28. Kasas · Ajeti 70 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 28:58–28:70

Me zhdukjen e popujve të mëparshëm, mekasve u tërhiqet vërejtja me vendet që tani kishin mbetur të shkretëruara, duke mos banuar askush në to, përveç ndonjë kalimtari që përkohësisht ndalej në to. Ata patën përbuzur të mirat e Zotit, nuk i pranuan udhëzimet e as pejgamberët, ashtu si bënin edhe mekasit me Pejgamberin tonë. Zoti nuk ndëshkoi asnjë popull pa ia dërguar njëherë pejgamberin, pa ia treguar udhën e drejtë, e nëse edhe mëtutje e vazhdonin rrugën e gabuar, atëherë dënimi ishte masë e domosdoshme.

Të mirat e kësaj bote sado që të jenë të këndshme e të bukura, nuk kanë ndonjë peshë, sepse janë të përkohshme. Të mirat të cilat Zoti ua premtoi besimtarëve, e që është e sigurt se do ti gëzojnë, janë shumë më të vlefshme dhe janë të përjetshme, andaj njerëzit e mençur duhet të mendojnë e të mos i vlerësojnë njësoj.: Megjithatë, që disa njerëz u prijnë punëve të këqia dhe si të tillë e bartin përgjegjësinë më të madhe edhe për ata që i mashtruan, të mashtruarit nuk mund t'i shmangen përgjegjësisë, sepse çdokush duhet të angazhojë mendjen e vet për të gjetur të vërtetën,c jo duke imituar të tjerët duke i pasuar verbërisht.

Në ditën e kijametit Zoti u drejtohet njerëzve me thirrje se çfarë iu përgjigjen ata thirrjes së pejgamberëve, e atyre u humb lidhja sa që nuk mund ta flasin asnjë fjalë.

Mekasit thonin se do ta pranonin pejgamber ndonjë njeri të madh e me famë të madhe, e jo jetimin. Zoti krijon çka të dojë, cakton pejgamber kë të dojë, Ai i di edhe qëllimet e tyre të fshehta, pra i madhërishëm është Ai, i falënderuar për të mirat e kësaj dhe botës tjetër. Vetëm Ai është Zot. Ai vendos, tek Ai është e ardhmja!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 28:68–28:70

Allahu i Lartësuar na tregon se Ai është i vetëm në pushtetin për të krijuar dhe Ai zgjedh çfarë të dëshirojë. Askush nuk mund t’i përzihet në vendimet e Tij dhe askush nuk mund ta kundërshtojë Atë. I Lartësuari thotë: - “Zoti yt krijon dhe zgjedh çfarë të dojë.” - Zgjedh çfarë të dëshirojë për çdo çështje. E mira dhe e keqja janë në dorë të Tij. - “Nuk u takon atyre të zgjedhin.” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar në ajetin tjetër: “Kur Allahu ose i Dërguari i Tij kanë vendosur për një çështje, nuk i takon (nuk i lejohet) besimtarit dhe besimtares që të gjejnë ndonjë gjykim tjetër për të. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, është në rrugë krejt të gabuar.” [Ahzab 36]. Pastaj i Lartësuari thotë: - “I Pastër dhe i Lartësuar qoftë Allahu nga çfarë i përshkruajnë për shok!” - Ai është larg idhujve, të cilët nuk mund të krijojnë dhe as të vendosin për ndonjë gjë. - “Zoti yt e di mirë gjithçka që fshehin zemrat e tyre dhe gjithçka që e shfaqin haptazi.” - Ai e di mirë çfarë fshihet në zemra dhe çdo të fshehtë që vërtitet në shpirtin e robit. Ai di çdo gjë rreth krijesave të Tij. - “Ai është Allahu, veç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë.” - Ai është i vetëm në meritën e adhurimit; asnjë nuk meriton ta duash, ta madhërosh dhe t’i nënshtrohesh, përveç Allahut, ashtu sikurse dhe nuk ka tjetër Zot, Kujdestar, Krijues, Pronar dhe Rregullues të çështjeve, përveç Tij. - “Vetëm Atij i takon i gjithë lavdërimi në këtë botë dhe në botën tjetër.” - Allahu është i lavdëruar për gjithçka që Ai vepron.

Ai është i përlëvduar për drejtësinë dhe urtësinë e Tij. - “Vetëm Atij i takon gjykimi ...” - Askush nuk mund të kundërshtojë gjykimin e Tij, sepse Ai është mposhtësi dhe nënshtruesi i gjithçkaje, Triumfuesi mbi gjithçka. Ai është i Urtë dhe absolut në urtësinë e Tij dhe i gjerë në mëshirën e Tij. - “... dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë.” - Që të gjithë do të ktheheni tek Ai në Ditën e Kijametit. Çdo njeri do ta shpërblehet dhe shpaguhet sipas veprave të tij, të mira apo të këqija. Allahut nuk i fshihet asnjë vepër e robërve.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 28:68–28:70

- Zoti yt krijon dhe zgjedh çfarë të dojë. Nuk u takon atyre të zgjedhin. I pastër dhe i Lartësuar qoftë Allahu nga çfarë i përshkruajnë për shok! - Në këto ajete na tregohet se Allahu është Krijuesi i të gjitha krijesave dhe mbi ta zbatohet veçse vullneti dhe ligji i Tij. Ai tregon se është i vetmi Ai që ka në dorë gjithçka dhe të drejtën për të përzgjedhur dhe dalluar kë të dojë dhe çfarë të dojë, me cilësitë përkatëse. Ai vendos urdhëresat, përcakton kohët dhe vendin për gjithçka. Askush veç Tij nuk ka në dorë ndonjë gjë prej çështjeve të krijimit dhe përcaktimit. Ai është i Lartësuari, i Madhëruar dhe i Lavdëruari, prandaj askush

nuk mund të përzihet në çështjet e Tij. Ai nuk ka partnerë, shokë, ndihmës e mbështetës, as fëmijë e grua. Ai nuk ka nevojë për asgjë që i shoqërojnë idhujtarët dhe injorantët. - Zoti yt e di mirë gjithçka që fshehin zemrat e tyre dhe gjithçka që e shfaqin haptazi. - Atij nuk mund t’i fshihet asgjë në qiell dhe as në tokë. Ai i di si ato gjëra që njerëzit i shfaqin haptazi ashtu edhe ato që i fshehin në gjokset e tyre. Ai është i Vetmi i adhuruar me meritë në dynja dhe në ahiret, sepse Ai është i plotë dhe Absolut në cilësitë e madhështisë dhe bukurisë dhe Ai është i vetmi që, me bujarinë e Tij, u ka dhuruar krijesave mirësitë e panumërta dhe çdo gjë që ata zotërojnë. - Ai është Allahu, veç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë. Vetëm Atij i takon i gjithë lavdërimi në këtë botë dhe në botën tjetër. - Ai është i vetmi Gjykues dhe Ligjvënës në dynja dhe në ahiret. Në dynja është Ai që ka vendosur ligjin e krijimit dhe kaderit. Sipas këtij ligji u krijuan të gjitha krijesat. Gjithashtu, është Ai që zbriti në këtë dynja ligjin e Sheriatit, të fesë dhe besimit. Këtë e bëri përmes shpalljeve, ligjeve, urdhëresave dhe ndalesave, që solli nëpërmjet profetëve të Tij. Ndërsa në ahiret është Ai që do të gjykojë me drejtësi absolute me ligin e Tij të shpërblimit dhe shpagimit. Prandaj dhe tha: - Vetëm Atij i takon gjykimi dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë. - Secilin prej jush do ta shpërblejë sipas punëve të tij të mira ose të këqija.

← Kasas 28:70