, u përmend edhe sprova e Musait, që të njoftohej Muhamedi me problemet me të cilat u ballafaquan edhe pejgamberët e tjerë para tij, por pikëllimi i Ibrahimit është edhe më i madh, sepse do të duhet ta shohë babain dhe popullin e vet në zjarr, e të mos ketë mundësi tjetër për t’i shpëtuar pos lutjes. Këto dhe tregimet e tjera për pejgamberët kishin si qëllim lehtësimin e brengosjeve të Muhamedit a.s. Përmes lutjes së Ibrahimit drejtuar Zotit xh. sh. shihet sinqeriteti i tij i mbështetur vetëm në Allahun. Edhe pse është njëri prej pejgamberëve të zgjedhur ai me lutje i drejtohet Zotit, që t’ia falë gabimin, ta bashkojë me të mirët dhe ta bëjë përkujtim të pavdekshëm me vepra të mira, të cilat do të shërbejnë si shembull për të tjerët, që do të vijnë pas tij. Shihet respekti i tij ndaj babait të vet, edhe pse ai nuk ishte në rrugën e drejtë. Njeriu duhet t’i përkujtojë këto veti të bukura të Ibrahimit për çfarëdo rasti qoftë dhe të përpiqet të shkojë gjurmëve të tij, pse sikur të mos ishin me një rëndësi shumë të madhe, Zoti nuk do të na i përkujtonte përmes fjalës së vet.